Naço-Lidington: Do ndërhyjmë në refomimin e KLD, Gjykatës së Lartë, Kushtetuese

6 Shkurt 2014, 08:04Politika TEMA

Reformat në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në atë gjyqësor, masat në drejtim të luftës kundër korrupsionit, marrëveshjet mbi transferimin e të burgosurve si dhe bashkëpunimi dypalësh, ishin temat e diskutuara mes ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe ministrit britanik për Cështjet Europiane David Lidington.

Naço vlerësoi maksimalisht mbështetjen e Britanisë së Madhe në promovimin e përmirësimit të përpjekjeve për integrimin në BE. Në këtë kuadër, Lidington u shpreh se kjo mbështetje nuk do t’i mungojë Shqipërisë as në të ardhmen, ndërsa garantoi se Britania e Madhe do të vijojë ndihmën drejt materializimit të këtij prioriteti madhor për Shqipërinë.

Gjatë takimit, ministri Naço e ka njohur bashkëbiseduesin me ecurinë e reformës në drejtësi duke u ndalur në disa nga fushat kryesore prej ku u nis kjo reformë. Naço evidentoi rëndësinë e një sërë nismash dhe ndryshimesh ligjore të cilat synojnë perfeksionimin e kuadrit ligjor si dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Duke u ndalur veçanërisht edhe në përpjekjet e bëra në luftën kundër korrupsionit nga ana e Qeverisë shqiptare, Lidington vuri në dukje se lufta ndaj këtij fenomeni është një garanci në drejtim të rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri, përfshirë edhe investimet e investitorëve britanik.

“Do të ishte një arritje e madhe nëse do të vendosej një sistem drejtësie që i përgjigjet siç duhet aktivitetit kriminal të çdo lloji. Ne jemi të angazhuar ta thellojmë bashkëpunimin drejt realizimit të kërkesave dhe nevojave tuaja. Jam i bindur se klima e një vendi të korruptuar nuk do të kishte ndikim pozitiv në asnjë aspekt”, u shpreh Lidington

Ministri Naço e informoi ministrin britanik se Ministria e Drejtësisë, në emër të Qeverisë Shqiptare, ka kërkuar asistencë nga ana e Komisionit të Venecias, i cili ka shprehur gadishmërinë për të ndihmuar reformimin e të gjithë sistemit të drejtësisë. “Përveç ligjit për prokurorinë, mendojmë të ndërhyhet edhe në reformimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe Konferencës Gjyqësore. Ministria e Drejtësisë nuk do të jetë e vetme në këtë proces reformimi por mirëpret kontributin e të gjithë aktorëve. Unë vlerësoj plotësisht mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si dhe të shoqërisë civile, dhe gjithashtu mendoj se kontributi i opozitës është i mirëpritur në drejtim të ndërmarrjes së këtyre reformave”, tha ministri Naço

Marrëveshja dypalëshe ndërmjet Qeverisë së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut si dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mbi “Transferimin e Personave të Dënuar” është cilësuar nga Lidington si një hap tjetër pozitiv në kuadrin e bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe si një tregues që ky proces është negociuar me mjaft sukses.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje