Nga Benet Koleka dhe Anthony Deutsch
Reuters
Mbrëmjen e të hënës, më 11 nëntor, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama- dhe ministrin e Jashtëm- në një vilë qeveritare në kryeqytet.
Kishte dalë lajmi se Shtetet e Bashkuara po kërkonin një nder, dhe dy muaj pas ardhjes në pushtet të Ramës, po gatuhej një reagim i paparë ndonjëherë.
Uashingtoni donte që Shqipëria, një aleat i NATO-s me 2.8 milionë banorë, të bëhej vendi pritës për shkatërrimin e 1300 tonëve me agjentë nervorë sirianë sipas një plani të miratuar me Rusinë për t’i eliminuar ato nga lufta civile në Siri.
Shqipëria ishte një zgjedhje e qartë. E mbiquajtur si “shteti i 51-të”, shteti i varfër në Adriatik është një pro- amerikane e vendosur dhe vendi i parë në botë që ka eliminuar armët e saj kimike të kohës së komunizmit në vitin 2007, me Uashingtonin që pagoi 48 milionë dollarë për projektin.
Të përballur me afatin e 15 nëntorit për të finalizuar planin, Arvizu dhe Rama biseduan deri në orën 1 të mëngjesit.
Ditën tjetër, qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane duke thirrur: “Jo, jo, jo”.
Në minutën e fundit, ndërkohë që protesta po rritej, Rama refuzoi.
“Është e pamundur për Shqipërinë që të marrë pjesë në këtë operacion,” tha ai në një fjalim televiziv, të premten pasdite.
Refuzimi i papritur i Shqipërisë i la diplomatët amerikanë në përpjekje për një plan B për të nxjerrë armët kimike nga Siria brenda gjashtë javëve, sipas një kalendari të përcaktuar me fuqinë mbështetëse të presidentit Bashar al- Assad, Rusinë.
Ky problem i shtohej edhe sfidave me të cilat përballet ky plan për të nxjerrë sarinën, gazin mustardë dhe të tjerë agjentë nervorë nga një zonë lufte si dhe kufizimeve të diplomacisë amerikane. Rama ndërkohë u akuzua se kishte dështuar që të përfshinte opozitën vendase në marrëveshje.
“Ishte e pamundur që të thuhej ‘po’. Rama donte të thoshte ‘po’, por në fund u bë e pamundur për të që të thoshte ‘po’,” thotë një diplomat i lartë perëndimor. Ashtu si personat e tjerë të intervistuar për këtë shkrim, diplomati nuk ishte i autorizuar që të fliste dhe kërkoi që të mbetet anonim.
Përmes ndihmësve të tyre, Rama dhe Arvizu refuzuan që të intervistohen nga Reuters për këtë çështje.
BESNIKERIA
Burimet diplomatike thanë se Rama e dinte se Shqipëria do të përfshihej që në shtator, kur Sekretari i Shtetit, John Kerry dhe homologu rus, Sergei Lavrov, pranuan planin në Gjenevë dhe shmangën kërcënimin për sulme me raketa të SHBA si pasojë e një sulmi me sarinë më 21 gusht në rrethinat e Damaskut.
Rama, me vetëm pak ditë në detyrë, ishte i prirur për t’u angazhuar.
Paraardhësi i tij, Sali Berisha, kishte punuar shumë për të mbajtur Uashingtonin pranë, duke marrë të burgosurit nga burgu i Guantanamo kur presidenti Barack Obama kërkoi që të mbyllte këtë objekt, si dhe qindra azilantë të opozitës iraniane, që për vite fshiheshin në Irak.
Në vitin 2003, ndërkohë që po stërviteshin për të pushtuar Irakun, Shqipëria i la avionët ushtarakë amerikanë që të bombardonin bunkerët e lënë nga lideri stalinist i vendit, Enver Hoxha.
Por besnikëria daton që në fund të Luftës së Parë Botërore, kur Woodrow Wilson shpëtoi Shqipërinë nga ndarja mes fqinjëve dhe deri në vitin 1999, kur Bill Clinton drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s në ish- Jugosllavi për të ndaluar masakrën mbi shqiptarët etnikë në Kosovë nga forcat serbe të Sllobodan Millosheviç.
Kur George W. Bush vizitoi Tiranën në vitin 2007, në pikën më të ulët të popullaritetit në vend dhe jashtë, ai u prit si një yll rock-u, duke u puthur e përqafuar nga shqiptarët që mbanin kapelen e “dajës Sam”.
“Edhe në Michigan ai nuk do të pritej kështu,” pati deklaruar Rama, në atë kohë në opozitë.
Por edhe ai e dinte se që të pranonte sarinën e Assad-it ishte diçka shumë e vështirë për t’u shitur tek popullsia vendase.
Ndërsa agjentët nervorë mund të reduktohen në mënyrë të shpejtë, procesi mund të prodhojë mbi 15 herë në volum mbeturina toksike. Mbeturina të tilla do të duhet vite që të shkatërrohen dhe përbëjnë një rrezik për mjedisin, nëse nuk pastrohen siç duhen.
EMBELSUES
Një artist bohem në rininë e tij, 49- vjeçari Rama bëri emër si kryetar i Bashkisë së Tiranës duke i dhënë dritë një qyteti të zymtë, duke mbjellë pema të reja dhe duke lyer fasadat e ndërtesave në qendër të qytetit.
Kur Berisha vendosi që të hapin vendin ndaj importit fitimprurës të mbeturinave në vitin 2010, Rama kundërshtoi, dhe një nga vendimet e para pasi u bë kryeministër, ishte që të ndalonte një praktikë të tillë.
Çështja kishte shkaktuar shumë pakënaqësi mes disa shqiptarëve, që mendonin se vendi i tyre po shfrytëzohej e trajtohej si një depo mbeturinash nga aleatët e pasur dhe të pastër në Perëndim. Po ashtu ka pasur frikë se në këtë biznes do përfshihej mafia shqiptare.
Por Ramës i duhej një ëmbëlsues.
Edhe pse nuk dihet me saktësi se çfarë është biseduar me Arvizunë, kryeministri tha më vonë se marrëveshje përfshinte edhe një premtim të SHBA për të pastruar dhjetëra hotspot-e të ambientit në Shqipëri, një trashëgimi nga regjimi i Hoxhës dhe dy dekadave kënaqësie industriale që kur regjimi ra.
Përfitimet për ekonominë shqiptare do ishin dhjetëra milionë dollarë. Pastrimi do të kishte ushqyer përpjekjet e Shqipërisë për ta prezantuar veten si një destinacion turistik në rritje në detin Adriatik me plazhe ranore të paprekura.
Por përpara se Rama të jepte lajmin, nisën të dalin raportime se Shqipëria ishte destinacioni i mundshëm për armët kimike siriane.
Shqipëria ishte identifikuar së pari si një vend pritës më 31 tetor nga Global Security Newswire, një agjenci lajmesh online, e fokusuar në çështjet e sigurisë dhe armëve kimike, biologjike dhe bërthamore.
Raporti u mor nga mediat shqiptare dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e konfirmoi këtë mundësi në një intervistë me Le Monde më 4 nëntor.
Ambientalistët ngritën alarmin dhe grupet e të rinjve u organizuan për protesta përmes Facebook.
Opozita sulmoi dhe e akuzoi Ramën se kishte negociuar në mënyrë sekrete një marrëveshje që do e dëmtonte Shqipërinë.
Një zyrtar i lartë i opozitës e quajti Ramën “Ed Kimiku” duke kujtuar kushëririn e Sadam Hyseinit dhe ndërmjetësin e pushtetit, Ali Hassan al- Majdi, që njihej edhe si Ali Kimiku dhe që urdhëroi sulmet me gaz ndaj kurdëve në veriun e Irakut.
Papritur, Rama nisi të tërhiqej. Ai foli në telefon me Sekretarin e Shtetit, Kerry.
Diplomatët dhe zyrtarët shqiptarë thonë se si Rama, ashtu edhe Arvizu, nuk e prisnin një reagim të tillë. Rama, gjithashtu, nuk kishte mbajtur të informuar partnerin e koalicionit të tij, Ilir Meta dhe Presidentin Bujar Nishani.
“Ishte një detyrë e lehtë, por një PR shumë i vështirë,” tha një zyrtar amerikan.
NDOTJA
Ndërkohë që mori jetë një protestë e vogël, por e zëshme, një televizion shqiptar transmetoi një raport nga Qafë Molla, reparti ushtarak në anën tjetër të malit nga Tirana, ku Shtetet e Bashkuara kishin ndihmuar për të shkatërruar 16 tonë me armë kimike të Enver Hoxhës, gjashtë vjet më parë.
Në kronikën televizive shiheshin fshatarët duke e ruajtur ujin në bidonë plastikë blu, ku gazetari tha se dikur mbaheshin kimikate.
Në një kabllogram të ambasadës amerikane të majit 2009, thuhej se kontejnerët e lënë pas nga kontraktorët amerikanë po rridhnin arsenik, plumb dhe merkur.
Kabllogrami u publikua për herë të parë në vitin 2010 nga media shqiptare, por u rishfaq edhe këtë muaj duke u cituar nga ambientalistët si një element qendror në argumentin e tyre kundër kërkesës së SHBA.
Në shtëpi, Shtetet e Bashkuara duhet të eliminojnë arsenalin e tyre kimike. Ata kanë shpenzuar 28 miliardë dollarë për të shkatërruar 90 përqind të këtij arsenali të deklaruar dhe duhet të shpenzojnë edhe 10 miliardë për të kompletuar gjithçka deri në vitin 2023, shumë vite pas afatit të programuar.
Përpjekjet e SHBA për të stimuluar të ashtuquajturat ‘shtete poseduese’ për të shkatërruar arsenalet e tyre kanë hasur në probleme për shkak të rezistencës politike dhe vonesave.
Ka pasur probleme të ngjashme për të siguruar dhe shkatërruar- në bashkëpunim me Rusinë- të materialeve radioaktive të lëna nga Lufta e Ftohtë në shumë vende të botës, nga frika se mund të bien në duart e militantëve dhe të përdoren për të përgatitur bomba.
Transporti i materialeve të tilla është i kushtueshëm dhe kërkon masa të rrepta sigurie dhe fshehtësie.
Rama, papritur, nuk mundi që të shpjegojë përfitimet nga kjo marrëveshje, madje në një moment pranoi se do ishte bashkuar me protestat nëse nuk do të kishte qenë kryeministër.
“Nëse komunikimi me opozitën dhe shoqërinë civile do kishte qenë i mirë, kjo mund të kishte funksionuar,” tha një diplomat i lartë perëndimor. “Njerëzit në rrugë ishin ata që kishin votuar për Ramën dhe ai tani e gjeti veten me shpatulla për muri”.
Madje edhe të enjten në mbrëmje, 24 orë përpara përfundimit të afatit për të rënë dakord për një marrëveshje, Arvizu doli në një televizion shqiptar për të mbrojtur kërkesën e SHBA. Ai tha se Uashingtoni do të zhgënjehej nëse kërkesa do refuzohej. Ditën tjetër kjo ndodhi.
Burimet familjare me diskutimet në Organizatën e Ndalimit të Armëve Kimike në Hagë, që po mbikëqyr planin, i thanë Reuters këtë javë se ekspertët tani po shohin mundësinë që të përpunojnë dhe të asgjësojnë këto armë në det, ka shumë të ngjarë në Mesdhe.
Një skenar i tillë do të tejkalojë edhe kostot po ashtu të mëdha prej qindra milionë dollarë, të nevojshme për të shkatërruar këto agjentë nervorë në tokë, nëse Shqipëria do kishte rënë dakord.
“Ndoshta zyrtarët amerikanë dhe ata shqiptarë e nënvlerësuan opozitën e mundshme të opinionit publik shqiptar ndaj shkatërrimit të pjesës më të madhe të agjentëve dhe prekursorëve në tokën e tyre,” tha një burim i informuar për negociatat.
“Nisur nga fakti që kundërshtimi publik i konsiderueshëm ka lënë në hije programin e shkatërrimit të armëve kimike në SHBA për dekada, ky duhej të ishte një problem i parashikueshëm”.
raport i dobet
Mua me intereson mendimi i kryetarit!
http://goo.gl/jPp6Tv
Po Landa, po.
Cfryu se lirohesh.
Megjithese afer Rames,Benet Koleka me objektivitet evidenton pergjegjegjesine e tij ne menyren si e menazhoi problemin e demontimit te armeve kimike.
Si dhe shume analiste te tjere objektiv percaktohen si pergjegjesi e tij lenia jashte kesaj ceshtje te faktoreve determinant si opzita, presidenti, krytari parlamentit, nje pjese e qeverise, institucionet e qeverise, shoqeria civile etj
Dhe Benti shqipetar eshte por ka ndryshim me gazetaret tane pasi punon ne reuters dhe jo te pacavuret tona te shtypit