Na ndihmoni për një Shqipëri më të pastër

17 Shkurt 2014, 17:49Blog TEMA

Nga Aleksandër Çala

 

Ka disa fundjava që po punohet intensivisht për pastrimin e rrugëve kryesore nga plehrat dhe papastërtitë, në kuadër të aksionit kombëtar për një Shqipëri të pastër, e janë realizuar pastrimet e qindra kilometrave rrugë dhe lëvizja për në vend grumbullime e mijëra ton mbeturinave.

Forcat e Armatosura janë angazhuar seriozisht me personel e mjete të shumta në këtë aksion të rëndësishëm kombëtar. Nga ato që janë realizuar deri tani, të pasqyruara në pamjet e kronikave të pakta televizive, por të përjetuara personalisht në dy javët e para të aksionit, rezultatet janë vërtet mbresëlënëse. Ka ndryshuar për mirë pamja e akseve dhe rrugëve kryesore të gati gjysmës së Shqipërisë e kjo falë përkushtimit e seriozitetit me të cilin i kryejnë detyrat qytetarët me uniformë. Në ato që kemi parë e përjetuar këto dy javë duket se kjo punë e detyrë qenka vetëm për forcat e armatosura kurse për të tjerët vetëm për të parë e shijuar rezultatet, apo për t’iu bashkangjitur aksionit ditën e fundit kur të bëhen konkluzionet e ndahen meritat. Për të realizuar me sukses këtë aksion të madh, që u shërben të gjithë shqiptarëve duhet dhe kontributi apo ndihma e të gjithëve. Prandaj sot, me drejtën që më jep pjesëmarrja aktive në aksion kërkoj:

Ndihmo dhe ti përfaqësues i pushtetit vendor. Bëja fora dhe dil në punë edhe të shtunën, të paktën takoi dhe falenderoi ata që po punojnë për të ndrequr atë që ti se ke bërë dhe vazhdon të mos e bësh mirë. Ndihmo duke u kërkuar llogari inspektorëve të tu të mjedisit, që pasi pinë kafe në lokalet e shumta që ushtrojnë aktivitet në njësitë që administroni ju, të thonë edhe ndonjë llaf po patën mundësi, dhe pa prishur muhabet edhe për plehrat pranë lokaleve.

Vendosni edhe disa kazanë e kosha më shumë për mbledhjen e mbeturinave që ne të mos justifikohemi që janë larg apo nuk ka.

Ndihmo edhe ti drejtues i OJQ që nuk të zë gjumi i natës për mjedisin e natyrën shqiptare, jo me punë konkrete për të mbledhur plehrat, se këtë s`e ke bërë kurrë, por të paktën me një konferencë shtypi për mediat se ato i ke merak dhe ua ke marrë dorën, ku të sensibilizoni njerëzit e qejfit e drejtuesit e mjeteve, që të paktën të ndryshojnë destinacion dhe të shkojnë për të pushuar e relaksuar në ato vende ku ka përfunduar pastrimi. Ju mund dhe të kontriboni dhe me mënyra të tjera, por ato janë të lodhshme qe kërkojnë dhe fonde, por ato u duhen e nuk u dalin as për vete.

Ndihmo edhe ti pronar i medias kombëtare apo lokale duke ndjekur dhe pasqyruar më mirë punën e madhe që bëjnë njerëzit me uniformë në këtë aksion të rëndësishëm. Sensibilizo më shumë opinionin për rëndësinë e kësaj pune.

Ndihmo edhe ti pronar i lokalit buzë rruge, të paktën duke mos e mbyllur me çelës banjën, që ata djem e vajza me uniformë të kenë mundësinë të kryejnë nevojat personale pa u detyruar që të marrin kafe e ujë duke të bërë xhiron që ti t’u hapësh banjën. Ndihmo duke mos u ngritur çmimin e kafes që ulen të pinë, të lodhur pasi të kanë pastruar edhe mbeturinat e biznesit tënd (si në Shkodër, ku e paguan kafen 150 lek të reja) por si shqiptar i mirë jepua falas atë kafe, se nuk do të nxjerrin nga kriza ato dhjetë kafe që pinë ata që të pastruan e ta bënë të këndshëm ambientin e lokalit.

Ndihmo edhe ti biznesmen që prodhon e tregton ujë të pijshëm apo pije freskuese duke u dhuruar në kulmin e punës një shishe plotë, se shishet bosh të biznesit tënd po pastrojnë. Duke bërë këtë dhuratë ke bërë dhe promovimin e prodhimit të biznesit tënd.

Ndihmo edhe ti pronar apo menaxher i supermarketit duke u çuar qese e doreza për të pastruar, që pasi i kanë mbushur të gjitha ato që kishin planifikuar me plehrat e shumta nga mbetjet e prodhimeve që ju keni tregtuar, të mos detyrohen të blejnë me lekët e xhepit qese e doreza për pjesën e mbetur të punës.

Ndihmo edhe ti punonjës i Policisë Rrugore duke u siguruar jetën nga të çmendurit në timon. Lëre sot aksionin për vjeljen e gjobave, se atë e bën edhe ditët e tjera, por merr pjesë edhe ti në aksion, duke vendosur rregull e kufizim shpejtësie për mjetet që ecin si të çmendura në rrugën që po pastrohet dhe sigurohu të paktën jetën nga aksidentet.

Ndihmo edhe ti drejtues mjeti duke zbatuar rregullat e qarkullimit e duke ulur shpejtësinë kur kalon pranë tyre. Mbylle xhamin e makinës e mos u lësho romuze se “erdhi koha e Enverit”, se shumica e atyre vajzave e djemve me uniformë që pastrojnë paketat e kanoçet e boshatisura të pijeve energjike që konsumon e hedh nga dritaret e makinave, kanë lindur mbasi kishte vdekur ai që njihni ju.

Ndihmo edhe ti mësues e nxënës. Pasi e mbaron qesen me fara kungulli, lule dielli apo patatina mos e hidh në tokë, por të paktën merre mundimin e çoje deri tek koshi i plehrave që ta mbajmë të pastër këtë pjesë që kemi pastruar.

Ndihmo edhe ti qytetar shqiptar, që pasi kalon pikën doganore e vjen në Shqipëri i harron të gjitha rregullat që ke mësuar e zbatuar në Europë dhe lëshon e hedh pa rregull dhe doganë të gjitha mbeturinat.

Ja, kështu, duke ndihmuar të gjithë, me ato mundësi që kemi, se plehrat kësaj here do të na i pastrojnë Forcat e Armatosura, mbase do të arrijmë që të kemi një ambient sa më të pastër dhe një Shqipëri sa më të bukur.

7 komente në “Na ndihmoni për një Shqipëri më të pastër”

  1. RAMO says:

    Shume shume e bukur!!

  2. realisti says:

    Forcat e Armatosura kane marre fund si ushtri e armatosur me arme. Armet e zjarrit i kane kthye ne lopata e thase mbeturinash. Ushtri kot!
    Nuk i kane as 50 tanke per parada ushtarake.

    1. vlora says:

      Nuk jam dakort me ty, qe paske dhe emrin “Realist”, F.Armatosura jane i vetmi institucion me standarte perndimore, anetare te NATOS dhe marrin pjes si te barabart me ushtrit e tjera ne operacione luftarake jashte vendit.Shqiperia ka aq ushtri sa i duhet, e cila pasi bene dhe punen e saj na pastron dhe plehrat. Te pakten per kete ti themi Faleminderit.

  3. vlora says:

    Shkrimi sh.i bukur.Forcat e Armatosura sh.mire qe po e bejne kete pune,te pakten ka nje strukture qe punon per kete vend.Ju mirepresim ne Vlore.

  4. Tirana says:

    I përgëzoj Forcat e Armatosura për këtë nismë, por duhet të jemi ne të gjithë qytetarët nga Jugu në veri,përkrah tyre në këtë inisiativë.Duke ditur që jemi pikërisht ne shkaktarët kryesorë të kësajë gjëndjeje papastërtie në vend, e për rrjedhojë vetëm Forcat e Armatosura nuk do të mjaftonin.

  5. Anti kinez says:

    O (realist) plehra po clidhje ka ajo qe ke shkruaj me ate qe po bejne FA o debil?

  6. Pelasgian says:

    shife se sa ju rruhet shqipkarave per ambjentin …kur bohet fjale per thashetheme apo pune fesh mblidhen si miza n’mut …kur bohet fjale per probleme REALE dhe per te MIREN E VENDIT TONE ( DHE NATYRISHT PER TE MIREN E TYRE ) ….si gjithmon JAN INDIFERENT . me pak fjale ,,,rrace MUTI DHE NE MUT NEJSHIN TAN JETEN .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje