Në kërkim të opozitës

3 Mars 2014, 21:46Blog TEMA

Nga Taulant Malaj

 

Sistemet demokratike të qeverisjeve kanë në thelb ekzistencën e dy kampeve kryesore politike, midis të cilave edhe zhvillohet “beteja” për të drejtën e qeverisjes, dhe që janë maxhoranca apo forca qeverisëse që në bazë të se drejtës kushtetuese të shtetasve i është dhënë besimi për të qeverisur vendin, dhe minoranca, apo ndryshe opozita, e cila bazuar në të njëjtën së drejtë i është dhënë mundësia të jetë përballë forcës qeverisëse. Sikurse në çdo “betejë” apo “lojë”, edhe në politikë ka rregulla, të cilat ndodh që nganjëherë edhe shkelen për shkak të interesave të ngushta të palëve. Rezultati dihet pastaj.

Nëse i referohemi përcaktimit klasik të opozitarizmit, atëherë do kuptojmë se ai, opozitarizmi, në vetvete përfaqëson “ një individ apo një grupim individësh të cilët kundërshtojnë, kritikojnë, apo protestojnë diçka, dikën, apo një grupim tjetër. Kjo, në rastin e “betejës” politike, do bënte që forca, apo forcat, politike që si rezultat i ushtrimit të së drejtës kushtetuese të shtetasve, votimit, kanë rezultuar të kenë marrë më pak mbështetje për të qeverisur, do konsiderohen forca opozitare dhe do kenë të drejtën e ushtrimit të kundërshtimit, kritikës apo protestës ndaj forcës, apo forcave, që janë në qeverisje si rezultat i së drejtës së votës. Teorikisht kjo do duhet të jetë e drejta e opozitës dhe asaj që ajo përfaqëson, apo strategjive që ajo do duhet të përdorë për të mundësuar ardhjen në pushtet. Megjithatë, sistemi demokratik i qeverisjes ndërthur në vetvete “betejën jo konvencionale”, pra jo atë me element dhune, por “betejën e strategjive të zhvillimit pozitiv”. Opozita ka të drejtën e plotë që nëpërmes ofrimit të alternativave të ndryshme nga ato të qeverisjes të kundërshtojë, kritikojë dhe protestojë ndaj politikave zhvillimore që forca, apo forcat, politike në qeverisje ndërmerr gjatë mandatit të saj.

Në Shqipërinë e më shumë se 23 viteve demokraci, kemi parë se si opozitarizmi i ka ushtruar këto të drejta duke i gërshetuar kohë pas kohe me elementët e dhunës, të cilat janë parë si mundësi e vetme që të ashtuquajtuarat strategji dhe politika zhvillimore të zënë vend në mendjet e votuesve. Kjo në vetvete ka sjellë një ngadalësim të ecurisë së zhvillimit demokratik të vendit duke sjellë edhe situate si ato të prill 1991, 1996-1997, shtator 1998, janar 2011 etj. Pra, shkelja e rregullave të “betejës” ka sjellë rezultate negative, dhe frenuese, në atë që do duhej të ishte tranzicion i butë i sistemit politik dhe zhvillim në bazë të alternativave dhe jo përdorimit të forcës. Në konceptin klasik, “përdorimi i forcës është tregues i mungesës së arsyes”. Fakti që në këto 23 vite kemi parë përdorim force, nga të dy kampet politike, do të thotë se politikës shqiptare jo rrallë i mungon arsyeja. Kjo në vetvete sjell pasoja direkte në jetën e sotme, dhe të ardhmen e shtetasve shqiptarë që janë “pre” betejave gladiatore të politikanëve.

Ku qëndron opozita e sotme??? Pas rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 shumëkush do mendonte se ka ardhur koha e një ristrukturimi total të partisë më të madhe opozitare ne Shqipëri. Ky konstatim nuk vinte vetëm nga shqiptarët, por në masë të konsiderueshme edhe nga të huajt. Logjika të çon në mendimin se ndryshimi rrënjësor do ishte përgjigja më efektive ndaj një humbjeje në betejën politike të radhës, nëpërmes një diference shumë të madhe votash, dhe një ndryshim i tillë do ri-jetësonte idealet e Dhjetorit 1990 kur edhe opozita e sotme lindi. Megjithatë, kjo do ishte pritshmëria. Ajo ku opozita e sotme gjendet përfaqëson krizën më të rëndë të saj që nga 1997. Sot, Opozita duket se ka 3 probleme kryesore që po frenojnë ristrukturimin që megjithëse propagandohet shumë nga udhëheqësi i ri i saj mbetet në një vdekje klinike nga e cila do duhet të zgjohet në mënyrë që të rikuperojë mundësinë e saj lëvizëse.

 

1. Mungesa e imazhit pozitiv

Pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar u duk se për herë të parë në historinë politike të forcave të djathta në Shqipëri, ai që deri në atë kohë kishte drejtuar jo rrallë më “dorë të hekurt”, partinë që iu bë dhuratë nga studentët e Dhjetorit 1990, dha dorëheqjen nga postet drejtuese duke i hapur rrugë zgjedhjes së një drejtuesi tjetër që me gjasë do i jepte më shumë energji forcës politike që “dora e hekurt” i kishte shtrydhur energjitë ndër vite. Si pjesë e një sistemi demokratik të zhvillimit politik (rregull që në vetvete nuk u respektua pothuaj asnjëherë në jetën e brendshme të partisë demokratike) do duhej që kjo zgjedhje të ndodhte me anë të votimit të lirë të anëtarësisë.  Megjithëse i tillë u përkufizua shumë elementë të lënë të mendosh se kundërkandidati i Bashës, Sokol Olldashi, u trajtua në njëfarë mënyre “armik i klasës” duke sjellë një fitore të pritshme, por jo në ato shifra, të kandidatit afër “dorës së hekurt”. Kjo figurë politike e re si drejtues i partisë, por jo e re në sensin e pjesëmarrjes aktive në qeverisjen e 8 viteve që sollën humbjen e thellë të 23 Qershorit, do mblidhte rreth vetes miqtë e tij të qeverisjes 8- vjeçare. Këta miq, tashmë imazh i opozitarizmit në Shqipëri, janë po ashtu imazh i moskompetencës drejtuese pozitive në të mirë të zhvillimit, ose edhe imazhe të “betejës” idioteske të pasurimit në dëm të shtetasve që me votën e tyre i ndëshkuan në 23 Qershor (makina luksoze që do i kishin zili edhe deputetët gjermanë, veshje të modeluesve më të famshëm të botës së modës, vila marramendëse brenda dhe jashtë Shqipërisë etj, etj). Pra, opozita që do duhej të kundërshtonte, kritikonte apo protestonte ndaj dukurive dhe veprimeve jo pozitive të qeverisjes ka zgjedhur që këtë ta bëjë nëpërmes individëve që janë thellësisht të lidhur me negativitetin qeverisës të 8 viteve të kaluara. Si e tillë, ajo nuk mund të jetë e besueshme në atë që thotë se përfaqëson.

 

2. Mungesa e strategjive pozitive të zhvillimit

Në një periudhë 7-8 mujore që nga humbja e zgjedhjeve është normale që opozita të mos ketë një qëndrim të qartë dhe të mirëmenduar të strategjive dhe politikave që ajo do mund të ofronte si alternative ndaj qeverisjes në “betejën” politike që do i duhet të bëjë për aq kohë sa populli nuk do i besojë asaj të drejtën e qeverisjes. Kjo para së gjithash duke pasur parasysh edhe shkallën e humbjes dhe ristrukturimin që do i duhet të bëjë. Megjithatë, duket qartazi se ajo vuan nga kjo mungese normale deri diku, por në të njëjtën kohë duket të jetë aktive në strategjinë e kontrollit “me krahëmarrjeje” të segmenteve të shtetit.

Kjo më shumë evidente nëse do kemi parasysh veprimet e fundit të KLD-se dhe veprimet antikushtetuese të SHISH. Vendimet, dhe/apo veprimet, e tyre ndërkohë që do duhej të ishin të bazuara në ligj, në respekt të plotë të kushtetutës dhe rolit të tyre kushtetues duket se kanë vënë në pikëpyetje të thellë integritetin e tyre. Duke qenë se këto institucione përbëhen nga individë të emëruar nga ndikimet politike atëherë ose ata janë pjesë e një strategjie negative të zhvillimeve në vend, ose janë në kundërshtim të hapur me betimin e tyre për shërbim në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të rendit publik dhe sigurisë kombëtare. Fakti që opozita e sotme bazon aksionin e saj politik tek veprimet antikushtetuese të këtyre institucioneve tregon se vete opozita është origjina e strategjive negative. Sa më parë që ajo të shmanget nga ky kurs zhvillimesh aq me shpejt do mund te ofrojë mundësinë e ardhjes në pushtet nëpërmes ofrimit te strategjive dhe politikave pozitive të zhvillimit.

 

3. Mungesa e vizionit

Partia Demokratike, sot forca kryesore opozitare, lindi si rrjedhojë e pakënaqësisë popullore me politikat moniste të partisë shtetet, ku për hir të së vërtetës shumë prej kryesisë 23- vjeçare të PD-së aderuan me krenarinë e asaj kohe. Kjo mbase ka qenë edhe një ndër arsyet se përse kjo forcë politike nuk arriti të shmangë mitin e individit në krye të partisë, dhe përdorimin e “dorës së hekurt” në jetën politike të saj. Vizoni I deritanishëm ishte ai që kishte udhëheqësi i saj dhe pavarësisht nëse do qe i gabuar, ai përsëri mbetej vizioni i partisë. Sot, në 2014, pas 23 vitesh të përpëlitjes politike, dhe me një kryetar de jure të ndryshëm, opozita do duhej të fillonte reflektimin dhe hapjen e partisë ndaj mendimit ndryshe dhe alternativave pozitive. Së bashku, këto do ishin kushtet që do formësonin vizionin e ri të opozitës, një vizion që do duhej të ishte i ndryshëm nga deri më tani. Jo rrallë argumentohet mendimi se PD lindi në rrugë dhe është forcë e rrugës. Protesta është formë normale e opozitarizmit dhe si e tillë ajo mund të ushtrohet në Parlament ose në rrugë. Ciladoqoftë, për aq kohë sa e drejta e një pjese për të protestuar respekton të drejtat themelore të pjesës tjetër atëherë protesta është e ligjshme dhe mjet I demokracisë. Si e tillë, ajo duhet mbrojtur dhe kultivuar pasi I shërben zhvillimit dhe ofrimit të alternativave më të mira se ato ekzistuese.

Por cili është vizioni i protestës së opozitarizmit shqiptar??? Nëse u referohemi dy rasteve konkrete Shtator 1998 dhe Janar 2011 mund te themi se ato kanë lënë shije të hidhur dhe lot nënash.  Fakti që opozita e sotme në një protestë që zhvilloi para pak ditësh mblodhi diku 5000-6000 veta (siç raportojnë mediat e huaja) tregon se megjithëse akuzat e saj nga qeverisjes janë nga më monstruozet, ajo herë paraqitet si organizatore protestash (siç është rasti i protestës së 20 Shkurtit) dhe herë mbështet financiarisht protesta, të së ashtuquajturës shoqëri civile, duke mos dashur të dalë në pah si e tillë. Pra i mungon një vizion i qartë i asaj se kush është, çfarë përfaqëson dhe çfarë do të arrijë (natyrisht duke përjashtuar dëshirën akute të drejtuesve të saj de-jure dhe/apo de-facto për të ardhur në pushtet sa më parë).

Të tre këto mungesa lidhen me gjendjen vegjetative në të cilën ndodhet sot opozitarizmi shqiptar për të cilin edhe qeverisja edhe populli kanë nevojë të jetë aktive pozitivisht në të mirë të balancimit të fuqisë politike, kontrollit të qeverisjes dhe kundërshtimit pozitiv të saj. Debatet, dhe kundërshtimet pozitive, sjellin zhvillim dhe integrim më të shpejtë të Shqipërisë në botën demokratike ku ajo do të jetë pjesë. Kjo do duhet të ishte e mjaftueshme që baza e PD-së të kuptojë së partia I përket asaj,dhe krejt shqiptarëve, jo një grupimi individësh që babëzia e pasurimit i bën të qajnë bashkë me ta ditën, ndërsa natën ndajnë fitimet e haraçit 23- vjeçar në kurriz të tyre dhe fatkeqësive që ata i mbjellin me luksin e tyre të shfrenuar.

1 komente në “Në kërkim të opozitës”

  1. Pelasgian says:

    po c’opozite aman …ajo eshte nje parti Hajdutesh dhe gangosh te cilet shtetin e konsiderojne si dicka per tu grabitur dhe pasuruar . As ne 2005 nuk duhet te kishte ardh ne pushtet por shqipkart mendjeleht e harruan shume shpejt se kush ishte kryetari i ksaj partie , plus edhe koklopa qe percau ps qe ne at kohe ishte bloz fare .

    Fatkeqsi qe kemi kto politikan dhe kto lloj partish .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje