Çdo nëpunës do të jetë aty për t’i shërbyer qytetarëve

27 Nëntor 2013, 17:57Blog TEMA

Nga Milena Harito*

 

Historia e qytetërimit europian, pjesë e të cilit dëshirojmë fort të jemi, fillon me një vrasje.

Dhe jo me një vrasje të çfarëdoshme. Me vrasjen e vëllait nga vëllai, të Kainit nga Abeli.

Është histori shumë e vjetër e njerëzimit, lufta violenca, dhe dominimi ndaj njëri-tjetrit.

Qytetërimit europian iu deshën qindra vjet për ta kaluar këtë fazë të historisë së vet, për të kaluar nga instinkti primitiv i violencës me mundim drejt kompromisit.

Duke e parë nën këtë këndvështrim duhet të kemi durim. Qytetërimi kërkon kohë dhe jo të gjithë ecin dot me të njëjtin hap.

Por ne, vdekatarët e zakonshëm, kohën kemi gjënë më të vyer.  Neve perëndia na ka dhënë vetëm një kohë të fundme, më pak a më shumë të gjatë. Nuk mund të presim, jo me qindra, por as dhjetëra vjet që ta kapërcejmë urrejtjen dhe dhunën. Ndaj çdo herë që kapërcejmë tentacionin primitiv të dhunës dhe violencës, secili nga ne, kemi bërë një hap përpara drejt qytetërimit. Dhe kjo nuk është pak.

Për këtë dhe vetëm për këtë arsye do të flas shumë pak sot për çka ka bërë qeveria 8 vitet e shkuara me administratën publike.

Sipas të dhënave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike:

Në pothuaj 100 % të rasteve të nëpunësve të larguar nga shërbimi civil dhe që i janë drejtuar KSHC dhe gjykatave, ata kanë fituar të drejtën e rikthimit në detyrë dhe marrjen e pagave. Janë afër 100 procese gjyqësore të fituara vetëm nga nëpunësit civilë. Në të gjitha këto raste janë paguar dy veta për një vend pune. Kjo ka përbërë dhe përbën akoma një barrë financiare për buxhetin e shtetit, për të cilën do të mbahet përgjegjësi.

Rastet e largimeve abuzive në kundërshtim me kërkesat e ligjit kanë ardhur duke u rritur. Në shumicën e tyre këto raste janë konstatuar që në momentin e paraqitjes së ankesës nga nëpunësit në KSHC, por DAP nuk ka kryer rolin e tij, në disa raste duke mos kërkuar  dhe në raste të tjera duke kërkuar vetëm formalisht institucioneve qendrore të zbatonin vendimet e KSHC. Formalizmi konstatohet fare lehtë, mbasi ka qenë po DAP që ka shpallur procedura konkurrimi për vende pune të cilat kanë qenë në procese gjyqësore, apo për të cilat ish nëpunësit e larguar kishin fituar të drejtën të ktheheshin në detyrë.

Konkurset e pranimit në shërbimin civil prej kohësh kanë humbur besimin tek publiku dhe paragjykohen si të manipuluara që në fillim të tyre. Dhe jo me kot. DAP ka shkelur në mjaft raste dispozitat  ligjore në lidhje me kërkesat specifike të vendeve të punës të shpallura për konkurrim duke pranuar raste të tilla si inxhinier mekanik të konkurrojë dhe të emërohet në pozicionin Drejtor i Përgjithshëm … i Turizmit!!!!!

Marrja në punë në pozicione të shërbimit civil, me kontratë të përkohshme në tetor të vitit 2010 ishte rreth 25%, çështje kjo e ngritur në vazhdimësi në progres raport.

Emërimet në mënyrë të përkohshme nuk janë shoqëruar me shpalljet e vendeve të punës dhe kanë zgjatur mesatarisht nga 6 muaj deri në 1 vit. Ngritja në detyrë dhe lëvizja paralele, pra karriera e nëpunësve civilë pothuajse nuk është zbatuar fare (mesatarisht 1% e emërimeve).

Përdorimi i ristrukturimit të institucioneve, si arsye për largimet e nëpunësve civilë, vetëm në periudhën e parë të ristrukturimit pas krijimit të qeverisë së djathtë në vitin 2005-2006, kanë dalë në listë pritjeje rreth 405 nëpunës civilë, një pjesë e të cilëve janë ankimuar dhe kanë fituar proceset gjyqësore.

Të gjitha këto janë përmendur edhe në progres raportet në vazhdimësi.

Po kthehem në çfarë po bëjmë ne me Administratën Publike, jo nesër, jo në të ardhmen, por sot, çdo ditë, për çdo pozicion të lirë pune.

Po bëjmë një gjë të jashtëzakonshme në fakt, që kërkon një vullnet të hekurt në këtë vend, po zbatojmë ligjin dhe vetëm ligjin në frymën dhe në germën e tij.

Për herë të parë po bëjmë konkurse reale në administratën publike.

Si, do të pyesni ju.

Thjesht duke ftuar me dhjetëra e qindra kandidatë të vijnë në konkurse. Është kaq e thjeshtë. Po përdorim bazën e të dhënave me mbi 15 mijë CV, të cilën gjetën mënyrën ta anatemojnë gjatë beharit. Po lajmërojmë çdo njeri të fushës dhe kompetent, që të marrë pjesë në konkurse duke shumëzuar me 10 numrin e kandidatëve dhe duke penguar kështu manipulimin e rezultateve.

Respekt të meritës, profesionalizmit dhe integritetit moral: kjo është kryefjala jonë për administratën publike. Ka një arsye për këtë.

Shpesh meritokracia dhe integriteti moral janë të pandashme  sepse kush e merr pozicionin me meritë, respekton në radhë të parë veten dhe punën e vet.

Më kryesorja, nuk do të nxisim paaftësinë, për ta përdorur administratën si armatë partiake. Do t`i kthejmë administratës dinjitetin, por njëherazi do t`i kthejmë edhe përgjegjësinë. Asnjë punonjës i administratës nuk do të poshtërohet me siç ndodhi rëndomtë në fushatën e këtij viti duke u përdorur për të mbledhur vota me listë. Për këtë unë jam personalisht garant.

Si do t’ju kthejmë dinjitetin do të thoni ju; Është e thjeshtë. Njeriu ruan dinjitetin kur është në vendin e duhur, në pozicionin të cilit është në gjendje t`i dalë zot.

Nuk do të vëmë truprojat, drejtora, duke i vënë përpara punësh që nuk dinë t`i bëjnë, shkresash që nuk dinë t`i shkruajnë,

Asnjë punonjës hipoteke nuk do të rrijë aty për të kërkuar copa të pronave të qytetarëve, ose para prej tyre.

Nuk do të vëmë mësuese pa gjimnaz të edukojnë fëmijët tanë, sepse nuk duam të shkatërrojmë fëmijët, por nuk duam të poshtërojmë as mësueset.

Nuk do të vëmë të paaftët në drejtim duke demotivuar gjithë administratën thjesht për t`i pasur nën thundër.

Por njëherazi do t’ju kthejmë përgjegjësinë; çdo nëpunës do të jetë aty për t’i shërbyer qytetarëve, askush nuk do mund të sillet sikur zyra e shtetit është pronë e babait sepse për këtë do të mbajë përgjegjësi, çdo abuzues do të ndëshkohet dhe nuk do të ketë mbrojtjen e askujt.

Kur je më i forti, kur je fitimtari ke shumë detyrime. “Noblesse oblige” thotë frengu. I takon fitimtarit të përpiqet të ngrejë humbësin në lartësinë e vet. Por është sidoqoftë përgjegjësia e humbësit ta pranojë ose jo përpjekjen për t`u ngjitur një stad më lart.

*Ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike

4 komente në “Çdo nëpunës do të jetë aty për t’i shërbyer qytetarëve”

  1. liri drejtesi says:

    Moral bosh per ne Kosh
    Te kesh pune duhet te jesh kodosh
    Kohen kot mos e harxhosh
    Korupsionin ta mirekuptosh – jo ta luftosh!

    Sepse lufte boll kemi bere
    Kemi ngrene nje Shqiperi te tere
    Tani rinia te gezoje
    Dhe ne pune te mos shkoje

    Se ajo eshte e ardhmja
    Nderkohe qe te shkuar s’kemi
    Po me mire ashtu te themi
    Sesa buken ta haje qeni!

  2. ILIRET says:

    Zonja ministre. Beni konkurese ju, ku per nji vend pune konkurojne 100 vete. 99 te tjere mbeten pa pune.
    Nderkohe LSI i ka stabilizuar te gjithe njerezit e saj ne pune. Ajo tani po ben thirrje te vijne pune kerkuesit tek zyrat e saj, pasi vende pune kane, por nuk kane njerez per keto vende pune.
    Ju flisni sikur ne jetojme me alienet. PS ende ben konkurse, LSI ka dy muaj qe i ka sistemuar njerezit e saj ne pune.

  3. elinor says:

    I kam bezdi mburrjet kur ato e kane nje baze mbasi jane realizuar ato qe u premtuan.
    I kam neveri premtimet boshe ne lidhje me nje pune qe s’ka filluar akoma.
    Nuk e marr vesh kete brez ministrash. Jane ne gare me njeri-tjetrin se kush shkruan me bukur e kush ka me shume kulture te pergjithshme apo nuk dine cfare te bejne e vetem sillen verdalle duke hedhur premtime ne ajer….si me qene akoma ne fushate elektorale??
    Po bejini pra, kush po ju ndalon?!!! Por te pakten prisni derisa t’i realizoni ato te shkreta premtime, mos na shitni tangerllek qysh tani.
    Keta sikur akoma po kerkojne leje nga publiku per te qeverisur. Hejde more sherr, na jane bere te gjithe ministrat shkarravites blogjesh. Pak kishim mangut ate karabushin e gjate qysh ne opozite na bente au iu me ato shkrimet e tij te stergjata e te merzitshme por edhe keta na duheshin tani!!

  4. Anton Nepravishta says:

    Qyteterimi evropian fillon edhe nga dija e gjuhes meme. Violence nuk ekziston ne shqip moj zonja ministre. Fjala qe keni dashur te perdorni eshte DHUNE. E meqe ra fjala te dhuna, eshte pikerisht nje dhune psikologjike te degjosh dokrat tuaja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje