UDB-ashët dhe “patriotët”

3 Shkurt 2014, 21:25Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

 

Çfarë e dallon një tradhtar shteti, i cili spiunoi për agresorin e pushtuesin në dëm të vendit të tij për përfitime personale, dhe një politikan që me pushtetin që i jep pozita e negocion territorin e shtetit, e vjedh atë, e shkatërron çdo sektor kyç bashkë me grupin e tij të dyshuar për krim e korrupsion?

Kjo kategori vepron në emër të luftës që ka bërë për çlirimin e vendit. Rezultati përfundimtar nga të dyja anët është i njëjtë. Dikur bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete serbe dhe jugosllave pos shumë të këqijave që i kanë sjellë Kosovës edhe kanë vrarë ata që i shihnin si “rrezik” për “pushtetin popullor”, i cili më së paku ishte i popullit.

Por, disa nga politikanët tanë të pasluftës çfarë bënë? Sa vrasje u kryen nga 1999 e këtej, sa njeriu me nam shkoi pa nishan, sa prona u uzurpua, kush u bë milioner brenda natës, ku i gjetën paratë për të privatizuar me mijëra hektarë tokë shoqërore, kush i ka në duar monopolet kryesore në vend, sa prej tyre punësuan farefis në PTK, KEK dhe Aeroport? Kush guxon t’u bëjë zë këtyre matrapazëve tash 15 vjet nga mbarimi i luftës? A ka prokurorë? A ka hetues policorë? Ka, por jo për vjedhësit më të mëdhenj të këtij vendi.

Çfarë domethënie ka për një ish-luftëtar të UÇK-së, që para disa vitesh e vuri në peshoren e luftës vetë jetën për lirinë tonë kur dëgjon për të bëmat e një UDB-ashi dhe kur sheh sot bashkëluftëtarin e tij, në të shumtën e rasteve mashtrues, që abuzon me pushtetin që e ka në dore?

Kjo kategori për interesa personale na e dëshmoi se është në gjendje të shkelë mbi gjithçka. Cili, pra, është dallimi i një spiuni të Serbisë dhe i një pushtetari që hyn në pazare dhe kalkulime politike? Në sytë e një luftëtari që dikur ishte i gatshëm ta japë jetën për një Kosovë të pavarur, me tërësinë e saj territoriale e për ta ruajtur pasurinë e kërcënuar nga gllabërimi serb, dallim mes UDB-ashit të djeshëm dhe zaptuesit të sotëm nuk ka.

Sot një dekadë e gjysmë nga çlirimi, po humbet pasuria për të cilën u demonstrua dhe u luftua, bashkë me të edhe tërësia territoriale, u degradua pasuria publike, u plaçkit gjithandej ku pushtetarët patën mundësi. Atë që e nisën UDB-ashët me shumë suksese e vazhduan një grup i madh pas luftës e që sot nëpërkëmbin popullin që po varfërohet pandërprerë.

Ata besojnë se janë të paprekshëm, sillen kryelartë, bile edhe me arrogancë, dhe nuk përtojnë të buzëqeshin në fytyrë, njësoj sikurse dikur punëtorët e denjë të shërbimit serb. Dhe sot sa herë që dikush kritikon veprimet e tyre menjëherë nga partitë e krimit dhe të haraçit shpallet zyrtarisht antiamerikan dhe gjithsesi pro serb.

Fshehja pas strehës “ndërkombëtare” apo pas “ombrellës së patriotizmit” është krimi i radhës që bëjnë këto parti komandantësh.

Këta të korruptuar që “mbrojnë vlerat amerikane” qëmoti është dashur të ndiqen nga drejtësia ndërkombëtare. Janë këta “pro amerikanë” që prej vitesh tallen me çdo vlerë evropiane e amerikane, vrasin virtualisht kritikët, shkelin ligjet, i fryjnë racizmit. Janë po këta që flasin për patriotizmin, por interesat e tyre përzihen me bizneset e kriminelëve dhe oligarkëve serbë.

Pa marrë parasysh se si do t’u tregohet historia gjeneratave të ardhshme, një është e sigurt: nëse mësojnë drejt për të kaluarën, do të kërkojnë ndëshkim si për UDB-ashët ashtu edhe për “patriotët” që shkatërruan të ardhmen – në emër të “vlerave të luftës”. Dëmi vjen nga të dyja palët. Andaj do të jetë vështirë i riparueshëm në vitet në vijim.

6 komente në “UDB-ashët dhe “patriotët””

  1. Ermina says:

    Pershendetje per shkrimin e goditur, znj Xharra. Fatkeqesisht çeshtje shqiptare ne teresi lengon ne nje rreth vicioz te se keqes. Antishqiptarizmi fillon ne Tirane e mbaron ne Prishtine dhe anasjelltas. Kryeminiqtri shqiptar u ben thirrje partive qe te mbeshtesin propozimin per çmimin Nobel per Thaçin meqenese ua fali ne leter serbeve Veriun e Kosoves: eshte hera e pare qe nje tradhtar i vendit te tij pretendon te nderohet ne kete menyre! UDB-ja nuk do ta shkaterronte dot Kosoven, sa po e shkaterron PDK-ja e Thaçit!

  2. Mollosi says:

    Kosova,fatkeqesisht me shume po vidhet sot nga hajdutet (udheheqesit) shqiptare se sa me pare nga hajdutet serbe.
    Pergezime per shkrimin, znj. Arbana.

  3. andrea says:

    Pergezime per shkrimin me siper! Persa me siper duket sikur e keni shkruajtur per Shqiperine e ketyre 23 viteve te pas 90-es.
    Ju Faleminderit!

  4. gorezi says:

    Faik Konica ka thene:Nje njeri qe ka lindur ne roberi u eshte bere roberia natyre e dyte dhe jo vetem smarin vesh ceshte LIRIA,por ndjejne nje fare urrejtje per mbrojtesit e lirise,dhe respektin me te madh per tiranet.
    Kjo “cupa”eshte shembulli me tipik qe e verteton konicen pas 100 vjetesh.Cfare krahasimesh,respekt per UDB per faren e mbjelle ne Kosove.

  5. Nesho says:

    Nje shkrim I qelluar.Paske guximin te rikujtosh te kaluaren me njerezit e infiltruar ne sistemin qe shkelte lirine e njeriut tone,e sot ne emer te lirise po humbim krenarine.Jemi bere armiq njeri me tjetrin si asnjehere.A duhet te themi se jetonim me mire ne ate system qe e permbysem!?Turp eshte te degjojme per vjedhje te udheheqesve,po ke vjedhin?popullin e vet.

  6. Beun Smokthina says:

    Te lumte pena moj vajze!Si andej dhe ketej kufirit shumica e politikaneve,ketyre pisanjoseve te lidhur kembe e koke me shkijet serbe te UDB dhe me ata te ASFALIA-s greke,jane kthyer ne jashtqitje te kombit.As qe ju rruhet fare per gjakun e derdhur per atdhe,flamur e komb,ju dhimbset vetem per interesat e tyre.Kur shkoj me pushime ne qytetin tim,ne Vlore,takoje shok e miq te vjeter e ne kete menyre vete nga vete fjala e dalin keto probleme gjate bisedes.Njeri prej tyre me tha:”Keta pra jashtqitjet e kombit shaji nga nenat nga motrat e nga grate nuk ju bene pershtypje,AMA(fjale turke kjo) po i preke tek paraja,tek prona te hoqen qafe.
    Vellezer e motra shqipetare te Kosoves na duhet bashkimi,sepse ne kete menyre do jemi me te forte e do t’ju thyejme hundet si armiqeve tane por edhe bashkpunetoreve te tyre politikaneve shqipetar te tipit Thaci e berisha,Ahmeti etj.Ju lutem,ju lutem votoni dhe kini besim tek djem te till si Shpend Ahmeti,programi i te cileve ka ne themel bashkimin kombetar.Pra votoni VETVENDOSJEN.Bota nuk na pengon dot ne deshiren dhe qellimin tone per te qene bashk,por duhet vullnet duhet kerkuar kjo gje.Thaci dhe te tjere nuk e deuan kete gje,sepse do te humbasin privilegjet.Ndaljani doren ketij bythlepiresi te te huajve.ne zgjedhje votoni vetem Albin Kurtin dhe djemte e vajzat me patriot qe jane perleshur me kriminelet e UNMIK e cdo lloj arroganti nderkombetar i tipit Hans Hakerup,i cili e vonoi nje dekade pavaresimin e Kosoves.H Thaci nuk eshte me i besueshem,ai e ka tradhetuar gjakun e bashkluftetareve.Shumica e ushtareve te thjeshte,por edhe kush ka lene kemben,doren apo ka humbur syte ne lufte,sot jeton ne mjerim.Perse luftuan keta njerez!?Per karrigen e Thacit dhe per flamurin leck me yllin e shkijeve e gabeleve!?Mos i falni keta bukeshkale e bashkpunetore te armiqeve tane shekullor.Ju dua vellezer e motra,e dua cdo cm2 toke shqipetare nga Lugina e Presheves ne Shen naum e gjer ne Plave e Guci e gjer ne Ulqin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje