Debatet parlamentare të kësaj jave për çështjen e energjisë, edhe sikur të zhvilloheshin në atmosferë normale politike, padyshim që do të priteshin me skepticizëm nga audienca, sepse shumë rrallë krahët politikë në këtë vend kanë prodhuar ndonjë debat me vlerë për t’u dëgjuar. Sigurisht, përveç gallatës dhe lezetit që ofron për të ngeshmit, ekstremizmi politik dhe përzierja e thashethemeve dhe librave të shtëpisë me temat e mëdha të ekonomisë, politikës etj. Por ndërkaq, edhe përpara këtij debati mazhoranca ua bëri nxemjen veshëve të gatshëm për të dëgjuar, lidhur me situatën energjetike të vendit. Është ngritur një komision i posaçëm Task Forcë, konstatimet e të cilit i ka mediatizuar edhe zv.kryeministri Peleshi, i cili ka nxjerrë në pah abuzimet dhe humbjet e mëdha të sistemit tonë energjetik. Sipas Peleshit, vetëm vitin e kaluar ky sistem ka regjistruar 200 milionë dollarë humbje (mes humbjeve në rrjet, abuzimeve e mospagesave), ose ndryshe është hedhur në plehra 70 përqind e prodhimit energjetik të hidrocentraleve tona.
Nëse kjo përplasje, si shumë të tjera, do të na duket e kotë dhe pa bukë, mjaft të kujtojmë atë kohë aspak të largët kur ligjin e bënte zhurma e gjeneratorëve dhe barcoletat me shqiptarët që gëzohen e bëjnë festë kur u vijnë dritat. E në këtë pikë duhet të ndalemi pak. Dimri i 2005-ës ka qenë i fundit i këtyre viteve, që shënoi ikje masive dhe të shpeshta të energjisë. Dora-dorës dhe vit pas viti, sikur u çmësuam nga kjo traditë që gati u rrënjos në psikën kombëtare. Pa i hyrë detajeve, ky çmësim me shkëputjet e rrymës, blerjet e qirinjve me shumicë, informimin e detajuar mbi gjendjen e gjeneratorit të lagjes dhe nivelin e ujrave në kaskadën e Drinit, për të cilin u bënë të gjithë specialistë, është një meritë që i duhet njohur qeverisjes së djathtë. Vuajtjet tona për dritat ndoshta i kemi harruar shpejt, por nuk duhet shumë mund për të na u kujtuar.
Duke u njohur këtë arritje qeverive Berisha, kthehemi tek pyetja: Me çfarë kostoje erdhi kjo, dhe çfarë ndodhi përgjatë rrugës? Kur kriza e parë u tejkalua, e mbajmë mend ende entuziazmin e Berishës drejt superfuqisë energjetike shqiptare, dhe atë psikozë për ngritjen e një hidrocentrali kudo ku rridhte një vijë uji. Por përtej shitblerjes së liçensave të hidrocentraleve që shqiptarët e mprehtë prej natyre e nënkuptonin, gjithkush mendoi se sikur edhe veç tre-katër vepra serioze dhe reale të ndërtoheshin pas kësaj histerie (ku nuk mungoi dhe ëndrra bërthamore), prapë mirë do të ishte. Vetëm makthi i dritave të mos përsëritet. Por pati kjo pjesë u stabilizua, dolën “në dritë” të tjera avaze: Konsumatorë që nuk paguanin, apo u jepnin çerekun në dorë faturistëve, këta të fundit që bënin namin me abuzime, të tjerë që paguanin dyfishin për llogari të fshatrave e qyteteve mospaguese etj.
Derisa erdhi privatizimi i Shpërndarjes dhe CEZ. Atëherë është thënë, por sot edhe për naivin është e qartë se bëhej fjalë për një privatizim politik: 100 milionë euro nga CEZ-i çek, në këmbim të pranimit nga presidenca çeke e BE-së, e kërkesës shqiptare për statusin e vendit kandidat. Statusin ende nuk e kemi marrë, por çekët, nga ana e tyre i nxorrën brenda pak muajve paratë e harxhuara për privatizimin, dhe pjesën tjetër të kohës së drejtimit të CEZ Shpërndarje, siç rezultoi më vonë, e shfrytëzuan për të bërë kërdinë në mbifaturime. Deri aty sa edhe vetë qeveria Berisha u rebelua nga ky oreks i paskrupullt.
Sot jemi rikthyer në fazën e akuzave dhe flakjes së shifrave drejt njëri-tjetrit. Një gjë është e sigurtë: Nga energjia del para e madhe, shumë e madhe. Gjithë puna është se në xhepat e kujt do të shkojnë këto miliona, tek arka e shtetit apo e njerëzve të pushtetit. Në kushte ideale laboratorike, një specialist i ardhur nga firifistuni do thoshte shumë thjesht: Kriza juaj zgjidhet duke paguar secili atë që harxhon, mirëmenaxhuar ujrat dhe përmirësuar rrjetin shpërndarës. Por këtij naivi ne do t’i qeshnim në fytyrë. Dhe do t’i thoshim se kemi një termocentral fringo të ri në Vlorë që ende nuk ka bërë një ditë punë se ka një defekt; se blejmë energji edhe kur shkarkojmë digat nga mbingarkesa e ujit; se shteti ua blen më parë energjinë HEC-eve private, dhe goxha më shtrenjtë, pastaj ja blen KESH-it. Dhe se, siç ka bërë vaki këto javët e fundit, për nevojat energjetike të vendit blen energji edhe KESH, që e ka për detyrë që të furnizojë CEZ-in, por blen edhe CEZ, e cila e ka blerë më shtrenjtë se KESH ndërkohë që nuk i paguan kësaj të fundit borxhet. Ja që kusuret nuk janë (vetëm) të Berishës.
*Revista KLAN