Në Bruksel sot po vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Temë diskutimesh pritet të jetë çështja e gjykatave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Në takimin e 27 janarit, palët nuk arritën pajtim për këtë çështje, meqë, Prishtina ngulë këmbë që në përgjegjësinë e Gjykatës themelore në Mitrovicë, bashkë me katër komunat me shumicë serbe, të përshihen edhe tri komuna me shumicë shqiptare.
Për Beogradin kjo është e papranueshme sepse siç thuhet “me këtë dëmtohet përfaqësimi sipas strukturës etnike për të cilën është rënë dakord më herët”.
Para udhëtimit për në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shfaqi besimin se do të gjendet një zgjidhje për çështjet e sistemit të drejtësisë në veri në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në tryezën e diskutimeve pritet të jetë edhe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili pritet të krijohet pas përfundimit të ciklit zgjedhor për pushtetin komunale në veri.
Më 23 shkurt, në veriun e Mitrovicës do të mbahen votimet për kryetarin e kësaj komune.
Tash për tash është e paqartë se si do të vazhdojnë bisedimet, pas takimit të sotëm, meqë Kosova këtë vit pritet të mbaje zgjedhjet parlamentare, ndërsa Serbia më 16 mars mban zgjedhje të parakohshme. Të dy kryeministrat kanë shfaqur besimin se procesi i bisedimeve nuk do të pësojë për shkak të zgjedhjeve.
Temë e diskutimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është nëse do të mbahen zgjedhjet e Serbisë edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Të hënën, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i tha Zërit të Amerikës se këto zgjedhje “mund të organizohen nga një mekanizëm ndërkombëtar ose BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës. Do të respektohet kushtetuta dhe ligjet e Kosovës mbi të drejtën e dy shtetësisë, por jo organizimi i zgjedhjeve nga Beogradi në Kosovë”./VOA