Sfidat e tregut të sigurimeve në Shqipëri*

17 Shkurt 2014, 20:28Blog TEMA

Sfidës së liberalizimit, konsideruar si shtylla kryesore e një ekonomie tregu, sistem të cilin Shqipëria vendosi të aplikonte që në vitin 1992, parlamenti shqiptar iu përgjigj me miratimin e Ligjit 8081, dt 07/3/ 1996,” Mbi aktivitetin në sigurime dhe/ose risigurime”, duke krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore për krijimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurimeve në Shqipëri.

Ishte pikërisht ky ligj që i hapi rrugë iniciativës së lirë private në këtë sektor të rëndësishëm të tregut financiar si edhe përcaktoi rregullat dhe standardet e zhvillimit të tij. Duhet të kujtojmë këtu se deri në këtë periudhë, ky sektor ishte i monopolizuar nga ekzistenca e së vetmes kompani sigurimesh Insig, me kapital 100% shtetëror.

Në vitin 1998, u krijua Komisioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve me misionin e liberalizimit dhe mbikëqyrjes të tregut të sigurimeve. Ishte pikërisht ky institucion, i cili ne vitin 1999, licencoi të parat kompani private sigurimesh me kapital 100% vendas.

Duke qenë një treg në zhvillim, edhe ecuria e tij u rrit gradualisht.

Në pesë vitet e para të tij, në tregun shqiptar të sigurimeve operuan 5 kompani sigurimi me rreth 54 degë dhe 560 agjentë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Duke marr në analizë shifrat e kësaj periudhe, mund të theksohet se niveli i primeve prej rreth 27 milionë Euro, ishte  krahasimisht i ulët me vendet e tjera të rajonit, si Bosnja& Hercegovina, Maqedonia, Greqia,Kroacia etj.

Gjithashtu, në këtë periudhë vihet re një nivel modest i primeve në sigurimin vullnetar qe kapte 24.18% të totalit të tregut për vitin 2003 dhe sidomos ai i sigurimit të jetës që zuri vetëm 2.2% tregut në vitin 2003.

Ky nivel modest i këtij tregu për këtë periudhë është lehtësisht i kuptueshëm po të kemi parasysh mungesën e kulturës dhe traditës në fushën e sigurimeve si edhe ekonominë kombëtare si një ekonomi në zhvillim ku rritja e të ardhurave për frymë mbeten një sfidë.

Ndonëse në një klimë jo shumë të favorshme për këtë biznes, në përgjigje të angazhimit maksimal dhe profesional të aktorëve të tregut të sigurimeve, në këtë periudhë ky treg shtriu prezencën dhe aktivitetin e tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë, e konkretisht e gjejmë të përfaqësuar në disa tregje rajonale si ai i Kosovës e Maqedonisë.

Duke iu referuar tendencave të zhvillimit kombëtar, duhet të themi se ato u reflektuan më së miri edhe në rritjen dhe zhvillimin e sektorit të sigurimeve. Në vitin 2004-2005, kemi një dyfishim të kompanive të sigurimit të licencuara që operonin në treg. Pikërisht në këtë periudhë, kemi edhe një risi: krijimin e kompanive të sigurimit të jetës.

Vlen të theksojmë se një rëndësi të veçantë në historikun e sigurimeve përfaqëson pikënisja e prezencës së institucioneve ndërkombëtare financiare në tregun shqiptar të sigurimeve.

Tashmë, partnerë të shoqërive shqiptare të sigurimit janë institucione të rëndësishme financiare:

BERZH dhe IFC ishin partnerë të kompanisë INSIG-sha, Viena Insurance Group – partner i Sigma – sha, i Interalbanian-sha dhe Intersig –sha, Uniqa Group – partner i Sigal-sha.

Në këtë fazë të re të zhvillimit të tregut, sigurisht që shteti promovoi autoritetin dhe infrastrukturën e tij ligjore dhe rregullatore për t’iu përgjigjur më së miri impaktit të zgjerimit dhe konsolidimit të tregut.

Duke parë dhe vlerësuar ndërthurjen e shumë elementëve të zhvillimit, raportimit dhe monitorimit të sektorëve të ndryshëm të tregut financiar jo bankar, në vitin 2006, u krijua  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Ky institucion tashmë do të krijonte infrastrukturën e nevojshme legjislative – teknike për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të kompanive që/do të operojnë në:

-Sektorin e sigurimeve

-Pensioneve private

-Letrave me vlerë.

Gjithashtu interesi në rritje i kompanive të sigurimeve të huaja (me dimensione globale në raport me shtrirjen e aktivitetit dhe totalit të aseteve) për prezencë në tregun shqiptar të sigurimeve nëpërmjet partneritetit të tyre të drejtpërdrejtë, na argumenton besimin se ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri do të strukturohet dhe zhvillohet në mënyrë solide për të qenë konkurrent të denjë në tregun rajonal të sotëm dhe global në të ardhmen.

Pjesë ekzistenciale e këtij tregu do të quajmë edhe bashkimin e kompanive të sigurimit në tregun shqiptar pranë Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë. Nuk e teprojmë kur themi ekzistencial, pasi roli që themeluesit e kësaj shoqate i kanë dhënë asaj është i tillë: të ndërlidhë, komunikojë dhe përçojë problematikën dhe idetë e partnerëve të një procesi dhe tregu sigurimesh: Klient – Operatorë – Shoqata – Institucione Publike – Tregje Ndërkombëtare.

Këto ndryshime rrënjësore të tregut shqiptar të sigurimeve shprehen qartë edhe për rolin që ndërmerr ky tregu si kontribuues e mbështetës edhe në zhvillimin e ekonomisë kombëtare duke pasuruar treguesit e vlerësueshëm të saj në analizat kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Sfidat dhe zhvillimi i tregut

Por natyrshëm mund të pyesim nëse kemi bërë gjithçka mirë dhe si mund të përmirësojmë procesin. Do të ishte joreale të mendonim se në më pak se në një dekadë tradite dhe aktivitet kemi arritur pritshmërinë ndaj këtij tregu, sipas komponentëve:

1- Kultura figurative.

2- Legjislacioni dhe qasja publike e vendinmarrëse ndaj tregut të sigurimeve.

3- Diversifikimi i produkteve të ofruara

4- Përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj klientit

5- Nxitjen dhe stimulimin e politikave zhvilluese në këtë sektor, do të përkufizonim si drejtimet kryesore ku do të duhej të fokusohej mendimi dhe planveprimi afatmesëm e afatgjatë i tregut të sigurimeve.

Duke qenë se sigurimet janë një risi për shoqërinë dhe institucionet shqiptare, shumë prej nesh nuk gëzojnë informacionin e domosdoshëm mbi rëndësinë, procedurën dhe përfitimin që buron nga një kontratë sigurimi.

Kjo do të thotë se aktorët shumëplanësh të këtij tregu duhet të stimulojnë edukimin e shoqërisë mbi produktivitetin dhe benefitin e një procesi sigurues. Ky proces është i gjatë, i vështirë dhe kërkon angazhim të fuqishëm si të kompanive të sigurimit operuese në treg por edhe të vet organizmave shtetërore që hartojnë dhe miratojnë politikat që afektojnë tregun shqiptar të sigurimeve.

Një rast konkret i hapur për diskutim prej shumë kohësh, është p.sh ideja se sigurimi i banesave ndaj katastrofave natyrore duhet të jetë një sigurim i detyrueshëm. Historia botërore sjell eksperienca dhe statistika të ndryshme mbi këtë argument. Por diskutimi shqiptar vazhdon thjesht në terma teorik, tryeza spontane dhe larg vendimmarrjes. Por nëse bie tërmet?… Atëherë shumë prej nesh që kanë investuar kursimet e një jete të tërë për të blerë një apartament, apo ngritur një biznes, kur ai të jetë shpërbërë nga shkallët rihter si një kështjellë rëre, do të nxitojnë të kërkojnë nuk e di se kujt ndihmë, shpërblim apo statusin e të pastrehit……

Praktika jonë jetësore dhe e zhvillimit na nxit në analizën e mjaftueshmërisë së produkteve të sigurimit aktualisht në treg. Për stadin aktual të kurbës së kërkesë/ofertës të tregut të sotshëm të sigurimit, mund të thuhet se ai është në koherencë të plotë, por parë në perspektivën e planveprimit afatmesëm e afatgjatë të tij, përgjigja është pa ekuivok drejt diversifikimit të gamës së produkteve të sigurimit. që ka nevojë (deri në krijimin e pjekurisë së nevojshme shoqërore por jo vetëm ndaj sigurimit vullnetar), për instrumente edukativë – shtrëngues tranzitor deri në arritjen e këtij qëllimi. Këto instrumente mund të ishin p.sh: shtimi i gamës së produkteve të sigurimit të detyrueshëm, produkte të studiuara më së miri në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm ekonomiko-social të shoqërisë dhe të konsultuara me transparencë të plotë me grupet e interesit.

Rritja e cilësisë së shërbimit të klientit, vazhdon dhe do të mbetet një nga drejtimet e padiskutuara ku procesi do të jetë i vazhdueshëm. Rekordet aktuale të tregut në raport me besueshmërinë në rritje të të siguruarit ndaj siguruesit të tij, afatit kohor të ekzekutimit të procedurave dëmshpërlyese, masës së përfitimit dhe tregues të tjerë, natyrisht që janë temat ku duhet të përqendrohet vëmendja dhe energjia pas përfundimit të procesit të disiplinimit ligjor teknik e financiar të terrenit ushtrimor sigurativ.

Tregu i sigurimeve, ndër ato sektorë të shërbimeve financiare është i vetmi që ka edhe operator me kapital 100% shtetëror i tillë si kompania INSIG. Ndryshe nga tregjet e tjera të shërbimeve financiare si p.sh ai bankar, shteti ka transferuar drejt kapitalit privat të gjitha aksionet dhe kompanitë publike. Insig, gjithashtu i është nënshtruar në mënyrë të përsëritur negocimeve dhe garave ndërkombëtare për privatizim, por pa e finalizuar atë.

Sot kompania Insig sha, është një shoqëri aksionere (sha) me kapital shtetëror. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si i vetmi autoritet publik i cili në ushtrim të plotë të kompetencës që ligji i funksionimit i ka dhënë, përcakton parametrat teknik, financiarë e ligjor dhe garanton përmbushjen e tyre prej operatorëve në funksion të garantimit të interesave kontraktualë e ligjorë të të siguruarve.

Por a është një kompani me kapital shtetëror, instrument për të diktuar procesin e tarifimit të produktit të sigurueshëm motorik? Ligji thotë që jo, pasi detyrimi ndaj palëve të treta nuk lidhet aspak me llojin publik apo privat të kapitalit të siguruesit, institucioni përgjegjës(AMF) thotë gjithashtu që jo, madje sqaron në një deklaratë zyrtare se tregtimi i këtij produkti nën primin e kalkuluar sipas formulës ligjore aktuaristike të kërkuar do të ishte problem për garantimin e interesave të palës së tretë. Por në të vërtetë, nëse kompania Insig sha, do të përdorej si instrument i tillë, AMF-ja në atribut të plotë ligjor do të kërkonte rritjen e rezervës teknike, për të garantuar interesin e palës së tretë si përfitues i një kontrate sigurimi të detyrueshëm motorik, rezervë e cila nëse ndodh që tarifimi të mos i përgjigjet përgjegjësive të kontraktuara, do të thotë në tkurrje të kapitalit dhe aseteve të kompanisë, e cila në rastin kur është me kapital publik ka ndjeshmëri të dyfishtë në cilësinë e menaxhimit të saj.

Nuk është e largët periudha, kur kompani të tilla me kapital publik e me menaxherë të emëruar, në një kohë rekord u shndërruan në kompani jo rentabël dhe iu nënshtruan procesit të privatizimit me një vlerë tepër të ulët, e arritur abuzivisht nga cilësia e menaxhimit për qëllim privatizimi me kosto sa më të ulët.

Pra, nëse sot habitshëm, ndeshemi me deklarime të tilla për përdorimin e Insig-ut si instrument për të diktuar çmime, do të thotë se kemi një përpjekje analoge me eksperiencat negative të së shkuarës së afërt për të cenuar parametrat teknikë e financiarë të kompanive me kapital publik përpara privatizimit të tyre.

Tezat e sotme të studiuesve ndërkombëtarë konvergjojnë në vlerësimin e tyre në raport me përfitueshmërinë e ekonomive të shteteve të ndryshme në procesin e globalizimit. Ata mendojnë se efektet pozitive të pritshme të këtij procesi si: mirëqenia dhe zhvillimi, nuk mund të vijnë në mënyrë spontane por, do të shfaqen nëse ekonomitë e shteteve të botës do të dinë t’i thithin ato nëpërmjet politikave kombëtare dhe sektoriale. Në këtë kontekst, do të thoshim se të gjithë aktorët politikbërës dhe vendimmarrës duhet të jenë në pasqyrim dhe reflektim të vazhdueshëm të propozimeve që vijnë nga aktorët e tregjeve sektorialë të cilësuar si promotor të zhvillimit të infrastrukturës së tregut për ta sjellë atë në parametrat e nevojshëm kompetitiv.

Por a është tregu i sigurimeve në Shqipëri në stadin e nevojshëm për të orientuar në mënyrë të suksesshme politikat e tij zhvilluese dhe rregullatore? Kjo sigurisht do të jetë sfidë që do të na afektojë të gjithë ne qytetarët shqiptarë, institucionet publike dhe operatorët e tregut… Kjo është dhe ajo që na fton të realizojmë ideatori dhe themeluesi i Bashkimit Europian, Jean Monnet: “…njerëzit janë të nevojshëm për të bërë ndryshimet e kërkuara, por janë institucionet që i japin jetë këtyre ndryshimeve”. Qëllimi? Arritja e sfidave të integrimit në institucionet dhe tregjet europiane dhe botërore.

 

*Artikulli është përgatitur nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë

2 komente në “Sfidat e tregut të sigurimeve në Shqipëri*”

  1. njohesi says:

    Po shitja vetem me nje kompani, Star Broker sha, ku futet tek planet e juaja? Tek hilja ndaj shqiptarit apo ne ndonje tjeter kapitull?

  2. erion says:

    ore mir keto siguracione por nderkombetari qe 2100 euro per 1 autobuz sikur po sigurohe avioni qe e anija jo 1 autobuz..na mbytettttttttttttttttt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje