Aktorë me kontratë, mundësi për artistët e rinj, kushte më të mira, dinjitet… Këto ishin disa nga kërkesat e artistëve në një tryezë për teatrin, zhvilluar dje në Ministrinë e Kulturës. Kërkesa dhe probleme që nuk ishin të reja për askënd…
Ndërsa në institucionet e tjera kulturore janë zgjedhur drejtorët e rinj, madje kanë filluar nga puna, për Teatrin Kombëtar nuk thuhet asgjë. Ose më mirë të themi, se qarkullojnë gjithfarë variantesh të pasigurta nën zë.
Kjo ishte arsyeja pse ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, organizoi dje një tryezë me përfaqësues të komunitetit teatror, që nga drejtorët aktualë të Teatrit Kombëtar dhe atij të Komedisë, regjisorë, pedagogë, aktorë të vjetër e të rinj, që nga Robert Ndrenika e Yllka Mujo, tek Esela Pysqyli më e reja në atë sallë, që do t’i thoshte ministres se nuk e kishte më ëndërr Teatrin Kombëtar, pasi të prish shijen dhe në të nuk ka më shfaqje të mrekullueshme.
Qëllimi i Kumbaros ishte të dëgjonte mendimin e tyre mbi teatrin dhe si mund të dilet nga gjendja në të cilën është zhytur. Të gjithë dëshironin të flisnin dhe, me sa dukej, të gjithë ishin në një mendje që teatri nuk duhet të funksionojë më si deri më sot.
Madje, edhe vetë drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, propozoi një skemë funksionimi të institucionit që drejton, përmes sistemit të kontratave. Propozimet dhe shqetësimet ishin të ndryshme, por emëruesi i përbashkët i të gjithave ishte ndryshimi.
“Të futemi të gjithë në një sistem kontratash qarkulluese”, tha regjisori Genti Kame.
Pak skeptik për gjithë sa po thuhej, aktori Helidon Fino u shpreh se “personalisht nuk kam frikë nga kontratat, madje nuk e di kush ka frikë nga kjo. Por kemi nevojë për një sistem që t’i besojmë”.
“Të ikin ata që nuk punojnë. Një aktor i mirë nuk mbetet pa punë”, tha Esela Pysqyli.
Edhe pse qëllimi ishte të flitej për teatrin në përgjithësi, ai u fokusua më së shumti te Teatri Kombëtar, për nevojën për ndryshim, për drejtimin që e ka çuar në kaos. Pati nga ata që e quajtën në krizë, të tjerë sharlatan. Por shqetësimi që ndihej, por nuk shprehej ishte se a do të bëhen shkurtime?
“Askush nuk po flet për prerje me sëpatë dhe heqje nga puna, por unë po ju ofroj ca shifra: në vitin 2013 TK ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 800 milionë lekë të vjetër, nga të cilat 78% kanë shkuar për paga dhe sigurime shëndetësore, 14% për projekte artistike dhe 8 për qind për shpenzime operacionale. Për vitin 2013 TK ka vetëm dy produksione premierë, çka do të thotë se 800 milionë lekë kanë shkuar vetëm për këto dy produksione. Pyetja që bëhet, është që për një vend të varfër si Shqipëria, ku arka është edhe më e varfër nga ç’e pandehja, për shkak të keqmenaxhimit dhe një kaosi kontratash, si mund t’i shfrytëzojmë më mirë këto para, për të krijuar hapësira të tjera dhe për të prodhuar projekte të reja?”, tha Kumbaro.
Duke iu referuar statistikave të ofruara nga vetë drejtori i aktual i TK-së, Kristaq Skrami, Kumbaro iu referua numrit të aktorëve të trupës dhe angazhimit të tyre. Ishin vetë të pranishmit që pranonin se ka aktorë që nuk luajnë prej vitesh, apo që fusin vetëm kartën për të marrë rrogën në bankomat.
“Në Teatrin Kombëtar ka 32 aktorë, dy nga të cilët janë punësuar vitin e fundit. Ka shumë prej tyre që kanë vite pa një rol dhe paguhen si të ishin përditë në punë. Dhe këto janë para të taksapaguesve që duhet të shkojnë për shfaqje, për artistët, për publikun. Cila është forma më e mirë për ta zgjidhur. Teatri nuk e ka më luksin të ketë të njëjtën formë menaxhimi si më parë”,citohet Kumbaro në gazetën “Panorama”.
Nuk e njoh shumë mirë këtë fushën e aktrimit, por mos kjo mbledhje ka thirrur njerëzit në mënyrë selektive? Sepse në logjikë është titullari i institucionit ai që shpërndan punën. Këta titullarë, deri më sot vetëm kanë monopolizuar dhe kanë përzgjedhur atë kastë njerëzish që u ka shërbyer më mirë interesave të tyre, numri i të cilëve luhatet për institucion. Këshilloj zonjën Kumbaro mos të jetë shumë selektive dhe të dëgjojë zërin e të gjithëve përndryshe reformat që dëshiron dhe përpiqet të ndërmarrë do jenë çalamane po aq sa vetë sistemi që dëshiron të luftojë. Gjithashtu, nëpër institucione ka njerëz që vërtet punojnë me përkushtim dhe ndershmëri në heshtje dhe puna e tyre përvetësohet nga kasta e zhurmës që është pranë drejtorëve.
Ore u tha dhe cfare nuk u tha per te paaftet, per ata qe marrin parate ne bankomat dhe nuk kane luajtur asnjehere ne keto dy vjet. pOR nuk u tha. Kush jane?, Ata nuk flasin, se nukmjane budallenj, do kaloje edhe kjo fushate. Por pse nuk u tha direkt ne kete takim se cfare do te beje Ministria konkretisht per ta zgjidhur kete problem
Jane te gjithe servila partiak !
Ne rrethe paguhen akoma trupat e estradave,ku humoristet punojne si guzhinier,por rrogen e “artistit” e marrin ne bankomat.
Po te doni mos e besoni!
Kontrolloni dhe do kini material edhe per Fiks Fare.