Zero pikë nga publiku

2 Shkurt 2014, 20:33Blog TEMA
Zero pikë nga publiku

Nga Endrit Avdullari

Ka kaluar mbi një muaj që nga përfundimi i Festivalit të 52-të të Këngës. Festivali i RTSH-së është e vetmja shfaqje televizive që ende shoh në Shqipëri. Është e vetmja platformë ku një këngëtar shqiptar mund të tregojë sa i vlen lëkura në skenën ndërkombëtare. Rona Nishliu dhe Anjeza Shahini kanë dhënë prova se mes muzikës së vjedhur dhe asaj të rëndomtë në Shqipëri, megjithëse rrallë, bëhet ende edhe muzikë e mirë.

Festivali për fat të keq ishte braktisur këtë herë nga emrat e mëdhenj. Të vetmit me pak emër ishin Luiz Ejlli, dhe Frederik Ndoci, protagonistë të dy nga performancave më të dobëta të Shqipërisë në Eurovizion. Për këtë arsye festivali u bë me artistë kryesisht të rinj aq sa organizatorët u detyruan të përgatisin videokartolina për t’i prezantuar përpara këngës.

Në shtypin shqiptar flitej pak ose aspak për të e megjithatë në Twitter thurrja #FiK52 e promovuar nga faqja e Eurovizionit ishte tepër popullore. Nga Europa dhe më gjërë lëvdohej orkestra e plotë, zërat e intonuar dhe muzika tejët e veçantë e pandotur nga komercializmi. Sigurisht, ata nuk mund të kuptonin që bashkprezantueset e gjysëmfinaleve nuk i lidhnin dot fjalët. Çdo shqiptar që lexonte komentet online nuk mund të mos ndihej krenar nga këto komplimenta sidomos kur kujton që të njëjtët fansa të eurovizionit tallen shpesh pa doreza me shumicën e eleminatoreve të tjera nëpër Evropë. Në Britaninë e Madhe dhe Spanjë #FiK52 dhe #Eurovision hynë gjatë natës finale në temat më të diskutuara në Twitter, gjë që shumë rrallë arrihet edhe nga programet vendase të mbrëmjes që kanë afro 10 milionë shikues pra Evropa e ndiqte në masë dhe e vlerësonte Festivalin tonë ndërsa vetë Shqipëria e snobonte. Fare pak ata që e komenton
in në faqet shqiptare të rrjeteve sociale, heshtje totale edhe të nesërmen për rezultatet, diku rrallë lexohej vetëm emri i fitueses.

Vlerësimi

Gjatë diskutimit në Twitter dhe Facebook tre këngë dukeshin pretende: Zemërimi i një nate – H. Matmuja, Me ty nga K. Kaçani, Natë e parë – V. Lumani dhe L. Islami. Juria doli që ishte përgjithësisht dakord me këtë duke i vlerësuar këto këngë me vendin e parë, dytë dhe katërt përkatësisht por kjo nuk ndodhi me antarë të veçantë të jurisë. Prita më kot me javë se dikush do të fliste kundër faktit por jo. Duket se askush nuk e vret mendjen në Tiranë për votime të parregullta. Kënga e kënduar nga Klodjan Kaçani u vlerësua nga Eriona Rushiti dhe Xhevahir Spahiu me 0 pikë! Znj. Rushiti shkoi më tej dhe e shpjegoi votën e saj duke thënë se “interpretimi nuk ka rëndësi” (?!) Unë nuk pretendoj të jem specialist muzike si ajo, por n.q.s. dikush do më thoshte që Vaçe Zela ka fituar 11 festivale thjesht sepse ka patur kompozime të mira do ta merrja për të çmendur. Z. Spahiu shkoi më tej duke i dhënë 0 pikë edhe Venera Lum
anit, i ndjekur në këtë nismë edhe nga Bojken Lako. Dukej që ishte i vendosur për t’ia dhënë fitoren kompozimit të Genti Lakos.

Nuk dua t’i hyj diskutimit nëse Klodiani apo Venera e meritonin më pak apo më shumë se Hersi të fitonin festivalin por i gjithë festivali kishte 16 këngë nga të cilat vetëm 10 mund të ishin të mira pra çdo këngë e mirë duhet të merrte pikë. Këngët shumë të mira duhet të merrnin shumë pikë por sigurisht jo 0.

Ajo që më trishton nuk është dhe aq fakti që dy antarë jurie japin vota të dyshimta. Kjo ndodhi dhe në 2007-ën ku Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj i dhanë 0 pikë Flaka Krelanit duke çuar në Eurovizion Olta Bokën me pahir. Edhe Manjola Nallbani ka hedhur akuza duke quajtur disa eksponentë mafiozë në të njëjtin vit. Ndër të pakënaqurit e tjerë mund të rendisim dhe motrat Libohova (1999), Mariza Ikonomi (2003), Greta Koçi (2006), Edmond Zhulali & Blero (2007), etj. etj. etj. Më trishton fakti që askush nuk flet më për këtë, askush nuk qahet, askush as nuk pret më që festivalin ta fitojë kënga që e meriton. Pas 20 vitesh demokraci të paktën tani i bëjmë një palë zgjedhje të mira aty-këtu po në festival megjithëse kemi 52 vjet eksperiencë, sa turp të hyjë korrupsioni dhe mediokriteti edhe aty ku duhet të mbizotërojnë talenti dhe tradita jonë.

Do doja shumë që vitin tjetër fituesin ta vendoste publiku, të paktën 50% si në formatin e Eurovizionit dhe antarët e jurisë ta shpjegonin votën e tyre, ta nxinin faqen kur ia fusin kot dhe jo ta mbajnë kokën lart kur votojnë pa të drejtë shokët e mendojnë se na hedhin hi syve. Festivali ngelet një nga pasuritë publike të të gjithë shqiptarëve. Drejtuesit e rinj të RTSH-së duhet të na e premtojnë këtë.

8 komente në “Zero pikë nga publiku”

  1. andrea says:

    Jam dakort me zgjedhjen e publikut, por duhet te filloj qe nga zgjedhja e nates se pare, dhe te vazhdoje deri naten finale. Por, persa i perket kenges se Rona Nishliut, shpreh se nuk me ngjall asnje emocion pozitiv. Fakti qe nuk i rezistoi kohes, dhe nuk pelqehet nga Publiku Yne, eshte tregues domethenes i mosvlerave qe percjell kjo kenge.

  2. feniks says:

    Festivalii kenges ne Radio Televizion KA VDEKUR QE NE VITIN !(()-te!!!
    Tani nuk konkurojne kenget,por BIZNESI!!!

  3. Eurovision fan says:

    Siç do thoshte Rona: Më lërni të qaaaaaaaaaaaaaaaaaaj

  4. euroatlantik says:

    Eshte nje debat qe duhet vleresuar.
    Ka kohe qe arti ne pergjithesi dhe muzika ne veçanti kane lene shume per te deshiruar,muzika ajo pjese e rendesishme qe shoqeron njeriun gjate gjithe jetes e frymezon dhe e qeteson ne momente te veshtira dhe ne gezime ajo si te thuash eshte “binjakja”jone ne jete,POR.
    Me te drejte thote parafolesi se:tani konkurojne bizneset dhe jo kenget,konkurojne vajzat,dhenduret apo te ashtuquajtur kengetar qe s’kane asgje te perbashket me kengen por me bisnesin ,politiken qe i sponsorizon…dhe me te drejte tashme nuk konkurojne kenget por te brendshmet,lakuriqesia ne te gjitha format,xheli dhe llaku thonjte dhe perpelitjet ne skene.Keto jane turpe jo per ata qe kane dale te afishojne veten por pa dashur bejne reklamen me te keqe institucionit qe i mbeshtet,kultures qe kerkojme te percjellim.Pa dashur te revokoje festivalet e meparshme ne RTV por,s’te falte njeri te vje me kenge te vjedhur,te perjashtonte(ate qe e kishte “kompozuar”) kengetari kishte nje moral dhe ne veshje,te kuptohemi s’jam per teprimet e asaj kohe, ne ideologjine por ne moralin qe duam te percjellim.Kishte nje komision para arovimit per te hyre ne konkurim etj,etj.
    Shikoni festivalet e Sanremos se çfare konkurence ka ,çfar diskutimesh brilante per kenget dhe kritikat ndaj tyre dhe Sanremo mbetet nje nga skenat qe mund te shikojme dhe te mesojme,atje nuk eshte PUB apo DISCO atje ka art.
    Ne harojme se artin dhe kulturen tone po e varos dalngadale “mafia” nese nje vreses mbaron pune shpejt kjo lloj “mafie”po vret dalngadale breza te tere permes parase se pamerituar,shkelqimit te pamerituar dhe perkrahjes se pamerituar.Analiste qe nuk flasin me profesionalizem por peshtyjne mbi artin ne kembim te nje shume apo te nje posti etj. jane garnitura e kesaj “mafie” ata jane vermihesit qe duhet ti largojme urgjentisht nga skena e ekrani bashke me “producentet”e kesaj meskarade te papare.ne jemi per hapje ndaj botes por te shqyer,ne kemi kulturen tone krejt te veçante ,kostumet,tekstet qe te ngrene peshe. Pra ne kemi ku mbeshtetemi ne tebanin kombetar dhe jo ne taban tjeter se s’ke identitet.Ne s’mund te kendojme si nje engles,amerikan,frances,italian apo ku di une POR ne mund te kendojme teresisht SHQIP.

  5. Chuck says:

    ik o laci nga dole ekspert arti…

  6. zorro says:

    une se marr vesh pse vazhdojne ta bejne kete festival kur ka te tjere shume me te mire dhe me te kerkuar nga publiku. Nga Lumtor Shkreli

  7. daenko says:

    Festival,ku kenget harrohen menjehere edhe nga ata vete qe i kendojne.

  8. Elona says:

    …do mbetet në histori si artikulli i fundit që e lartësoi Vaçen sa ishte gjallë :'(

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje