Dy krisma në Sarajevë

14 Shkurt 2014, 20:16Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Një vizitë verore në Sarajevë e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franz Ferdinand dhe bashkëshortes së tij Sophie përfundoi me vrasjen e të dyve më 28 qershor 1914. Një muaj më vonë flota danubiane e Perandorisë hapi zjarr kundër Beogradit. Një biografi e re e Franz Ferdinandit sjell hollësi mbi rrethanat e atentatit me pasoja të mëdha

 

1. Shallet e mëndafshit dhe gajle të tjera

Në fund të qershorit të vitit 1914, qytetarët e Vjenës bënin plane për pushtimet verore. Shtëpitë e mallrave reklamonin në gazeta shalle mëndafshi dhe rroba të tjera. Shoqata e sigurimeve “Germania” ofronte “sigurim jetësor”, i cili mbulonte edhe rreziqet e udhëtimit në zona lufte dhe në çdo kënd të botës. Gazeta “Neue Freie Presse” njoftonte mbi planet për pushime të familjes perandorake të Habsburgëve. Trashëgimtari i fronit Franz Ferdinandi e kishte ndërmend që verën ta kalonte në kështjellën Blühnbach afër Salzburgut. Fundjavën e parafundit të qershorit Ferdinandi, një gjuetar i pasionuar, e kishte kaluar me familjen e tij në Chlumetz të Çekisë së sotme, e cila atëbotë i takonte Perandorisë Austro-Hungareze. Gjatë një shëtitjeje nëpër malet e Chlumetzit trashëgimtari i fronit thuhet se kishte shkrepur plumbin e tij të fundit – kundër një maceje. Një javë më vonë gazetat do të dilnin me edicione speciale ku bënin të ditur se në Sarajevë ishte vrarë Ferdinandi dhe bashkëshortja e tij Sophie.

 

2. Disa shenja

Çifti ishte nisur ndaras drejt Sarajevës. Sophie udhëtoi me tren përmes Budapestit drejt Ilixhës afër Sarajvës. Ferdinandi, ndërkaq, shkoi me tren në Trieste, ku hipi në anijen më moderne të marinës austriake “Viribus Unitis” (“Me forca të bashkuara”) dhe vazhdoi lundrimin drejt Metkoviqit, një qytet bregdetar kroat, ku derdhet lumi Neretva, i cili buron në Bosnjë. Sebep i udhëtimit ishin manovrat ushtarake vjetore që atë vit do të mbaheshin në Bosnjë. Trashëgimtari i fronit ishte inspektor i përgjithshëm dhe kishte obligim t’i mbikëqyrë manovrat. Disa vaki gjatë udhëtimit më vonë janë parë si shenja paralajmëruese të tragjedisë: para nisjes nga Chlumetzi vagoni me sallon i Ferdinandit ishte nxehur dhe vartësit e tij qenë të detyruar ta heqin nga kompozicioni i trenit, pastaj gjatë udhëtimit drejt Triestes u ndal rryma në vagonin me sallon dhe për të bërë dritë u ndezën qirinj. Ferdinandi kishte bërë shaka me shefin e kabinetit të tij: “Çka mendoni për këtë ndriçim? Si në varr apo jo?” Disa javë para udhëtimit ai thuhet se hapur kishte folur për rrezikun: “E di që plumbi për mua tashmë është shkrirë, por obligimi më thërret të shkoj në Bosnjë”.

 

3. Dita e atentatit

Ishte parashikuar që më 28 qershor, pas përfundimit të suksesshëm të manovrave, çifti të bënte një shëtitje nëpër Sarajevë. Në biografinë e Franz Ferdinandit të shkruar nga historiania Alma Hanning dhe të botuar së fundi nga shtëpia botuese austriake “Amalthea”, tregohet në detaje se ç’ndodhi atë ditë. Guvernatori austro-hungarez i Bosnjës, Oskar Potiorek, nuk kishte ndërmarrë masat e duhura të sigurisë. Ai kishte hequr dorë nga prania e ushtrisë në sigurimin e rrugëve nëpër të cilat do të lëvizte kolona e veturave me arsyetimin se dëshironte që populli të jetë sa më afër trashëgimtarit të fronit. Dita kishte filluar me një meshë. Treni special pastaj ishte nisur nga Ilixha drejt Sarajevës. Në stacionin e trenit në Sarajevë Ferdinandi dhe delegacioni i tij kishin hipur në vetura private, me të cilat do të lëviznin nëpër qytet. Trashëgimtari, shkruan Hanning, ishte veshur me uniformë të gjeneralit të kalorësisë dhe në kokë mbante një kapelë tipike të prijësit ushtarak habsburgas: një tubë puplash të papagallit. Pas vetëm 20 minutave kundër veturës së Ferdinandit u hodh një bombë, e cila rrëshqiti nga kulmi i automjetit në rrugë dhe shpërtheu nën veturën tjetër. Me atë rast u plagosën disa persona. Atentatori Nedelko Çabrinoviq kërceu në lumin Miljacka dhe u përpoq të bënte vetëvrasje. I zemëruar për shkak të sulmit trashëgimtari i fronit kishte thënë: “Vjen në Sarajevë për të bërë një vizitë dhe të hedhin bombë. Kjo është e tmerrshme”. Në këtë situatë u vendos që të ndryshohet marshuta. Për shkaqe të panjohura kjo informatë nuk iu përcoll shoferit që drejtonte veturën në krye të kolonës. Kur guvernatori Potiorek e vërejti këtë, ai urdhëroi që veturat të kthehen prapa. “Kur u ndal vetura, i riu Gavrilo Princip shtiu dy herë. Princip nuk ishte qitës i mirë: plumbi i parë qëlloi veturën, depërtoi nëpër karroceri dhe e qëlloi dukeshën (Sophie, v.j.) në nënbark. Plumbi i dytë, i cili e qëlloi trashëgimtarin e fronit në qafë, ishte një goditje nga pas e plumbit të parë. Të shtënat më tepër të pakontrolluara të Principit qëlluan organet e rëndësishme (arterien kryesore të barkut të dukeshës dhe venën e qafës të arqidukës), kështu që të dy vdiqën brenda një kohe të shkurtër”.

 

4. Vrasësit

Pas supozimeve të para se pas atentatit mund të qëndronin masonët, kryeministri hungarez apo shërbimi sekret gjerman shumë shpejt u bë e ditur se ishin arrestuar dy vrasësit: gjimnazisti Garvilo Princip dhe Nedelko Çabrinoviq, një punëtor shtypshkronje. Ata ishin anëtarë të organizatës “Mlada Bosna” (“Bosnja e re”), e cila kishte lidhje me organizatën terroriste “Crna ruka” (“Dora e zezë”), e cila komandohej nga Serbia. Ky grup angazhohej për bashkimin e Bosnjë-Hercegovinës me Serbinë. Anëtarë të “Crna ruka” ishin intelektualë nacionalistë, oficerë dhe agjentë. Në krye të këtyre aktivistëve ishte shefi i shërbimit sekret ushtarak serb, Dragutin Dimitrijeviq, i quajtur “Apis”, sipas demit të mitologjisë së Egjiptit. “Apis” kishte qenë organizatori kryesor i vrasjes bestiale të çiftit mbretëror serb Aleksandar Obrenoviq dhe Draga Mashin në vitin 1903. Njëri nga atentatorët më vonë kishte bartur në valixhen e tij një copë mishi të terur, që e kishte ndukur si trofe nga gjinjtë e Mbretëreshës Draga natën e 11 qershorit 1903. Autorja Hanning shkruan se për shkaqe taktike “Dora e zezë” kishte rekrutuar atentatorë vetëm nga territori i Monarkisë Austro-Hungareze në mënyrë që Serbia zyrtare të mos gjendej më vonë fajtore. Qëllimi i atentatit ishte që të gjithë sllavëve të jugut t’u dërgohej sinjali për të luftuar kundër Perandorisë Austro-Hungareze dhe për të themeluar një shtet të përbashkët, qëllim ky që u arrit me themelimin e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve në vitin 1918. Për shkak të propagandës që buronte nga mediet dhe nga kafehanet e Beogradit, Franz Ferdinandi perceptohej si shtypës i sllavëve. Por trashëgimtari i fronit ishte zgjedhur për t’u vrarë jo për shkak të qëndrimeve të tij armiqësore kundër pakicave sllave në Monarki, por për shkak se, sipas Gavrilo Principit, “si sundimtar i ardhshëm ai do të kishte zbatuar ide dhe reforma të caktuara, të cilat neve do të na e kishin zënë rrugën”. Në qarqet nacionaliste serbe në Beograd mbretëronte frika se Monarkia danubiane mund të reformohej dhe Zagrebi do të bëhej një lloj kryeqendre e sllavëve siç ishte Budapesti për hungarezët dhe për pasojë Serbia do ta humbte rolin si shtet prijës i sllavëve të jugut.

 

5. Lajmi bizar

Në librin e saj Alma Hanning tregon edhe një episod absurd në lidhje me lajmin për atentatin në Sarajevë: “Zyra e Reutersit lajmëroi nga Parisi në Londër: ‘Sarajevo Ferdinand Deste assassiné’. Redaktori, i cili po priste rezultatet e garës së kuajve në Paris, lajmin e ardhur e interpretoi si rezultat të vrapimit dhe shkroi këtë lajm: ‘The result of the Grand Prix in Paris this afternoon was 1. Sarajevo. 2. Ferdinand. 3. Assassiné’. Kryeredaktori e vërejti me kohë gabimin, kështu që lajmi nuk u bë publik”. – Një muaj pas atentatit, më 29 korrik 1914, flota danubiane e Perandorisë Austro-Hungareze hapi zjarr kundër Beogradit, një ditë më vonë cari rus urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm, pastaj në konflikt u përfshinë edhe shtetet e tjera të mëdha evropiane. Mbi 60 milionë ushtarë morën pjesë në këtë “orgji dhune”. Gati çdo i gjashti humbi jetën. Në pellgun e madh të gjakut të kësaj lufte gjenden 10 milionë viktima. Plagët e kësaj lufte do të kujtohen gjatë këtij viti në mënyra të ndryshme dhe jo pa kundërthënie e polemika. Ndonëse për Franz Ferdinandin janë shkruar deri më tani disa vepra (publicistike dhe letrare), biografia më e re e tij, e shkruar nga Alma Hanning, shquhet për tonin objektiv dhe për përfshirjen e gjithanshme të stacioneve jetësore të trashëgimtarit të fronit austro-hungarez.

*KOHA DITORE

2 komente në “Dy krisma në Sarajevë”

  1. duli says:

    Bukur, per kesi artikujsh kemi nevoje.

  2. mimmo says:

    Z.ENVER ROBELLI!!!Lexoj me kenaqesi gjithecka shkruani Ju!!Shkrime qe rrezatojne nivel te nalte kulturor dhe pjekuri!! JENI I MIREPRITUN GJITHMONE,JU FALENDEROJME E PRESIM TE TJERA!!!Pershnetje,MIMMO(Florida USA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje