Pa komplekse

5 Shkurt 2014, 19:27Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Republikë pa ‘ditëlindje’

Ndonëse janari ka dy data, 11 dhe 21 që lidhen me republikanizmin shqiptar, ato mbeten të shpërfillura zyrtarisht. Njësoj si të ishim monarki, ndonëse paradoksalisht flitet për oborr mbretëror, protokolle, prona kurore (ndryshe nga familjaret, rikthimi i tyre do të ishte normal nëse jemi monarki) etj. E nëse 11 janari 1946 u kompleksua nga ‘antikomunizmi’ i PD, boshllëkun nuk e zuri as 21 janari i 1925 që për ironi është gjeneza e një republike e lidhur me emrin e monarkut.

Shpërfillja e ditës së republikës nuk është përjashtim por pjesë e trashëgimisë së një tranzicioni të stërzgjatur artificialisht prej politikës së korruptuar (ku 13 vite janë të PD) me rezultat një shtet problematik që shkon veç në favor të gjeopolitikave antishqiptare dhe tezave se nuk dimë të bëjmë shtet.

 

Të ndarë tek e pandashmja

Me alibinë e ‘antikomunizmit’, PD ka tentuar të kompleksojë dhe ndajë deri në simbolika bashkimi në ‘CV’ e një shteti normal – festimi i pavarësisë, festa e çlirimit, dita e republikës, LANÇ etj. Lidershipi i saj vijon ende të heqë vija të ‘kuqe’ jo vetëm ndaj të shkuarës (interpretimi i 11 janarit, roli i Hoxhës në LANÇ e më pas, anatemimi apriori i çdo arritjeje në monizëm, rokadat çoroditëse Nol-Zog në vite etj), por dhe ndaj të tanishmes dhe perspektivave përpara (baltosja e 21 janarit 2011 si grusht shteti, armët kimike, etiketimet ‘bijtë e etërve’ etj) me efekt kompleksimin dhe ndrydhjen e opinionit publik dhe rivalit politik (rivlerësimi i luftës, arritjet në monizëm, monarkia etj deri rruga ‘Dëshmorët e 4 shkurtit’ apo rikthimi i SHQUP).

Ndryshe nga sistemet totalitare të majta apo të djathta, demokracia nuk e censuron historinë. ‘Shtatoremania’ në funksion të memories historike është gjëja më normale edhe në perëndimin e qytetëruar ku hasen shtatore sundimtarësh kontradiktor. Shtatoret e Zogut, Hoxhës (nëse ringrihet) etj duhet të shihen në funksion të memories historike dhe politika nuk ka përse të marrë anë, trumbetojë apo imponojë simbolika për askënd sepse atë e bën koha dhe qytetari që përulet apo u kthen shpinën sipas mendjes së tij. Siç demonstrojmë një tolerancë unike fetare, pavarësisht se çdo besim predikon se përfaqëson rrugën e vërtetë, ashtu duhet dhe në të mirë të kohezionit dhe mirëkuptimit social, të tolerojmë ‘predikimet’ politike për të ‘vërtetat’ ‘rozë’ apo ‘blu’, historinë përfshirë.

 

‘Profanizëm’ demokratik apo me ‘porosi’!

Në retrospektivë, kjo tentativë për kompleksim përkon me një tranzicion traumatik ku janë djegur shanse historike dhe arritur shumë pak e shumë vonë. Përtej alibisë së ‘profanit’ apo makutërisë për abuzim, mbetet nëpërkëmbja e qëllimshme e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe nëse kështu, fitorja e qershorit ishte fitore ‘pirroje’ sepse dëmi u bë. Nga:

-kaosi me pronën me efekt zinxhir në zhvillim (investimet, turizmi, bujqësia, infrastruktura etj), problematikat sociale (migrimi kaotik drejt zonave urbane, cenimi i kohezionit social si rrjedhojë e migrimit masiv dhe mbivendosjes akute të nënkulturave, kriminaliteti, getoizimi dhe paragjykimet reciproke etj), humbja e besimit tek ligji dhe institucionet, promovimi i korrupsionit elitar, krijimi i ngërçeve drejt BE, megafatura kompensimi prej Strasburgu etj.

-‘terapia shok’ me pasoja papunësinë akute masive, tensionimin dhe dëshpërimin social, rrënimi i vlerave qytetare dhe familjare, nxitja e korrupsionit dhe klientelizmit politik për mbijetesë, emigracionin masiv në panik, braktisjen e hapësirave rurale etj. Zhbërja e paprecedentë e bazës prodhuese të monizmit (në lindje nuk u vërejt ‘reja e karkalecave’ si tek ne) ekspozoi sigurinë kombëtare ndërkohë që sfida e demokracisë nuk janë hekurishtet por mentalitetet që duan kohë.

-publiciteti rrënues me piramidat, zgjedhjet 1996, anarkia 97, dhuna e turmës ndaj institucioneve, vota e 28 majit, 21 janari, Gërdeci etj.

-kaosi me strategjitë e zhvillimit, prioritetet ekonomike, borxhi publik, klientelizmi dhe koncesionet inferiore, vasaliteti ndaj ekonomive të rajonit etj.

-degradimi mjedisor dhe getoizimi urban, kriza e shëndetësisë, arsimit etj.

-paragjykimi ndaj sistemit demokratik – vota e lirë, pushtetet e pavarura, administrata shtetërore, kriza e mirëbesimit politik mes palëve etj.

-litarë përjashta që nëpërkëmbin interesin kombëtar – kufiri detar, helenizimi ‘in vitro’, ortodoksia shqiptare, reciprociteti i munguar me fqinjët, ekstremizmi fetar etj.

-provokimi i imazhit e frymëzimit prej atdheut amë me qëndrimet kontradiktore në momente kulmore historike (UÇK, Rambujeja, kontrabanda e naftës) etj.

Sfida e qeverisjes është sa kapërcimi i komplekseve të trashëguara nga politika e tranzicionit ashtu dhe vendosja e drejtësisë ndaj abuzimit elitar të kujtdo dhe për gjithçka – abuzim financiar, marrja e jetës së shtetasit apo nëpërkëmbje e interesit kombëtar.

Antikomunizmi nuk është licencë për demokraci dhe patriotizëm. Gjeopolitika antishqiptare në rajon ka pasur tradicionalisht epërsinë e të parit (shtete para nesh) dhe ‘mentorëve’ strategjikë që i ‘trimërojnë’ historikisht (p.sh. deklarata e Lavrov për partnershipin strategjik me Serbinë). Kësisoj është jetike për garantimin e reformave dhe rolin e Shqipërisë në rajon partnershipi i ngushtë me vendet tradicionale mike dhe shërbimet inteligjente përkatëse, së pari SHBA (p.sh. çështja e armëve kimike mbetet një shans i humbur gjeopolitik dhe si i tillë ngre hamendje plot).

 

Drejtësi ‘standby’!

Vendosja e drejtësisë mbetet delikate në kushtet e paragjykimit tradicional ‘korbi korbit nuk ia nxjerr sytë’ dhe presionit të nisjes nga vetja. Qeveria nuk mund të paragjykohet apriori por dhe nëse është ‘korb’ për syresh, aq më pak gjasa ka t’i nxjerrë ‘sytë’ vetvetes. Boll të zhbirojë abuzimin e djeshëm, qoftë edhe për marketing politik dhe ajo thyen fatalitetin e pandëshkueshmërisë në tranzicion. Pastaj, ato që nuk ia bën vetes sot, ia bëjnë të tjerët më pas.

Ndërkohë, çdo ngurrim apo mefshtësi ndaj sabotimit të drejtësisë rrit (a) gjasat e spekulimit si ‘persekutim politik’ aq më tepër kur vetë qeveria nuk është e imunizuar nga abuzimi (drejtësia paragjykohet si spostim vëmendjeje prej problemeve të qeverisjes); (b) mundëson rigrupimin e atyre që i ndruhen drejtësisë që pas panikut fillestar po kopsitin të shkuarën; (c) shton presionin brenda vetë mazhorancës (sindroma urbane e gjetjes së ‘mikut’); (d) ekspozon qeverinë ndaj presionit të gjeopolitikave rivale në rajon në kushtet e përmbysjes së statukuosë 23 qershorin që kaloi etj.

Qasja e ‘faktit të kryer’ në inicimin e drejtësisë do të ishte në këtë kontekst në avantazhin e qeverisë por ndërsa hetimi i korrupsionit, sidomos atij elitar, kërkon kohë për kopsitjen e dosjeve (pritshmëria e publikut mund të konvertohet në zhgënjim), abuzime si Gërdeci, 21 janari, marrëveshja e kufirit detar etj janë flagrante dhe të kopsitura apriori. Për më tepër ato dekurajojnë spekulimin politik në elektorat (askush nuk do të protestonte në mbrojtje të marrëveshjes së detit të hedhur poshtë edhe nga Kushtetuesja) ndërkohë që kauza e antikorrupsionit mund të tensionojë politikisht, deri në destabilitet me efekt edhe në integrim (rasti i liderit opozitar më 1993 dhe protestat që pasuan).

 

Rilindja do ‘këllqe’

Kauza e drejtësisë do e ngrejë apo e fundosë këtë qeveri ndaj krahas ‘detyrave të shtëpisë’ ajo duhet të shfrytëzojë çdo mundësi legale për konsolidimin e prokurorisë, SHIK deri ballafaqim paekuivok me presidencën që ‘kontrapedalin’ me ‘telekomandë’ e ka shndërruar në ritual. Rilindja do ‘këllqe’ dhe qeveria Rama ka marrë përsipër një barrë historike. E nisur mirë, ajo kërkon ‘supe’ shumë dhe e fundit që lipset është soditja me shpotitje pa vend prej ish-ave brenda saj.

Për qeverisjen dhe fatin e reformave është domosdoshmëri zhveshja nga kompleksi prej postimit të nesërm të liderit ‘blu’ në FB. Qeveria e mëparshme nuk pati komplekse, deri në degradim të shtetit ligjor. Rilindja nuk duhet të ketë në ambicien për rikthimin e tij.

6 komente në “Pa komplekse”

  1. Pelasgian says:

    me pak fjale – ” Shtet ” RRUMPALLE sic eshte edhe shumica e ShqipKarave .

    1. Ilir Hoti says:

      O rrote kargomarigrekispissatem,,shqiptaret jane 10 milion ne trojet e veta ,te paret ne Adriatik-Egje deri ne Dalmaci, Alpe Sharr …..

  2. Murlani says:

    DITA E SHENUAR E KRIJIMIT TE REUBLIKES SE POPULLIT SHQIPTAR ESHTE E DO TE JETE 11 JANAR I VITIT 1946 .

  3. 1 milion grushta turinjve says:

    Ta provojme RILINDJEN,
    – ne se do ta,
    -FESTOJE 11 JANARIN,DITEN E SHPALLJES SE SHQIPERISE REPUBLIKE!!!
    Sali Berisha TALLI nje popull te tere kur reabilitoi TRADHETARIN Ahmet Zogolli duke i vendosur shtatoren ne mes te Tiranes apo kur perdhosi MARTIRET E 4 SHKURTIT duke i hequr emrin e rruges dhe zevendesuar me ate te VRASESIT TE TYRE,KRIMINELIT XHAFERR DEVA!!!
    Pra rruges ju hoq emri ne NDERIM te te pushkatuarve te 4 shkurtit 1944 nga xhaferr Deva dhe ju vu emri i Rugoves,pra NIPIT te Xhaferr Deves!!!
    A ka BANDITIZEM antishqiptar me hapur se kaq???

  4. Diamed says:

    Situata me qesharake qe mund ti ndodhe nje vendi,nje shteti.Eshte republike dhe nuk feston asnje date te formimit twe republikes.Keshtu ndodhi edhe ne 11 janar te vitit 2014 edhe pse ne pushtet eshte kolaicioni i majte i cili pretendon se mban nje qenrim me objektiov nda se kaluares se afert.E gjitha kjo eshte nje fobi ndaj te lkaluares sone,vecanerisht nda te kaluares socialiste.Eshte ”socializmofobi” qe po na ben qe bashke me mohimin,ndeshkimin e fajeve,antivlereva te kesaj periudhe te mohojme cdo arritje,cdo vlere qe ka te beje me ate periudhe.Ne se ka tre momente qe lidhen me statusin e republikes,pra kemi republiken e viti 1925 deri ne vitin 1928,kemi republike popullore nga viti 1946 deri ne vitin 1992,paskemi edhe republiken e trete ,ate pas vitit 1992 e ketej le te vfestohen te gjitha keto data.Si duket fobistet e se kaluares me qe nuk duan te festojne 11 janarin e viti 1946 nuk gjejne guximin te festoj as edhe datat e vtjera.Pra mbetet qe ne te jemi Monarki,me prince Leken ne krye.Shume interesante….shume interesant edhe per historianet tanme e per institucionet toha akademike.

  5. Koz Dynjaja says:

    – Ore nuk e kuptoni ? Nuk permendet sepse po te ishte per feste i takon 21 Janarit ! Me 21 Janar 1925 Asambleja Kushtetuese Shpalli Republiken Shqiptare. Kjo eshte Republika e Pare. Shqiperia ka qene Monarki nga 28 Nentor 1912- Janar 1925 dhe nga 1 Shtator 1928 deri 29 Nentor 1944. Ndersa Republike nga 21 Janar 1925 – 1 Shtator 1928 dhe nga 11 Janar 1946 deri sot- Presidentet e Republikes jane – Ahmet Zogu , Omer Nishani , Haxhi Lleshi , Ramiz Alia , Sali Berisha , Rexhep Mejdani , Alfred Moisiu , Bamir Topi, Bujar Nishani – A keni thene te japim historine sic ka qene – ? kjo eshte .tung

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje