Të shërojmë sa më shpejt drejtësinë e deformuar edhe falë këtij presidenti

27 Nëntor 2013, 19:15Blog TEMA

Nga Fatmir Xhafaj*

 

Si çdo vit shqetësimi kryesor edhe te ky Progres Raport fokusohet te drejtësia. Ka shumë gjetje, kritika e rekomandime në këtë dokumente udhërrëfyes. Ka kritika të ashpra dhe për më shumë, të përsëritura në vite. Çka tregon për një progres të limituar dhe në aspektin formal. Mbeten ende shqetësuese edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë aspektet që lidhen me thelbin e sistemit, pavarësinë, eficencën dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë.

Me keqardhje e them, se besimi tek shteti është lëkundur fort nga performanca e ulet e sistemit të drejtësisë, nga korrupsioni endemik i saj, nga mungesa e vlerave morale që duhet të reflektojë, nga paaftësia e mbuluar me arrogancë dhe abuzivizëm.

Nuk mund dhe nuk na lejohet të flemë mbi thënie të tilla se sistemi është i shëndoshë, por ka aty-këtu ndonjë të korruptuar, se shumica e aktorëve të sistemit punojnë dhe rropaten për drejtësinë, por populli perceptimin e ndërton mbi raste sporadike. Për fat të keq e kundërta po kthehet në rregull. Vetëm në raste sporadike, populli po percepton se sistemi funksion, se aktorët e tij janë profesionistë të aftë, që kërkojnë e japin drejtësi, që zbatojnë ligjet e shtetit me dinjitet dhe vlera të larta morale.

Është turp kur dëgjon vlerësime të tilla që bëjnë fajtor popullin tonë që na paska perceptim të gabuar se dikush fiton e dikush humbet në gjykatat tona a thua se kjo na ndodh vetëm ne shqiptarëve se kudo jashtë të gjithë fitojnë në Gjykata! Ky është arsyetim qesharak e cinik dhe kur del nga autoritete të larta të sistemit si ish-ministrat tuaj, Presidenti si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zëvendësi i tij kjo është vërtet shqetësuese dhe e pa tolerueshme.

Shihni te dashur kolegë sesi Shqipëria rrokulliset nga vendi i 83 në atë të 113 të Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit të Transparency International, sesi gjyqësori perceptohet si një ndër sistemet më të korruptuar e më pak të besueshëm në vend. “Ne të gjithë e dimë që ka disa gjyqtarë të korruptuar që sinqerisht duhet të ishin në burg, tani të gjithë e dimë këtë…”.

Këtë shprehje të ambasadorit Arvizu, cituar vetëm pak javë më parë, mund t’ia vëmë si diçiturë edhe gjetjeve të fundit mediatike, ku vendimet shiten në pazarin e korrupsionit, me çmime dhe shitës që gëlojnë brenda sistemit.

E ky është një tjetër turp për politikën, për shtetin dhe për vet sistemin. Atë që nuk e bën dot shteti po e bën një emision televiziv, i famshmi “Fiks Fare” i Top Channel-it!!! Vetëm 10 veta, përfshi edhe vetë Filip Çakulin, punojnë në procesin investigativ për Fiksin dhe shihni çfarë bëjnë – një autopsi të sistemit të gangrenizuar nga korrupsioni ! Përtej çdo arsyetimi një gjë duhet pranuar me dhimbje! Kjo është sfida e një televizioni, që pavarësinë e tij e ka të shenjtë, me një ushtri shteti që paguhen për këtë punë, por që moralin e kanë të kalbur!

10 njerëz me shpirt e respekt për punën e tyre, përballë një ushtrie të shtetit me mbi 1000 prokurorë, policë gjyqësorë, inspektorë, nëpunës hipoteke, pronash, tatimesh etj, etj, që nuk kanë edhe një rast të vetëm ndëshkimi për korrupsionin e ulur këmbëkryq brenda sistemit. Sepse janë pjesë e tij ose të nënshtruar prej tij. Deri dje fajin e kishte imuniteti. Ka mbi një vit që ky tra është hequr, por trari i korrupsionit është aty, bile i trashur më tej.

Sot shprehja që e dëgjon rëndom në mjediset e sistemit të drejtësisë është: Përse të paguaj një avokat të zot kur mund të blej një gjyqtar apo prokuror!

Arsyeja është e thjeshtë. Kemi një sistem të kalbur që s’ka forcë të reagojë. Ka rënë sistemi e ai duhet ringritur për të ndëshkuar korrupsionin dhe padrejtësinë, për t’i kthyer institucioneve integritetin institucional e dinjitetin moral. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë këta që vetëm pak muaj më parë promovuan me ngritje në detyrë një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, i cili pak vite më parë ishte ndëshkuar nga KLD pasi po Fiks Fare kishte denoncuar me zë dhe me figurë një shkelje të rëndë të ligjit prej tij! Edhe atëherë kështu ndodhi. Të gjithë u skandalizuan e reaguan, por sot “harruan” dhe e promovuan!! Përse? Sepse është anëtar i celulës partiake në gjyqësor, sepse duhet celula për të mbrojtur skandalet e bëra me tokat në bregdet!!

Progres Raporti sigurisht është një material i shkruar nga ekspertë profesionistë, por i latuar me gjuhë diplomatike. Ruhet nga gjuha e ashpër, me fjalë të matura shpreh rezerva, nxit ndryshime.

Ne nuk e kemi luksin të jemi diplomatë me hallet e problemet e këtij vendi. Sistemi i drejtësisë sot për mendimin tim është në emergjencë kombëtare sepse është kthyer në një sistem klientelist. Klientelizëm interesash, klientelizëm influence, pazaresh të ulëta dhe për më keq në klientelizëm politik. Po vuajmë pasojat e politizimit të skajshëm të sistemit gjyqësor, për shkak se hallka kryesore e këtij sistemi, Presidenti i Republikës, për fatin e keq të tij, por për më shumë, për fatin e keq të shqiptarëve është një lojtar partiak e më keq akoma një ushtar i bindur që po bën mirë veç një detyrë – të krijojë e garantojë celulat militante brenda sistemit, celula që të promovuara mbi një kriter, nënshtrimin politik kontrollojnë sot sistemin, janë duke i marrë frymën pjesës së shëndoshë të gjyqtarëve e prokurorëve.

Lexojeni me kujdes Progres Raportin e KE-së dhe midis rreshtave do të gjeni çudira turpëruese për të gjithë ne. Në faqen 48 të tij theksohet shprehimisht se: “Nuk ka pasur përparim në përmirësimin e hartimit të vendimeve gjyqësore, sidomos për sa i përket arsyetimit”.

Shihni për çfarë flitet dhe për çfarë këshillohemi, për aftësinë për të shkruar e arsyetuar vendimet gjyqësore nga gjyqtarët që paguhen veç për këtë punë!! E jo pa të drejtë. Përkundrazi.

Merrni e shihni të nderuar kolegë përbërjen që kanë sot Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Në përmbledhjen e CV-ve profesionale që bëhet publike në faqet zyrtare të këtyre dy gjykatave më të larta të vendit, konstaton lehtë sesa pak prej tyre, rreth një e katërta, 6- 7 gjyqtarë, kanë jetë akademike, botojnë artikuj e libra mbi të drejtën kushtetuese e fusha të tjera të së drejtës materiale e procedurale!!

Hidhini një sy CV-ve të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët janë në atë funksion të lartë për të realizuar edhe doktrinën shkencore të unifikimit të praktikës gjyqësore. Do të ndiheni keq kur të shihni se në atë Gjykatë me 17 anëtarë, një shumicë jo e vogël e tyre nuk kanë jo më një botim, por as edhe një artikull të vetëm shkencor në fushën e së drejtës!! E më e keqja akoma një pjese jo të vogël të tyre vendimet ua shkruajnë e arsyetojnë këshilltarët e tyre!! Shihni CV-të e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe atyre të Apelit Administrativ e do të shihni se mbi 2/3 e tyre nuk arrijnë të përshtaten as me teknikën e shkrimit dhe të arsyetimit ligjor.

