(S)tekat e arsimit të lartë

12 Shkurt 2014, 21:03Blog TEMA

Nga Dr. Gafur Muka*

 

Këto ditë ka marrë një theks te veçantë diskursi për reformën në arsimin e lartë. Janë ndërmarrë hapa konkretë me ngritjen e komisionit të reformës, janë prononcuar e me siguri do vazhdojnë të prononcohen zëra të ndryshëm politikanësh e jo politikanësh dhe në fund do merret vendimi për ndryshime, duke shpresuar që të arrihen rezultatet e pritshme për përmirësimin e cilësisë në diplomat universitare. Personalisht nuk dua të vë në diskutim vullnetin e mirë për ta përmirësuar situatën ekzistuese, e cila për mua është shqetësuese por jo katastrofale. Dhe në këtë kuptim është e nevojshme të ndërmerren ndryshime të cilat lidhen me analizën konkrete të produkteve konkrete si të njerëzve ashtu edhe të institucioneve.

Si fazë përmbyllëse e periudhës së arsimimit në vazhdimësi, numri i pjesëmarrësve në stafetën e arsimit të lartë është ndjeshëm më i reduktuar se në stafetat e tjera. Ky reduktim është krejt i natyrshëm, ndërkohë që të larguarit nga gara gjejnë angazhime profesionale të tilla që përshtaten me aftësitë e tyre. Ata bëhen më shpejt pjesë aktive e prodhimit të vlerave të dobishme si për veten ashtu edhe për shoqërinë. Për kontingjentin që mbetet në garë shoqëria ka pritshmëri më të mëdha ndaj dhe investon që ky kontingjent t’i justifikojë sa më mirë pritshmëritë për to. Përballë këtij investimi qëndron edhe investimi i individëve të kësaj gare për të fituar dije gjithsesi të specializuara dhe me impakt më të madh në krijimin e vlerave. Edhe thjesht, paraqitja e kësaj panorame të shkurtër, shpjegon detyrimet, përkatësisht përftimet e ndërsjella midis shoqërisë dhe arsimit të lartë. Natyrisht realizimi i detyrimeve nga ana e shoqërisë lidhet dhe me angazhimin e qeverisë (detyrimisht qeverive) për të ndërmarrë dhe realizuar reforma sa më efektive për arsimin e lartë.

Mendoj se reforma e shpallur më së fundi duhet konsideruar më së pari si një reformë normale. Ajo synon rezultate në një fushë që është detyrim i të gjithë shoqërisë dhe, nga e cila do të përfitojë e gjithë shoqëria. Të gjithë elementët përbërës të arsimit të lartë- infrastruktura, kurikula, personeli dhe kontingjenti- sido që të pozicionohen tashmë-në sektorin publik apo atë privat- kërkojnë vëmendje të posaçme, posaçërisht nga institucione shtetërore e qeverisëse. Këto institucione duhet ta mbështesin vendimmarrjen e tyre jo vetëm në vullnetin e mirë por edhe në analiza të thella e gjithëpërfshirëse të arritjeve e mosarritjeve të deritanishme me synimin që nga “brumi” ekzistues të piqet “buka” me cilësinë e dëshiruar. E them këtë, se sido që të jetë vendimmarrja, ajo nuk mund të gjejë “brumë” tjetër përveç atij që është aktualisht kontingjent apo parakontingjent i arsimit të lartë. Natyrisht ndryshime më të shpejta mund të realizohen në infrastrukturë dhe personel por edhe këto, po të analizohen pa paragjykime, nuk dalin se janë vërtet problemi real i arsimit të lartë. Po t’u referohesh produkteve të Agjencisë së Akreditimit, të cilat janë të aksesueshme online, mund të fitosh një panoramë edhe të përgjithshme edhe reale lidhur me problematikën aktuale të arsimit universitar në vendit tonë. E, meqë jemi të Agjencia e Akreditimit, do të doja të jepja disa konsiderata për punën e saj. Detyra kryesore e këtij institucioni mbetet ekspertiza në plotësimin e standardeve të vendosura për të katër elementët e cituar të arsimit të lartë. Kjo ekspertizë është bërë me angazhim ekspertësh vendas, natyrisht të trajnuar nga Agjencia, sipas modeleve të simotrave të saj jashtë vendit si dhe me ekspertë të huaj (kryesisht akreditimi institucional). Produktet e këtyre ekspertëve janë afishuar në uebsajtin e Agjencisë. Kushdo që flet për cilësinë e punës së këtyre ekspertëve mund ti konsultojë këto produkte dhe, mbi bazën e referencave konkrete, mund të japë gjykimet e tij për to. Ta sulmosh punën e Agjencisë së Akreditimit do të thotë të sulmosh dhe ta dekualifikosh këtë ekspertizë. Të konkludosh që akreditimi i universiteteve ka çuar në prodhimin e diplomave pa vlerë është ta shpikësh problemin dhe jo ta gjesh atë. Në këto kushte mendoj se kërkimi dhe angazhimi i një agjencie të huaj nuk do ta zgjidhte problemin. Uroj që koha të mos më japë të drejtë.

Unë mendoj se rezultatet më të shpejta dhe njëkohësisht më cilësore lidhen me marrjen e masave për të rritur cilësinë e përzgjedhjes së kontingjentit. Është në vetë misionin e arsimit të lartë puna me një kontingjent sa më të përzgjedhur. Problemi është tek përcaktimi i kritereve. Natyrisht kriteri më i paqortueshëm do të ishte mesatarja e arritur gjatë viteve të shkollës së mesme. Në kushtet e një certifikimi të drejtë të saj edhe kontingjenti do të ishte më i orientuar në zgjedhjet e tij por edhe steka për kalimin në universitete do të vendosej më objektivisht. Për shkaqe që dihen ky kriter është i kompromentuar. Ama, duke qenë se është i paneglizhueshëm ai merret në konsideratë duke i dhënë një peshë të caktuar (nuk mendoj që sugjerimi për rritjen e peshës së saj do të jetë eficent). Për të verifikuar objektivitetin e mesatares së shkollës së mesme u krijua një stekë e re- ajo e konkursit. Në fillimet e tij u duk se zgjidhja ishte ajo e duhura. Por me kalimin e disa kontingjenteve, nën presionin për ta fituar atë me çdo çmim, edhe kjo stekë u bë krejt formale. Atëherë u kalua në provimet e maturës. Vlerësimi me dëshirë-meritë, ku merita peshohej me disa “peshore” dhe dëshira shpërfaqej në dhjetë drejtime, rezultoi efikas në kontingjentet e para por më vonë jo vetëm u prishën “peshoret” por edhe dëshirat e humbën identitetin. Edhe kjo stekë është bërë krejt formale dhe lehtësisht e kapërcyeshme aq sa zor se mbetet kontingjent pa hyrë në portën e arsimit të lartë. Po ta kemi parasysh edhe hapësirën që ka zënë arsimi i lartë privat dhe prirjen e tij të përgjithshme për ti ofruar shërbime gjithkujt që ka para (për takatin, pra njohuritë nuk e vret kush mendjen realisht) konkludohet lehtë që steka për arsimin e lartë në Shqipëri ka rënë plotësisht. E pra, sido që ta analizosh, kjo situatë nuk mund të quhet normale. Kjo e bën të domosdoshme reformën. Dhe për mendimin tim, sado e dhimbshme, kjo reformë duhet të synojë më së pari ngritjen e stekës. Steka mund të ngrihet jo vetëm duke rritur çmimin e shërbimit (drejtim që përflitet se do të sendërtohet në reformë) por edhe duke përfshirë kritere më objektive nga ato që ekzistojnë. Propozimi im në këtë aspekt do të ishte futja e provimeve të pranimit. Duke marrë në konsideratë specifikat e diplomave të studimit, siç merren aktualisht për arkitekturën, artet apo sportet etj do të sugjeroja konkretisht për fakultetet e inxhinierisë si provim pranimi provimin e matematikës. Ky provim do të frekuentohej nga i gjithë kontingjenti që ka besim në njohuritë e tij për këtë lëndë. Ai me siguri do ta dekurajonte atë kontingjent që edhe pse ka pikët e përgjithshme për pranim nuk ka “haber” nga matematika. Ai do ti dekurajonte edhe ata prindër që nuk lënë “gur” pa lëvizur që fëmija e tij të vazhdojë një studim për të cilin nuk e ka takatin. Me një përzgjedhje të tillë edhe fakultetet e inxhinierisë shpëtojnë nga sikleti për tu mësuar edhe njëherë studentëve… teoremën e Pitagorës por, edhe studentët do të komunikonin më mirë jo vetëm me pedagogët por edhe me njëri tjetrin. I njëjti standard mund të vendoset edhe për fushat e tjera të studimit duke marrë në konsideratë specifikat e tyre. E rëndësishme është që numri i provimeve të mos jetë më i madh se një, pasi kjo do të çonte në humbje identiteti e për pasojë në zhvlerësim të tyre.

Nevojë, pse jo urgjente, për reformë kanë edhe ciklet e studimeve në shkollën e lartë. Dakord që cikli bachelor do të jetë më i hapuri. Por ai duhet të jetë domosdo selektiv për ciklet mastër, sikundër këto duhet të jenë shumë selektivë për ciklin e doktoraturës. Kriteret e cilësisë për të vazhduar ciklet tej bachelorit duhet të definohen qartazi në akte ligjore e nënligjore. Është e qartë p.sh që doktorata duhet të lidhet me një projekt, ku doktoranti të krijojë e përpunojë një bazë reale të dhënash. Pa dyshim që kjo punë nuk mund të realizohet pa financime. Kudo në perëndim, barrën kryesore për këto financime e mban ekonomia, ndërkohë që tek ne ekonomia, për aq sa di unë, nuk ka financuar asnjë projekt. Në këto kushte rrezikohen rezultatet e një pune serioze dhe do të aktivizohet edhe më tej prirja për tu bërë të gjithë doktora shkencash.

Një masë tjetër reformuese do të ishte konsiderimi specifik i diplomës universitare. Në vendet e shpallura të punës nuk duhet lejuar që gjithkush që ka mbaruar një shkollë të lartë të mund të punojë kudo, pavarësisht specifikës së diplomës (le të verifikohet p.sh si përputhen diplomat me vendet e punës në dogana, polici apo dhe gjetkë). Specifikimi i diplomës duhet të bëhet detyrim ligjor, pra moszbatimi i tij duhet të penalizohet. Ne pedagogët, më shumë se kushdo tjetër e ndjejmë presionin e madh për të certifikuar dhënien e diplomës, pasi ajo i duhet studentit vetëm për të marrë, apo edhe ruajtur vendin e punës në administratë.

Natyrisht që reforma në arsimin e lartë ka shumë përmasa. Ata duhet të shqyrtohen jo thjesht në planin teorik. Situata është konkrete prandaj edhe referimet në diskursin e nisur duhet të jenë sa më konkrete.

*Fakulteti Gjeologji- Miniera

11 komente në “(S)tekat e arsimit të lartë”

  1. populli says:

    O Gafur, a e kupton se partia jote e ka shkaterruar arsimin e larte, ashtu si gjithe Shqiperine.

  2. vlora says:

    Ndalova së lexuari që tek fjalia e parë kur pashë “diskursi”.

  3. Trevori says:

    O Gafur ! Arsimi i larte me “pedagoge” si ti qe nuk ke lene vend pa e hedhur prapanicen nuk behet. Nuk di por njehere ambasador njehere “profesor” o Gaf urr nuk behet universiteti. Ma mire hesht ne strehen qe ke zene. Mend nuk ke pasur as nuk ke per pune arsimi, bile as atij fillor. Je bere profesor por je bere me ndihmen e partise ku ke djersitur, e jo se ke ndonje aftesi. Prandaj hesht. Te falla prej nje kolegu qe te njeh mire!

  4. Lisi M says:

    Shkrim dinjitoz. Dr. Muka eshte nje intelektual qe flet kur duhet dhe flet si duhet. Euforia eshte shume e demeshme dhe Dr. Muka eshte kunder euforise. Realizmi eshte i vazhdimisht i domosdoshem dhe Dr. Muka ben apel per realizem. Zeri i Dr. Mukes nuk duhet injoruar sepse Ai kurdohere ka deshmuar pergjegjeshmeri intelektuale dhe kurre nuk i ka sherbyer verberisht politikes.

  5. Lisi M says:

    Z. Trevori,
    E keni shume gabim qe shpreheni me duf dhe inate personale te pa bazuar.
    Te kesh pedagog, me vone ambasodor dhe perseri pedagog nuk eshte gje e keqe. Qenja ambasador eshte vlere e shtuar, eshte eksperience.
    Z. Trevori ju thoni se jeni nje koleg qe e njfni mire Gafurin. Ju garantoj qe Ju nuk e njifni aspak ose nuk deshironi te thoni te verteten, sepse e verteta ju vret. Gafuri qe njofim ne dhe e njofin te gjithe nuk eshte Ai qe ju shprehni ju ne dufin tuaj. Gafuri eshte profesionalisht i pergatitur, intelektualisht perendimor, moralisht i persosur dhe njerezisht i pranuar dhe i respektuar ne cdo ambjent

  6. bekimi says:

    Do te ishte gje e mrekullueshme sikur Universitetet te kishin shume pedagoge si Dr. Gafur Muka. Shqiperia do te kishte perparuar shume shpejt nese te gjithe intelektualet shqiptare do te kishin pergatitjen prefesionale dhe pekushtimin e Dr. Mukes.
    Shkrimi me ka pelqyer shume

  7. studenti says:

    Prandaj ka marre fund universiteti, se ka pedagoge si puna e Gafurrit. A ja keni lexuar tekstet. Paçavure te verteta. Te denja vetem per biznes.

  8. Ben says:

    Une e njoh Profesorin shume pak por nje gje mund ta them, profesori eshte kenaqshem ne lartesine e duhur per te ushtruar detyren e mesimdhenesit universitar. Per artikullin e sotem shikoj nje harte rruge ne te cilen duhet te bazohet nje reforme e sukseshme, ketu kemi te identifikuara qarte shtyllat mbeshtetese te nje reforme te qenesishme dhe nuk shikoj asnje prirje per ta demonizuar kete reforme dhe pse ajo vjen nga kampi politik kundershtar me kampin e Profesorit. I uroj Profesor Gafurit suksese dhe i them se njerez si ai na duhen dhe pse mund te kemi bindje te kunderta mbi politike-berjen ne vend.

  9. Studenti 3 says:

    E njihni kete Gafurin? C’ambasador ka qene o Trevor, ishte sekretar, por gjithe diten mbetej duke lepire partine demokratike dhe me hosana per Berishen. Ne qe punuam me te e njohem mire. Keta partiake nuk mund te bejne reforme ne arsim.

  10. Mali says:

    Per mua Gafuri eshte njeri realist. Ka aftesi dhe punen e Pedagogut e zoteron shume mire. Te qenurit diplomat per njefare kohe e ka ndihmuar dhe jo demtur. Pervoja te ndyshme i sherbejne shume pervojes me te cilen ka te beje profesini.

  11. Emiliano qose says:

    Eshte nje profesor i cili ka nje pergatitje shume te mire profesionale , nje intelektual i cili flet kur duhet dhe si duhet. NQS pedagoget e tjere do kishin nje shpjegim te sakte dhe te qarte si Dr Gafurr Muka niveli i studenteve do jete shume i larte ne karahasim me ate qe eshte sot .Pedagoge si Dr. Gafurr Muka na nevojiten shume.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje