Partia Demokratike uroi sot të gjithë punonjësit e policisë me rastin e 101 vjetorit të Policisë së Shtetit, ndonëse e cilëson këtë vit si më të vështirin. Përmes një konference për shtyp, deputeti Arben Ristani u shpreh se PD vlerëson lart rolin që ka luajtur policia e shtetit në forcimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri.
“Janë punonjësit e policisë së shtetit që me përkushtimin dhe sakrificat e tyre i kanë sjellë Shqipërisë shërbime dhe rezultate të vyera për rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve, si dhe për procesin e integrimit europian të vendit. Falë punës së tyre, imazhi i Shqipërisë u përmirësua dita ditës, dhe asgjesimi i bandave të krimit të organizuar dhe sigurimi e menaxhimi modern i kufijve, solli përparim të dukshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian e NATO-s, si dhe mundësoi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, theksoi Ristani. Por sipas tij, Policia e Shtetit po kalon ditët e saj më të këqija, për shkak se profesionistët janë shkarkuar ose janë lënë në hije, dhe në skenë kanë dalë e drejtojnë militantët e Partisë Socialiste. “Megjithëse sot kriminaliteti është rritur dhe pasiguria e qytetarëve është shtuar sepse policinë e shtetit e drejtojnë numëruesit dhe donatorët socialistë. Sërish ne besojmë se në strukturën e saj, policia ka ende shumë punonjës të përkushtuar që e duan vendin dhe popullin e tyre. Ne i përshëndesim të gjithë ata, dhe i sigurojmë se Partia Demokratike është gjithnjë në krah të profesionistëve të ndershëm. Partia Demokratike është përballë dhe do luftojë e vendosur kundër përpjekjeve tinëzare të qeverisë për ta vënë Policinë e Shtetit tërësisht nën kontroll partiak”, theksoi Ristani.