Ministrja shqiptare e kulturës ka plane të mëdha, por buxhet të ulët.
Për një gjë Mirela Kumbaro ishte e sigurt: kurrë nuk do të bëhej politikane në vendin e saj. T’i nënshtrohej disiplines partiake apo të kabinetit qeveritar ishte një makth i vërtetë për gjuhëtaren dhe përkthyesen 47-vjeçare. Ajo preferonte t’u mësonte studentëve të Tiranës nuancat më të holla të gjuhës frënge, të ndiqte si përkthyese proceset gjyqësore kundër Sllobodan Milosheviçit apo të kritikonte politikat kulturore të qeverisë.
ë nga mesi i shtatorit 2013, Mirela Kumbaro është ministre.
Pak kohë më parë e mori në telefon i njohuri i saj Edi Rama, ish-piktor, vite me radhë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe pas fitores së zgjedhjeve të fundit kryeministër i Shqipërisë.
“Mirela” – i tha Rama “tani nuk ke më nevojë të kritikosh. Mund të bësh punë më të mira, si ministre e kulturës. Mund të zgjedhësh: tani ose kurrë.“ Kumbaro e pranoi detyrën.
Objektivat e saj janë ambicioze: reformim i thellë e gjithëpërfshirës i jetës kulturore e artistike në Shqipëri. Me një buxhet pothuajse zero.
Në Shqipërinë e varfër, me 3 milionë banorë, deri tani kultura nuk kishte ndonjë peshë të madhe në politikën e qeverisjes së gjatë të ish-kryeministrit Berisha.
Paraardhësi i Kumbaros në radhë të parë ishte përgjegjës për turizmin, pastaj për kulturën, rininë dhe sportet.
Opera, teatri, libraritë luftonin për mbijetesë njësoj si dhe Festivali i Teatrit në Butrint që vuante sistematikisht nga financimet e pamjaftueshme.
Kumbaro synon që të ndryshojë rrënjësisht institucionet kulturore shqiptare, që deri tani orientohen vetëm drejt kulturës së lartë. Ajo synon që të arrijë më shumë të rinj. „Kjo është shumë e rëndësishme: gati një e treta e shqiptarëve janë nën moshën 18 vjeç. Jemi vendi me popullsinë më të re në Europë“ shprehet Kumbaro vetë nënë e dy fëmijëve.
Ministrja e re, e vetmja ministre pa parti e kabinetit qeveritar synon të sjellë në shkolla edukimin kulturor dhe të nxisë të lexuarit „për të arritur edhe ata, që sot rrinë në kafene.“
Mirela Kumbaro e vetmja ministre pa parti synon të arrijë të rinjtë
Gjashtë javë pas marrjes së detyrës Kumbaro emëroi drejtorin e Teatrit të Operas dhe të Baletit, Ilir Kernin, balerin dhe koreograf me përvojë në skenat e Francës dhe të Kroacisë.
Drejtor i ri i Galerisë së Arteve u emërua Artan Shabani, artist dhe galerist që punonte e jetonte ndërmjet Shqipërisë e Italisë, i cili i ka shokuar shqiptarët konservatorë me ngjarje artistike si „Make it easy, make it porn“.
Biblioteka kombëtare deri tani e hapur vetëm për të rriturit, së shpejti do të hapë dyert edhe për adoleshentët.
Teatri i Komedisë duhet të transformohet në një teatër eksperimental për të rinjtë, do të mbështeten përkthyesit, piktorët e rrugës dhe artistët e avangardës.
Por Kumbaro e ka të qartë se krahas kokëfortësisë së aparatit tradicional të institucioneve të kulturës do të përballet me një problem madhor financiar. Buxheti i ministrisë është vetëm 10 milionë euro, përfshirë pagat e administratës.
Nëse kryeministri Rama do të mbajë premtimin “për të shkruar një faqe të re për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore“, atëherë i duhet të rrisë buxhetin për kulturën – çka nuk është aspak e lehtë po të kujtojmë arkën e boshatisur që la pas qeveria Berisha.
Planet e saj për reformim, ëndrrën për një bienale rajonale të artit dhe për mbrojtjen më të mirë të kalave, të xhamive, të kishave e të amfiteatrove antike të vendit Kumbaro mund ta realizojë vetëm me ndihmën e sponsorëve dhe të investitorëve.
Ministrja e re e ka të qartë objektivin e saj: „Dua të arrij të përcjell e të ekspozoj pasurinë tonë kulturore, me qëllim që kur njerëzit të flasin a të dëgjojnë për Shqipërinë, të mos mendojnë vetëm për mafien dhe tregtinë e drogës.“
Florian Hassel
Süddeutsche Zeitung
Urime Znj.Kumbaro, jeni shume e zonja…do ja dilni…respekt pa kufi per ju…