Igli Tare këmbëngul, do Mavrajn te Lacio

15 Nëntor 2013, 14:54Sport TEMA

Drejtori sportiv i Lacios, shqiptari Igli Tare, shpreson ta bindë mbrojtësin kosovar të Grojter Fyrthit t’i bashkohet skuadrës nga Roma.

“Igli Tare është njohës i madh i futbollit gjerman, pasi ka luajtur në Gjermani. Ai dëshiron të sjellë në Romë mbrojtësin Mërgim Mavraj. 27- vjeçari është në Grojter Fyrth dhe klauzola është e vogël për ta sjellë atë në Romë. Lojtarit i skadon kontrata vitin e ardhshëm. Mavraj ka bërë paraqitje të mira në Kombëtaren e Shqipërisë, në ekipin U-21 të Gjermanisë dhe me skuadrën”, shkruan “cittaceleste.it”.

Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, të paktën deri në verën e vitit të ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës gjermane Grojter Fyrth. Ai ka thënë se gjatë afatit kalimtar të janarit nuk do të lëvizë nga ekipi që garon në Bundesligën 2 të Gjermanisë. Kështu ka bërë të ditur të enjten për “Kohën Ditore” vetë futbollisti.

“Nuk ka asgjë konkrete. Largimi im nga Grojter Fyrthi është në plan, por në janar nuk do të realizohet. Shkak është kontrata që kam me klubin. Çdo gjë mund të ndodhë, por së paku deri në verë jam i Grojter Fyrthit”, ka thënë Mavraj. 27-vjeçari nuk ka dijeni nëse do të mbetet në ekip, pasi kjo varet nga fakti në do të arrijë të kthehet apo jo Grojter Fyrth në Bundesliga 1, në përfundim të këtij sezoni.

“E ardhmja e klubit luan rol në zgjedhjen përfundimtare, por meqë nuk kam vendosur ende përfundimisht, atëherë jam duke kërkuar zgjidhjen e duhur”, ka shtuar Mavraj. Ai me Grojter Fyrthin ka kontratë deri në qershor të vitit 2014. Sakaq, kujtojmë që qendërmbrojtësi nuk është në dispozicion të trajnerit Xhani De Biazi për takimin e sotëm miqësor në Turqi. Ai ka njoftuar stafin teknik se është i dëmtuar, ndaj edhe ka preferuar që të mos shkojë në këtë ndeshje.

2 komente në “Igli Tare këmbëngul, do Mavrajn te Lacio”

  1. Albanian EAGLE says:

    …thone se Igli Tare don ta ripagezoje klubin e Lazios me emrin e ri Turbina

  2. besnik says:

    o Tare do e nxjeresh lacion ne kategorin e 2 ri cte krueht b…a

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje