Kritikat pas miqësores me Bjellorusinë ishin shumë më të ashpra se sa pas një humbjeje në elimina toret e Botërorit. Kjo për disa motive: Shqipëria nuk prodhoi lojë, u rikthye te gabimet e vjetra dhe ishte shumë e trembur në fushë. Megjithatë, trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, mbetet optimist për të ardhmen dhe thotë se e ka tashmë në kokë grupin e lojtarëve me të cilët do të luftohet në eliminatoret e ardhshme. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shpjegon edhe rregulloren e brendshme të publikuar pak ditë më parë, si dhe “zbulon” disa detaje që kanë të bëjnë me formacionin e ardhshëm. Italiani gjithsesi e pranon se problemi emergjent i Shqipërisë sot është goli. Mungon një bomber që ta nxjerrë ekipin nga situata të vështira.
Z.De Biazi, shumë kritika ndaj skuadrës dhe ndaj jush pas ndeshjes me Bjellorusinë, për shkak se Shqipëria bëri një lojë aspak bindëse. E kujt është përgjegjësia në këtë mes?
Së pari, ishte një ndeshje eksperimentale, ku unë provova disa gjëra. Duhet të kuptojmë se u luajt në transfertë, në një stadium pa tifozë dhe duke qenë se ishte ndeshja e parë e dyvjeçarit të ardhshëm, u luajt në një atmosferë jo si ato që karakterizojnë shpesh ambientin shqiptar. Gjithsesi, dua të them se mora disa përgjigje pozitive, edhe pse në përgjithësi duhej dhe mund të kishim bërë më shumë.
Çfarë u thatë lojtarëve pas ndeshjes?
E ngrita pak zërin, sidomos në pushim të ndeshjes, sepse refuzoj të besoj se kjo skuadër dhe këta djem nuk dinë të bëjnë më shumë se sa aq sa bënë në pjesën e parë ndaj Bjellorusisë. Unë kam folur pas eliminatoreve të Botërorit me lojtarët si në grup ashtu edhe në mënyrë të personalizuar. Dua që ata ta dinë se ne nuk kemi kualitete kushedi se çfarë, ndaj duhet të japin 200 për qind për të arritur objektivin.
Çfarë nuk ju pëlqeu në skuadër?
Dëshira ime e madhe dhe nevoja e përhershme e kësaj skuadre është që lojtarët duhet të vënë zemrën në fushë gjithnjë kur luajnë. Duhet një skuadër me grintë dhe me gjallëri atletike që të mund t’i vërë kundërshtarët në vështirësi. Mua më bezdis fakti që në momente të caktuara jemi pak agresivë dhe pak të koordinuar në lëvizjet që bëjnë repartet mes tyre kur e kemi topin në zotërim, por edhe kur nuk e zotërojmë atë.
Sa është përgjegjësia juaj në këtë mes?
Unë i kam mbajtur dhe do i mbaj gjithnjë përgjegjësitë e mia, por duhet të dini se unë dhe lojtarët duhet të funksionojmë si një trup i vetëm që të mund të kemi sukses, në të kundërt është e vështirë. Gjithsesi, jam vërtet optimistë, sepse po punojmë shumë që të ndryshojmë më së pari mentalitetin dhe më pas të mund të jemi në gjendje të marrim atë që duam. Megjithatë, duhet pasur parasysh se lojtarët duhet të shfrytëzojnë mundësitë e pakta që ka Shqipëria për të bërë teste deri në fillim të edicionit të ardhshëm. Maksimumi do jenë edhe tre ose katër miqësore…
Jeni kritikuar shpesh për eksperimente të tepruara. Kur do të kemi një skuadër më solide dhe me një formacion fiks?
Kemi bërë eksperimente, sepse kemi pasur nevojë për lojtarë të rinj dhe alternativa cilësore. Megjithatë, ju siguroj se që nga marsi do të konturohet grupi prej 21 apo 22 lojtarësh, me të cilët do luftojmë në eliminatoret e ardhshme.
Dallku dhe Bulku do të jenë pjesë e atij grupi?
Duhet të prisni marsin për të kuptuar se kush do të jetë dhe kush jo. Unë mund t’ju them se tashmë në kokën time e kam gati grupin e lojtarëve me të cilët do të projektohet fushata e ardhshme eliminatore.
Çfarë duhet të ndryshojë në të ardhmen?
Mentaliteti! Duhet të kuptojmë mirë se mënyra e vetme për t’ia dalë mbanë është që të gjithë lojtarët duhet të japin gjithçka në fushë, për të kompensuar ndoshta edhe ndonjë mangësi teknike apo mangësi që ka të bëjë me eksperiencën që kanë një pjesë e lojtarëve në ndeshje të niveleve të larta.
Duket sikur Shqipërisë i mungojnë idetë në fushë. Mos ndoshta kjo vjen prej faktit se jemi mësuar për shumë vite me një fantazist në fushë të tipit Skela…?
Shqipëria e ka një fantazist në fushë.
Kush është fantazisti i Shqipërisë?
Valdet Rama. Ju siguroj se është një fantazist i shkëlqyer.
Në fakt, thelbi ishte për një lojtar që të vertikalizojë, të jetë vizionari i lojës ndërtuese, ose siç thuhet ndryshe, “truri” i ekipit…
Dakord, atëherë, po flasim për lojtarin organizator, pra për “play maker”-in dhe ne kemi disa të tillë. Dy prej tyre janë Basha dhe Kaçe. Gjithsesi, sa për fantazist, po ju them se është Rama dhe është shumë i mirë.
Po, por fantazistët zakonisht luajnë pas dy sulmuesve…
Të shohim, edhe Rama mund ta bëjë këtë në të ardhmen. E kam seriozisht…
Çfarë po ndodh me sulmin e Shqipërisë, pasi shënojmë shumë pak?
Po, është e vërtetë. Ky është një problem real për Kombëtaren në këtë moment, pasi nuk kemi një bomber që ta dërgojë topin në rrjetë në ato pak raste që krijohen në ndeshje delikate apo të koklavitura. Çani nuk po kalon një moment të mirë, sepse nuk po arrin të luajë as në Serinë B. Sadiku është rikthyer të luajë rregullisht tek ekipi i tij, por të mos harrojmë se luan në Kategorinë e Dytë të Zvicrës dhe kjo nuk e ndihmon edhe aq shumë në ndeshjet me intensitet të lartë dhe me rivalë të regjur. Sa i përket Salihit, vjen pas një periudhe sforcoje të madhe, sepse sapo ka mbyllur sezonin, por ndërkohë ka bërë edhe udhëtime sfilitëse. Bala mendoj se është ende i ri dhe i duhet pak më shumë eksperiencë. Gjithsesi, duhet të jemi të qartë se sulmuesit tanë këta janë dhe nuk presim të na bëjnë ndonjë dhuratë, ndaj kemi detyrën t’i menaxhojmë mirë dhe t’i ndihmojmë të japin më të mirën në fushë.
Keni vendosur disa rregulla që u pagëzuan si kodi “De Biazi”. Cili ishte qëllimi i tyre?
Kam ardhur në Shqipëri për të arritur një objektiv maksimal. Nuk kam ardhur këtu për të përmirësuar gjërat, por për të ndryshuar mentalitetin, mënyrën e punës dhe për të krijuar në tërësi edhe një imazh serioz. Për këtë qëllim kam aplikuar një rregullore të re të brendshme, të cilën e kam shkruar të bardhë mbi të zezë dhe po ju them se shumë prej këtyre rregullave kanë qenë edhe në edicionin që kaluam. Unë e bëra, pasi pashë dhe vlerësova sjelljet në tërësi, duke menduar se një rregullore e brendshme është e nevojshme për të disiplinuar sjelljen e lojtarëve.
Eshte fjala e zeza mbi te bardhe. Dhe shume mire qe e bere kete rregullore. Ne na duhen dy lojtare, nje pyke ne sulm, por jo Çani, dhe nje organizator qe te luaje topin, tip Skele. Te tjeret jane.
fantazistin e ke gati (gjasula).Pse duhet te sorrollatesh andej ketej?
Merr valdel ramen coje ne qender kur ai eshte shume i rrezikshem dhe efikas ne krah.Nuk e di po ky ka luaj me bazel dhe kam pa nje video ne youtube me duket adapt per te dhene asist dhe te litex po kalon periudhe te mire.
Gjasula eshte teknik i mire,ka gjuajtje te mire por nuk eshte shume i shpejte. Lojtaret ne bote kanè shpejtèsinè e nevojshme. Valdet Rama po ,ai perveç tjerash ka edhe shpejtèsinè. Shqipèrisè po i mungon njè Tare dhe njè Skelè…