Kjo ndodh sepse brenda sistemit shohim të promovuar në majat e tij, persona të cilët mjafton tu shkruash emrin në faqet e kërkimit në internet të lexosh bëmat e tyre publike dhe jo vetëm. Emrat e tyre sot janë bërë personifikim i deformimit në dhënien e drejtësisë.

Sot nënkryetari i KLD, si vlerë profesionale ka vetëm faktin se ka punuar me përkushtim të spikatur politik në krye të Agjencisë së Kthimit të Pronave, asaj agjencie që së fundmi po shohim sesi kur ka dashur tokën e ka zbritur brenda e në mes të detit. Çfarë vlerash mund të presim ne të reflektojë KLD sot tek qytetarët, tek sistemi i drejtësisë, kur KLD është kthyer në një çerdhe nepotizmi dhe klientelizmi?!

Si mundet t’u thuhet qytetarëve që e keni të gabuar perceptimin për gjyqësorin, kur në të njëjtën tavoline ku thuhen këto parulla, ulen gjyqtarë që dalin 40 herë në vit jashtë vendit, duke shkelur çdo normë, pa marrë lejen e askujt e bredhin në Evropë, në sallat ku i presin qytetarët të japin drejtësisë paraqesin raporte mjekësore false.

Një nga shqetësimet e progres raportit lidhet me faktin se “emërimet e KLD bëhen mbi baza subjektive dhe jo mbi kritere objektive”.

E dini kolegë të nderuar, që kjo KLD dhe ky President kanë lënë pa emëruar sot e kësaj dite dy breza magjistratësh? Por nuk ngurrojnë aspak të bëjnë qoka politike me lloj- lloj gjyqtarësh, të cilët nga cepat e Shqipërisë i ulin me parashutë në mes të Tiranës apo gjykatat buzë detit? Kjo KLD dhe ky President nuk vlerësojnë punën e gjyqtarëve që prej vitit 2007, shkelin ligjin ditën për diell duke mos krijuar listën e renditjes së gjyqtareve, lejojnë që gjykatat të drejtohen nga drejtues të komanduar për gati 6 vjet. Sepse pa rregulla e në shkelje të ligjit drejtohet më mirë, për interesat e partisë e të klientelizmit.

Kjo KLD dhe ky President organizuan pak kohë më parë konkursin për përzgjedhjen e gjyqtarëve të sistemit të gjykatave administrative. Ç’ndodhi? Në majë të renditjes, mbi bazën e meritës, kishte edhe gjyqtare që nuk gëzonin besimin politik. Kjo KLD dhe ky President kapen prej veshi nga vendet e poshtme të renditjes dhe promovuan ata që betoheshin për besnikëri.

U emëruan anëtarë e kryetarë gjykatash administrative, edhe pse drejtësinë, si edhe Presidenti, e kishin studiuar me korrespondencë. Brenda sistemit ka një amulli të plotë përsa i takon numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit. Kjo ndodh se numri i tyre u rishpërnda duke pasur përpara listën e besnikëve që duheshin sjellë në Tiranë dhe jo statistikat e ngarkesës së këtyre gjykatave.

Pak muaj më parë kjo sallë e nderuar miratoi ndryshimet në ligjin funksional të Gjykatës së Lartë. Numri i anëtarëve të Gjykatës së Larte u shtua me 2 anëtarë. Vetë ligji që ne kemi miratuar ka parashikuar shprehimisht se kjo shtesë u krye në funksion të krijimit të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Çfarë ndodhi me Presidentin e Republikës? Me vullnet e këmbëngulje po përpiqet ta provokojë këtë maxhorancë, kur bëri qokën e radhës presidenciale me një proces konsultimi fiktiv, kur ndryshoi kriteret përzgjedhëse në mes të procesit dhe propozoi për këto dy vende, jo dy juriste/gjyqtarë me karrierë të spikatur në fushën e të drejtës administrative. Ndërkohë që ligji për Gjykatën e Lartë hyri në fuqi në datë 1 Tetor 2013, Presidenti i Republikës 10 ditë më vonë, me datën 10 Tetor shpall fillimin e procedurave për plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

Me 4 nëntor filloi funksionimi i sistemit të gjykatave administrative në Gjykatën e Lartë dhe dy gjyqtarët e rinj nuk ishin emëruar ende nga Presidenti i Republikës. Këtë proces ai e përfundoi me nxjerrjen e dy dekreteve pas një muaji e gjysmë, me 22 nëntor. Jo rastësisht, por qëllimisht dhe në shkelje të rëndë të ligjit.

Si gjithmonë ishte paramenduar arnimi. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë krijohet brenda natës, duke i ndryshuar vetëm emërtesën njërit prej Kolegjeve Civile, në përbërje të të cilit pakkush ka background-in e nevojshëm profesional për të qenë në krye të një zhvillimi të rëndësishëm, siç është funksionimi i sistemit të gjykatave administrative.

Në Progres Raportin e BE, kritika i adresohen dhe Prokurorisë së Përgjithshme, mungesës së llogaridhënies së saj, kontrollit inekzistent në promovimin e prokurorëve brenda sistemit, në mungesën e kritereve për të ecur në karrierë. Siç duket, të njëjtat simptoma shfaqjen në çdo gjymtyrë. Kemi ende një sistem hetimi që i ngjan lojës e ka kush e ka. Hetime të mangëta që prodhojnë fashikuj procedimesh edhe më të mangëta, gjykime që përfundojnë me pafajësi të turpshme.

Edhe një strukturë të këtij sistemi, që ushqente me prurje dhe me shpresë të ardhmen e drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, që në vijimësi shikohej dhe nga partnerët si një arritje suksesi, sot e gjejmë në duart e njerëzve politikë, e për më keq akoma, i papërshtatshëm për formimin e tij akademik për të qenë drejtues i kësaj shkolle. Mos harroni të nderuar kolegë se me çfarë vullneti të frikshëm politik u ndryshua rrufeshëm bordi i Shkollës së Magjistraturës. U shkarkua menjëherë nga KLD një gjyqtar karriere, që s’pranoi diktatin, dhe u zëvendësua me të besuarin e politikës së mbrapshtë, derisa u arrit që me duart ngritur përpjetë u bënë votat, që në krye të Shkollës së Magjistraturës në vend të profesoreshës universitare, të emërohej avokati i ish- kryeministrit Berisha, një ish- prokuror e avokat pa asnjë titull akademik!! Përse? E thjeshtë fare. Që në burim do të duhet të kontrollohen prurjet e të ardhmes në sistem. Të kontrollohen politikisht. Dhe gjithçka me nxitjen e mbështetjen e atij që ne e kemi President të Republikës e njëherësh kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Këto anomali që po përmend sot në këtë sallë të nderuar, nuk janë shfaqur e zhvilluar brenda një dite. Sigurisht kanë evoluar pak e nga pak, çdo ditë e më shumë, për t’u bërë sistematike gjatë tetë viteve të kaluara dhe veçanërisht kur opozita e sotme e përjetoi bashkëkzistencën e pushtetit gjyqësor me dy pushtetet e tjera, si një rivalitet që duhej të përfundonte me doemos me çdo çmim në nënshtrim.

Unë besoj se sesioni i ardhshëm parlamentar, në frymën e këtij Progres Raporti, por edhe të kësaj rezolute konsensuale që po duam të miratojmë, mund të shënojë një pikë kthese në këtë drejtim.

Te nderuar kolegë,

le të marrim mbi vete përgjegjësinë para kësaj Republike, përpara popullit, përpara familjeve dhe fëmijëve tanë. Të ulemi e të nënshkruajmë një marrëveshje të gjerë politike ku të angazhohemi për ndryshime kushtetuese dhe ligjore, thelbësore për legjislacionin për drejtësinë, që të bëjnë të mundur pavarësinë e pushtetit gjyqësor, rritjen e integritetit dhe profesionalizmit të tij. T’u përcjellim besim partnerëve tanë ndërkombëtarë se dimë të marrim përsipër dhe t’ia dalim sfidave të së ardhmes së këtij vendi.

Pavarësisht se numrat në këtë sallë mund të bëhen për të kaluar edhe ndryshime kushtetuese, unë kam bindjen se proceseve të tilla transformuese të shoqërisë nuk mund dhe nuk duhet t’u bishtnojë as opozita. Po aq sa ne, dhe ajo duhet të kuptojeëse populli ka nevojë për të marrë sinjale të qarta nga Kuvendi i Shqipërisë për ta shëruar e për ta shpëtuar sistemin e drejtësisë!

Është koha për një reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, në organizmin e tij institucional, në sistemin e karrierës e të vlerësimit, të ndëshkimit e vlerësimit përmes ndryshimeve të menjëhershme në ligjin për organizimin gjyqësor, të KLD-së, të prokurorisë e të shkollës së magjistraturës, gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese.

Kjo duhet bërë sot sa më shpejt të jetë e mundur. Nesër do te jetë shumë vonë. Ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht funksionimin e sistemit të drejtësisë, që ti japim vet sistemit të drejtësisë, drejtësinë e munguar brenda tij, për të bërë të mundur që vet sistemi ti garantojë qytetarëve drejtësinë e mohuar.

Nuk ka e nuk mund të ketë demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, drejtësi shoqërore e zhvillimi ekonomik pa një sistem drejtësie realisht të pavarur, eficent dhe të përgjegjshëm.

*Fjalimi i deputetit të PS në Kuvend

27 komente në “Të shërojmë sa më shpejt drejtësinë e deformuar edhe falë këtij presidenti”

  1. dita says:

    Shume bukur e ke qendisur more djale !

    1. fl says:

      Fjalimin e ka qare, por cfare do ndryshoje dhe kur – kjo eshte pyetja.

  2. Mihallaq Furxhi says:

    Mendoj se sa me pare te zgjidhet nje president konsensual me konsensusin e pozites dhe opozites. Sistemi Gjyqesor duhet reformohet sa ma pare duke pare jo vetem aftesite profesionale por etiken dhe profesionalizmin e tyre pa gjykuar mbi bindjet partiake.(Mundesisht te largohen sa me pare elementet me te korruptuar te ketij sistemi.)
    Bashkia e Tiranes duhet te kete nje kryetar mbi bazen e vullnetit te Zgjedhesve te Tiranes si bashkia me e madhe e Shqiperise,jo mbi bazen e tjetersimit te vullnetit te Votuesve te Kryeqytetit. Do ti thosha po keto mendime edhe sikur sot opozita e sotme te ishte pozite.

    Do te desheroja qe keto ndryshime te kryheshin sa me pare,dhe te mos mos arijne te ndodhin pas zgjedhjeve te ardheshme.

    Mihallaq Furxhi
    Oakland Community College
    Michigan USA

  3. ermali says:

    shyqyr me se fundmi qe dikush u kujtua per ate president me pateric, per gjithe shkelje ne gjyqesor, per gjithe prapesite qe i kane sistemit te drejtesise, te gjitha te keqijat qe i jane shkaktuar shtetit te se drejtes

    bravo

  4. mergim tari says:

    A e keni degjuar ate shprehjen qe i gjith sistemi duhet ngritur ZGUPTHI.
    Pra duhet te qerohen te gjithe.

    Duhet pare pasuria,
    shtepite,
    makinat,
    pajisjet shtepiake
    ku u studiojne femijet
    te ardhurat
    kursimet
    cantat
    orat
    bizhuterite
    zinxhiret
    tu shikohen te gjithe vendimet qe kane marre
    dmth per dy veta mund te kene dhene vendime te ndryshme.

  5. O Fatmir po ti ke qene Minister i Drejtesise cfare ndryshove nje lesh me qime vetem demagogji e llafe boshe e as nje gje konkrete,cmenduria ne drejtesi vazhdon,ik e coji nje tufe me kara fila Enverit ke vorri e kujto vitet e rinise si me 1 Maj.

    1. Arsona says:

      Ato qe ti i quan demagogji i perkasin qeverise qe lam pas
      Se ky sistemi qe eshte tamam duhet ngritur sgupthi dhe te shohim si do fshihen ktinjt.
      Sa per Enverin te shkoj sala me zarat e tij se ai.i sherbeu deri diten e fundit

  6. O Fatmir po ti ke qene Minister i Drejtesise cfare ndryshove nje lesh me qime vetem demagogji e llafe boshe e as nje gje konkrete,cmenduria ne drejtesi vazhdon,ik e coji nje tufe me kara fila Enverit ke vorri e kujto vitet e rinise si me 1 Maj….

  7. Engjell says:

    Fjale e goditur dhe me shume objektivitet e realizem.Eshte domosdoshmeri qe sistemi i drejtesise kerkon qilizme dhe pastrim radikal nga ky pisllek i tmerrshem.por jo vetem kaq ka edhe mjaft struktura te tjera te sistemit ligjor ,administrativ ,si dhe avokatura e noteret apo juriste te tjere te cilet kane mbushur rruge e rrugica ne Shqiperi dhe vetem rjepin e rjepin te shkretin popull.Midis tyre perfshi edhe plepat e viteve 90 por edhe pjesen derrmuese te te rinjve qe jane diplomuar e kane bere edhe te ashtuquajturin master te cilet nuk dine te shkruajne ,te konceptojne ,te argumentojne etj etj ne menyre te ligjeshme por ngaterrojne nje dynja te tere per te fituar vetem ata .Kam raste te pa kontestueshme te provuara qe nje avokat qe me pas u ngrit deri ne nivele prefekti nuk ishte ne gjendje te qulloste nje akt padi civile ,kam njohur injorante te cilet edhe pse te diplomuar ( diplomim i thençin)ne specialitete teknike kane kaluar ne kursin e plepave dhe jane bere gjyqtare sharlatane dhe qesharake per ne qe i njohim, sepse hallexhijte kane vetem hallin e zgjidhjes dhe ai te pengon te shohesh se kush merr persiper te zgjidhe apo te jape drejtesi,ka notere qe nuk dine rregullat drejtshkrimore dhe shpesh na duhet te ngulemi vete mbi dokumentacion per te kontrolluar saktesine e sherbimit te noterit ,e keshtu me radhe .
    Eshte e vertete se kjo nuk zgjidhet brenda dites ,ashtu si edhe nuk u katandis ne kete derexhe brenda dites ,por pas qilizmes do te mbillet bime e re qe te zere vendin e duhur per t’i sherbyer ketij vendi Ato kjoskat qe u bene zyra moderne ,biçikletat u bene makina luksoze ,hyrjet 1+1 te cilat i paten juristet e fillim viteve 90 u bene vila e pallate nga dy e tre ,pushimet behen ne vendet me te shtrenjta ne Evrope duhet te kalojne ne siten verifikuese serioze sepse keto u bene vetem se ishte ndertuar kjo katraure ne te cilen hienat me pelerina te zeza perdoren babezine ne rrjepjen e popullit dhe mbeti ne fuqi te plote aktuale shprehja e fameshme “Kur te q.. kadiu nuk ka kush t’a ben davane “(me falni per shprehjen e perdorur.

  8. altini says:

    po ky eshte njesh, o ca thoni
    po e ka qendisur,
    po ku ka jurist me et mire
    me te pergatitur se ky
    kush ka folur me mire se ky
    me thoni

  9. ledi says:

    o njerez po nuk keni pak turp qe komentoni ne kete menyre njeriun me te ndritur qe ka pasur ndonjehere drejtesia shqiptare? njerez te mencur dhe me vizion ‘ju’ te pangopurit e sales i luftoni… por ju siguroj qe nuk do te jete per shume kohe akoma… ferkoni syte kur te shihni se te gjithe premtimet do te behen realitet… dhe endrra vazhdon….

  10. mars says:

    Jemi mesuar ketu ne Shqiperi qe njerezit qe vertet punojne, ti sulmojme sepse na krijojne komplekse te shumta.Keshtu qe vazhdoni dhe bjerini daulles dhe mos pushoni se na defreni vertet.Xhafa eshte nga politikanet e paket qe punon dhe ka qene nga me te suksesshmit si minister drejtesie. E pakta qe mund te bente ne kete moment eshte qe denonconte nga foltoria e parlamentit dhe fundja permbushi detyrimin ndaj atyre qe e besuan me vote(si duhet te bejne te githe deputetet), por juve ju pelqejne ata qe flene ne sallen e kuvendit. Jemi me fat qe ne politiken shqiptare kemi nje ze qe na perfaqeson si ai i Xhafes.

  11. eranda says:

    po ky ka folur shume mire

    i ka thene sh mire

    e shikon fiks fare oleshko si blihen gjyqtaret me 500.000 lek kriminelat dalin nga burgu o leshko. ky fatmir xhafa ka fol shum mir.

    i lumte pushka per gojen qe ka, nuk e ka per te nxjerr budallaqe, por kur del ai flet shum mir. asht me i mini

  12. arben says:

    Besoj te gjithe e mbani mend….. rreth 8 apo 10 vjet me pare u shkarkua nje gjyqtar nga apeli (Dalip Bushi) . Z xhafa ishe minister ne ate kohe dhe pasi u mor vendimi ne mes te kamerave z. Dalip Bushi, sot gjyqtar i apelit deklaroi se Ministri Xhafa eshte ne gjak me mua. Dhe kur erdhi Sala ne pushtet e beri prape gjyqtar ne apel. Po mire more njerez cfare prisni qe te kete shtet e drejtesi. Sot duhet integritet dhe reforma drastike.
    Forca Fatmir, Erion e Taulant. njerez te tille qe e kane shtetin si lope dhe nuk paguajne jo vetem taksat por as energjine nuk duhet te kene vend ne administrate
    Te lumte dora FAtmir

  13. dolorida says:

    jemi me fat qe ne ate podium te kuvendit zeri yt na perfaqeson denjesisht te gjithe ne.Kemi besim te plote ne fuqine dhe drejtesin tende prandaj dhe ju jeni pjese e asaj salle dhe cdo gje qe flisni ne cdo germe ka drejtesi brenda saj,jeni aty nga besimi qe kane keta njerez tek ty gje qe e keni treguar nder vite.te flasesh per nje deputet si zoti Xhafa nuk mjaftojne as keto qe kam shkruar une as parafolesit sepse ai eshte vertet nje njeri qe vendos shpirtin dhe mendjen ne kete bote te padrejte dhe duhet te kemi besim te plote qe do ja dali mbane ashtu sic ja ka dale deri me sot me mencurine dhe profesionalizmin e tij.te urojme suksese zoti deputet dhe kemi besim te ju dhe te ligjet qe perfaqesoni.

  14. rovena says:

    Analize e goditur z. Xhafaj, dhe sidomos kur kjo vjen nga nje ish minister drejtesie, deputet i parlamentit tone. Me vjen mire per nje gje, qe keto te verteta edhe pse te shemtuara thuhen ne parlament nga nje deputet i shumices, duke sjelle ne vemendje te gjitheve ne ato gjera per te cilat ne njerezit e thjeshte i themi perdite. Kjo eshte nje shenje e mire qe gjerat kane filluar te ndryshojne dhe vullneti ekziston. Nuk patem degjuar ndonjehere me pare deputete te pushtetit te dilnin dhe ngrinin zerin kunder gjerave kur ato nuk shkojne. Vleresimet e mia.

  15. diku says:

    po ky eshte me i miri i drejtesise
    as nuk duhet diskutar fare
    ky di te argumentoj
    apo sju vjen mire qe ju ka renditur te gjithe derrave te drejtesise te gjitha marrezit q i kane bere ketij vendi. ua ka rendtur te gjitha cmendurite qe behen ne sallat e gjyqeve anomalit skandaloze te vendimeve njerez kriminel, te korruptuar qe vjedhin me thase me mencuri dhe pa njerezit , qe perfitojne nga hallet e tyre duke i masakruar dyerve te gjykatave, politikan qe jane te lire edhe pse cfare nuk kane bere dhe jetojne te qete me familjen e tyre , me jeten e tyre luksoze pa e perfillur ligjin, rregullat dhe shtetin.
    dhe thote sh mire qe duhet shpejt, sa me shpejt te ndryshojne gjerat

  16. Sona says:

    Analize shume e sakt dhe e drejte.
    Ky sistem drejtesie ka nevoje urgjente per ndryshime radikale .
    Sepse der me sot jemi qeverisur nga nje sistem i kalbur dhe i korruptuar.
    Dhe un jo vetem besoj por jam e bindur dhe njekohesisht krenare qe hartimi i.ligjeve perfaqsohet nga nje figure politike si Z.Xhafaj.jane te pakta figurat politike qe mundohen te te perngjasojne .
    Krenar per ty Z.Xhafaj

  17. Silvi Kolumcaj says:

    Z. Xhafaj, ky eshte nje pasqyrim teper i sakte i realitet te drejtesise shqiptare. Te gjithe duhet te ndergjegjesohemi qe sistemi jone mos te jete me i tille kaq i kalbur e i korruptuar dhe qe denoncimet te mos behen vetem nga Fiks Fare po nga te gjithe qytetaret e prekur nga ky sistem.

  18. jani says:

    Shume analize e ire dhe ndergjegjesuese. Bravo Z. Xhafaj

  19. Ermal says:

    Z. Xhafaj, do te doja qe vertete Shqiperia te kishte kaq shume njerez te perkushtuar ndaj sistemit te drejtesise si juve.
    Respekte, Ermal.

  20. Xhoni says:

    Me ne fund nje shkrim po aq realist sa edhe gjendja te cilen ne e shikojme cdo dite ne Shqiperi

  21. Anton says:

    Nqs kryeministri nuk ua ve veshin ketyre fjalve ath jam teper i sigurt qe nuk kemi per ta marre statusin e vendit kandidat

  22. Jimmy (USA) says:

    Z. Fatmir Xhafaj, pershendetje nga Amerika.
    Doja qe tju falenderoja per punen e parreshtur qe ju beni ne drejtesine Shqipetare.
    Perzemersisht Jimmy

  23. Medin says:

    Do te me pelqente te dija cmendim kane njerezit e pinokut per kete analize. Upss harrova eshte e nje niveli teper te larte per ata.
    Bravo Fatmir Xhafaj!

  24. Vezir says:

    Shikoj qe ka akoma njerez qe vazhdojne te kundershtojne realitetin ne baze partiake. O njerez hapni syte dhe mblidhni mendjen e vleresoni ate qe eshte e drejte jo ate qe u thone ne mbledhjet e PD

  25. Daniel says:

    Gjithcka e pasqyruar me larte eshte nje realitet i hidhur per ne, thjeshte tani ju hapen syte edhe qeverise pas reagimit te fiksit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje