Debati në lidhje me cilësinë e edukimit, bashkë me reformat e bëra dhe ato që do të bëhen, kanë kohë që kanë përfshirë disa nivele sociale dhe kulturore, interesimin e opinionit dhe gjithë strukturat menaxhuese që merren me të, e, në mënyrë paradoksale, ka ngjallur në fakt, frikën dhe pasigurinë e atyre që marrin shërbime në edukim, frikë që shfaqet herë e ndrojtur dhe herë agresive, aq sa trysnia mbi aktorët e sistemit të edukimit është bërë jo vetëm stresuese, por shpesh bllokuese.
Përgjigje adekuate apo spontane ndaj nevojave të sistemit të edukimit
Në fakt edhe zëvendësimi i një teksti studimi me një tjetër, mund të jetë i nevojshëm dhe përbën ndryshim, por në thelb të nevojave të edukimit në ditët që jetojmë, flas për nënstrukturat apo pjesët e sistemit të shpërndarë nga qendrat drejt periferive, sidomos periferive, është rekrutimi i stafeve, të cilat kanë përvojë, kapacitete e kompetenca të afërta të nivelit mbimesatar. Më duhet të nënvizoj se tashmë opinioni publik dhe administratorët e tregut të punës kanë pranuar se kemi tejngopje të tregut me të diplomuar që janë formuar në shumë programe studimi, ku bie në sy një numër i madh të diplomuarish në fusha të mësuesisë.
Nuk kemi më “nevojë” për diploma në shkencat shoqërore?
Përgjigja e drejtpërdrejtë do të ishte se nga pikëpamja e diplomave dhe të diplomuarve në programet e shkencave sociale dhe të mësuesisë, po, ka tejngopje, ndërsa nga pikëpamja e kompetencave dhe e krijimit të punonjësve të dijes, kjo nuk ka ndodhur.
Arsyeja mendoj se ka të bëjë me politikat që janë zbatuar nga pjesa më e madhe e institucioneve të edukimit universitar dhe pasuniversitar me programe studimi në mësuesi, po jo më pak edhe me programe të tjera studimi; pikërisht është refuzuar përzgjedhja sipas meritave e studentëve që kanë ndjekur këto programe studimi. Arsyet mund të ketë shumë, por fillimisht do të veçoja karakteristikat e zhvillimit të psikikës shqiptare në funksion të ndryshimit që ofron edukimi, të këtyre 100 viteve, e cila nga vlerësimi për Mësonjëtoren në gjuhën shqipe kaloi në vlerësimin e diplomave të Universitet si përcaktues i statusit dhe privilegjeve ekonomike dhe sociale. Kjo shpejtësi, që nuk ka ndihmuar rritjen e cilësisë, në mënyrë të vetëkuptueshme, sigurisht, që ka ndikuar që shqiptarët në mënyrë masive të mendojnë se bashkë me diplomën vjen statusi shoqëror i respektuar, vjen mundësia për privilegje të natyrave të ndryshme, vjen edhe promovimi dhe suksesi jetëgjatë në politikë, kur punësimi në administratë me status politik rezulton të jetë më i lakmuari, pas viteve 1990-të, sepse siguron me shpejtësi pushtet, pasuri, nderim deri frikë apo ankth nga të papushtetshmit që hiqen zvarrë në agoni të varur nga rrugëtimi i të pushtetshmëve.
Së dyti, rënia me shpejtësi e statusit shoqëror të mësuesit dhe pedagogut, në fillim përmes keqpagesës, dhe më pas përmes mbipopullimit të tregut, e bëri konkurrencën fiktive dhe meritokracinë inekzistente, sepse një shoqëri e përmasave të vogla, si shoqëria shqiptare, e padrejtuar dhe orientuar mirë, edhe për shkak të mungesës së përvojës, me lidhje të forta e intensive farefisnie, klanore dhe rrjete sociale të pastrukturuara në përputhje me nevojat e sistemit demokratik dhe ekonomisë së tregut të zhvilluar, iu përgjigj nevojave të sistemit me rrugë të pamiratuara formalisht nga sistemi, dhe jo vetëm kaq, por duke gjetur mjete jashtë sistemit që e komprometuan rëndë atë dhe pjesën më të madhe të aktorëve të tij.
Së treti, mungesa e interesit për të krijuar një kulturë dijeje që interpreton historinë e edukimit shqiptar, mungesë kjo që është kapërcyer dhe vazhdon të kapërcehet duke përdorur në mënyrë stereotipe filozofi edukimi të sistemeve të edukimit, kulturave dhe shoqërive më të zhvilluara se ne, që i kanë kaluar me kohë këto probleme, bile edhe mund të mos i kenë pasur fare, sepse kanë krijuar kohezion social dhe miratim të përbashkët për vlerat, normat, rregullat dhe kanë jetuar me bindjen ndaj ligjit prej një kohe të gjatë, karakteristika këto, të cilat për fat të keq kultura dhe shoqëria shqiptare nuk i ka pasur. Për rrjedhojë, ne kemi arritur të realizojmë orë mësimi model, por jo nxënës dhe studentë model për dëshirën, vullnetin dhe motivimin e gjithanshëm ndaj dijes. Jemi në kushtet, kur dobësitë e sistemit të edukimit dhe trysnitë që ka ky sistem nga teknologjia dhe ndryshimi strukturor i tregut përsa i përket nevojave, kanë shkaktuar, para së gjithash, formimin përgjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve, të të diplomuarve që dinë shumë mirë sesi korruptohet sistemi, por refuzojnë të kontribuojnë në zhvillimin e përsosjen e sistemit të edukimit nga pikëpamja cilësore; për më tepër puna e sjellja e tyre si profesionistë është mediokre.
Agresiviteti i politikës ka krijuar shtresa e grupe të cilat margjinalizohen apo çmargjinalizohen në mënyrë të përkohshme, për shkak të lidhjeve me politikën, ndaj për periudha të kufizuara kohe, kalojnë sa nga pushteti në opozitë, sa nga të qenit i punësuar, në papunësi, dhe trysnia që ata ushtrojnë mbi sistemin është e madhe, por sidomos mbi edukimin, sepse ata përpiqen të kryejnë me shpejtësi studime të cilat do t’i përdorin për të siguruar punësim apo karrierë, në varësi të ndihmesës që u kanë dhënë forcave politike dhe shansit që këto forca kanë për t’u përfshirë në ndarjen e pushtetit dhe privilegjeve që krijon ai.
Së katërti, mungesa e kujdesit ndaj asaj pjese që është e shkëlqyer në marrëdhënie me pjesën tjetër, që shfaqet si produkt në çdo sistem edukimi, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit e cilësia e tij, në krahasim me sisteme të tjera edukimi. Kjo pjesë, e cila në shumicë nuk ka mbrojtje prej lidhjeve klanore apo sociale, e dekurajuar prej mungesës së meritokracisë së vlerave dhe arritjeve, krijon pjesën e të zhgënjyerve dhe i heq edukimit arsyet për të pasur standarde; duke e kërkuar shansin diku tjetër, në universitete private a në universitete të huaja; të gjithëve mund të na ketë rënë rasti të shohim studentë të mbështetur nga pushtetarë që e marrin universitetin pa e merituar, pasuniversitarë që mbrojnë tema doktorature plagjiaturë, të vjedhura, ose të përgatitura nga persona të tjerë, të blera, të paraqitura disa herë dhe studentë cilësorë që keqtrajtohen nga pjesëtarë apo aktorë me peshë të sistemit vetëm sepse janë pa lidhje sociale apo politike të rëndësishme, ose akoma më keq kur antivlerat morale dhe sociale kanë bërë vend në marrëdhëniet midis studentëve dhe pedagogëve; kemi parë asistente dhe pedagogë që rrinë në kuptimin e parë të kësaj fjale, pa u shqetësuar se çdo vit qëndrimi në universitet është i lidhur me arritjet e tyre, aq më tepër kur Ligji i Arsimit të Lartë, i ndryshuar, e ka përcaktuar qartë se çfarë marrëdhëniesh kanë ata me arritjet dhe kërkimin shkencor.
Në këtë kuadër, nëse marrim në konsideratë, sidomos universitetet publike, posaçërisht ato rajonale, dhe politikat e rekrutimit të stafit mësimdhënës në to do të konstatojmë se mbizotëron prirja për të punësuar kandidatë pa doktoraturë, gjë që natyrisht rrit kostot, financiare, profesionale, sociale, të mësimdhënies, i ofron kësaj kategorie të punësuarish zgjidhjen e të qenit frikacakë e servilë ndaj çdo drejtuesi, dhe kështu nuk ka nevojë të kualifikohen, sepse servilizmi dhe përulja rezultojnë më të dobishëm se kualifikimi dhe arritjet shkencore.
Kështu universitetet publike gjenden para paradoksit, që për fasadë kërkojnë arritje dhe kualifikime shkencore, ndërsa në të vërtetë aty gjallojnë shërbëtorë të bindur të shefave, të cilët edhe pa arritje, edhe me disfata, edhe me shpërdorime, janë më të votuarit, me hir a me pahir, me dëshirë apo me detyrim, si të jetë nevoja, rast pas rasti gjendet mënyra për të përdorur të ashtuquajturin populizëm të detyruar për të realizuar qëllimin e zgjedhjes së drejtuesve të parapëlqyer nga kalkuluesit e listave të fituesve për autoritete apo organe drejtuese, ashtu si realizojnë moszgjedhjen e kandidatëve që nuk janë të korruptuar ose quhen të padëshirueshëm për shefat që kanë siguruar zgjedhjen e tyre para se të zhvillohen zgjedhjet. Nëse risjellim në vëmendje të lexuesit në kuadër të temës edhe kurbën e arritjeve shkencore që janë bërë publike nga agjencia e rankimit, bëhet më i kuptueshëm misioni që janë duke kryer apo më saktë moskryer institucionet publike të edukimit të lartë në trajtën e funksioneve të dukshme dhe në trajtën e funksioneve latente.
A kanë kapacitete IPAL, alias universitetet publike, t’ia dalin në garën e konkurrencës me arritje apo do të vazhdojnë t’i shërbejnë politikës së ditës
Kam menduar se edukimi dhe shëndeti janë çështje kombëtare, janë prioritete që padyshim duhet të zënë kryen e vendit të politikave sociale në një vend si Shqipëria që ka një listë prioritetesh në rrugën e integrimit që e afrojnë me standardet e shoqërive evropiane dhe perëndimore. Duke njohur më mirë edukimin, kam shprehur edhe më parë mendimin se cilat janë domosdoshmëritë imediate që duhet të vërë në rrugën e zgjidhjes sistemi i edukimit, sidomos ai publik.
Në radhë të parë cilësia, pavarësia, kompetenca, profesionalizmi dhe etika e stafeve janë nevojë e parë. Për të plotësuar nevojat e tyre gjatë rekrutimit të stafeve, institucionet publike të edukimit të lartë shpesh pranimet i bëjnë me kritere mjaft të ulëta, konkurset në shumë raste janë fiktive, ata që përzgjidhen kanë shumë mungesa, deri në aftësimet dhe kompetencat sociale dhe pedagogjike që duhet të kenë për të qenë mësimdhënës, ashtu si në përzgjedhje bëjnë pjesë anëtarë të stafeve pa kualifikim, të bindur ndaj shefave dhe jo ndaj parimeve dhe interesit më të lartë të organizatës së tyre. Në këtë kuadër, paraja publike shpërdorohet, duke e konsideruar te panevojshme mbrojtjen e interesave financiare të organizatës universitare.
Një tjetër çështje që e shoh me ndikim të madh në rritjen e konkurrencës brenda institucioneve të edukimit të lartë është transparenca e kualifikimeve shkencore. E kam propozuar dhe po e rishkruaj mendimin për krijimin e një baze të dhënash publike për të gjithë sistemin e kualifikimit shkencor, i cili do të realizohej nga çdo institucion i edukimit të lartë nga periferia në qendër, në mënyrë që të shmangen fiktiviteti, plagjiatura, mungesa e kompetencës në trajtimin e temave, në organizimin e realizimin e konferencave a projekteve kërkimore, por do të përfitonim edhe kursim të energjive mendore dhe kërkimore dhe kjo do të ndihmonte në ndërtimin e një strategjie kombëtare kërkimore-shkencore, ku çdo institucion kërkimi do të orientohej për të gjetur veten; kjo punë kërkimore, që është realizuar deri tash në institucionet e edukimit të lartë publik, ka harxhuar mjete të konsiderueshme financiare dhe energji njerëzore pa efektivite, por shpesh edhe thjesht janë ndarë përfitime pa realizuar ndonjë kontribut në shkencë.
Po aq të rëndësishëm e konsideroj kohezionin mendor dhe social të grupeve shoqërorë që punojnë në institucionet e edukimit të lartë publik. Për shkak të rekrutimeve me plot defekte, për shkak të zgjedhjeve me probleme, për shkak të konfigurimeve që krijohen pas zgjedhjeve mendoj se universitetet kanë humbur shumë kohë duke u marrë me veten, me luftëra të brendshme ndaj atyre që mendojnë ndryshe, me izolimin e forcave të afta profesionalisht e shkencërisht, duke i përjashtuar nga senatet apo këshillat shkencore, sepse anëtarësia në to paguhet dhe më besnikët dhe më të bindurit kërkojnë t’i marrin këto pagesa si shpërblim për bindjen e tyre. Unë do të mendoja se, së pari, duhet të ndryshojë përbërja e këtyre organeve duke i përfshirë më të kualifikuarit. Unë do shikoja më të arsyeshme që vendet në organet drejtuese të Universiteteve publike të jenë vullnetare ose të mbështeten vetëm në kontribute që të përballohet trysnia për shpërblime që nxit të bëjnë karrierë njerëzit servilë dhe të paaftë duke u injoruar në këtë mënyrë kualifikimi, aftësitë, kompetencat. Më duket e arsyeshme që ata që dalin nga zgjedhjet, të ndërtojnë politika qeverisjeje përfshirëse dhe jo përjashtuese; sepse sado të përpiqen të paaftët, nuk mund të fitojnë garën me të aftët, do të fitojnë pushtetin dhe privilegjet e radhës, që janë të kufizuara në kohë, ashtu si do të shtojnë prapambetejen e universiteteve publike dhe do të humbin shansin për t’u dhënë mundësi studimi gjeneratave të reja.
I shkrova radhët e mësipërme sepse debati në lidhje me fatet e institucioneve të larta të edukimit më duket shumë i rëndësishëm dhe i vlerësoj të gjitha idetë që janë ofruar nga pjesëmarrësit në diskutim.
*Profesor i asociuar i Sociologjisë
Departamenti i Shkencave Sociale
Universiteti i Korçës
E falenderoj Irenen per problematiken qe trajton, e cila me sa duket haset dhe eshte bere kangrene ne te gjitha universitetet, vecanerisht publike, te drejtuara nga te privilegjuarit e Saliut. Keto 8 vitet e fundit arsimi i larte ka pesuar nje goditje kaq te rende sa qe do te duhen shume vite per ta marre veten. Rektoret e zgjedhur (lexo: te emeruar) nuk e kishin mendjen te sigurimi i cilesise ne arsim, por te parate qe do te fitonin nga tenderat, apo nga njerezit qe do te punesonin jashte kritereve. Sot ne universitetet publike gjen pedagoge me nota mesatare nen 7. Reforma duhet te filloje me largimin e te paafteve dhe te korruptuarve nga universitetet; por ne rradhe te pare nga largimi i drejtuesve aktuale te cilet i kane sjelle vendit nje dem shume te madh.
Jera ka te drejte.
Me Dhorin do te behet reforma ne Universitet?!
Ai vetem ka shkaterruar Universitetin e Tiranes