E kanë popullin në ‘xhep’!

1 Mars 2014, 21:19Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Alibia e radikalizimit opozitar

Radikalizimi i PD nuk befason nëse kihet parasysh se dominohet nga ‘fryma’  që e ka bërë zakon intimidimin e përplasjen, qoftë në qeverisje apo opozitë. Kjo dhe në kontekstin e vetë tranzicionit ku radikalizimi opozitar ka përbërë një ritual për palët pa dallim. Por ndërsa radikalizimi i motivuar nga arsye objektive i PS, synoi mbijetesën përballë arbitraritetit të PD në qeverisje (abuzimi zgjedhor, kapja e shtetit, loja me dosjet etj), ai i PD, nëse përjashtojmë rolin e gjeo-politikave antishqiptare, bazohet në alibi-shashka që synojnë mbijetesën pas panikut të kapjes ‘gafil’ në abuzimin me pushtetin (piramidat, hapja e depove, Gërdeci, 21 janari, korrupsioni elitar, dhënia e detit etj).

Qoftë për arsye reale apo alibi, radikalizimi opozitar ka provokuar gjithnjë bumerang për mazhorancat më pas. Përveçse iu ‘mbyllet’ goja ndaj kundërshtarit, ato mbeten të pabesueshme kur marrin pozat e të ‘urtit’ demokratik e qesëndisësit të radikalizimit përballë. E kanë bërë vetë më parë.

Pas çdo rotacioni elektoral, pritshmëria është ngritja e ‘stekës’ së sjelljes politike mes palëve. Sa kohë në pushtet, PD qesëndisi apo anatemoi radikalizimin e imponuar të opozitës duke filluar nga bllokimet e rrugëve, ngujimet e urisë (absurde gjithsesi për një vend të NATO e gjysmake me liderin jashtë saj), bojkoti parlamentar etj. Nëse PD mburret se ishin standardet demokratike në qeverisje ato që sollën NATO apo heqjen e vizave, sot ka shansin të ofrojë modelin e një opozite të denjë për një vend të NATO duke mos ricikluar atë radikalizim që e denoncoi vite me radhë.

Radikalizimi i PD stonon edhe për faktin se qeveria ka vetëm 6 muaj jetë dhe nëse ka ndonjë premtim të pambajtur, i pari dhe më kryesori (i vetmi që nuk përmendet nga PD) është ai drejtësisë ndaj abuzimit elitar.

Radikalizimi i PD është radikalizim nga ‘halli’ që synon të fitojë bonus kohor qoftë për të mbuluar gjurmët e abuzimit, rigrupuar ‘oborrin’ pas panikut të qershorit (gjë që duket edhe në ‘trashjen’ e zërit duke filluar nga Presidenca, lideri me letra i PD) etj, sikurse niset edhe nga shpresa se gabimet në qeverisje do të fillojnë të anojnë balancën politike në vend.

I shtyrë në ekstrem ai mund të provokojë ngjarje ekstreme (për më tepër kur vetë SHIK mbetet problematik në parandalim) duke lënë hapësirë për manipulim dhe spekulim prej PD që përballë 21 janarit, Gërdecit etj do të ketë ‘datat’ e ‘simbolikat’ e saj duke synuar kompromentimin e integritetit dhe moralit të qeverisjes dhe pamundësuar më tej drejtësinë në kushtet kur ajo do të interpretohet si hakmarrje politike.

 

Abuzimi me sovranin në emër të sovranit

Radikalizimi opozitar në tranzicion është ilustrim i arrogancës tipike të politikës që kur vjen puna tek elektorati e konsideron atë turmë të denjë vetëm për të mbushur sheshe. Edhe kërcënimet e sotme për radikalizim bazohen tek premisa e popullit në ‘xhep’. Afërmendsh kur dihet se sistemi i nepotizmit dhe korrupsionit masiv kushtëzon vetë mbijetesën e individit, biznesit etj. Partitë sot janë ‘zyra punësimi’ duke vijuar ende me mentalitetin e partisë-shtet dhe në këto kushte, asfiksohet shpresa dhe guximi për të qënë ‘vetvetja’ në vend. Për më tepër kur  ‘stafeta’ e politikës po kalon tek një brez po aq refraktar në ndjeshmërinë ndaj interesave të publikut dhe respektimin e parimeve të demokracisë.

Nga ana tjetër, pafuqia e qytetarit shqiptar shprehet edhe në ‘tredhjen’ që i bëhet integritetit dhe dinjitetit të parlamentit përmes ligjeve zgjedhore që e shkëputin deputetin nga elektorati që e voton duke e vënë në shërbim të liderit të partisë.

Rrjedhimisht, abitrarizmi në qeverisje apo radikalizmi në opozitë, gjen ‘shesh’ pa bën ‘përshesh’, ndaj dhe që jeta politike dhe interesi i publikut të mos mbetet peng i vullnetit të këtij apo atij lideri partiak, është domosdoshmëri ‘faturimi’ real elektoral apo ndryshe ndëshkimi me votë i çdokujt (lider, parti, deputet etj) që abuzon me sovranin në emër të sovranit.

Radikalizimi dhe tensionimi i jetës politike shihet si ‘bonus’ prej liderëve partiakë. As nuk kanë nevojë të marrin aprovim në elektorat, as e ndjejnë të japin llogari për të sa kohë kodi zgjedhor, duke e shndërruar votën në ‘detyrim përcaktim’, shmang përgjegjësinë dhe ndrojën e deputetit ndaj elektoratit e shndërrimin e tij në ‘topçi’ të liderit dhe kuturisjeve që nëpërkëmbin shtetin ligjor.

 

‘Vaksina’ antiradikalizëm

E vetmja ‘vaksinë’ ndaj tensionimit politik, radikalizmin opozitar përfshirë, mbetet vota e lirë. Për të cilën nuk mjafton prania e dhomës së fshehtë dhe moria e emrave në listë. Ajo është e tillë kur kosto oportune e votimit është minimale dhe kur gara është e barabartë.

Kosto oportune (ndryshe risku i votimit) është e lartë aktualisht. Shumë votues nuk votojnë alternativën e preferuar nga meraku se vota mund të shkojë dëm në favor të alternativës më të papëlqyeshme (votoj PS që të mos fitoj PD apo anasjelltas). Devijimi i preferencave politike krijon rrjedhimisht oligopol në tregun politik, premisë kjo e arrogancës dhe radikalizimit politik bazuar në premisën se e kemi ‘popullin në xhep’.

Nëse ka një kryereformë, ajo është rikthimi i dinjitetit të votës së lirë që sikurse prona legjitime në ekonomi, është ADN e demokracisë dhe shtetit ligjor. Ajo nuk është garanci për mosabuzim me demokracinë por garanci se herët a vonë, abuzimit e gjen vëndin e tij. Vendi ka nevojë për një ligj të ri zgjedhor dhe jo amendime klienteliste të atij aktual, që garanton kosto minimale oportune sikurse është p.sh. ai STV Irlandez ku çdokush voton sipas një rendi zbritës preferencat e tij (parti të vogla, individ pa parti) dhe vota nuk humbet arbitrarisht.

Vota e lirë presupozon garë të barabartë. Sikurse kampionit në futboll nuk i jepen pikë aforfe sezonin e radhës, edhe në tregun politik partitë e mëdha nuk duhet të përfitojnë financime, hapësirë mediatike (ato kanë edhe ‘analistët’ e pavarur, deri TV që u bëjnë duva sistematikisht) etj avantazhe thjesht se janë të mëdha(!). Ndryshe nga modestia e politikës në perëndim, kjo pabarazi financiare dhe mediatike është prelud i shpenzimeve marramendëse elektorale (të paverifikueshme deri më sot), mitingjeve butaforike etj që i bëjnë ‘lavazh’ sistematik trurit të elektoratit që del në delir në shesh për gjithçka vetëm për interesat e tij jo.

Përballë fatalitetit të kapjes së demokracisë dhe shtetit ligjor, elektorati nuk sheh rrugë tjetër, veçse daljen me pahir në ‘rrugë’ duke u bërë ‘dekor’ i radikalizimit sa herë i bën apel lideri partiak që nuk i përfill kurrë. Më 20 shkurt u shemb shtatorja por jo ‘bazamenti’ ku prej çerek shekulli kacavirren për t’u ngjitur ata që kuturisen të monopolizojnë demokracinë. Dhe nëse duam që t’i lëmë të vetëm në radikalizimin donkishotesk, fjalëkalimi që çliron qytetarin prej indoktrinimit partiak është vota e lirë dhe prona legjitime. Duke i nëpërkëmbur ato, nëpërkëmbim vetveten.

4 komente në “E kanë popullin në ‘xhep’!”

  1. li1 says:

    Vetem dergimi Berishes ne Gjyqin e Hages, i zgjidh te gjitha hallet e problemet qe ka sot Shqiperia
    Te tjerat jane vetem ”llogje Kavaje ,, !

    1. Jo more Jo ne Gjykaten e Hages, por tek te shumtit ne Varr dhe sa me shpejt. E te marre me vete sa me shume nga te tijet, se e keqja duhet shkulur me rrenje dhe me breza, e per kete ska pse te themi: Meshire… Jom Jo vetem ne Varr DIKTATORET e cdo ngjyre.

  2. Vojsava says:

    Ndaj mendimin për HAGËN! Shtoj se kjo mundësi duhet marrë seriozisht, duhet bërë realitet dhe jo të përdoret vetëm për presion nga shumica në pushtet. E kuptojmë qeverinë për vështirësinë deri në pamundësi për ta gjykuar këtu në vend “gardën” mafioze të PD-së, sidomos kokën e gjarprit, Berishën, por nuk mund të justifikohet me mundësinë HAGË. Nuk duhet ta lërë t’i rrëshqasë nga duart kjo mundësi. Edhe nëse prokurori i përgjithshëm nuk lëviz këmbë e duar, duhet të gjejë mundësinë që ta bëjë vetë akuzën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje