Trajneri i Mançester Junajtid, Dejvid Mojes, shikon ngjashmëri mes talentit të ekipit Adnan Januzaj dhe yllit anglez Uejn Runi në fillimet e karrierës së tij. Tekniku skocez e ka ndihmuar sulmuesin anglez që të mund të tregonte gjithë aftësitë e tij, kur debutoi me Evertonin në Premier Ligë. Mojes, i cili është bashkuar sërish me Runin te “djajtë e kuq”, tani ka një tjetër talent për të menaxhuar, raporton “Panorama Sport”. Edhe pse vetëm 18 vjeç, belgu me origjinë shqiptare i ka befasuar të gjithë me aftësitë dhe vizionin e tij të lojës. Nga ai pritet shumë, ndërsa konsiderohet si një nga adoleshentët që mund të shndërrohet ndër lojtarët më të mirë në botë. Mojes beson se 18-vjeçari i ka mundësitë që të ndjekë hapat e Runit.
Tekniku tregon disa nga cilësitë e talentit. “Adnani është në të njëjtën kategori të Uejnit. Ai ka të njëjtin nivel, çka mund ta them bazuar tek aftësisë e tij. Por, ai është paksa ndryshe. Është një djalë i qetë, kujdeset për veten në një mënyrë fantastike. Edhe babai i tij e ka ndihmuar shumë, ndaj ai ka ecur përpara në futboll. Ai punon dhe jeton për futbollin”, – u shpreh tekniku i “djajve të kuq”. Më pas, ai tha se Januzaj stërvitet shumë çdo ditë: “Januzaj ka pak nga ajo arroganca e të gjithë futbollistëve të mëdhenj. Ata duan që të bëjnë diçka speciale. Ata gjithnjë përpiqen”.
“Unë e njihja pak atë. Emri i Januzajt më ishte përmendur, por unë nuk isha shumë i informuar rreth atij. Megjithatë, kur ne e morëm me vete në fazën parasezonale, e kuptuam se ai kishte diçka të veçantë. Januzaj mund të luajë në të majtë, ose në të djathtë. Ai është një numër 10, madje mund të aktivizohet edhe si qendërsulmues. Pra, është një futbollist i talentuar. Ne duam që të përpiqemi dhe të bëjmë gjithçka që ai të ambientohet. Nuk duam që të luajë shumë, për shkak të moshës së tij”.