Kur shpërthen policia

4 Shkurt 2014, 21:16Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko

 

Për t’i bërë profilin psikologjik një vrasësi me pagesë siç pranoi se ishte Julian Sinani, për ekspertët e fushës do të mjaftonin disa të dhëna fillestare: Një djalë i rritur jetim dhe me dy motra më të vogla. Mesa del nga ajo pjesë e hetimeve të policisë që rrjedh në media, bëhet fjalë për një djalosh që skenarët e filmave hollivudianë me aksion do ta përkufizonin si “profesionist”. Metodik, i ftohtë, me njohje të mira për eksplozivët dhe armët, e sidomos “business minded”: Merr paratë, bëj punën, të lumshin duart, mirupafshim. Çmimi, nga 10 deri 50 mijë euro. Rezulton se ky sukses makabër ka bërë që ai të gjejë “punë” gjithandej, Greqi, Shqipëri, po përflitet dhe Italia. Me logjikë, mendja ta do që duhej të ishte një prerje e tillë prej killeri, autori misterioz i disa ngjarjeve që u duk se nuk do zbuloheshin kurrë.

Por fakti është që po hapet një kuti bëmash kriminale që edhe Pandora do ta kishte zili. Del se Sinani (apo Sinanaj) furnizohej me armë dhe ekspozivë nga bashkëpunëtori i tij N.Gj, dhe ishte një mosmarrëveshje financiare dhe kërcënimi ndaj këtij të fundit, filli që nisi shkokolepsjen e lëmshit. N.GJ, shkon në polici dhe tregon për kërcënimin (ose janë përgjuar sms-të e dyshimta, sipas një tjetër informate), Sinani vihet nën vëzhgim dhe arrestohet pranë 21 Dhjetorit, pikërisht kur po bënte provat gjenerale të atentatit ndaj një biznesmeni karburantesh nga Durrësi. Menjëherë më pas prangoset ish inspektori ndërtimor nga Vlora, Marjon Mitro, i akuzuar si porositës atentatesh, dhe janë në kërkim dy të tjerë. I bie që ndërkaq, edhe të tjerë individë të jenë fshehur ose larguar nga vendi, duke patur parasysh arradhën e gjatë të “punëve” të Sinanit.

Sot, dikush mund të thotë se nuk mund të jetë sukses policor fakti që grupi zbuloi vetveten pas kërcënimit që mori N.Gj. Por është padyshim sukses veprimi i shpejtë operacional dhe hetimor, dhe ç’është më e rëndësishmja, shpresohet shumë që kapaku i hapur i kësaj çështjeje të nxjerrë në dritë edhe të dhëna të tjera. E para në listë është dosja misterioze e gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, që u shkon të gjithëve në mend në këtë rast. Dhe është një momentum i rrallë për Policinë e Shtetit, që të tregojë se vala shpërthyese e ngjarjeve të këtyre javëve merr një përgjigje të shpejtë, të rreptë e të vendosur. Tek e fundit, këtë e tregon edhe zhdërvjelltësia e zbulimit të autorëve të tentativës së përgjakur për grabitjen e autobuzit të Athinës. Këtyre ditëve nuk mungojnë komentet falenderuese e inkurajuese për policinë, e po ashtu dhe përsëritja e proverbit të vjetër, se “po të dojë qeveria, e zë lepurin me qerre”. Për të mbetur tek kjo e fundit, (por pa shpejtësinë e qerres), të gjithë biem dakord se nëse ekziston dëshira dhe vullneti, strukturat shtetërore të antikrimit padyshim që janë të afta të zbulojnë çdo ngjarje kriminale. Shpeshherë, edhe ta parandalojnë. Pikërisht demonstrimi konkret i këtij vullneti, është sot basti i policisë së shtetit dhe qeverisë.

Por sukseset e kësaj jave janë vetëm një episod, sido që të jetë. Jo çdo eksploziv të kronikës së zezë e ka vënë Julian Sinani, dhe realisht dy shpërthime, një në Tiranë dhe një tjetër në Shkodër, bënë vaki teksa killeri po pyetej në qelitë e paraburgimit. Qytetarët, koshientë se armët janë sheshit, pyesin se si ka mundësi ky lulëzim i modës së shpërthimeve. Arsyeja ngjan të jetë thjesht teknike: Kush ka ndarë mendjen të lajë hesape apo kërcënojë, me eksploziv mbaron punë dhe nuk lë gjurmë. Të paktën, jo aq shumë sa arma, dhe dedektohet më me vështirësi se metalet. E nga ana tjetër, edhe kur autori nuk synon vrasjen por thjesht përcjelljen e mesazhit, tronditja dhe lemeria tek shënjestrat është e sigurtë. Ustallarët e tritolit dhe të C4-ës nuk fillojnë e mbarojnë tek J.S., ndaj dhe e vetmja gjë që nuk i hyn në punë sot policisë e as ministrit të Brendshëm, është euforia.

Edhe diçka e fundit. Ministri i Brendshëm, pas akuzave të njëpasnjëshme nga krerët e opozitës se ardhja e tij në krye të dikasterit ka stimuluar kriminalitetin (?!) la të kuptohej qartë se pikërisht retorika politike opozitare (minimalisht kjo) ka qenë shkaktarja e një shtimi të panatyrshëm (ky ishte përcaktori i përdorur) të kësi lloj atentatesh. Natyrisht, zanafilla për këtë deklaratë ka qenë sulmi me tritol ndaj shtyllave të tensionit të lartë në Milot, para pak muajsh, ku autorët lanë pas edhe parulla politike kundër taksave dhe tatimeve. Nëse rasti i bandës me ekzekutor Sinanin ka sadopak lidhje, kjo mund të zbardhet së shpejti. Por të paktën në raport me krimin dhe veprat kriminale, politika e çdo kahu do bënte mirë të ulte tonet dhe të mos i hidhte benzinë zjarrit.

*Revista KLAN

5 komente në “Kur shpërthen policia”

  1. Mira says:

    Kur shpërthen Alqi me shkrimet e tij….!

  2. LOLA says:

    Kur shperthen policia eshte …

    Njelloj si kur shperthejne ujerat e zeza ?

    http://goo.gl/Iw4ayf

    1. Mira says:

      Policët barkdërra!

      1. bari says:

        Nuk ke faj ti mira se ata bark derra kane kaluar 97 ndoshta ti mund te jesh dhe adolishente dhe ate fjale e ke degjuar nga ndokush por ata bark derra qe ti i quan kane vdekur 230 prej tyre nga ata barkderrat ne politike,por ne kete bote ata qe vuajne me shum nuk do kush,por ti mund te jesh bije e ndonje bark derri qe ka zene pune tani me kete qeveri qe ty te duket cdo gje e keqe qe eshte bere deri tani.

      2. Tironsi "ZZ" says:

        Ahhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhh

        Moj Mira

        Me tre

        Bira!

        P.S. Qe te treja te q.ra ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje