Ngjarja në Durrës sigurisht është shumë shokuese e në të njëjtën kohë po përsëris fjalët e kryeministrit “një kambanë për të gjithë ata që kanë veshë”…
Një ngjarje e tillë nuk është thjesht aksidentale, pasojë vetëm e armëmbajtjes me ose pa leje, por besoj është rrjedhojë e një gjendje tejet të mbarsur me padrejtësi, ku ata që kanë në dorë institucionet e shtetit e shkelin ligjin sa herë të duan, sepse mbi ta nuk ka asnjë institucion tjetër që mund t’i ndëshkojë, apo t’i kufizojë në veprimtarinë e tyre antiligjore, në mënyrën e të drejtuarit të institucionit jo sipas ligjit, por sipas interesit të tyre individual, me një suport partiak të fortë.
Kjo shoqëria jonë është shumë e mbarsur me depresion, përderisa askush nuk ka luksin të trokasë në një derë institucioni e aty të zgjidhë të drejtën e tij, duke filluar nga e drejta e punës, e cila është mjeti me të cilin njeriu jo vetëm krijon të ardhura, të cilat të bëjnë të lumtur, por jo vetëm, por edhe mjeti me anë të të cilit njeriu vetërealizohet duke derdhur aty energjitë e tij.
Në një vend ku papunësia ka nivel të frikshëm, përpos faktit se askush nuk mund ta ketë atë mbi bazë meritash, por njohjesh, interesi krijon vetvetiu një ngarkesë emocionale në familje, e cila më pas krijon situata tensioni jo vetëm tek individi, që e ka problemin, por edhe në familje dhe në tërë shoqërinë.
Në këtë gjendje tensioni, krijohet një fushë magnetike forcash e tillë që kërkon zgjidhje. Zgjidhje, e cila sipas rastit mund të vijë nga ndihma e familjes apo e ndonjë miku a mikeje, ose mbetet vetëvrasja ose vrasja e personit që është në rastin konkret shkak për tensionin.
Përpara disa viteve, fill pas 1997-ës, njerëzit kishin armë nëpër duar dhe shpesh qarkullonin barsoleta se “makina llogaritëse e shqiptarëve është kallashnikovi” dhe në fakt ishte, në shumë raste.
Ishte koha u BUMIT të ndërtimeve dhe punëtorët e ndërtimit e mbushnin karrocën me pluhura çimentoje e mbetje te ndryshme, dhe që nga lartësia ku ndodheshin, i shkarkonin në ajër, i cili hynte brenda në shtëpitë e banorëve e bëhej një shqetësim i madh. I kam parë me sy si u morën vesh dy burra: Njëri që fliste nga dritarja e apartamentit të tij dhe tjetri që sapo kishte mbushur karrocën. Sapo personi nga dritarja i dha urdhër me tytën e kallashnikovit vendosur ne dritare, pashë personin mbi karabinanë e pallatit në ndërtim të ngrinte me karrocën në dorë… FUNKSIONOI.
Zbriti djali i karrocës, doli njeriu me kallashnikov, dolën edhe disa banorë dhe biseduan e vendosën që ato mbetjet e pluhurta të lageshin me ujë e pastaj të hidheshin nga lartësia dhe kështu u bë.
Ishte në kushtet e mungesës pothuajse totale të shtetit, megjithatë pamja ishte tronditëse…
Ishin ato ditë që për arsye pune m’u desh të fluturoja për jashtë atdheut ku aeroporti i ROMËS ishte tranzit dhe u befasova kur sapo zbrita nga autobusi, pashë ushtarë italianë me kallashnikovë në duar, për faktin e thjeshtë se autobusi ishte mbushur me shqiptarë..
Këto imazhe nuk mund t’i harroj asnjëherë, por plot shqiptarë kanë qenë dëshmitarë okularë atëherë në plot ngjarje edhe më të rënda si kjo e sotmja në Durrës.
Në këto kushte ku shteti (gjendje e mbartur për 23 vjet) nuk funksionon në shërbim të qytetarit, ku politika i shfrytëzon ato klauzolat e ligjit, të cilat janë bërë për të ndihmuar qytetarin, në interes të militantizmit dhe jo të shtetbërjes, qytetari e ka të vështirë të mbrohet ndaj padrejtësive dhe në një gjendje të rënduar emocionale zgjidhja me vetëgjyqësi e problemit për të nuk është më detyrë, por një e drejtë.
Prandaj kjo ngjarje është vërtetë një “kambanë për ata që kanë veshë”…
Politika së pari të ç’tensionojë situatën duke krijuar mjedis miqësor nëpër institucionet, dhe gjithë shoqëria, mediat e shkruara dhe elektronike, gjyqësori e prokuroria të fillojnë të marrin seriozisht punën e tyre…
Rasti Durresit deshmon thjesht se po rritet nje brez llumi shoqeror dhe horrash, per te cilet heret a vone do hapen dyert e Komisariateve dhe Burgut.
Kjo eshte kosto e rende per shtetin.
Ky eshte brezi i horrave qe krijoi sistemi yne 23 vjeçar dhe po te mbushen burgjet me ta, nese sistemi nuk ndryshon rruga do te te krijoje mijera te tjere..
Ti nuk mund te besh te degjojne te vdekurit
e as nuk mund te besh te shurdherin te degjoje thirrjen
e sidomos kur ata ta kthejne shpinen.