Wagneri i ndaluar,vjen për herë të parë në Shqipëri

20 Nëntor 2013, 10:48Kulturë TEMA

 Skena e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë është në prag të një ngjarjeje të madhe artistike: premierës absolute të operas ”Tannhauser” të kompozitorit të shquar gjerman të shek. XIX, Richard Wagner. Tirana i bashkohet kështu kryqyteteve të botës në këtë vit muzikor të shpallur “viti i Wagnerit” për të përkujtuar 200 vjetorin e lindjes së gjeniut gjerman të muzikës. ”Tannhauser” vjen këtë të shtunë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, nga një ekip artistësh të famshëm nga SHBA, Gjermania, Skocia, Anglia që po bashkëpunojnë me artistët shqiptarë që nga prilli i këtij viti. Tenori amerikan Roy Stevens, me famë botërore për debutimet e tij në Metropolitan Opera në New York, La Scala në Milano, Teatrot e Operas në Barcelonë, Drezden, Frankurt etj. do të interpretojë rolin kryesor, atë të djaloshit Tannhauser. Por përtej këtij roli ai është edhe producenti, shpirti i kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme si është vënia në skenë e Wagnerit.

 “Wagneri është i vështirë, kërkon orkestra dhe kore të mëdha, ka stilin e tij krejt ndryshe nga operat italiane. Në 10 vitet e fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit erdhën veprat e kompozitorëve si Bach, Brams, Moxart, Bethoven dhe tani Wagner, të ndaluar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, kur në skenë viheshin vetëm opera të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre italianë si Verdi dhe Pucini. Ne, artistëve të Perëndimit na duket e pabesueshme sesi edhe veprat e kompozitorëve italianë viheshin të cunguara, psh. nga opera “Tosca” e Pucinit hiqej akti i parë sepse ai zhvillohej në një kishë!!” thotë Roy Stevens.

Wagneri në Tiranë- një simbol integrimi kulturor i Shqipërisë

Kohët ndryshuan dhe rrugët u hapën të shfaqej dhe shijohej “e ndaluara” në art. Ideja për të sjellë Wagnerin në skenën e TOB, pikërisht ketë vit, në 200 vjetorin e lindjes së tij erdhi nga maestro i mirënjohur Zhani Ciko, ish Drejtor i TOB. Tenori amerikan Roy Stevens kishte interpretuar në vitin 2009 në skenën e këtij teatri, në operan e Richard Strauss “Salome”, pjesë e aktiviteteve të Tetorit gjerman të atij viti dhe në operan “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, vitin e kaluar, rolin e Skëndërbeut, në gjuhën shqipe. Ideja për të sjellë Wagnerin në Tiranë e mahniti: mori përsipër të gjejë ekipin ndërkombëtar që do të mësonte, trajnonte këngëtarët vendas për të interpretuar në stilin wagnerian dhe për më tepër në gjermanisht.

“Gjeta profesionistë shumë të mirë, njerëz me zemër, që veç virtuozitetit kanë si dimension edhe filantropinë, njerëz që dëshëronin të ndihmonin artistët shqiptarë për shfaqjen e Wagnerit. Filluam të trajnojmë orkestrën, korin, artistët, i mësuam të shqiptojnë qartë fjalët në gjermanisht deri në shqiptimin e saktë të tingujve, Wagner shkruajti vetë edhe fjalët e operave të tij, në një stil krejt origjinal. Është një eksperiencë e mrekullueshme per mua që ia vlen mundin. Opera e Wagnerit është simbol i riintegrimit kulturor të Shqipërisë në botë, është një hap i madh drejt integrimit kulturor europian”, thotë për DW, Roy Stevens.

Wagner –mesazhi universal i operas “Tannhauser”për të gjitha brezat

Opera “Tannhausser “ cilësohet nga kritika botërore si një operë rinore, drithëruese, shpërthyese, e pasur me ide dramatike dhe gjetje muzikore. Regjizori i premierës së saj në TOB Daniel Helfgot, argjentino-amerikan, me përvoja profesionale në të gjithë botën thotë se mesazhi i saj është universal, i gjithëkohshëm.

“Personazhi kryesor i operas, djaloshi Heinrich Tannhausser është në luftë me vetveten: të zgjedhë Venusin sexy apo Elisabeth, gruan e dlirë, fetare? Është një luftë gjatë gjithë historisë së njerëzimit: burri dëshiron t’i ketë të dyja por veç e veç, duke i ndarë ato. Por ato janë në fakt e njëjta grua. Dhe gratë duhen lejuar të kenë të dyja këto elementë: ka një Venus në çdo grua dhe një Elisabeth në çdo Venus. Qëllimi im si regjizor është të prezantoj këtë dualitet si një të vetëm, dualitet që shfaqet nga hipokriza e shoqërisë, e cila predikon vlera të rreme dhe fsheh dëshirat njerëzore”, thotë Daniel Helfgot.

Mbështetje financiare ndërkombëtare për të sjellë në Tiranë Wagnerin

Roy Stevens, i njohur si Skëndërbeu amerikan nuk përzgjodhi dhe solli në Tiranë vetëm ekipin ndërkombëtar, nuk trajnoi vetëm këngëtarët shqiptarë të këndojnë Wagnerin në gjermanisht. Ai siguroi edhe mbështetjen finaciare ndërkombëtare, pa të cilën kjo premierë nuk do të mund të realizohej.

Kam ngritur fonde nga SHBA dhe Europa për të sjellë në Shqipëri Wagnerin, gjeta sponsorë të fuqishëm ndërkombëtarë si Fondacionin Ndërkombëtar të Muzikës dhe Artit, në Lichtenstein, në Zvicër, që sponsorizon Operan e Zyrihut dhe Muzetë e mëdha në Zvicër, Shoqatën e Adhuruesve të Wagner në SHBA etj. Por tranzicioni i pushtetit ka sjellë disa pengesa ligjore për të paguar punën e jashtëzakonshme, ekstra të artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Na duhet të gjejmë mbështetje financiare prej 15- 20 mijë Euro.Deutsche Welle në Bonn po përpiqet të sensibilizojë filantropë të njohur gjermanë dhe adhurues të Wagner-it. Në Shqipëri nuk është traditë sponsorizimi i TOB pasi e shohin si një strukturë që i përket shtetit, në fakt i përket publikut. Por kjo po ndryshon: nje biznesmen nga Tirana Shkëlqim Pelingu, kur shkuam në dyqanin e tij për të blerë disa kostume për këngëtarët, kur i shpjeguam për çfarë i donim nuk na la të paguanim, mori përsipër t’i sponsorizojë të gjitha veshjet për shfaqjen tonë. Fara është hedhur tanimë”, thotë Roy Stevens.

Derë e hapur për skenat e Europës

Roy Stevens nuk përpiqet të fshehë emocionet e tij. ”Kam qarë dje, kur pas një pune shumë të madhe kori për herë të parë u shoqërua nga orkestra. Kam qarë nga bukuria e asaj që dëgjoja, të kënduar në gjermanisht. Kjo do t’ u hapë derën e teatrove të operas në Gjermani dhe në Europë solistëve shqiptarë si Armand Likaj, Irida Dragoti që interpreton Venusin, Sonila Baboçit që interpreton Elisabeth. Shqipëria ka dy këngëtarë ndërkombëtarë operistikë Saimir Pirgun dhe Inva Mulën, por pas Wagnerit në Tiranë ata do të shtohen” beson Roy Stevens.

Petra- Behlke Campos, Drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, partnere e Institutit Goete, një nga mbështetëset financiare të premierës “Tannhaussen” thotë: “Jam shumë e lumtur që munda të kontribuoj. Jo vetëm se ky është viti muzikor kushtuar Wagnerit por është edhe 60 vjetori i Teatrit të Operas dhe Baletit. Për mua është e mrekullueshme të dëgjosh artistët shqiptarë të këndojnë Wagnerin për herë të parë në jetën e tyre dhe të shqiptojnë saktë fjalët dhe tingujt në gjermanisht. Janë 55 këngëtarë në kor dhe 15 fëmijë që këndojnë gjermanisht”.

 

8 komente në “Wagneri i ndaluar,vjen për herë të parë në Shqipëri”

  1. Dom Gert Gjoni says:

    Wagneri ka kene kompozitori mâ i dashtun i Hitlerit edhe me ardhjen e Hitlerit shqiptaro-epirot, Beduin Haramit, vjen edhe rryma moçalore e nacional-socialiste neper viset e trueme te Shqypnise. Paske pase te drejte, z.Lubonja!

  2. erjon says:

    Wagneri eshte ne radhe te pare nje kompozitor i madh,dhe pse e ka dashur dhe vleresuar Hitleri kjo s´ka te beje aspak me muziken.
    Pianisti dhe dirigjenti me fame boterore Daniel Barenboim qe eshte edhe hebre nga origjina, dirigjoi ne korrik te 2001 nje kocert ne Tel Aviv,dhe pasi more leje publikut luajti Wagnerin i cili u duortrokit nga pjesa me e madhe e publikut,perpos nje pjese qe doli nga salla duke share.
    Keshtu pra Dom Gert Gjoni veprojne njerzit e kulturuar,qe shijojne muziken e vertete dhe nuk trullosen nga gallavitjet e politikes.

  3. Albi says:

    Wagner eshte nder kompozitoret me te medhenj te gjithe koherave. Eshte me i parapelqyeri ne skenat amerikane, euopiane e aziatike. Koncerti vjetor kushtuar tij qe mbahet ne Bayreuth eshte me madhi dhe me i njohir ne bote. Kshuqe Gerti mos ja fut kot, edhe hiqe ate Dom perpara. Nese nisemi nga simpatite personale politike, atehere edhe poeti me i madh amerikan Ezra Pound ka simpatizuar Hitlerin, filozofi me i madh italian Julius Evola ka simpatizuar Hitlerin, Papa Pius ka simpatizuar Hitlerin, arkitekti me i njohur ne bote i modernizmit Le Courbusier ka simpatizuar Hitlerin,..50 miljone amerikane kane simpatizuar Hitlerin, Chamberleni ka simpatizuar Hitlerin, spanjollet simpatizonin HItlerin..etj..etj..etj..Shume intelektuale te tjere simpatizonin Komunizmin dhe Stalinin..etj.etj..Po t leme keto se jane personale.

    Po lere kete. Fale civilizimit edhe tek ne ne Shqiperi erdhi kulmi i kultures boterore, Wagner. Thanx Roy Stevens, thanx Teatri i Operas dhe Baletit.

    1. Dom Gert Gjoni ose realisti ose johnny walker ose mesh(igje)tar ose kaurri ose Reynald de chatillon ose qafiri says:

      @Albi
      Me duket se je si pune komunisti qi hjeke e ven titujt kishtare simbas qejfit, zotnija jote. Kam harrue me te marre lêje ty se a me u thirre dom apo shoku?? Dele socialiste me zile!

      Fakti qe karrocjeri( Wagen i thojne karroces gjermanisht) u ndalue ne kohen e Dulles, asht shume domethanes, se as islamo-komunisti Hoxha nuk ishte i sigurt per “vlerat” e Wagnerit, edhe pse ky i fundit ishte po aq antikristian sa edhe Hoxha.

      Wagneri ishte ushqyesi shpirteror(edhe pse me duket se kjo fjala e fundit asht fjale e huaj per ty) i nacional-socializmit moçalor pagano-gjerman, udheheqesi i te cilit u bâ Dolfi i çmendun austriak, i cili i pruni shkaterrimin Gjermanise edhe miliona te pafajshem humben jeten…..prej muzikes “hyjnore” te karrocjerit.

  4. Dardan says:

    @artikullshkrues
    Kompozitoret si Bah, Vagner(te dy),Mozart , Bet’hoven, Smetana, List, Shopen, Caikovski, Rimski-korsakov, Glinka,, Musorgski, Bizet, Schubert , dhe dhjetra te tjere perndimore e lindore nuk Kane qene aspak te ndaluar ne kohen e socializmit. S’po permend fare italianet e sidomos kompozitoret prifterinj Vivaldi Boccherini etj etj..
    Midis qindra tregimeve dhe kurioziteteve qe jepeshin ne oret e caktuara te medias se asaj kohe, po te te them njeren.
    Bahu ka pasur 24 femije me disa gra. Perpara se ti publikonte krijimet e veta, I provonte ne shtepi me femijet e vet instrumentiste. Nje tjeter kuriozitet,…. vet bahu tregon se ne enderr pa djallin qe I binte violines ne fund te krevatit te tij, mua me pelqeu shume, thote ai, e mbajta mend dhe kur u zgjova ate muzike e hodha pike per pike ne pentagram. Kjo pjese titullohet “Djali (sh. Im. Jo djalli) dhe xhindet” …..pas ketij spjegimi degjoheshin tingujt muzikore qe vertet na benin te perfytyronim vrapimin e djalit te frikesuar nga ndjekja rrethrrotulluese e xhindeve.
    Nje tjeter pjese e Bahut te frymezuar nga enderra e vet, eshte pjesa violinistike “Trillet e Djallit” qe ne kohen e sotme, aq bukur e ka luajtur virtuozja Vanessa Mae.
    Le te jemi me te ndershem me vetvehten, z. artikullshkrues!

    1. joel shkodra says:

      Jam dakord me çdo gje qe shkruan, perveç kryesores: nga te gjithe keta kompozitore qe ke rreshtuar, vetem Wagneri ishte i ndaluar ne Shqiperine komuniste. Mund te informohesh me kedo qe ka kryer studimet per muzike prane Konservatorir te asaj kohe.

  5. Wendy-B says:

    Ke harrruar te Madhin Bellini. E kam dobesi arien Casta Diva te operes Norma.
    Disa nga keta kompozitore te medhenj, qe i kane dhene artit shume, kane pasur edhe probleme mendore.
    I guess 4 being a genius, u have to pay a price.

  6. Amira says:

    Po si ka mundesi qe Ju thoni ky Roy Stevens eshte kengetar shume i njohur dhe ai nuk figuron ne asnje astende Teatrove ne gjithe boten! Po keshtu asnje nga te huajt qe marrin pjese, nuk figurojne gjekundi. Mos u beni aq naive sa te besoni cdo brokull qe tregojne te huajt, vetem se kane sjelle leket me vete. Wagner eshte nje gjeni, por Tannhauser eshte vepra e gabuar per ne Shqiperi, qofte edhe vetem per faktin qe zgjat gati 5 ore!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje