Vjedhja e energjisë, nënshkruhen 3 memorandume. Prokuroria nis hetimet

13 Janar 2014, 12:35Politika TEMA

Qeveria shqiptare vendosi sot ngritjen e një Task Force me qëllim përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Task Force ka një mandate 1 vjecar, ku për cdo muaj do të ketë raportime në lidhje me ecurinë, dhe do të ketë shtrirje në të gjithë vendin. Task Force sipas qarqeve do të drejtohet nga Prefektët, ndërsa në qendër krahas zv.Kryeministrit pjesë e kësaj structure do të jenë edhe ministri i Energjisë, ai i Drejtësisë, i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm etj. Puna e Task Forcës do të fillojë nga institucionet dhe nga ato kompani që vjedhin energjinë për qëllime fitimi. Puna e Task Forcës do të fillojë në dy nivele paralelisht. Në nivelin e raporteve mes institucioneve buxhetore dhe publike me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht, në raportin mes biznesit dhe sistemit të shpërndarjes.

Mbledhja e parë e Task Force për energjinë u shoqërua me nënshkrimin e 3 memorandumeve, përmes të cilave Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme angazhohen për të ndihmuar institucionet e tjera përgjegjësi në drejtim të goditjes së abuzuesve të energjisë elektrike. Ministria e Drejtësisë do të angazhohet për ndryshimet në Kodin Penal në lidhje me rastet e abuzuesve të energjisë elektrike. Kodi Penal e konsideron si vepër penale vjedhjen e energjisë elektrike, por për ato që do të cilësohen abuzues të mëdhenj do të ketë një ashpërsim të masave. Po kështu ministria e Drejtësisë, përmes inspektorëve të saj do të kontrollojë vendimet e Gjykatave, për të gjitha ato raste kur bizneset i janë shmangur pagesave të energjisë apo kamatvonesave me anë të vendimeve gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme angazhohet në këtë proces për të ndjekur penalisht ato që Kryeministri Edi Rama i cilësoi si vjedhësit e energjisë për të rritur fitimet e tyre. Pritet që organi i akuzës të nisë hetimet për të gjitha subjektet private apo bizneset që abuzojnë me energjinë elektrike, e vjedhin ose nuk e paguajnë detyrimet ndaj sektorit të Shpërndarjes. Ministria e Brendshme do të mbështesë përmes strukturave të saj dhe Policisë së Shtetit të gjitha aksionet që do të ndërmerren në funksion të prerjes së lidhjeve të paligjshme, kontrolleve tek konsumatorët e mëdhenj të energjisë apo në zona që konsiderohen si problematike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje