Ka nisur çmontimi i regjimit

15 Shkurt 2014, 21:45Blog TEMA

Dorëheqjet zinxhirë që nga rektori deri tek menaxhmenti i universitetit publik të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë dëshmi se lëvizja e rezistencës civile (studentët dhe qytetarët e bashkuar) po i jep rezultatet e para në kahun e duhur: po nis çmontimi i regjimit

Nga Halil Matoshi

 

Dhe i shihni tashti sa nervozë që janë eksponentët më tipikë të këtij regjimi të më të ligjve, që shfryjnë e përjargen me gjuhë raciste në mësymjen e fundit për ta instaluar mendësinë e turmave (populizmin) në diskurset publike në Kosovë.

E kjo frymë psikosomatike e kohës rëndom shpie në një holokaust të ri për t’ua mohuar të drejtat qytetare atyre që mendojnë ndryshe ose perceptohen të ndryshëm nga ky regjim kakistokratik.

Kështjella e fortifikuar e regjimit po dridhet nga themeli…

Në ndryshimin e këtij realiteti të zymtë, prijatar ishte një grup i vogël studentësh, media e pavarur dhe pjesëtarët e indinjuar të shoqërisë civile, por që shumë shpejt fituan simpatinë e shtresave të mëdha shoqërore dhe ia dolën.

Pra, në këtë përplasje qytetare dihen fituesit dhe humbësit.

Humbësit e mëdhenj natyrisht se janë falangat (milicitë) partiake të PDK-së, që janë instaluar në të gjitha segmentet e shtetit, pra edhe në UP, me detyrë që ta realizojnë platformën e PDK-së për t’u ngritur në “parti akademikësh” dhe për të dalë nga kompleksi i inferioritetit, ngase që pas luftës e këtej, LDK-ja ishte partia që veten e cilësonte si “parti akademikësh”, ndërsa PDK-ja ashiqare e vuante kompleksin e vlerës më të ulët në aspektin arsimor dhe me prejardhje rurale.

Në këtë platformë ishin përfshirë profesorë abuzivë (që nga rektori i parë vendor i pasluftës e këtej), me fare pak përjashtime, ngase shumica prej tyre janë ngritur në pozita sipas spirales së paaftësisë.

Ata e kishin marrë detyrimin që t’i pajisnin me diploma e tituj akademikë (master e doktorata) militantët e PDK-së, ndonëse me këtë hez kishin përfituar edhe zyrtarë të partive tjera, si AAK-ja dhe më rrallë ata të LDK-së!?

Mirëpo, si rëndom, shpirtrat e ligj janë në Qeveri.

Po ashtu, frenuesit e progresit në UP rrinë e bëjnë seri në Presidencën e vendit, kurse duartrokitësit e paguar (shumica parlamentare) përgjumen në Kuvendin e Republikës.

Kur po ngrihej tërë shoqëria, Qeveria e Hashim Thaçit (ministrat dhe zëvendësministrat) dhe Atifete Jahjaga u përpoqën që ta mbronin kështjellën e regjimit, UP-në, duke e fortifikuar edhe më, me deklarata staliniste, duke injoruar vlimet shoqërore dhe duke e luajtur keq rolin e gardianëve të mendësisë kriminale, zaptuese; së këndejmi këto dy instanca mbetën gardianët e fundit të korruptimit të dijes dhe gjithçkaje tjetër në UP.

Mirëpo, studentët e brumosur me idetë e lirisë si dhe disa profesorë me ndërgjegje të lartë profesionale dhe etike e me edukim qytetar, mediet e pavarura dhe shoqëria civile, ideja e një Universiteti autonom e të lirë – jashtë ndikimit të pushtetit po – merr udhë të mbarë.

Prandaj, kësaj here duket se po mbizotëron arsyeja në vend të ekstremizmit dhe fanatizmit politik.

Liria e secilit qytetar, për të folur e për t’u shprehur, për asociim dhe protestë, garantohet me Kushtetutë, prandaj është rrëqethës fakti se dikush hapur del në publik dhe ia mohon këtë të drejtë akëcilit qytetar. Në kontekstin e këtyre të drejtave, alamet profesorësh e politikanësh, u shprehën hapur se disa qytetarë kosovarë i paskëshin humbur të drejtat qytetare, sepse kanë pasur bindjet e tyre politike dhe i kanë shprehur publikisht, ose paskëshin prejardhje të përzier etnike. Dhe nisur nga kjo rrethanë, atyre u dashka suspenduar të drejtat qytetare – gjë që askush normal në këtë vend – nuk kërkon as për puro-serbët!?

Sepse kërkesa për privimin e qytetarëve serbë nga të drejtat e ligjshme e të garantuara sipas konstitucionit të vendit do të ishte qartë fashizëm!

Në këtë shoqëri që po e vuan simptomën e degjenerimit dhe kalbëzimit ende ka gardianë të regjimit, mbeturina të fundit të stalinizmit.

Tronditjen dhe trandjen nuk e pëlqyen as hyzmeqarë medialë të kakistokracisë kosovare, në këtë rast, seç e ndërlidhën aksionin e studentëve, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve me një puç fantom të vitit 2011, një fabrikim ky i SHIK-ut dhe i kryeministrit Thaçi, sepse asnjë formë puçi kurrë nuk është menduar dhe kurrë nuk është nisur në Kosovë, porse ishte thjesht pjellë e paranojës së oborrit.

Madje kosovarët janë të parët në Europën Juglindore për nga besnikëria dhe lojaliteti ndaj shtetit. Këtë e thonë sondazhet dhe studimet empirike.

Ndërlidhja që ia bëri një proteste të ligjshme me një kinse puç, një televizion kosovar nuk meriton më shumë se sa të gjuhet me rollne të letrës së tualetit.

Bash qysh nuk meritonin më ndryshe gardianët e PDK-së të barrikaduar në Rektoratin e UP-së.

Kur protestuesit hidhnin rollne letre tualeti në drejtim të ruajtësve të rendit, kjo aspak nuk ishte poshtëruese për ta, por simbolikisht ishte poshtërim për ata që e kanë kapur këtë institucion.

Nëse “revolucioni i letrës së tualetit” pati sukses, kjo dëshmon se shoqëria kosovare po zgjohet dhe po i hyn pastrimit (tualetit) të institucioneve të pista në vend.

Dhe nëse vërtet kjo protestë është përjetuar nga gardianët e regjimit si goditje, atëherë s’na mbetet tjetër pos të lutemi që të jetë përfundimtarja!?

Sepse ngritje zëri dhe aksione civile kundër vdirjes dhe sëmundjes së shoqërisë dhe kapjes së shtetit nga një parti, cilado që të jetë ajo, do të ketë gjithnjë, sa të rrojë demokracia në këtë truall.

Universiteti i Prishtinës nuk është më ai që ishte – po çmontohen kaçavidat e kësaj kështjelle të fortifikuar e të zaptuar nga milicia partiake e PDK-së.

Stafi akademik, ata më impotentët në fushë të dijes mbrohen ende duke e thirrur në ndihmë patriotizmin arkaik, se kinse po e mbrojnë shtetin!?

E nga kush po e mbrojtkan shtetin këta bastardë?

Nga studentët dhe qytetarët e vetëdijesuar!?

Apo nga fantazmat që janë pjellë vetëm e mendjeve kriminale dhe dogmatike!?

Tashmë, që nga paslufta e këtej një armatë kinse profesorësh e asistentësh, me diploma e tituj të falsifikuar e përmes plagjiaturës janë hedhur në aksion duke spiunuar në favor të SHIK-ut dhe duke aplauduar për “Shefin e madh”, e si kundërvlerë kanë marrë patundshmëri e avancime të paligjshme, poste etj.

Mirëpo ky poltronizëm e konformizëm i tmerrshëm flet para së gjithash për vetë ata që bëhen vegla qorre të pushtetit nga sindroma e persekutimit simbolik (frikësimit) dhe fobisë ndaj tjetrit/armikut.

Nga frika se me çmontimin e regjimit mund të humbin shumëçka. Dikush pronën e dikush postin. E qe besa shumëkush edhe titullin shkencor!?

Kësisoj edhe rezistenca e tyre është e madhe.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës nuk është palë në këtë konflikt, madje ata duket qartë se nuk janë të vullnetshëm në detyrat e tyre, u shmangen akteve të dhunës brutale dhe sjelljeve arrogante, të vetëdijshëm se janë të përdorur prej regjimit. Policia e Kosovës nuk po shfaqin urrejtje ndaj studentëve dhe qytetarëve, madje thellë në ndërgjegje ata kanë simpati për protestuesit. Atyre nuk u shfaqen shenja të urrejtjes në fytyrë siç u duken qartë këto damka

politikanëve. Ata janë të varfrit e kësaj shoqërie, të pakënaqur, por të heshtur…

Prandaj mos i bëni të urrejnë!

E krejt në fund ende në sistemin e krimbur të drejtësisë mund të dalë ndonjë prokurore e lodhët dhe të kërkojë masë arresti për qytetarët që e realizuan një të drejtë të garantuar me Kushtetutë, të drejtën e asociimit dhe të protestës.

Dikush edhe nuk mund ta besojë: Ka nisur demontimi i SHIK-ut dhe i strukturave paramilitare e kleptokratike brenda UP-së.

Dhe ky lajm, pas arrestimit nga EULEX-i të Ivanoviqit, Delibashiqit për krime lufte, si dhe kapobandës Ukë Rugova, është ndër lajmet më të mira të vitit 2014 që i ka ndodhur Kosovës.

E tash, të zënë në panik, se mos po u demontohen levat e strukturave të krimit, racistë të rinj e të moçëm shfryjnë përplot urrejtje kundër atyre që guxuan!?

Aq rëndë e kanë përjetuar dorëheqjen e njeriut (njerëzve) të tyre nga kreu i Universitetit, saqë po e barasvlerësojnë me një humbje historike të përmasave epike. UP-ja ishte njëra nga levat e rëndësishme ku regjimi e kishte mbështetur fuqinë e vet, dhe tashti kur këtij zinxhiri kriminal po i bien hallkat ndihen të shastisur.

Ideja se po u rrëshqet pushteti nga duart po u sillet si gogol nëpër mendjet e tyre kriminale.

Në UP është çelur Kutia e Pandorës dhe njerëzve aty u është çelur goja.

Por për të ardhur deri te kjo, doni të besoni apo jo, dikush, kushdo qoftë i guximshëm dhe qytetarisht i edukuar, është dashur që të sakrifikohet për t’u bërë zëdhënës i atyre që s’kishin zë, studentëve me shpirt të parobëruar dhe profesorëve të zotë, të cilët duan dhe mund t’ia dalin që ta rimendojnë një Universitet normal, jo një makineri për shpëlarje truri e parash. UP-ja duhet rimenduar jo si konkurrent për pushtet, por konkurrent në dije, me universitetet botërore. Kaq.

Lëvizja e rezistencës në Kosovë po i jep frytet e para. Studentët dhe profesorët që e kanë mbijetuar regjimin pa u lakuar, duhet të vetëdijesohen dhe ta marrin UP-në në duart e tyre.

E me këtë hov duhet t’i qesin n’sokak partitë politike dhe organizatat studentore që shërbejnë si satelitë të tyre. Sepse UP-ja është shkollë e popullit dhe mbahet nga taksat e tyre.

UP-ja është shkollë për të varfrit, për bijtë e bijat e pensionistëve që jetojnë me një lëmoshë qeveritare, për bijtë dhe bijat e mësuesve dhe arsimtarëve që jetojnë në prag të varfërisë, në shkallë të një page minimale të Kosovës…

UP-ja është shkollë e invalidëve dhe e veteranëve të luftës e punës, viktimave civile të luftës, administratës, punëtorëve e minatorëve. UP-ja është shkollë ku mund të shkollohen bijtë dhe bijat e policëve.

Sepse fëmijët e politikanëve të korruptuar, dhe të klasës së pasanikëve të rinj kosovarë studiojnë në universitete të shtrenjta private brenda dhe jashtë vendit.

Prandaj, studentët e UP-së, të bashkuar me profesorët e denjë të tyre, e të mbështetur nga shoqëria civile dhe qytetarët duhet ta marrin shtruar këtë punë, bash sikur më 1968, kur shquhej parulla: “Të jemi realistë – ta bëjmë të pamundshmen!”

Ata duhet të indinjohen në kontinuitet dhe të ngrihen kundër çfarëdo padrejtësie dhe kundër secilit që është ngritur mbi ligjin..

Sepse problemi nuk është zgjidhur, jo së paku pa krijimin e një komisioni të përhershëm ndërakademik, një komisioni profesionistësh të vërtetë, që do t’i verifikojë të gjithë titujt, temat e masterit dhe disertacionet e doktoratave, publikimet shkencore, mënyrat e avancimit dhe ngritjes në poste të larta brenda UP-së. Vetëm kështu, qytetaria do të jetë krenare që po ndërton një universitet të lirë e të dinjitetshëm në një shtet të së drejtës dhe të drejtë.

Vetëm kështu ka kuptim liria e Kosovës, për të cilën janë flijuar shumë breza.

Studentët duhet të ngrihen me sens për drejtësi për të gjithë, madje nesër edhe për këta racistë të ligj të sotshëm.

Studentët duhet ta ndryshojnë këtë mendësi raciste, e kleptokratike, ata duhet thjesht t’ua bojkotojnë ligjëratat racistëve e falsifikatorëve, plagjiatorëve e spiunëve të milicive sekrete të partive politike.

Përndryshe e sotshmja dhe e nesërmja e tyre do të jetë një jetë prej robërish. Një jetë prej të varfrish, fëmijët e të cilëve, në të ardhmen, sërish do të përplasen me hajdutë…

Këta falsifikatorë e hajna, këta matrapazë me dije e tituj shkencorë, duke u fshehur prapa patriotizmit e flamujve duhet të përgjigjen edhe penalisht.

Porse, studentët dhe profesorët racionalë duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ngase nuk duhet përjashtuar mundësia që sërish struktura tjera politike e parapolitike, të proveniencës dogmatike dhe ideologjike, do t’i vërsulen sërish UP-së, me ta marrë pushtetin politik.

Nisur nga historia e këtij Universiteti, droja ime është legjitime.

*KOHA DITORE

4 komente në “Ka nisur çmontimi i regjimit”

  1. Flm Matosh says:

    Me dhe nje gezim te madh Matosh, te falenderoj shume per infon!
    Thu Matosh: – ‘studentët e UP-së, të bashkuar me profesorët e denjë të tyre,
    e të mbështetur nga shoqëria civile dhe qytetarët
    duhet ta marrin shtruar këtë punë, bash sikur më 1968,
    kur shquhej parulla: “Të jemi realistë – ta bëjmë të pamundshmen’
    -‘ ta ndryshojnë këtë mendësi raciste, e kleptokratike,
    t’ua bojkotojnë ligjëratat racistëve e falsifikatorëve, plagjiatorëve e
    spiunëve të milicive sekrete të partive politike.
    Përndryshe
    e sotshmja
    dhe e nesërmja e tyre
    do të jetë
    një jetë prej robërish.
    e
    fëmijët e tyre do të përplasen gjithnji me …
    Mostrat matrapaze me tituj shkencorë
    …. fshehur prapa patriotizmit e flamujve…’

    Po Matosh, Liria fitohet me mend & sakrifica, forca PRIShTiNA
    te marre shembull TIRANA !. Paç gezim & nder, Matosh, Tirona.
    Shqiperia!

    1. Axhimi says:

      Halili sdi asgje nga historia e Universitetit tr Prishtinës.

  2. Drenicak says:

    Halil e di qe nuk tregon arsyen pse ju ke vardis serbofilve nuk pi muj me besu nga nje ish nacionalist e tash me nipa te Serbve me te njejtn kauz.

  3. ali says:

    Vetem militantet e Sales qe kane kapur pushtetin nuk vetedorehiqen por iu jane qepur kolltuqeve shteterore
    per te punuar nen rrogoz per llogari te bandes se Sali Vicidolit . Intelektualet kosovare jane te ndergjegjshem
    se duhet te lene karriket !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje