Thank’s Mr. Rubin!

30 Nëntor 2013, 18:05Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

1. Fillimi i fundit i Hashim Thaçit dhe i klanit “Pronto”

Menjëherë pas lufte, në dy raste, kam shkruar me të njëjtin titull “Unë ndihem drenicak” si përgjigje kundër stereotipit racist që po krijohej në Prishtinë për kinse drenicakët batakçinj, duke e identifikuar një kastë injorante politikanësh e komandantësh me tërë njerëzit atje – që janë si të gjithë kosovarët tjerë – sepse e ndieja për obligim moral dhe qytetar.

Mirëpo sot, kur ende drenicari tipik lufton për mbijetesë pa rënë në sy të keq të pushtetit të plotfuqishëm e autoritarist, i kërcënuar dhe i frikësuar (në rajonin e Drenicës ende nuk mbizotëron liria nga frika), kjo sërish dhe gjithnjë të bën të ndihesh i tillë, përkrah të përbuzurve, kudo dhe ngado që je, pra të ndihesh drenicak!?

James Philip “Jamie” Rubin (i lindur më 1960) ka qenë diplomat dhe gazetar amerikan që po ashtu ishte ndier kosovar më 1999.

Rubin ka shërbyer gjatë Presidencës së Bill Clintonit si ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit nga 1997 deri në maj 2000. Gjatë luftës në Kosovë, Rubin konsiderohej si krahu i djathtë i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

I emëruar dijetar në rezidencën e Institutit Amerikan Rothermere të Universitetit të Oksfordit, di kur, ku dhe çka të flasë.

Prandaj deklarata – mesazh e tij si asnjëherë më parë, ia ka futur frikën në asht kryeministrin kosovar, i cili po ashtu e di saktë se ka nisë fundi i tij politik.

Rubin si ish-gazetar dhe diplomat nuk ka harruar t’ua përmendë meritat edhe miqve të tij të UÇK-së, ndaj të cilëve është mirënjohës për gjithçka të mirë që ata kanë bërë për Kosovën.

Porse ai nuk harroi t’ua përmendë edhe çoroditjet.

Dhe tashti, gati gjashtë vjet pas pavarësimit të vendit, Rubinit nuk i shkon mendja më të fotografohet me eksponentë të UÇK-së, nëpër kafenetë e Prishtinës, sepse ashiqare ai e di se shumica syresh kanë abuzuar pushtetin politik, duke vrarë dhe zhvatur njerëz, duke kërcënuar dëshmitarë gjyqi e kundërshtarë politikë, duke uzurpuar prona dhe duke u pasuruar nga zyrat publike. Duke e rrëzbitur shtetin me vjedhje e korrupsion.

Madje Rubin, me shumë nga ata eksponentë që kishin marrë pjesë në çlirimin e Kosovës edhe po të donte nuk mund të takohet si më parë, ngase janë nëpër burgje.

Por ai si një ish-diplomat përpiqet që me sinqeritet dhe dashamirësi t’ua kumtojë lajmin se koha e tyre në politikë ka përfunduar.

Dhe ata duhet të tërhiqen: sa më parë, aq më mirë për ta.

Rubin me këshillat prej miku të sinqertë dëshiron që ata ta ruajnë fytyrën e vet dhe t’ia heqin shtrëngesat që ia kanë vënë vendit të tyre dhe njerëzve të tyre, në emër të çlirimit, sipas sloganit stalinist “Unë të kam çliruar, unë të…” (rusisht: Ja te oslobodil – ja te jebal.)

“Duhet të vijë koha kur krahu i luftës do ta kuptojë se është mirë të largohet nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është shumë vonë. Unë shpresoj që njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”, ka thënë Rubin.

Ai përtej ftohtësisë elegante prej zyrtari, më 24 mars 1999 iu përkushtua kauzës më të drejtë të epokës: shpëtimit të shqiptarëve kosovarë nga gjenocidi në tentativë i Serbisë.  Iu bashkua zërit unik të intelektualëve humanistë botëror, që ndiheshin kosovarë në ato çaste, që nga Vazlav Havel e deri tek Bernard Henri-Levy.

Mirëpo, sërish kryeministri i vendit tonë akuzoi gazetarët se e paskëshin keqinterpretuar Rubinin. Epo të kota janë të gjitha kambanat e kësobotshme për një të shurdhër, që me shurdhëri të trishtë ruan pushtetin e tij personal.

Rubin e di saktë po aq sa qytetarët e Kosovës se abuzimet e disa komandantëve të luftës janë rrëqethëse, e në anën tjetër përfaqësuesit e UÇK-së të konvertuar në politikanë (shumë nga ta të dhunshëm) e kanë marrë votën e popullit me shumicë që nga viti 2007?

Si ka mundur të ndodhë kjo?

Së pari, njerëzit më të sinqertë dhe më pak të informuar për bëmat dhe pabëmat e tyre, kanë dashur t’i shpërblejnë për sakrificat e tyre gjatë luftës, duke i pandehur për të rinj të guximshëm, sado naivë dhe idealistë, besnikë ndaj atdheut dhe që dinë ta çmojnë lirinë aq gjatë të ëndërruar nga shqiptarët e Kosovës;

Porse askujt nuk i ka shkuar mendja se shumë nga ta do të shndërroheshin në armiq të lirisë, duke e trajtuar popullin e tyre si të mundur në luftë!?

Së dyti, bashkësia ndërkombëtare ka dashur t’i kryejë punët e rënda me ta, duke i pandehur si të fuqishëm, po aq edhe të rrezikshëm për stabilitetin e brendshëm, për t’i flakur si të shpenzuar në ‘Ricycle Bin’ të historisë.

Dhe së treti, sëmundja e pastaj vdekja e Ibrahim Rugovës dhe shkapërderdhja e LDK-së ua shtroi udhën me kurora dafinash çlirimtarëve, të cilët, kurrë as vetë s’e dinë sa kilometra katrorë të Kosovës i kanë çliruar vërtet.

Një komentues i deklaratës së Rubinit në një portal kosovar shkruante: “Aman, çka e keni çliruar – thureni!”

Një fjali e jashtëzakonshme. Kaq sarkastike, por edhe ironike.

Se, po të dihej vërtet se ku, kur dhe si e kanë çliruar Kosovën disa nga komandantët e vetëquajtur, do të ishte kollaj.

Toka e çliruar nga ta do t’u jepej në pronësi, si shpërblim dhe do të mbyllej qëmoti ky tregim me “partizanë e gjermanë”!?

Porse ata deshën ta zaptojnë jo vetëm tokën e Kosovës dhe pasuritë e saj të pakta, ata e duan kapjen e shtetit që të dominojnë edhe për shumë vjet pushtetin politik, i cili, qysh po shkojnë punët, ka nisë t’u rrëshqas nga duart.

Në të gjitha luftërat për liri, impresiv është fundi.

Pas të gjitha luftërave të armatosura dikush duhet të përkujdeset që ta fitojë paqen. Impresionon përherë luftëtari modest dhe i heshtur, i cili nuk krekoset si këta rrahagjoksët kosovarë, porse luftës së tij për paqen i jep kuptimin e patriotizmit ligjor.

Qytetari i edukuar u përkulet atyre grave dhe burrave që luftuan me hakikat për lirinë e atdheut, që ta gëzojnë të gjithë – të tjerët.

Bravo u qoftë dhe dritë iu bëftë mundi i tyre, qofshin të rënë në altarin e lirisë, qofshin të gjallë, mes nesh.

Porse atyre që e materializuan skajshmënisht pas luftës aktin e të luftuarit për liri, duke e marrë me zor jo vetëm pushtetin politik por edhe gjënë e gjallë dhe pasuritë kombëtare, sipas një ligji të pashkruar që buron prej një lloj drejtësie hyjnore – thasët me para do t’u ikin nga duert, qysh po shihet, do t’ua hanë avokatët dhe mjekët!?

Qytetari i rëndomtë kosovar i është mirënjohës përjetësisht Administratës Clinton dhe posaçërisht James Rubinit, i cili u jepte zë atyre që s’kishin gjatë përpëlitjeve për jetë a vdekje.

Dhe ai i mbushte shpresë të harruarit e botës se megjithatë kishte një fat të mirë në fund edhe për ta.

Por qytetari kosovar i është mirënjohës këtij miku të madh edhe për këtë mesazh që e dha katërmbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë.

Rubin është fjalë që shenjëzon një gur të çmueshëm, një margaritar.

“Emri është njeriu”, thoshin latinët e vjetër.

Thank’s Mr. Rubin!

 

2. Keneddy. Fjala. Muri

Amerika dhe tërë bota demokratike shënuan 50-vjetorin e vdekjes së demokratit John Fitzgerald Kenneddy.

Më 26 qershuer 1963 vetëm pak muaj para se të qëllohej nga dora e fshehtë (2 nëntor 1963) në Dallas, JFK në Bradenburg të Berlinit pati thënë fjalët më të fuqishme të një epoke: “Ich bin ein Berliner” (Unë jam një berliner).

Kjo fjalë kishte një peshë të rëndë jo vetëm për një komb të ndarë, por për tërë Europën e ndarë nga Perdja e hekurt, që kishin vendosur ish-partizanët dikur idealistë në emër të luftës çlirimtare. Kjo fjalë ka peshuar rëndë duke e rrahur murin e Berlinit tridhet vjet me radhë, pa ia nda. Pastaj fjala e bëri një vrimë sa e plumbit në faqet e Murit, nëpër të cilën përbirohej dielli që lindte në Perëndim dhe rrezet bëheshin deklarata politike, e ëndrrat guxim.

Po ajo vrimë, më 3 tetor 1990 u bë gojë.  E thërriti.  Fjalët u çuan peshë duke iu vërsulur murit si kuçedra të ardhura prej matanë epokës së akullnajave.

Muri lakohej derisa u shtri tek pluhuni.

E hijet, ato u çuan – njerëz u bënë dhe zatetën shikimet.

Në ajrin që vallzonte vizatoheshin shumë buzëqeshje që mbetën të fosilizuara në qiellin mbi Berlin…

Po ajo gojë dëgjohet tek bërtet ende në ndërgjegjen njerëzore,  edhe pas rënies së murit: Viktimat vazhdojnë të mendojnë mënyra më të sofistikuara për ta kaluar murin, që të mos i kapin për së dyti, rojat e vdekjes – shokët e shokut Hrushov!?

Kurse xhelatët zgjatin ende sytë si tejqyra me pa se çka janë duke bërë të mbijetuarit

Që të mos u shpëtojnë për s’dyti…

 

3. Urat. Fjalët. Nacionalizmi

Në Strasbourg (qytet gjermano-francez që përkon territorialisht në Francë) ekziston një urë, pak a shumë e ngjashme edhe për nga arkitektura me urën mbi Ibër që duhej ta lidhte qytetin e Mitrovicës.

Mirëpo mes Strasbourgut dhe qytetit të parë gjerman, Kehl, nuk ekziston më kufiri.

Pos të moshuarve askush nuk di të thotë saktë se ku ishte vija kufitare që ka ndarë dy popuj të cilët nëpër histori ia kanë pirë gjakun njëri-tjetrit.

Në festivalin e poezisë “Do You Read Me?” (A më keni lexuar mua?) që u mbajt në qendrën e kulturës pak hapa nga ura që ndan Mitrovicën – e ideja e secilës urë është bashkimi – aktori serb Miki Manojloviq erdhi nga pjesa veriore në këmbë.

Ai kishte marrë më vete edhe disa studentë serbë, të cilët thanë se janë fëmijë të absurdit në një qytet të ndarë nga politikanët.

“Unë ndihem mitrovicas”, – tha ai.

“Hiqeni atë marrëzi!”  (aludim për barrikadën në cepin tjetër të urës), u bëri thirrje Manojloviq serbëve matanë.

Qe këtu dëgjohet klithma në ndërgjegjen e Zotave të luftës vetëm dy orë fluturimi larg Berlinit.

MM e bëri tërë audiencën që për pak çaste të ndiheshin mitrovicali.

Strukturat ilegale të Serbisë e kanë marrë për detyrë t’i legalizojnë Ivica Daçiqi dhe Hashim Thaçi. Iniciativa qytetare “Srpska” është surrogat i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila është në pushtet në Republikën e Serbisë, pra nuk është nismë qytetare autoktone e serbëve kosovarë, por krijesë e policisë sekrete serbe.

Përkrahja e kësaj iniciative nga Beogradi zyrtar madje duke përdorë edhe frikësimin e qytetarëve e cenon rëndë demokracinë në Kosovë e posaçërisht në veri të Kosovës dhe nga nja konflikt të ngrirë po e kthen këtë rajon në një problem të madh demokratik, që në fund, çmimin më të madh do ta paguajnë vetë qytetarët atje, vullneti politik i të cilëve po përmbyset përmes diktatit të shtetit serb, përkatësisht të Qeverisë së Serbisë.

Gjatë tërë historisë së re, gati një shekull, serbët kosovarë kanë qenë të instrumentalizuar nga politikat shtetomëdha të Serbisë dhe kjo i ka përplasë në vazhdimësi me fqinjët shqiptarë dhe tash kur shteti i Kosovës është realitet ndërkombëtar ata për arsye të deficiteve të mëdha demokratike, do të përplasen ndërmjetveti, sepse të jetuarit si instrument në duart e dikujt e për interesa të pushtetit në Beograd është jetesë pa dinjitet.

Ndoshta një ditë serbët kosovarë të Kosovës do të zgjohen nga dremitja dhe të shkunden nga nacionalizmi si patalogji shoqërore dhe ta kuptojnë sherrin e shtetit serb karshi tyre. Për pasojë ata do të kryengriten kundër vetë Beogradit zyrtar dhe për demokraci.

Tek atëherë do të mund ta shprehin vullnetin e tyre politik, pra demokratizimin e jo politikat e diktatit.

Duket se edhe serbët kosovarë të veriut po ngihen “çlirimtarë” që ende u bien borive të luftës, duket se edhe ata kanë hyrë tashmë në fazën e këndelljes.

Boll ma!

*KOHA DITORE

3 komente në “Thank’s Mr. Rubin!”

  1. ismajl uruqi says:

    Jo more matoshoviq nuk e ke kerkun sepse ty ndoshta po te djeg se nuk i i ki Serbien ktu dhe tani kta qlirimtaret po te pengojn dhe te kan penguar xhithmon se ti kan largue shkiet. Let esht me shkrue pa kurfar argumenti dhe me i fye kta burra qe ti as enderr nuk e ke pa qlirimin e Kosoves por shtir dhe duhet me dit me shkrue dhe me i thurr lavde ktyre trimave qe ishin fenar per krejt Kosoven se si qlirohet Kosova, kta me trimri dhe me menquri diten te bejn nje alarm per zhdukjen e popullit shqiptar dhe u alarmue e xhith bota demokratike per qlirimin e vendit dhe u qlirue Kosova per me shkrue qifti i yte qka ti bjen ne goj, Po te kishn ber qka ben kriminelet e serbis ne popullin ton dhe popullin e vet serb qka kishe shkrujt ti me shoket e tu. o trathtar e di qe nuk e postoni ket shkrim por dikush e lexon.

  2. gjyshi says:

    “Nëse ikin këta, ndoshta mua më vie rendi të bëj pak përshesh te ky shesh” kështu sikur mendon H.M., ky kosovar që gjithçka i fillon dhe i mbaron te dera e shtëpisë së tij. Ky “jep mend” për të tjerët e për vete nuk ka. Autosugjestioni e ka për punën e vetë te ky anal-ist.

  3. Theodor Drajzer says:

    Te lumte Halil,
    Te pergezoj per shkrimin. Objektiviteti eshte dhe duhet te jete ne te ardhmen nje tipar i gazetarit modern.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje