De Biazi: Shqipërinë e dua si kameleon, Berisha na refuzoi. Mund të luajmë me 3-4-3

7 Shkurt 2014, 14:34Sport TEMA

Një Shqipëri si kameleon, e aftë të ndryshojë brenda një ndeshjeje dhe të jetë vrastare për çdo kundërshtar. Ky është objektivi i De Biazit për edicionin e ardhshëm. Një edicion me presion të lartë, sepse është shpallur zyrtarisht objektivi madhor për një vend si yni, që nuk ka marrë pjesë në asnjë kompeticion të rëndësishëm. “Do të luftojmë për të shkuar në Paris. Nuk premtoj se do të shkojmë, por do të luftojmë”, thotë trajneri i Shqipërisë për “Panorama Sport”. Po a mund ta bëjë këtë një kombëtare ku rreth 40 për qind e lojtarëve të saj ngrohin stolin në skuadrat e tyre? De Biazi stepet për një moment, por më pas rrëfen me guxim se çfarë ka ndërmend të bëjë, ose më saktë, nxjerr në pah një pjesë të planit, sepse nuk do që të “dekonspirohet”. Flet për Lalën, njeriun që e ka zgjedhur vetë ta ketë në krah, për stadiumin, Dukën, Ramën dhe për tre Berishat: Etritin, Besartin dhe Valmirin…

 
Mister, sa i shqetësuar jeni që sot Shqipëria nuk ka një sulmues në formë?

 


Jam i shqetësuar, nuk mund ta fsheh, por lojtarët kanë edhe shumë muaj në dispozicion dhe mund ta marrin veten. E kam fjalën për Salihin dhe Çanin. Por të mos harrojmë se kemi edhe Sadikun, i cili nëse vazhdon të jetë po kaq protagonist te Zyrihu, mund të jetë një alternativë e mirë.

 
Përmendni gjithnjë vetëm këta tre emra. Po Kapllani dhe Jonuzi?

 
I kam në konsideratë vazhdimisht, por duhet parë se si do të jetë gjendja e tyre deri në shtator.

 
A janë zgjidhur problemet me Vajushin?

 
Nuk kam thënë kurrë që Vajushi nuk ka talent apo se nuk është lojtar i mirë. Thjesht ndonjëherë lojtarët kanë nevojë të përplasen pas murit dhe të ulen me këmbë në tokë. Duhet të kuptojmë se duhet përulësi dhe durim për t’i shërbyer mirë kombëtares dhe, në rastin konkret, një kauze të madhe, që është kualifikimi për një edicion. Nuk mund t’u plotësohet çdo tekë apo çdo dëshirë. Unë veproj sipas rregullave dhe dua që të gjithë t’i respektojnë rregullat e mia. Vajushi, por edhe ndonjë tjetër kanë potencial, por ndonjëherë nuk e kuptojnë se siç ngjitesh shpejt në majë, mund edhe të biesh edhe më pas të vritesh keq. Gjithsesi, sa për të sqaruar opinionin publik, po ju them se ai është pjesë e projektit tim në të ardhmen dhe se do të thirret në Kombëtare që në 5 mars kundër Maltës. Kaq mjafton për të treguar se e vlerësoj maksimalisht për potencialin që ka.

 
Po Nuhiu me Shkurtajn?

 
Shkurtaj është një lojtar interesant që po e ndjek me vëmendje, ndërsa Nuhiu ka vetëm problemin e pasaportës. Austria nuk lejon dyshtetësinë dhe ai duhet të zgjedhë. Nuk është aspak e lehtë për të dhe unë e kuptoj mirë.

 
Keni pasur ndonjë kontakt me Valmir Berishën?

 


Po, ka biseduar pak ditë më parë ndihmësi im, Paolo Tramexani dhe na ka refuzuar. Refuzoi të luante me Shqipërinë.

 
Çfarë ka ndodhur saktësisht?

 
I kërkova Tramexanit të shkonte ta takonte personalisht dhe e autorizova t’i thoshte se do të jetë pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë. Takimi është kryer në turneun e Viarexhos, ku Roma ka marrë pjesë me të rinjtë e saj, pjesë e të cilëve ishte edhe Valmir Berisha. Tramexani e takoi, ia bëri të qartë edhe planin tonë, por ai i pat thënë se do të luante për Suedinë dhe, kur Kosova të anëtarësohej në FIFA, do të luante për Kosovën.

 
U ndjetë keq nga përgjigjja e tij?

 
Jo, sepse çdo njeri ka të drejtë të bëjë zgjedhje. Do ndihesha keq nëse nuk do ta kontaktoja dhe do ikte në një ekip tjetër. Në këtë rast respektoj zgjedhjen e tij.

 
Po me Adnan Januzajn çfarë ndodh?

 
Asgjë. Nuk kemi asnjë kontakt. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej.

 
Si do të luajë Kombëtarja shqiptare edicionin e ardhshëm?

 
Unë e kam të qartë një ide në kokë se si mund të luajmë. Sigurisht, duhet të punojmë shumë me grupin dhe duhet të përmirësojmë disa gjëra, por ideja është që të kemi një skuadër si kameleon. Një skuadër që të jetë në gjendje të ndryshojë brenda ndeshjes dhe të përshtatet apo të kërkojë gjithnjë maksimumin. Qëllimi është që të jetë një skuadër që, nga një 4-4-2 i pastër, të kthehet në 3-4-3 dhe të jetë po kaq kompetitive.

 
Më falni, po thoni se Shqipëria mund të luajë me skemën 3- 4-3, ashtu sikundër bëjnë shpesh skuadrat e mëdha, si Bajerni, Barcelona, apo Juventusi…

 


E kuptoj që tingëllon disi çuditshëm, sepse për një skuadër si Shqipëria kjo mund të jetë edhe pak e rrezikshme, por plani është ky. Sigurisht, gjërat do të përshtaten në varësi të kundërshtarit, por ne do të punojmë maksimalisht për të pasur një grup të stabilizuar. Dua që skuadra të mbulohet më mirë nga krahët, mbrojtja të mos jetë shumë e tërhequr dhe në sulm të jemi më konkretë e më efikasë.

 
Duka këmbëngul se këtë edicion do të luftojmë vetëm për kualifikimin. A ju vë nën presion kjo?

 
Çdo skuadër, kur i nis eliminatoret, lufton për maksimumin. Personalisht preferoj të qëndroj me këmbë në tokë, por sapo e thashë, qëllimi është që të luftojmë për kualifikimin.

 
Si mund të flitet për kualifikimin për një skuadër që rreth 40 për qind e lojtarëve nuk luajnë në ekipet e tyre rregullisht dhe nuk ka mbërritur asnjëherë e treta?… Për cilët lojtarë e keni fjalën?…

 
Çani, Salihi, Roshi, Basha dhe Rama…Dakord. Nuk kemi skuadrën më të mirë në botë dhe kemi probleme edhe me stadiumin, por ama unë kam bindjen se kemi një grup që mund të luftojë denjësisht deri në fund. Kemi cilësi mbi mesataren, kemi më shumë eksperiencë, grupi i njeh më mirë tani idetë e mia dhe kemi tifozë të mrekullueshëm. Duhet të shfrytëzojmë të gjithë këta elementë.

 
Shqipëria prej disa edicionesh ka të njëjtin ritual: pjesën e parë ecën mirë, por në ndeshjet e fundit pëson rënie drastike. Si do e zgjidhni ju këtë?

 
Mendoj se këtë gjë mund ta zgjidh duke punuar më fort në aspektin taktik sesa në asketin psikologjik. E pranoj se kjo është edhe çështje psikologjike, por nuk bëhet fjalë për skuadrën e një klubi ku mund të punoj shumë psikologjikisht. Bëhet fjalë për një ekip përfaqësues dhe më shumë shanse kemi të zgjidhim nëse do të përmirësohemi taktikisht. Unë dhe skuadra duhet të punojmë shumë që të mos pësojmë më humbje si ajo në Lubjanë, ku edhe barazimi do ishte mëkat. Duhet të mos lejojmë që të na përsëriten humbje si ajo kundër Islandës. Ishim në avantazh edhe pastaj e pësuam. Aty realisht kemi të bëjmë me një ngërç psikologjik, sepse tregon se nuk dimë të përballojmë presionin. Por tani kemi më shumë eksperiencë dhe mund t’ia dalim.

 
Ju kritikuan se bëtë shumë eksperimente edicionin e shkuar…

 
Shikoni, as unë nuk kam qenë perfekt, edhe pse jam munduar të marr gjithnjë maksimumin. Bëmë shumë ndryshime, sepse ishim në fazë tranzicioni. Gjithsesi, e sigurt është se këtë herë do ketë më pak eksperimente.

 
A është e vërtetë se Taulant Xhaka mund të luajë si mbrojtës i djathtë?

 
Po, mund të luajë aty, por edhe si mesfushor krahu apo edhe qendre. Është një lojtar me shumë potencial.

 
Po Loret Sadiku ku mund të luajë?

 
Loreti është një mbrojtës me cilësi të mira dhe në sistemin me tre mbrojtës, ai mund të luajë si djathtas, ashtu edhe majtas. Më pëlqen kjo gjë, sepse është një cilësi që pak lojtarë e kanë.

 
Cili mund të jetë zëvendësuesi i Agollit në raste emergjente?

 
Agollit i besoj, sepse ka cilësi dhe eksperiencë që pak e kanë në ekip. Nëse do të duhet ta zëvendësojmë në ndonjë ndeshje, atëherë vendin e tij mund ta zërë Lenjani ose Hysaj.

 
Një Shqipëri me 3 mbrojtës, a nuk është shumë e rrezikshme?…

 
Mund të shndërrohet edhe me 5 në momente vështirësie, por mos prisni t’jua them të gjitha që tani.

 
Rama mund të luajë i vetëm në sulm?

 
Nuk besoj, mund të jetë pas një sulmuesi, por jo i vetëm.

 
Roshi nuk luan rregullisht prej një kohe të gjatë. A rrezikon vendin në Kombëtare?

 
Nuk e rrezikon vendin në kombëtare, sepse është i ri dhe ka shumë potencial. Por gjithsesi rrezikon të konsiderohet si një alternativë e dytë.

 
Na mungoi Mavraj në dy ndeshje dhe shumë veta thanë se na dështoi gjithë edicioni...

 
Mund të shihet edhe ashtu, por do të përpiqemi të mos jemi aq të brishtë në mbrojtje. Do punojmë shumë taktikisht aty, por ndërkohë do kemi edhe pak më tepër alternativa.

 
A jeni i kënaqur me Etrit Berishën?

 
Po, jashtë mase shumë. Të luash titullar te Lacio dhe të bësh ato paraqitje që në start, do të thotë të jesh shumë i zoti dhe Etriti është. Por jam gjithashtu shumë i kënaqur edhe me Ujkanin, që po ecën shumë mirë te Palermo.

 
Kaçe ndërkohë ka nisur të luajë rregullisht?

 
Më vjen mirë për të. Pak ditë më parë, kam kritikuar në mediat selanikase publikisht klubin e PAOK-ut për mënyrën se si u soll. Jua thashë troç se, po të isha unë në vend të Kaçes, do të isha larguar nga klubi me trajtimin që më bënë. Ishte mëkat i madh të trajtosh një lojtar aq të ri dhe ta vësh në një presion aq të madh.

 
Ju vjen keq që nuk do keni në dispozicion Besart Berishën?

 
Po, më vjen keq. Ai ka shumë forcë, teknikë dhe eksperiencë, ndaj do të na bënte punë.

 
Çfarë roli do ketë Lala në stafin tuaj?

 
Do zërë vendin e ndihmësit tim, Anxhelo Pereni. Dua të saktësoj se Lalën e zgjodha unë dhe nuk ma sugjeroi askush. Vendosa ta kem në krah, sepse ka shumë eksperiencë ndërkombëtare. Është njeri me karakter të fortë e, ndonëse nuk mund të ketë njohuri të jashtëzakonshme në pjesën taktiko-teknike, ai ka vlera të mëdha. Lalën mbi të gjitha e zgjodha për faktin që është njeri i punës dhe i përulur. Nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar që një lojtar tjetër i Shqipërisë të jetë aq punëtor dhe aq i përulur. Do impenjohet në pjesën taktike dhe shpresoj që të më ndihmojë mua dhe skuadrën që të ecim sa më mirë. Prezantimin e tij do ta bëjmë para ndeshjes kundër Maltës, më 5 mars.

4 komente në “De Biazi: Shqipërinë e dua si kameleon, Berisha na refuzoi. Mund të luajmë me 3-4-3”

  1. FABIO CAPELLO says:

    BESART BERISHA PSE NUK VJEN???

  2. Agim says:

    Mjaft me Kosovaret o Gianni. Duam ta shohim Shqiperine vetem me Shqiptar!!

  3. I.Troplini says:

    Astrit Hafizi eshte pergjigja shqiptare per postin e trajnerit te kombetares. Mjaft me “zgjidhje” te huaja qe ne esence, jane vetem zgjidhje te dores se trete. Apo eshte dikush i mendimit qe mesuesi i fiskultures De Biazi, qenkerka me i pergatitur nga ana profesionale se Astrit Hafizi??
    Trajnere si i nderuari Hafizi, njohin mentalitetin dhe gjuhen. Ata jane pjese e shoqerise sone me te cilen duam te identifikohemi. Nje vend te parafundit ne grup,,,sic na ka dhuruar De Biazi,,,,do e arrinte edhe nje trajner shqiptar.

  4. bledi says:

    Me vjen keq kur degjoj,qe nuk dua te luaj per Shqiperine por do luaj per Kosoven!!!! Na ndau Serbi si komb,,tani po na ndajne futbollistet.Lojtare te tille si Jonuzaj,Valmir Berisha etj ,kerkojne preteks qe te mos luajne as per Shqiprine e as per Kosoven,e dine shume mire qe Kosoves i duhet kohe te pranohet ne FIFA prandaj bejne lojra te pista.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje