Qentë e zi dhe ujqit e bardhë

1 Mars 2014, 21:31Blog TEMA

Nga Blerina Rogova – Gaxha

 

Një artist gati anonim mbërriti majat e klikimeve në internet, me një “krijim” të përlyer dhe të urryer. Një rektor u bë më i popullarizuari i shtetit, vetëm pse u bë horr.

Një kryetar akademie, po del në shesh vetëm me 50 pyetje koti, që është kujtuar t’ia bëjë kolegut të tij, me të cilin ka vite që nuk komunikojnë. Një mori kukullash “barbi” po e pushtojnë botën tonë virtuale, me “zogun” që iu shpërfaqet me pahir. Një grup imamësh janë shndërruar në figura publike, vetëm pse janë të çmendur dhe flasin broçkulla, edhe se si u dashka me i vra qentë e zinj, dhe jo pak priftërinj, që zotin e kanë “havale”, edhe për pedofilinë! Nuk zbret nga gazetat një profesor që mëkatet e tij provon t’i shlyejë në kishë apo në xhami, në vjeshtën e jetës së tij.

Të gjitha këto dhe të tjera që janë në pakufi, do të ishin krejt normale dhe nuk do të zgjonin as vëmendje as mizëri, sikur “populli” të mos i shndërronte në heronjtë e tij. Edhe reperi nga Presheva, edhe imami nga Prishtina, ose rektori nga universiteti, e kryeakademiku nga “azili i pleqve”, dhe të gjithë të tjerët një nga një, do të ishin vdekatarë të zakonshëm, sikur të mos ishte edhe shumica prej nesh krejt si ata!

Është kohë horrash po thonë dhe ithtarët e tyre janë bërë shumë, prandaj dhe vlerat kanë shkuar në “të samës”! Të tilla raste e dukuri ka gjithandej në këtë botën e rrejshme, por popujt ecin përpara dhe jo me shpinë siç po duket të ecin shumë prej nesh, prandaj “ua pafshi hairin” gjithë njerëzve “të pshurrët” me të cilët po merreni kaq dendur! Kështu duhet të jetë ndjerë Gjergj Fishta pas fjalisë së famshme” le ta marrë vesh bota mbarë, se Gjergj Fishta s’është shqiptar”!

Thonë se artisti kur krijon beson të jetë në prag të apokalipsit. Por kjo jo gjithnjë ka kuptimin e duhur. Përgjigjja mund të jetë në një tjetër nivel. Bota ka njohur pafund dhe është lodhur po kaq shumë nga kalorësit fetarë. Ata janë aq të magjepsur, thonë, sa të marrin vetë shpatën e sëpatën dhe fantazmagoritë për të luajtur shfaqjen e tyre. A nuk është ky edhe rasti ynë?

Dy pasione kanë bërë të mundur që edhe në rastin tonë, tërësia të përballohet me guxim, madje edhe me gëzim, feja dhe muzika. Sikur projekti i reperit nga Presheva të mos e kishte në bazamentin e tij radikalizmin fetar, kënga e tij do të mund të quhej krijim nga zjarrmia që shpërthen.

Në prag të një kohë të re ose në luftë me një kohë të re, siç është në fakt kjo kohë për shqiptarët,që mund të bëhet e krahasueshme me epokat fillestare të feve për mbijetesë, kërkohen edhe njerëz të rinj. Por a mund të jenë kalorës artistikë ose fetarë reperët ose klerikët, artistët ose shkencëtarët, akademikët apo këngëtarët? Çfarë ka të ngjashëm reperi shqiptar me neonazistët grekë pos emrit? Retorika dhe ideologjia?

Agimi i Artë konsiderohet si partia që ushqehet me frikën dhe inatin e grekëve. Ëndrra e neonazistëve në Greqi apo në Gjermani, për shembull, janë një Greqi apo Gjermani pa të huaj dhe me kufijtë e mbyllur hermetikisht e të rrethuar me mina. Ëndrra e “Agimit të artë” apo e “Ujqërve të bardhë” dhe së voni edhe e disa “klerikëve” e “reperëve” apo e akademikëve kosovarë, është shteti pa të “huajt” fetarë, akademikë e politikë, dhe kufijtë e mbyllur hermetikisht për ideologjitë e verave të dyshimta.

Sigurisht se realiteti në Kosovë është i fëlliqtë. Sigurisht se krizat sociale e ekonomike janë të mëdha. Sigurisht se elita politike e intelektuale është po kaq e fëlliqtë dhe e pafytyrë. Sigurisht se të gjithë janë lodhur nga sistemi e politika. Por, mesazhi i të magjepsurit nuk përligj racizmin identitar e kulturor, politik e fetar. Magjepsja e tij shkon përtej krenarisë dhe aplaudimit të fesë, në emër të së cilës, një djalë fetar e për më shumë këngëtar, përdhos e ‘dhien’ mbi një komb e mbi një shtet.

Të shkruarit e një teksti rebel kënge mund të jetë si zjarrmia që shpërthen. Si zjarrmia e rritur fort, dhe radikale për atë që ekziston ose jo.

Tekste këngësh janë shkruar për revolucionet që nuk kanë ekzistuar dhe revolucione kanë nisur pas këngëve të shkruara në zjarrmi.

Kam lexuar me qindra sosh, reale e sureale, roku, xhazi e balada, tekste tronditëse e tekste të mërzitshme. Tekste kryevepra dhe tekste që kutërbojnë. Këngë që notojnë në metafora, këngë të ndryshkura, tekste rekuiem dhe rapsodi për një botë e për një tjetër pas saj.

Njerëzit do duhej të jetojnë me thjeshtësi, në vetvete dhe për vetveten.

Nuk pres luftën e pamëshirshme e cila do ta provonte besimin tonë. Besoj në luftën e krijimit të kohës sonë.

5 komente në “Qentë e zi dhe ujqit e bardhë”

  1. haha says:

    Kte radhe dicka per tu lexuar .Autorja qeka e vesh .

  2. feniks says:

    Tamam BURRNESHE!!!
    Nje shkrim me llogjike dhe filozofi qytetare europiane!!!
    Ne shqiptaret udhehiqemi ne jete vetem nga parimi:VELLAI,SHOKU,PARTNERI im te jete pas meje ne te gjitha!!
    Mundesisht me afer te kem ARMIKUN se mikun!!!

  3. . says:

    i mrekullueshem ky ze femeror.Pershendetje e dashur autore.Shkruaj se na gezon dhe reflektojme.dicka e rralle ne kpohen qe jetojme

  4. dardhari says:

    Z.nja Rugova ju lexoj me kenaqesi sepse shof qe ju jeni Burneshe dhe kapni ceshtjet me delikate per ne,por ti moj vajze e di mire qe sado trime qe je ata qe punojne per te na bere sklever te “Fese” qe per mendimin tim nuk jane Oxhallaret,prifterinjte dhe raperet por eshte qeverija jone qe eshte pergjegjese qe shikon vetem si te shtoje pasurine pa i bere pershtypje se po e le popullin injorant dhe lejon te vijne ne vendin tone lloj lloj Imamesh nga arabija qe te na hapin syte duke then se grate tona jane kurva.Me gjith ate une te uroj kurajo dhe durim per detyren qe ke karshi popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje