Në 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore Serbia po përpiqet të renditet vetëm në anën e ndritshme të historisë. Trashëgimtari i fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand, po njolloset si tiran, ndërsa vrasësi i tij, nacionalisti serb, Gavrilo Princip, po lartësohet si hero që gjoja më 28 qershor 1914 paskësh shtënë edhe kundër Adolf Hilterit. Si përherë në Ballkan edhe kësaj radhe e vërteta është e ndërlikuar
Në vitin 1911 arkitekti zviceran, Le Corbusier, bëri një udhëtim gjashtëmujor në Orient, një Voyage d’Orient, siç thuhej atëbotë me entuziazëm në frëngjisht, ose një Journey to the East në përkthimin në anglisht. Gjermanët i bien shkurt: Orientreise. Për dijetarët e asaj kohe një udhëtim në botën orientale ishte model i njohur nga gjeneratat e mëhershme. Orienti ushqente ëndrra dhe fantazi: aroma dhe arkitektura, traditat dhe sharmi ishin të mbuluara me vellon e misterit – këtë vello dëshironte ta shpaloste çdo udhëtar perëndimor. Gjatë udhëtimit në Stamboll Le Corbusier u ndal në Pragë, Vjenë, Budapest dhe – në Beograd. Pasi e kishte parë qytetin arkitekti me famë botërore kishte thënë: “Beogradi është qyteti më i keq në botë në vendin më të bukur në botë”. Me dy lumenj (Danubin dhe Savën) që kalojnë nëpër zemrën e qytetit dhe me një pozitë strategjike mes Perëndimit dhe Lindjes, Beogradi – në përfytyrimin e arkitektit të famshëm – duhej të ishte qytet tjetër, jo një tubë me shtëpi pa shije. Sikur Le Corbusier të jetonte sot, ai me siguri nuk do ta kishte ndryshuar mendimin për Beogradin, madje do të tmerrohej sikur të shihte kazermat banesore të jugo-socializmit, betonimin pa asnjë kriter, godinat e ngritura në stilin e turbo-folkut dhe ndotjen jo vetëm nga trafiku. Këtu kryeqyteti i Serbisë nuk dallon shumë nga qytetet e tjera të Ballkanit. Por, Beogradi së shpejti do të pasurohet me një atraksion: me një përmendore të Gavrilo Principit, nacionalistit adoleshent serb, i cili më 28 qershor 1914 vrau në Sarajevë Franz Ferdinandin, trashëgimtarin e fronit austro-hungarez. Ky atentat i kryer para një shekulli shërbeu si ndezje iniciale e Luftës së Parë Botërore (“La Grande Guerre”, siç njihet në Francë, dhe “The Great War” në anglisht). Përmendorja pritet të ndërtohet në Kalemegdan, në parkun më të famshëm të Beogradit, prej nga mund të shihet bashkimi i Savës me Danubin. Ndërtimin e monumentit e kanë mbështetur udhëheqësit kryesorë politikë serbë, të cilët e shohin Gavrilo Principin si hero serb, që me atentatin e tij gjoja kishte protestuar kundër pushtimit të “tokave serbe” përtej lumit Drina nga ana e Perandorisë Austro-Hungareze.
Gjatë këtij viti në mbarë Europën do të kujtohet me shumë ceremoni, me konferenca e takime 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në këto përkujtime edhe Serbia dëshiron ta thotë fjalën e saj. Në mediet serbe, në prononcimet e historianëve dhe politikanëve të Beogradit vërehet një mobilizim i përgjithshëm për ta prezantuar Serbinë vetëm si viktimë të agresionit austro-hungarez. Shef i Komitetit Kombëtar për koordinimin e manifesteve në lidhje me përvjetorin e Luftës së Parë Botërore është emëruar regjisori Emir Kusturica, i cili prej boshnjakut është konvertuar në superserb ortodoks. Së fundi Kusturica doli para opinionit me një letër të zbuluar gjoja në Arkivin e Shtetit në Beograd. Në atë letër të dërguar më 28 maj 1913 guvernatori austro-hungarez i Bosnjës, Oskar Potiorek, i shkruante ministrit austro-hungarez të Financave, Leon Bilinski, se lufta me Serbinë është e pashmangshme. Pas prezantimit të letrës mediumet e Beogradit brohoritën si në kor, duke nënvizuar se Vjena e kishte përgatitur luftën kundër Serbisë një vit para atentatit në Sarajevë. Pala serbe prezantoi vetëm një përkthim në serbisht të letrës, e cila, siç thuhej, rreth vitit 1930 ishte përshkruar nga origjinali i shkruar me dorë. Ende nuk dihet ku është origjinali i letrës. Në dokumentin e prezantuar nga Kusturica guvernatori Potiorek flet për mundësinë e luftës me Serbinë “pas disa vjetësh”, por ai njëkohësisht propozon që, për të ruajtur paqen, të lidhet një marrëveshje tregtare, doganore dhe ushtarake me Serbinë. Për luftë preventive kundër Serbisë nuk bëhet fjalë në këtë letër. Sidoqoftë, Emir Kusturica deklaroi se Franz Ferdinandi ishte një tiran dhe paralajmëroi se sivjet do të xhirojë një film për Gavrilo Principin. – Një tjetër boshnjak, shkrimtari Muharem Bazdulj, po ashtu (dhe ndoshta pa dashje) e ka përforcuar versionin zyrtar serb se për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore fajin e bartin vetëm të tjerët. Bazdulj botoi në numrin e 31 tetorit 2013 të revistës beogradase “Vreme” një fotografi ku shihet Adolf Hitleri para një pllake përkujtimore për nder të Gavrilo Principit. Pllaka i ishte dorëzuar Hitlerit më 20 prill 1941 – për ditëlindje. Fotografia ishte bërë në Shtabin e Përgjithshëm të Fyrerit (Führer) për Juglindje në lokalitetin Mönichkirchen të krahinës austriake Steiermark. Nga këtu Hitleri vëzhgonte marshimin e trupave të tij në Ballkan. Pllakën e kishin sjellë nga Sarajeva ushtarët nazistë pasi kishin pushtuar Jugosllavinë më 6 prill 1941. Më 17 prill, tri ditë para ditëlindjes së Hitlerit, Jugosllavia kishte kapitulluar. Në mediet serbe kjo fotografi u interpretua si dëshmi e pakontestueshme se Hitleri i ka urryer serbët për shkak të atentatit të Gavrilo Principit kundër Franz Ferdinandit. Gazeta “Veçernje novosti” botoi një tekst me titullin: “Principi shtiu edhe kundër Hitlerit”. Por, historia është më e ndërlikuar. Ose së paku jo aq e thjeshtë siç e sheh kjo fletushkë serbe.
Hitleri nuk i urrente vetëm serbët. Hitleri e urrente njerëzimin. Krimet e tij janë humnera e civilizimit. Prijësi i nazistëve nuk e sulmoi Jugosllavinë për të marrë hak për atentatin në Sarajevë kundër Franz Ferdinandit. Ai e sulmoi Jugosllavinë dhe shumë shtete të tjera, ngase synonte të pushtonte Europën dhe të kontrollonte botën. Sikur shkrimtari boshnjak, Muharem Bazdulj, ta kishte lexuar me vëmendje veprën e Hitlerit “Mein Kampf” (“Lufta ime”) ai do të kishte vërejtur se Hitleri nuk kishte mendim të mirë për Franz Ferdinandin. Duke qenë edhe vetë austriak Hitleri ankohej për “çekizmin” e Austrisë nga dinastia e Habsburgasve dhe për këtë e akuzonte sidomos Franz Ferdinandin, familja e të cilit, sipas Hitlerit, fliste “tashmë vetëm çekisht”. Hitleri nuk e fshihte gëzimin që “miku më i madh i sllavëve” (Franz Ferdinandi) u vra “nga plumbat e fanatikëve sllavë”. Ndoshta Bazdulj e ka lexuar librin “Somnambulët. Si u përplas Europa në Luftën e Parë Botërore” të historianit australian, Christopher Clark. Në këtë vepër, e cila qe dy vjet është duke bërë bujë jo vetëm në botën shkencore anglo-saksone, gjermane dhe frankofone, Clark, i cili ligjëron në Cambridge, e përshkruan Franz Ferdinandin si mbështetës të sllavëve në kuadër të Perandorisë Austro-Hungareze. Ai ishte kundërshtar i aventurave agresive, kundërshtar i aneksimit të Bosnjës, kundërshtar i luftës kundër Serbisë. Ndoshta mediet serbe, bashkë me Emir Kusturicën dhe Muharem Bazduljin, i dinë të gjitha këto dhe prapë preferojnë të bëjnë pak propagandë, siç e kërkon politika ditore. Në Serbi prej muajsh është duke u zhvilluar një fushatë kundër librit “Somnambulët”. Autori Christopher Clark akuzohet se e ka fajësuar Serbinë si shkaktare të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Në këtë debat është kyçur edhe presidenti i Serbisë dhe ish-administratori i varrezave në Kragujevc, Tomislav Nikoliq, i cili deri më tani nuk është shquar si njohës kompetent i historisë. Nikoliq ka deklaruar se Serbia do të kundërshtojë të gjithë ata që tentojnë të revizionojnë historinë.
Christopher Clark ka arritur që me veprën e tij të vërë në dyshim tezën e profesorit gjerman, Fritz Fischer, i cili para gjysmë shekulli fajin për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore ua kishte ngarkuar kryesisht vetëm gjermanëve. Clark nënvizon se fuqitë e mëdha europiane rrëshqitën në luftë si somnambulë, si njerëz që çohen jerm. Në këtë rrëshqitje një rol të palavdishëm luajti edhe Serbia. Pas pushtimit të Kosovës dhe Maqedonisë më 1912 Serbia shfaqi ambicie për gllabërimin edhe të Bosnjë-Hercegovinës, e cila më 1908 ishte aneksuar nga Perandoria Austro-Hungareze. Për të arritur këtë qëllim Serbia mbështeti grupe terroriste në Bosnjë dhe i pajisi ato me armë dhe municion. Pasi kishin kaluar lumin Drina dhe kishin dalë në Bosnjë atentatorët e ardhshëm (Gavrilo Princip dhe shokët e tij) ranë në kontakt me një mësues, i cili i çoi ata në shtëpinë e bujkut Mitar Keroviq. Mësuesi ishte vëllai i Vaso Çubrilloviqit, i cili po ashtu ishte pjesë e grupit që përgatiste atentatin në Sarajevë. Më vonë Çubrilloviq do të bëhej ideolog i shovinizmit serbomadh dhe përmes një memorandumi do të propozonte shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës. Kur mësuesi Çubrilloviq (vëllai i Vasos) i kishte sjellë atentatorët te familja Keroviq, ai – i nxehur nga disa gota shlivovicë, që i kishte pirë gjatë rrugës – kishte thënë: “Këta studentë i kanë zemrat e fuqishme. Ata po shkojnë të vrasin Franz Ferdinandin nëse ai vjen në Sarajevë”. Clark dëshmon në librin e tij po ashtu se Dragutin Dimitrijeviq, shef i shërbimit sekret ushtarak të Serbisë, ka qenë njëri prej protagonistëve kyç gjatë organizimit të komplotit kundër Franz Ferdinandit. Reagimet agresive të palës serbe kundër rezultateve të reja të hulumtimeve shkencore në botën perëndimore nuk janë aq të befasishme. Historia e Serbisë është e ndërtuar kryesisht me mite dhe me zmadhimin e rolit të këtij vendi në politikën botërore. Me gjasë 100-vjetori i Luftës së Parë Botërore nuk do të ndryshojë asgjë në këtë interpretim. Përkundrazi, me ndërtimin e përmendores së vrasësit Gavrilo Princip Serbia i mbetet besnike shikimit të njëanshëm të historisë.
*KOHA DITORE
gjera te tilla te vogla iu lejohen atyre qe…shpiken lugen
sido qe te mendojme per serbet duhet te pranojme nje gje.
Gavrillo Princip qe nje adoleshent idealist, qe ndryshe nga ata qe e i dhane revolen bomben edhe ampulen me cianur te skaduar, shkoi te vdiste duke i dhene nje mesazh te gjitha atyre qe e quanin veten fuqite e medha: te rinin larg nga ballkani.
sa per luften dihet se kush e nisi autrohungaria dhe kajzer vilhelmi qe hodhi poshte politiken e tavolines se bismarkut se mendoi qe helmeta e vet do i bente me shume pune.
mos i bini me qafe hitlerit edhe shume mo ja lepini bythen, po te qe ne dore te tije asnje muhamet apo suljeman nuk do kishte ketej dardaneleve.
Ajo qe me ngjiti ne kete shkrim, pervec te tjerave,eshte se Hitleri paska qene nje njeri qe urrente njerezimin. Pikerisht ky fakt, me kujton dhe me ngjason me nje tjeter njeri qe quhet Sali Berisha!
Ky gazetar “serioz” nga Kosova ka goje dhe flet per Beogradin.
Vetem shqiptar patetik mund te flasin ne kete menyre per Beogradin.
Ne Beograd nuk shikon asnje ndertese te larte, ka parqe te lira, ka gjelberim, brigjet e lumit jane te lira etj.
Cdo qytet i Shqiperise dhe i Kosoves, ashtu si u katandisen me ndertimet kaotike dhe te paligjshme, eshte nje mut para Beogradit.