Rregullimi i tregut të barnave, emergjencë

6 Shkurt 2014, 13:40Ekonomia TEMA

Nga Alban Beqaj

 

Tregu i barnave në Shqipëri nuk është i liberalizuar për të gjithë tregtuesit e tyre që respektojnë legjislacionin në fuqi. Por, ai është i liberalizuar dhe siguron norma të larta fitimi për ata që shfrytëzojnë shtigjet ligjore të krijuara nga ligjvënësit dhe vendimmarrësit publikë. Kuptohet në shumicën e rasteve me “lejen” e bekimin e këtyre të fundit, kundrejt shpërblimit përkatës

Tregu i barnave në Shqipëri vazhdon të jetë problematik si përsa i përket çmimeve që ofron, por edhe cilësisë. Rregullimi i tregut të barnave mund të konsiderohet një emergjencë e shërbimit farmaceutik. Qeveria e re në pak muaj po demostron disa ndërhyrje për krijimin e kushteve për një përmbushje të nevojave të qytetarëve shqiptarë me barna me nivele çmimesh të normalizuara. Mirëpo, ajo po përballet me një realitet të zymtë gati të çimentuar në dy dekada.

Të gjithë sot përballemi kryesisht me çmime më të larta e cilësi shumë më të ulët se në pjesën tjetër të botës për barna të njejta në lloj e sasi. Ky treg, në këto 23 vite, ka pasur zhvillim të ngadaltë dhe konkurrencë të kufizuar për shkak të të qenit i vogël në madhësi dhe aplikimit të procedurave shumë të komplikuara burokratike për regjistrimin e produkteve të reja. Aktualisht, në Shqipëri aplikohet politika e çmimeve referencë të brendshme shumë të ulëta të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të paguara në rastin e barnave të rimbursueshme nga Fondi i Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Si rrjedhim, ka një interes të ulët nga kompanitë e mëdha farmaceutike botërore të njohura për të hyrë seriozisht në Shqipëri. Ose, e thenë më shqip, janë të painteresuara që, kundrejt sigurimit të fitimeve të vogla në raport me objektivat e tyre financiarë, të merren e harxhojnë kohë e para me “kokat” tona të uritura e të varfra në çdo drejtim. I gjithë tregu farmaceutik në Shqipëri qarkullon në total përafërsisht rreth 150 milionë euro në vit produkt. Këtë treg e plotësojnë një shumicë importuesish barnash që duhet theksuar se e mbulojnë nevojën për barna dhe një prodhues vendas që zë më shumë se 1/10 e këtij tregu. Ato, pas vitit 1990, zëvëndësuan importuesin e vetëm deri atëherë, shtetin shqiptar. Por, si çdo treg në Shqipëri, pavarësisht sukseseve në plotësimin e nevojave, edhe ky është “shqiptarizuar”. Suksesi i tregtuesve farmaceutikë që janë munduar të tregtojnë në mënyrë të ligjshme dhe cilësore barnat më të mira që ekzistojnë, në shumë raste, është “mbytur” nga makutëria e tregtarëve që kërkojnë fitime të larta me çdo çmim pa përfillur asnjë kod moral e ligjor. E gjithë gjullurdia e tregut të barnave ka si indicie normën e lartë të fitimit për aktorët kryesorë të tij. Është një fakt I ditur se, norma e fitimit me tregtimin e barnave është e krahasueshme me atë të drogës dhe armëve. Në ketë rast, nuk e kam fjalën për fitimin e farmacistëve të thjeshtë që operojnë me pikat e tyre në të gjithë Shqipërinë, por me atë pjesë të importuesve, drejtuesve shtetërorë dhe një numri mjekësh e individësh të tjerë të përfshirë në ketë abuzim marramendës në kurriz të të sëmurëve që e kanë lejuar prej vitesh ketë realitet tragjik.

Tregu i barnave në Shqipëri nuk është i liberalizuar për të gjithë tregtuesit e tyre që respektojnë legjislacionin në fuqi. Por, ai është i liberalizuar dhe siguron norma të larta fitimi për ata që shfrytëzojnë shtigjet ligjore të krijuara nga ligjvënësit dhe vendimmarrësit publikë. Kuptohet në shumicën e rasteve me “lejen” e bekimin e këtyre të fundit, kundrejt shpërblimit përkatës. Mirëpo, duhet pranuar se, abuzimi ka ardhur edhe për shkak të mungesës së formimit profesional ose specializimit të administratës shtetërore që mbikqyr mbarëvajtjen e këtij tregu. Ky treg realisht është i vështirë për tu menaxhuar në të gjithë botën pikërisht për shkak të ndërhyrjes në vendimmarrjen publike të këtyre interesave të larta financiare.

Gjithsesi, situata është shumë komplekse dhe kërkon vullnet vendimarrës të pandikuar nga interesat e paligjshëm dhe kohën e duhur për zgjidhje. Ekipi i ri qeverisës, nëpërmjet Ministrit të ri të Shëndetësisë në të gjithë deklarimet dhe veprimet e deritanishme po demostron nje orientim shpresdhenës për futjen në shina normale të këtij tregu. Ministri i Shendetësisë Ilir Beqja e ka shprehur se do të ketë një rishikim tërësor të legjislacionit ekzistues në ketë fushë. Gjatë këtyre 4 muajve janë kryer një varg ndërhyrjesh të Ministrisë së Shëndetësisë në lejet e importit të barnave për kufizimin e abuzimeve me çmimet e barnave pas realizimit të një numri të lartë kontrollesh të parealizuar më parë, miratimi i listës së re të barnave të rimbursueshme me ndryshimet përkatëse të çmimeve, si dhe heqja e TVSH-së nga mazhoranca qeverisëse me ligj së fundmi, siç ishte premtuar. Por, gjithsesi ngelet ndërhyrja kryesore me ligj dhe akte nënligjore për tu realizuar. Eshtë në proces ndryshimi ose zevëndësimi i ligjit ekzistues Nr. 9323, date 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, shfuqizimi dhe zëvëndësimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 62 datë 01 shkurt 2012 “Mbi mënyrën e funksionimit të komisionit të çmimit të barnave” dhe Urdhërit Nr. 185/1 i Ministrit të Shëndetësiësë, datë 4 qershor 2012 “Për miratimin e rregullores ‘Për metodologjinë e përcaktimit të çmimit të barnave dhe mënyrën e administrimit të deklarimeve të tyre në Republikën e Shqipërisë”.

Vendimi i sipërcituar bie në kundërshtim me nenin 50 të të ligjit nr. 9323, date 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, pasi sipas ekspertëve, ky vendim i hap rrugën parimit të negociimit të çmimeve, në një kohë që ligji nuk e lejon. Parimi i negociimit në fakt aplikohet në shumicën e vendeve të BE-së nëpërmjet mekanizimit të Çmimi Referencë i Jashtëm (EPR). Ky mekanizëm nënkupton si bazë referimi për një vend çmimin referencë, më të ultin e 3 vendeve më të afërta gjeografikisht, por duke pasur parasysh politikat shëndetësore nacionale dhe fuqinë blerëse.

Në Shqipëri, ekspertët mendojnë se është i nevojshëm zbatimi i këtij parimi për momentin, por duke u parashikuar më saktë në ligjin e ri të barnave që pritet të hartohet e miratohet. Në të ardhmen, me fuqizimin e institucioneve shqiptare dhe arritjen e një mbikqyrje të këtij tregu sipas standarteve të BE-së, mund të ndryshohet. Por, kjo pikë duhet të diskutohet mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe grupeve të interesit, grosistëve ose importuesve të mëdhenj, para se të ndërmerret një vendim përfundimtar.

Në nenin 50, pika 1 të ligjit në fuqi, thuhet:  “Çmimi i barnave në treg është i kontrolluar dhe bazohet me çmimet CIF te importit”. Çmim CIF i importit është çmimi (“Cost, Insurance, Freight”- Kosto, Sigurim, Shpenzime transporti), i përcaktuar për barin nga fabrikuesi deri në pikën doganore hyrëse në Republikën e Shqipërisë. Ky kuadër ligjor e nënligjor krijon metodën e krijimit të çmimit referencë në Shqipëri nëpërmjet përzgjedhjes së çmimeve të një shporte shtetesh. Kjo mund të ndryshojë me kalimin e kohës ose arsye të tjera, për krahasimin e çmimeve të barnave. Sipas këtij vendimi, përcaktohet çmimi më i ulët duke krahasuar çmimet CIF të tre shteteve referente në kufi me Shqipërinë, Itali, Maqedoni dhe Greqi. Mbi ketë bazë, çmimet e barnave të rimbursueshme dhe të parimbursueshme rishikohen çdo vit. Ndërsa, për barnat e reja, çmimet caktohen çdo muaj nga komisioni përkatës shtetëror. Deklarimi i çmimeve pranohet në Euro, USD, Lekë dhe konvertohen në LEK nëse referencat jepen në monedhë tjetër. Kursi i këmbimit përditësohet dy herë në vit. Çmimi i shitjes me pakicë përcaktohet dhe është i barabartë  = CIF x kursi i këmbimit x marzhet e fitimit depo&farmaci x TVSH. Kur ka alternativa të e vetme barnash në treg, pranohen çmimet e vetdeklaruara, por pasi negociohet. Pra, në rastin kur bari nuk tregtohet në shtetet referente.

VKM Nr. 62 datë 1.2.2012 “Për Mënyrën e Funksionimit të Komisionit të Cmimit të Barnave” në nenin 11 të saj parashikon krahasimin e çmimeve CIF të Shqipërisë me vendet referente. Ky artikulim nuk gjen zbatim në Rregullore e sipërcituar. Në këtë kuptim, neni 2 i rregullores parashikon se, bazë krahasimi nuk do të jenë çmimet CIF, por çmimet e shitjes me pakicë. Rregullorja duhet të jetë e qartë në këtë pike, nëse krahasimi aplikohet për çmimet e shitjes me pakicë apo për çmimet CIF. Nëse krahasimi do të aplikohet per çmimet e shitjes me pakicë, atëhere mund të thuhet se Rregullorja është në konflikt me VKM e sipërcituar. Rregullorja në pikën (6) parashikon që, në rast se për barin nuk ka çmime të deklaruara në asnjë nga tre vendet referente, atëhere përfaqësitë farmaceutike do të vetëdeklarojnë tre çmime krahasuese CIF të barit në vende të tjera ku tregtohet bari, sipas shtetit gjeografikisht më të afërt me Shqipërinë. Në këtë rast, çmimi i referencës do të jetë mesatarja e dy çmimeve më të ulëta që përdoren në këto tre shtete. Një artikulim i tillë ngre shqetesimin se, vetëdeklarimi mund të lërë mundësi për aplikim me standart të dyfishtë. Pyetjet që duhen adresuar nga rregullorja, sipas ekspertëve, në këtë rast janë:

– Si do t’i vëzhgojë Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat përkatëse vërtetësinë e vetëdeklarimit nga subjektet e ndryshme. A planifikon, dhe a ka struktura të përshtatshme për të kryer investigim në këtë rast, në mënyrë që standarti të jetë i njëjtë për të gjithë operatorët lidhur me vetëdeklarimin jo abuziv të çmimeve.

–  Vetëdeklarimi i 3 çmimeve CIF nga subjektet dhe më pas, aplikimi i çmimit mesatar të dy çmimeve më të ulëta, krijon një pozitë të avantazhuar në treg për tregtuesit që aplikojnë këtë skeme, në krahasim me subjektet qe aplikojnë çmimin më të ulët të shitjes në rajon. Nëse për një bar patente i kërkohet të deklarojë një çmim reference më të ulët dhe kompania nuk e pranon, heqja nga tregu automatikisht bën që, i njëjti bar, por xhenerik, të jetë i vetëm në treg me çmim praktikisht të pakontrolluar.

Procesi i deklarimit duhet të fillojë e ndalojë në të njëjtën kohë kur miratohen apo grumbullohen çmimet si për autoritetet dhe për kompanitë. Rregullorja nuk mban në konsideratë faktin se marzhet e tregtimit në Shqipëri mund të jenë të ndryshme me vendet referente. Gjithashtu, formula ekonomike që përdoret për kalkulimin e çmimit të barnave në të vende të ndryshme ndryshon.  Rregullorja ndjek parimin e krahasimit të çmimeve me vendet referente. Për pasojë, Ministria e Shëndetësisë detyrohet të japë garancitë e duhura që, në rast se formulat ekonomike apo legjislacioni në këto 3 vende ndryshon, se si do t’i përgjigjet këtyre ndryshimeve që mund të ndikojnë në mënyrë të padrejtë operatorët farmaceutikë shqiptar.

Rregullorja në pikën (12) tenton të vendosë barazi ndërmjet formave të ndryshme farmaceutike në rastet kur një formë e caktuar e barit nuk gjendet në një nga vendet e referencës. Kjo gjë nuk është realiste, për sa kohë, çdo formë e caktuar e barit ka një proces e paketim të përcaktuar prodhimi dhe automatikisht kosto të ndryshme. Kjo gjë sjell edhe politika të ndryshme çmimesh nga kompanitë farmaceutike.

Tregu i barnave ofron edhe shumë probleme të tjera të pacekura në ketë shkrim që presin zgjidhje. Vetë vendet referente që merren nga vendi ynë si Greqia, Italia dhe Maqedonia janë problematike përballë standarteve të BE-së. Italia nuk e zbaton ketë model referimi për përcaktimin e çmimeve që nga viti 2001, për shkak të mungesës së provave të efektshmërisë në kontrrollin e kostove, ndërkohë që aplikon TVSH për barnat 10 deri në 20 %. Maqedonia ka akoma një treg e zhvillim të ngadaltë dhe aplikon TVSH 5 %. Greqia vazhdimisht ka pasur mungesë qëndrueshmërie në rregullimin e çmimeve, ndërkohë që aplikon një TVSH për barnat nga 6.5 deri 23 %. Disa vendime të autoriteteve shtetërore janë nxjerrë për të bërë rregullimin e pasaktësive në çmimet e publikuara si rrjedhojë e masave shtrënguese të trojkës së BE-së, që vazhdojnë ende. Për këtë arsye, shtete si Bullgaria dhe Portugalia kanë bërë përjashtimin e Greqisë nga lista e vendeve referente.

Përfundimisht, mund të thuhet se gjithmonë shtrohet nevoja e rivlerësimit të faktorëve me impakt në dizenjimin e sistemit të çmimeve referencë, e rishikimit të shportës së shteteve referencë, marrja e mësimeve nga eksperienca veçanërisht e vendeve të BE-së, marrja në konsideratë e inflacionit, etj. Ndoshta është mirë që mekanizmi i përcaktimit të çmimeve në diskutim të aplikohet vetëm për barnat e rimbursueshme, por gjithmonë duke krahasuar çmimet CIF e jo ato të shitjes me pakicë që përcaktohen nga politika e kushtet specifike të çdo vendi.

12 komente në “Rregullimi i tregut të barnave, emergjencë”

  1. psevertete says:

    Pyetje – nga mbiemri, ky Albani mos eshte vellai i Beqos tjeter qe po na e lavderon si yllin e shekullit?

  2. Beqja ka per ta rregullu kete punen e barnave se bashku me Tom Doshin.

  3. Liri says:

    Eshte cuni xhajes, po versioni i papune

  4. Bradhi says:

    Version i servirur nga stafi ” kualifikuar ” i farmaceutikes. Ke nje blog tek shqiptarja.com (brenda nje pilule) ku drejtoresha aktuale e ka lene debatin ne mes dhe kjo si rrjedhoje e paaftesise se saj profesionale. Nuk eshte problem ligji, por zbatimi i tij duke patur vizon, njohuri, ndershmeri dhe jo korupsion, nepotizem, trafik interesash dhe mediokritet provincial. Mos i be reklame nje mashtrimi te madh sepse dhe ti e familja jote keni nevoje per barna cilesore dhe cmime reale.

  5. Luftar Neli says:

    Autori qenka me plote kuptimin e fjales expert sepse e njohka problemin ne rrenje psh problemi i sistemit nuk eshte farmacisti por bisnesi i piset qe behet me barnat ne Shqiperi qe ne praktike ja faturojne padrejtesisht farmaciastit te shkrete qe rrin nga 12 ore per te shitur oki bile edhe te dielave e festat

    1. Bradhi says:

      Nuk eshte expert more zoteri, edhte thjesht ” tel” percjelles i mashtrimit te rradhes. Ne asnje vend nuk ka lecuar qe te shahen farmacistet e thjeshte, por politik beresit.

  6. Komentuesi says:

    Farmacite vazhdojne te furnizohen nga depot grosiste me TVSH.edhe pse kjo eshte hequr me ligj.A ka kontroll mbi depot grosiste???!!!

  7. 1milionqelbesiraaaa says:

    per dite emergjenca. per dite premtime. ndonje pune konkrete? as qeveria as bashkia me lulin nuk po bejne dicka konkrete. luli premton plan rregullumi dhe tramvaj per tiranen, ky ekstremisti tjeter premton parajsen me rilindjen por realiteti eshte qe asgje spo behet. vetem humbje ka shteti nga shkaterrimet e ndertimeve. ne kohe krize prish.

  8. shpresuam shume qe te rregullohej sherbimi farmaceutik,por po zhgenjehemi po kaq shume,me sa duket interesat meskine te atyre qe nuk ja kane haberin zanatit po prevalojne ne sistemin shendetsor.Mjere populli dhe lumsi mjeket dhe matrapazet!

  9. Apollonia says:

    Un mendoj se Albani nuk kerkon aspak ne shkrimin e tij ,
    ti bej makjazh te vertetes ,sepse ate e njofin mir dhe kuptojn qart ,
    specialistat e fushes,- ekonomiste ,farmaciste,bisnesmen,ligjevenes ,por
    ne kte shkrim ai jep nji pasqyre te qarte ku do mund te shikohet gjithkush.
    Se sa te afte jane te interesuarit te dalin perball ksaj paqyre ,
    kjo varet nga njohja e vertet e temes qe autori i referohet .
    Ne nji teme flitet jo duke e veshur mendimin me ngjyra partiake ,
    por si kudo ne bote duke hyre ne debat duke qene realist e duke prure argumenta vs temes qe trajton autori.

  10. Mihali says:

    Ore Beqja eshte thjesht hajdut. Pa marre pafajesine shkoi e u be Minister. Fajin e kemi ne qe iu dhame voten ketyre plehrave. E ka mbushur Ministrine e Shendetesise me shoket e vet qe s’kane lidhje fare me P.S

  11. Tani says:

    Ku e gjete kete minister o Edi Rama? Apo keshtu i bere emerimet ne shendetesi. Shih se c’ke sjelle ne Q.S.U.T.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje