Përkujtime rutinore

29 Nëntor 2013, 19:13Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Të shtunën ishte një përvjetor i tmerrshëm: më 23 nëntor 2000 në hyrje të banesës së tij “persona të panjohur” (sipas zhargonit policor) vranë Xhemail Mustafën, para së gjithash prind, qytetar i Kosovës, kritik letrar, publicist, pastaj aktivist politik, protagonist i rëndësishëm i jetës shoqërore të Prishtinës. Deri më sot, 13 vjet pas krimit të llahtarshëm, vrasësit nuk janë gjetur. Autoritetet e Kosovës për herë të fundit për këtë rast janë deklaruar përmes medieve: para gati dy vjetësh, më 12 janar 2012, citohej Prokuroria e Qarkut në Prishtinë me premtimin se vrasja do të ndriçohet, se hetimet kanë mbërritur deri në fazën e mbledhjes së provave dhe fakteve relevante. Deri më sot, për aq sa dihet publikisht, prokurorët nuk kanë folur më. Kush e merr përgjegjësinë për këto premtime boshe për zbulimin e vrasësve? Kush e merr përgjegjësinë që kështu i shkaktohet ankth familjes së Xhemail Mustafës? A mund ta paramendojnë prokurorët, por edhe mediet e papërgjegjshme që transmetojnë lajme të tilla tronditjen e familjes, e cila pret kumtin më të zi pas vrasjes: emrat e dorasëve.

 

“Vrasësit dihen…”

Kryetari i tanishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në mënyrë rutinore vazhdimisht u ka bërë thirrje “organeve të drejtësisë” që të gjejnë kryerësit e krimeve ndaj Xhemail Mustafës, Enver Malokut dhe shumë të tjerëve. Edhe presioni i LDK-së ka qenë më shumë rutinor dhe në shpërputhje me fuqinë që ka si parti e dytë në vend dhe në Kuvend. LDK-ja nuk ka paralajmëruar se nëse vjen në pushtet këtë çështje do ta trajtojë me prioritet dhe se do të ndëshkohen të gjithë ata prokurorë që me gjasë kanë zvarritur hetimet për arsye të presioneve politike. Para disa ditësh u bë e ditur se kishte vdekur Osman Kryeziu, i cili gjatë luftës ka qenë “prokuror i UÇK-së” në kampet e torturimit në rrethinën e Kukësit. I njëjti, një kuadër i kohërave të shkuara të Kosovës me autonomi, pas luftës dhe me mbështetje të “çlirimtarëve” në Prishtinë luajti rolin e prokurorit. Rezultatet e hetimeve të rasteve të rënda po shihen: janë zero.

LDK-ja përherë kërkon “të zbulohen vrasësit”, por edhe më e rëndësishme do të ishte që kjo parti të këmbëngulte në kërkimin e urdhërdhënësve të vrasjeve. Një politikan i rangut të lartë, i cili nuk vjen nga radhët e LDK-së dhe i cili është ndër më të informuarit në Kosovë, para disa javësh thoshte se “pothuaj të gjithë vrasësit dihen, por problemi është gjetiu: nëse ata arrestohen dhe flasin për urdhërdhënësit, atëherë dridhet skena politike”. Nëse krerëve të LDK-së po u pëlqen të thonë se partia e tyre është më e madhja në vend (ose në prag për t’u bërë më e madhja), atëherë duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi të mëdha. Kjo vlen, gjithsesi, edhe për parti të tjera, që ia duan të mirën këtij vendi, pa marrë parasysh a janë të mëdha a të vogla.

 

Me lule e poezi

Edhe të shtunën Isa Mustafa përsëriti fjalët e njëjta si një vit më parë sa i përket atentatit ndaj Xhemail Mustafës: kërkoi që “organet e drejtësisë të hulumtojnë…”. Sabri Hamiti, nënkryetar i LDK-së, kishte shpërndarë në rrjetet sociale një vjershë ku me fjalë që kullonin gjak dhe me patos përkujtonte të vrarin. Pasi i vendosën disa lule mbi varrin e Xhemail Mustafës në Gllamnik të Podujevës, krerët e LDK-së u shpërndanë në shtëpitë e tyre me ndërgjegje të qetësuar. E kryen një obligim të përvitshëm – me lule dhe poezi, gjithsesi të përshtatshme për të kujtuar një kritik letrar. Por Xhemail Mustafa nuk ishte vetëm kritik letrar dhe ai nuk u vra për ndonjë kritikë letrare.

Të shtunën duhej të ndodhte diçka tjetër: ishte momenti që LDK-ja të kërkonte falje që gjatë kryetarllëkut të Fatmir Sejdiut ia ka ndërprerë një ndihmë financiare tepër modeste familjes së Xhemail Mustafës me arsyetimin banal se nuk ka buxhet. A është bërë kjo me dijen apo pa dijen e Sejdiut, mbetet ta sqarojë vetë ish-kryetari i LDK-së, i cili është kryetar nderi i partisë: do të ishte punë e ndershme e tij të krijonte transparencë sa i përket kësaj çështjeje. E vërteta e madhe është se as Isa Mustafa, as Sabri Hamiti, as Ismet Beqiri dhe as prijës të tjerë të LDK-së nuk vuajnë për bukë, nuk jetojnë keq, andaj atyre u takonte që të shtunën ta përmirësonin gabimin ndaj familjes së Xhemail Mustafës. Kështu siç ndodhi përkujtimi i ngjante deri-diku një parade të hipokrizisë. Ndoshta duhet të jetë mësim për LDK-në, sepse përvjetorët e tjerë janë në prag: 11 janar – Enver Maloku, 17 janar Smajl Hajdaraj.

 

Filozofia pa përmbajtje

Në fund të korrikut 2012 “Koha Ditore” botoi një raport të misionit të BE-së në Kosovë (EULEX) të nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsworth, ku nënvizohej se dhjetëra persona janë vrarë ose është tentuar të vriten vetëm pse ishin anëtarë apo mbështetës të LDK-së. Të shtunën krerët e LDK-së nuk e potencuan fare këtë raport. E në fakt, aleati i vetëm efektiv i LDK-së në zbulimin e vrasësve të aktivistëve të saj është EULEX-i. Aleati më i madh, më serioz dhe më i efektshëm i shoqërisë së Kosovës në luftë kundër krimit është EULEX-i. Deklaratat gjysmake dhe indiferenca e LDK-së ndaj problemeve janë tipike sidomos për periudhën e pasluftës: heshtje në vend të politikës aktive, fodullëk në vend të angazhimit energjik, dëbim i kritikëve në vend të afrimit të kuadrove të reja, mbyllje në vend të hapjes mendore dhe programatike, recitim i fjalisë “filozofi rugoviane” në vend të ofrimit të alternativave qeverisëse. Me vite të tëra kjo parti është sjellë me komoditet të paparë. Brengë kryesore e udhëheqësve të saj ka qenë konsolidimi i klaneve nepotiste dhe rajonale. Ministrat më të dobët kanë ardhur nga radhët e saj. Disa prej tyre madje në qeveri i ka dërguar Ibrahim Rugova. Në vend se LDK-ja të diskutonte për ndërrimin e gjeneratave dhe angazhimin e sa më shumë figurave të profilit të Vjosa Osmanit dhe Abdullah Hotit, nëpër gazeta e portale botohen tituj mbi “rikthimin e Ukë Rugovës në shtëpinë e vjetër”. Në të vërtetë ky person nuk i sjell asnjë votë LDK-së, por shumë njolla turpi dhe plot tituj gazetash e shpoti mbi prostitucionin politik. Njëra prej këtyre shpotive mund të tingëllojë kështu: “Ukë Rugova të rrijë aty ku shkoi dhe ndoshta Hashim Thaçi do të kujdeset ta çojë tani si kandidat për kryetar komune në Skenderaj, meqë atje si duket do të përsëriten zgjedhjet”. Ukë Rugova nuk është kurrfarë “aseti politik”, ai është vetëm i biri biologjik i Ibrahim Rugovës dhe ky fakt nuk e ka penguar atë të shkelë mbi trashëgiminë politike të të atit dhe të merret me punë të pista. Ai nuk meriton asnjë konsideratë për hir të babait të tij. Meriton vetëm përbuzje.

 

“Vëllazëri bajraqesh”

LDK-ja me vite të tëra i ka injoruar zhvillimet politike, duke shpresuar se njerëzit “do të ngopen” me partitë e krahut të luftës dhe do të kthehen sërish në “shtëpinë e vjetër”, një fjali e shpifur e vokabularit politik në Kosovë. Është iluzion të besohet që njerëzit kthehen vetvetiu. Si në çdo demokraci të re, të vrullshme dhe të zhurmshme, edhe në Kosovë përherë do të ketë alternativa të reja politike dhe zgjedhësit do të orientohen drejt terreneve të reja apo ekzistuese politike. Nuk është e thënë se Vetëvendosje nuk do të evoluojë pas përvojave të fundit politike. Nuk është e thënë që humori i Partisë së Fortë nuk do të ketë jehonë më të madhe në të ardhmen. Fundja, nuk është e thënë se nuk do të ndryshojë një ditë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Problemi i kësaj partie ka qenë imazhi i keq që kanë liderët e saj, mbi të cilët rëndojnë akuza prej korrupsionit deri te vrasjet. Kjo ka qenë arsyeja përse njerëzit nuk i janë bashkuar në mënyrë masive PDK-së, por prapëseprapë kjo parti ka arritur të angazhojë, joshë, blejë, ndjell, tërheq, mashtrojë edhe personalitete që në rrethana normale karrierën e tyre politike do ta kishin ndërtuar në parti të tjera, përfshirë edhe LDK-në. LDK-ja këta njerëz nuk ka pasur nevojë t’i blejë, ata kanë qenë në LDK dhe janë përzënë prej saj për shkak se për dy dekada në këtë parti sillet e mbështillet, përfiton dhe dhjamoset nga privilegjet një “vëllazëri bajraqesh”. Për t’u bërë alternativë e vërtetë politike LDK-ja ka ende një rrugë të gjatë përpara. Është e rrejshme shpresa e disave në LDK se për të ardhur në pushtet mjafton vetëm të soditet nga bregu se si po çahet e përçahet PDK-ja.

*KOHA DITORE

1 komente në “Përkujtime rutinore”

  1. Fatmir Lohja says:

    DARKA E GABUAR
    Këto ditë opinoni publik,me të drejtë , u elektrizua për mosmarrjen e vendimit për demontimin në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Kur shihja e dëgjoja argument të ndryshëm, nga përsonazhet protogonistë,me dukej se po lexonja romanin :“Darka e gabuar” , të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare .
    Gurametoja i madh dhe Gurametoja i vogël,njëri i arsimuar në Gjermani e tjetri i arsimuar në Itali,ishin në qendër të debait publik.I madhi fshihej nën qetësinë e çelsave të pushtetit, i vogli,me kryesekretarin, që nuk i ndahej asnjë çast nga krahu, dukeshin kudo,deri edhe duke bërë pis pantallonat firmato në trotuarët e Tiranës.
    Duke parë me lupë bashkëkohore në dorë gazetat dhe stacionet televizive, nuk isha në gjendje të përcaktoj se kishim të bënin me një lajthitje kolektive, individuale, apo nga ato trazimet që sjell zakonisht politika e ditës në vendin tonë. Trusnia në tru më rritej nga çasti në çast ,si rezultat i servirjes nga mendiat i lajmeve kontraditor.Kjo Shqipëri do jetonte apo do të zhbehej!? Për mua nuk ishte pyetje e lehtë.
    Arsyetimin ma prishi edhe poeti i kombit,Dritëro Agolli,me deklatatat e tija të sinqerta.”Po erdhen ato të flamosura helme nga Siria fara jonë do të zhduket si reja e karkalecave.E pse?Sepse për herë të parë e kanë thirrur në dasëm veshgjatin.” Unë i besoj poetit.Letërsinë e tij të mrekullueshme e kam lexuar nga fëmijëria e deri sot dhe më ka sjellur kënaqësi të pamatura nga instrumentet bashkokohorë .
    Rivaliteti ,në të njejtin profesion,njihet që nga lashtësia.Pa rivalitet profesional nuk ka ecje përpara.Rivale ,por asnjëherë shkrimtari i shquar ,nuk e çon konflliktin deri aty sa Gurametot të agresohen si shemrat ndaj njëri-tjetrit.I vogli, me stafin e tij, reagonte sapo të dëgjohej ndonje zë apo levizje sado e imët për të madhin.
    I madhi i hipi doriut duke udhëtuar larg,se kinse do të mbante fjalën e dhënë nënës,për të sjellur Dorontinën në shtëpi,duke harruar se Dorontinat e sotme martohen vetë larg se jua do ……Po u diktua nga shoqatat e shumtave të grave,se martesa është bërë me mblesëri,ec merru vesh me gratë!?
    I vogli reagoi me të njeten monëdhe.Me gra i madhi sulm me gra i vogli. Deputetet e ndritura bllokuan parlamentin duke imituar Shote Galicen,Tringen, …. Në fakt në imitimin e tyre artistik kishin harruar një detaj të vogël, rekuizitën. Jam dakort ,që rrobat firmato nuk kanë pasur mundësi t’i ndryshonin me veshjet e heroinave. Nuk kanë ku t’i gjejnë më ato rroba të së kaluarës . Minimalja, gjithmonë për mua,bizhuteritë e stërshtrejta,t’i kishin futur në çantat e tyre elegante, sëpaku në ato çaste mitike.Kjo qe arsyeja ,që për shumë shqiptar ato u duken si hanëmet e dikurshme qe pershkruan shkrimtari e aspak si heroina. Për konsensusin e afruar nga ato ,ka për të folur historia.”Ju do t’i sillni helmet e Sirisë në atdheun tonë të dashur , me kushtin e vetëm, që ne të bëhemi edhe njëherë tjetër stërhanëme.Rrugë tjetër nuk ka.”
    Dy Gurametot në veprimet e tyre nuk i drejtoheshin asnjëherë historisë së këtij vendi. Ahmet Zogut ka 90 vjet që i quhet tradhëti kombëtare falja e Shën Naumit , Jugusllavëve.Me 23 qershor,nga vota e lirë e sovranit,i madhi e bë i vogël e anasjelltas .Arsyet kryesore ne vendimin popullore qenë pelivanlleqet me ujrat detare me Greqinë dhe sjellja e mbeturinave të Europës tek ne.
    Në këtë zallamahi gëzimin ma dhanë gjimnazistët dhe studentët në protestat e tyre.Me guximin rinor i pushtuan sheshet.Faliminderit fëmijëve tanë.Në çdo veprim tuajin ne prindërit u ndjem krenar.Kërkesa e juaj: ” Duam të jetojmë si gjithë bashkëmoshatarët tanë në Europë.” Ishte me se e gyximshme dhe arsyeshme.Na falni ne prindërve tuaja,që nga autoçensura u fshehëm pas perdeve.Herë tjetër nuk do ta bëjmë më.

    Fatmir Lohja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje