INTERVISTA/ Arizi: Piktura fillon nga shikimi i gjërave të jetës me interes (FOTO)

30 Nëntor 2013, 12:14Kulturë TEMA
INTERVISTA/ Arizi: Piktura fillon nga shikimi i gjërave të jetës

Piktori Bujar Arizi është personazhi i 101-të që i bashkëngjitet njerëzve më të shquar të vendit në listën e “Albanian Exellent”. Ky çmim z. Arizi iu dhurua nga kryetarja e bordit, Flora Nikolla, gjatë një “show- ankandi” të zhvilluar në “Diesel Hall” me pikturat e mjeshtrit Arizi.

Fokusi i ankandit, që do të qëndrojë hapur 27 ditë, është mbledhja e të ardhurave në dobi të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Vetë piktori i ka dhuruar kësaj shtëpie pikturën “Tingujt”, me vlerë 1000 euro.

Kështu, brenda një harku të shkurtër kohor, piktori Arizi bëhet personazhi i dytë pas tenorit Saimir Pirgu, që krijimtarinë e tij e vendos në funksion të bamirësisë.

Bisedoi: Anisa Xhani

 

Z.Arizi, ju konsideroheni si mjeshtër i ngjyrës dhe kjo vihet re qartë në pikturat tuaja. Sa e rëndësishme është fuqia shprehëse nëpërmjet ngjyrave?

Vetë ngjyra është një profil i pikturës sepse ka të bëjë me embrionin dhe gjithçka vërvitet rreth saj. Fatmirësisht, ose fatkeqësisht, ngjyra buron nga brenda. Sigurisht, edhe kultivohet, por është thelbësore të theksojmë se ngjyra është e lidhur edhe me vetë autorin. Në këtë aspekt nuk duhet të spekulojmë asnjëherë me ngjyrën sepse ashtu sikurse ndihmon, edhe mund të tradhtojë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe mos të penetrojmë me të sepse është shumë delikate dhe meriton shumë respekt dhe kujdes për ta trajtuar ashtu siç duhet.

Z. Arizi, a ekziston një “çelës” për realizimin me sukses të një pikture?

Çelësi është shumë- shumë i përgjithshëm, por mes shumë gjërave mund të theksoj dy prej tyre. Janë shumë çelësa… Çelësi i pikturës kërkon fillimisht njohjen e grafikës koloristike, sepse duhet ta shohim si qëndron vetë ngjyra, sepse ngjyra ka dhe bardhë e zi. Pra, nëse ia heqim një pikture anën koloristike, do të ngjasonte bukur edhe bardhë e zi. Domethënë, ngjyra në vetvete është edhe grafikë, jo vetëm ngjyrë.

Së fundmi, puna juaj është fokusuar midis Greqisë dhe Shqipërisë. Mund të na rrëfeni përjetimet tuaja të vendosura në kontekstin grek dhe atë shqiptar?

Unë mendoj që është një urë lidhëse. Në radhë të parë jemi shumë afër. Jemi shumë afër me doke, me zakone, mjafton të shihen. Arti i sheh ato sa më afër. Nëse një veshje tradite të një shqiptari, e shohim me një veshje tradite popullore në palën greke, shohim shumë të përbashkëta, kështu që emocionin e shoh shumë afër. Kjo më ka ndihmuar për të mos krijuar diskordancë dhe të jem sa më afër gjërave që na bashkojnë. Pikërisht emocioni fillon që nga momenti i parë i ekzistencës së këtyre elementëve objektivë, të cilat duhen kthyer në subjekt. Piktura fillon nga shikimi i gjërave të jetës me interes. Jeta ka shumë fenomene, nëse i sheh ato me interes, kthehen në emocion. Jeta ka shumë emocione, shumë vlera që duhen identifikuar. Emocioni fillon që nga këndvështrimi si e sheh. Nga ky moment fillon perceptimi i gjërave, çfarë duhet hedhur në telajo dhe ku fillon. Pikërisht këtu fillon krijimi i veprës që nis fillimisht me emocionin vizual, pastaj emocioni i hedhjes në telajo.

Z.Arizi, ju keni hapur një sërë ekspozitash, në Athinë, Nju Jork. Ç’raport vendos publiku shqiptar me artin?

Publiku është ai që thotë fjalën e fundit. Edhe ne krijuesit duhet të themi fjalën e fundit, duhet të dimë të ulemi. Duhet t’i shohim gjërat më të thjeshtëzuara. Nganjëherë e vështira nuk është e vështirë sa duket, është shumë e thjeshtë. Kurrsesi nuk pretendoj të ulemi në nivelin e një publiku mosnjohës ose jo artdashës, por duhet respektuar publiku dashamirës dhe duhet të bëjmë një jetë emocionale siç e shohin ata jetën, që edhe veprat tona të jenë pjesë e tyre. Dashamirësia e publikut qëndron shumë afër me vendet ku unë kam hapur ekspozita. Thjesht këtu ka një mospërqafim të vlerave ashtu siç duhet, jo sepse mungon dëshira, por mungojnë mundësitë dhe fuqia blerëse. Kjo është gjëja kryesore se përse publiku shqiptar është më i tërhequr. Duke parë elementë të tillë, krijohet një distancë artificiale, ndoshta nga mungesa e mundësive ekonomike për t’ju afruar veprave. Por, për sa i përket shijeve, mendoj se edhe publiku shqiptar është me shumë shije, me shumë gusto dhe dëshirë. Mirëpo është detyra jonë ndoshta të jemi më të përmbajtur nga ana ekonomike, të ulemi më afër mundësive të shtëpive tona.

Z.Arizi në këtë “show- ankand” u vu theksi jo tek përfitimet personale, por tek gjesti madhor i bamirësisë. Si ju lindi kjo ide?

Unë kam 20 vjet që kontribuoj në shoqërinë greke, si në UNESCO edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi duke kontribuar si shqiptar. Kjo më ka mbushur me kënaqësi. Nga krahu tjetër nuk më ishte krijuar mundësia për t’ia ofruar veprat edhe publikut tim. Gjithmonë kjo më ka shqetësuar. Prandaj vendosa të kontribuoj për një shtëpi shumë të rëndësishme, shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. Jam i mendimit se ka ardhur koha që të japim kontributin tonë në kauza të ndryshme sociale.

3 komente në “INTERVISTA/ Arizi: Piktura fillon nga shikimi i gjërave të jetës me interes (FOTO)”

  1. Dr.Veip (Vehip) Proda says:

    Urime dhe suksese! Arti buron nga shpirti dhe si i tillë është pjesë e identitetit shpirtër dhe kulturor të një kombi. Kush e do dhe e përkrah artin, ai do veten, familjen, vendin, sepse bëhet zëdhënës i tyre!Edhe njëherë urime piktorit Bujar Arizi!

  2. adriatik says:

    Hera e pare qe e shoh dhe degjoj si emer po me pelqejne nghyrat qe perdor mjeshtri. Suksese.

  3. REA says:

    Sa e bukur Tirana , sheshi te xhamia.Urime mjeshter

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje