Armando Sadiku do të jetë lojtar i FC Zyrihut, ku bën pjesë edhe Burim Kukeli, nga janari i vitit që vjen. Saktësohet më së fundi edhe destinacioni i sulmuesit shqiptar, që do të provojë kësisoji të veshë fanellën e skuadrës së tretë helvete. Pas Lokarnos dhe Luganos, futbollisti ynë kuqezi do të provojë edhe atë të FC Zyrihut. Lajmi në fjalë bëhet i ditur nga mediat zviceriane, nga klubi që ka arritur marrëveshjen me shqiptarin, por edhe nga vetë sulmuesi në faqen e tij zyrtare në facebook. “24 heures”, gazetë zviceriane, duke konfirmuar këtë transferim, shkruan: “FC Zyrih bën të vetin golashënuesin e “Challenge League”, Armando Sadiku, raporton “Panorama Sport”.
Shqiptari është pjesë e Luganos që prej vitit të kaluar dhe është përvijuar si “top golashënues”. Sadiku do të vihet në dispozicion të FC Zyrihut që nga janari 2014. Palët kontraktuese janë pajtuar më tej që në rast të çdo shitjeje të mëtejshme të Sadikut, një pjesë e të ardhurave të shkojnë edhe për Luganon. Sadiku ishte në dy sezonet e fundit golashënuesi më i mirë në “Challenge League”. Ai ka luajtur për Luganon që nga fillimi i vitit 2012, i ardhur nga Lokarno”.
Pra, sulmuesi i kombëtares kuqezi ngjitet në kategorinë e më të mirëve në Zvicër, por ama i bashkohet skuadrës së parafundit në renditje. FC Zyrihu pozicionohet për momentin në vendin e 9-të, nga dhjetë skuadra që ka “Super League” helvete, me 15 pikë të grumbulluara në 14 ndeshje. Pra, rrezikon rënien një kategori më poshtë, aty ku militonte edhe Sadiku bashkë me Luganon. Me këtë të fundit, lojtari shqiptar ka shënuar 5 gola në këtë sezon, njërin me penallti, për llogari të kampionatit, ndërsa ka luajtur 718 minuta lojë në tetë ndeshje. Sezonin e kaluar shënoi 18 gola me Luganon, në 32 ndeshje të aktivizuara. Kujtojmë se në Shqipëri, Sadiku ka qenë pjesë e Elbasanit dhe Gramozit, para se të transferohej në Zvicër. Ai ka luajtur 9 ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke shënuar edhe një gol, në kualifikuesen kundër Qipros në Tiranë.