Me një pragmatizëm të jashtëzakonshëm, në mënyrë krejtësisht racionale politike, pa kërcënime dhe me shumë argumente interesante, ka filluar të zhvillohet debati në Britaninë e Madhe për pavarësinë e Skocisë. Referendumi për këtë do të zhvillohet në vjeshtën e vitit që vjen dhe, nëse qytetarët votojnë në favor, Skocia do të bëhet shtet i pavarur në vitin 2016. Por para qytetarëve janë vetë në gjitha argumentet pro dhe kontra, çfarë do të fitonin e çfarë jo. Për momentin shumica e skocezëve janë kundër pavarësisë. Nëse në referendum dëshmohet e kundërta dhe shumica vendos për pavarësi, ajo do të pavarësohet dhe Britania e Madhe nuk do ta kundërshtojë një gjë të tillë. Nëse Skocia do të duhet të kërkojë nga fillimi anëtarësimin në BE, dhe nëse deri atëherë Mbretëria a Bashkuara do të vazhdojë të jetë shtet anëtar, Londra nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Skocisë në BE. Edhe në Belgjikë ka kërkesa për pavarësinë e rajonit më të zhvilluar të Flandrisë, ndonëse shumica do të donin më shumë autonomi financiare sesa krijimin e një shteti të pavarur. Edhe këtu debati zhvillohet në nivel politik, pa kërcënime dhe pa ekzagjerime dhe përmendje të termeve “shkatërrim” apo “katastrofë”.
Britania e Madhe dhe Belgjika jo vetëm se e kanë njohur Kosovën menjëherë që nga shpallja e pavarësisë, por e kanë mbështetur atë pavarësi fuqishëm. Nuk janë frikuar aspak se nëse e njohin pavarësinë e Kosovës këto shtete do të kenë pasoja të rënda dhe do të shkatërrohen. Një diplomat rus në Bruksel në një debat kishte parashikuar se në rast të pavarësisë së Kosovës, edhe Belgjika mund të shkatërrohet. Diplomatët belgë thoshin se, nëse do të shpërbëhej Belgjika, do ta bëjmë këtë me marrëveshje e jo me luftë.
Në anën tjetër, kemi Spanjën, një shtet shumetnik i cili sot pa dyshim mund të konsiderohet si kundërshtari më i madh i pavarësisë së Kosovës në mesin e 28 shteteve të BE-së dhe po aq shteteve të NATO-s. Dhe ky qëndrim i Spanjës duket se nuk do të ndryshojë në një të ardhme të afërt. Ish-ministri i Jashtëm i Spanjës Miguel Angel Moratinos, i dekoruar nga Serbia për qëndrimet e tij kundër pavarësisë së Kosovës, i cili sot thotë se “fle rehat pasi që ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës”, më 18 shkurt të vitit 2008 kishte përmendur të drejtën ndërkombëtare si arsyetim për mosnjohje. Ai i pari e kishte mbjellë farën e ndarjes së BE-së për statusin e Kosovës dhe prej atëherë vazhdon kjo status quo. Ndërkohë argumentet e Spanjës, apo të kujtdo tjetër se pavarësia e Kosovës është shkelje e së drejtës ndërkombëtare janë dëshmuar të paqëndrueshme edhe nga autoriteti më i lartë në botë për të interpretuar atë të drejtë, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Të gjithë privatisht pajtohen se frika nga separatizmi në Spanjë është e vetmja arsye pse me aq angazhim negativ, pa asnjë interes, vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe të insistojë që BE-ja dhe NATO-ja në asnjë moment të mos japin as edhe një indikacion të vetëm se Kosovën e trajtojnë si shtet të pavarur. Raportet e Kosovës me BE-në, pikërisht me insistimin e Spanjës dhe Qipros, e më pak të Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë, janë sikur raporte të BE-së me “entitete që nuk janë shtete sovrane”. Kjo rrethanë i ka vënë në vështirësi të shumta raportet e Kosovës me BE-në me gjithë faktin se ende po gjenden disa formula për të arritur ndonjë marrëveshje. Por në afat të gjatë, nëse Kosova vërtet duhet të ec drejt raporteve të mirëfillta formale kontraktuale, që çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, situata duhet të ndryshojë dhe Kosova duhet të jetë e njohur nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Se sa dallon Spanja nga Britania e Madhe dëshmon fakti se sa ashpër Madridi flet kundër lëvizjeve për pavarësinë e Katalonisë apo ndonjë rajoni tjetër.
Edhe në Rumani ka pasur arsyetime se për shkak të pakicës së madhe hungareze në atë shtet Bukureshti nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Edhe në Sllovaki ka një pakicë të konsiderueshme të hungarezëve etnikë që duket se kanë ndikuar në vendimin e Sllovakisë që të mos e njoh pavarësinë e Kosovës. Madje në Sllovaki është miratuar edhe një deklaratë e Kuvendit kundër njohjes së Kosovës që tash përdoret si pengesë formale për këtë shtet për ta ndryshuar qëndrimin. Qiproja ka problemin me Qipron Veriore dhe këtë e merr si shkas për të kundërshtuar njohjen e Kosovës. Greqia nuk ka ndonjë problem pos ndikimit të Kishës Ortodokse në politikën e këtij shteti dhe rastit të Qipros po ashtu.
Nëse ndonjëra prej 5 shteteve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën vërtet mendon se kjo njohje do të shërbente si precedencë për pavarësimin e rajoneve në ato shtete, atëherë pikërisht një arsyetim i tillë shkon kundër tyre. Ndoshta mund të ketë raste të ngjashme, edhe pse vështirë të njëjta, me atë të Kosovës në botë por kurrsesi në këto 5 shtetet e Bashkimit Evropian.
Në asnjërin nga këto shtete nuk ka pasur pastrim etnik, nuk ka pasur ndërhyrje ndërkombëtare, nuk pa pasur një proces ndërkombëtar, i cili ka prodhuar propozimin në bazë të të cilit edhe është krijuar shteti i Kosovës. Dhe, që është edhe më e rëndësishmja, Federata – pjesë konstitutive e së cilës ka qenë Kosova, pra ish-Jugosllavia, nuk ekziston më. Të gjitha njësitë federative të ish-Jugosllavisë që kanë dashur të pavarësohen edhe janë pavarësuar, duke e përfshirë edhe Kosovën. Prandaj nuk është i qëndrueshëm argumenti i Spanjës se “Kosova nuk ka pasur të drejtë të pavarësohet pa pëlqimin e Serbisë”. Me të njëjtin argument do të mund të mohohej edhe pavarësia e Kroacisë apo e Sllovenisë, sepse edhe kur këto dy ish-republika të Jugosllavisë shpallën pavarësinë në vitin 1991 Beogradi ishte kundër dhe njohjen e tyre nga shtetet e tjera e konsideronte si “ndërhyrje të palejueshme në çështje të brendshme”.
Para gjashtë vjetësh nuk ka pasur arsye të kundërshtohej njohja e Kosovës e sot, kur Kosovën e kanë njohur shumica e shteteve të botës, dhe kur është bërë edhe anëtare e disa organizatave ndërkombëtarë, ka edhe më pak arsye për 5 shtetet e BE-së që të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen. Por dikush nga këto shtete duhet të kërkojë njohjen e Kosovës e këtë kërkesë nuk mjafton ta bëjë vetëm Kosova.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, me gjithë ndikimin e kufizuar që ka, do të bënte mirë të thoshte publikisht se njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte një hap drejt forcimit të politikës së jashtme të përbashkët të BE-së dhe do ta bënte BE-në më serioze në sytë e botës. Në të kundërtën, BE-ja, e cila dëshiron të flasë me një zë për shumë çështje globale, do të vazhdojë të duket joserioze sepse nuk mund të ketë një qëndrim të përbashkët për një çështje aq të rëndësishme në oborrin e saj, në Evropë, siç është njohja e statusit të Kosovës, status i cili u formulua me rolin e madh të BE-së gjatë negociatave për statusin, të udhëhequra nga ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.
Ashton deri tash ka refuzuar të shprehet rreth njohjes së Kosovës. Ajo është fshehur prapa retorikës se “duhet të punojmë me atë që kemi” dhe se njohja është në kompetenca të shteteve anëtare”. Por në praktikë, siç kanë thënë privatisht shumë diplomatë të shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën, ajo dhe bashkëpunëtorët e saj tash e tri vite janë shprehur se është mirë që të mos njihet Kosova nga ana e 5 shteteve të BE-së. Pra diçka negative, diçka që e bën të pamundur që BE-ja të flasë me një zë, e rrotullojnë dhe paraqesin pozitive. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, apo mes “Beogradit dhe Prishtinës” siç e quan BE-ja, është arsyeja kryesore pse nga Shërbimi i jashtëm i BE-së dhe Baronesha Ashton asnjëherë nuk është thënë se do të ishte mirë që të njihet Kosova nga të gjitha shtetet. Në atë zyrë mendohet se pikërisht fakti se BE-ja është e ndarë rreth statusit të Kosovës e kanë bërë BE-në dhe Baroneshën Ashton ndërmjetës të duhur në “dialogun Beograd-Prishtinë”. Shqiptarëve të Kosovës u thuhet se “shumica dërmuese e vendeve të BE-së e kanë njohur Kosovën kështu që nuk ka kthim prapa”, ndërsa serbëve u thuhet se “kemi 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, prandaj BE-ja është neutrale ndaj statusit”.
Në rrethana të tilla dialogu nuk po e ndihmon por po e pengon njohjen e Kosovës dhe kjo mund të thuhet kështu derisa të mos ndryshojë diçka. Duke marrë parasysh se është paraparë që dialogu të zgjasë edhe shumë, dhe se ky dialog konsiderohet si sukses i madh i BE-së, gjasat janë që të ketë hezitim që të kërkohet njohje nga 5 shtetet pikërisht për të mos e irrituar Beogradin në atë masë që të rrezikohet edhe largimi i Serbisë nga dialogu.
Llogaritë e tilla vetëm e zgjasin status quo-në e re që është krijuar. Tash kur Serbia pret nisjen e negociatave të anëtarësimit, do të ishte momenti i duhur që të kërkohej nga 5 shtetet që ta njohin Kosovën. Nëse këtë do të bënin Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nëse do ta bënin në mënyrë të sinqertë dhe në nivel të lartë, gjasat do të ishin të mëdha që Rumania, Sllovakia dhe Greqia ta njohin Kosovën. Edhe ashtu në këto shtete një gjë e tillë nuk do të nxiste ndonjë reagim të madh politik, sepse do të bënin diçka që e ka bërë shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Edhe ashtu, me gjithë vetëlavdërimin që e bëjnë disa politikanë kosovarë, shumica e njohjeve të Kosovës kanë ardhur si rezultat i angazhimit të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe deri diku Gjermanisë. Vetëm le të numërohen vendet proamerikane në Lindjen e Mesme, pastaj ish-kolonitë e Britanisë së Madhe dhe Francës, dhe shteteve të në sferën e interesit të tyre, dhe fitohet shumica e vendeve që e kanë njohur Kosovën.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së dhe NATO-s do t’i ndihmonte edhe Serbisë, sepse do ta lironte nga një barrë dhe do t’i mundësonte ta pranonte më lehtë realitetin. Derisa nga Brukseli i dërgohet mesazh se “BE-ja është neutrale ndaj statusit”, Beogradi do të mendojë se ende mund të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Të jesh “neutral” ndaj statusit në fakt do të thotë të jesh kundër pavarësisë, sepse Kosova ka status, ndërsa në BE kur merren vendime gjithmonë fitojnë ata të cilët janë kundër.
*KOHA DITORE
Hipokrizia e disa shteteve europiane duke mos njohur Kosoven de jure nderkohe qe de fakto e njohin nuk eshte thjeshte urrejtje ndaj Kosoves e dashuri per Serbine por nje rryshfet qe i jepet Serbise per te shmangur prej saj ndikimin rus .- viktor Hoti
Sa ti fryni eres se islamit ju kosovaret ne rregull i keni hallet!
E keqja më e madhe në këtë moment për kombin tonë shqipar është se intelektualët shqiptarë paguhen nga politikanët analfabetë.
Shumë intelektualë shqiptarë i hudhin fjalët e tyre të mësuara nga gramatika e gjuhës shqipe në internet sikur të na donin neve të mirën, por nga zemra e tyre janë aq të këqij dhe aq kriminelë se qeveria jonë.
Interesant mendimi i Luanit! Ekspert në fushë të drejtëshkrimit shqip dhe Frikacak në një vend të huaj kur vjen fjala për Kosovën. I pangopshëm me pagën aktuale (sa pesnioni i Adem Demaçit) dhe i etshëm për një post më të lartë që s’e meriton! Mos je ti ai intelektual i fasmhëm (dikurë) që kohëve të fundit kalove në taborin e deputetes antikosovare Oana Manolescu?