Shqipëria bëhet pjesë e “TRADUKI”, rrjetit europian të Letërsisë

22 Janar 2014, 11:50Kulturë TEMA

Ministria e  Kulturës ka nënshkruar marrëveshjen mes Ministrisë së Kulturës dhe rrjetit evropian të botimeve Traduki. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi dhe drejtoresha e Traduki-it, Antje Contius.

“Marrëdhënia me Traduki-n, si një nga rrjetet aktive dhe me ndikim të klimën evropiane të letrave po merr një dimension të ri: atë të hyrjes në rrugë institucionale. Si ministre e Kulturës së Shqipërisë unë kam kënaqësinë dhe nderin të radhis Shqipërinë mes vendeve si Gjermania, Austria, Zvicra, Lihshtejnshtajni dhe nga rajoni të jetë vendi i tretë pas Sllovenisë dhe Kroacisë”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.

Nga ana e saj, Contius ritheksoi hapin e parë të bashkëpunimit institucional, duke e vlerësuar “si një hap të rëndësishëm që e afron Shqipërinë me rajonin dhe Evropën, në frymën e një hapjeje dhe qasjeje të një filozofie bashkëpunimi me partnerët në fushën e letrave”. Në fjalën e tyre, Kumbaro dhe Contius falenderuan urat e ngritura në këtë bashkëpunim me Traduk-in, duke vlerësuar partnerët shqiptarë, Ardian Klosi dhe Arian Leka.

Përmes këtij anëtarësimi, që u nënshkrua sot, Shqipëria nuk është më vetëm pjesë e aplikantëve për projekte kulturore, por partnere, kontribuese në politikëbërjen e saj kulturore dhe në integrimin e këtij produkti kulturor në kulturën e kontinentit.

Në takim merrnin pjesë zv/ministri i Jashtëm, Alqi Puli, ambasadori slloven Bojan Bertoncelj, ambasadori i Zvicrës, Alexander Wittwer, ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann, atasheu kulturor i ambasadës gjermane, Christiane Wolters,  atasheu kulturor i ambasadës amerikane, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, përfaqësues të British Council në Tiranë, të Institutit Goethe, shkrimtare, përkthyes dhe përfaqësues të shtëpive botuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje