Epoka e tritolit

4 Mars 2014, 21:03Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko*

 

Një burrë nga Mati “kishte zbritur” në Tiranë me katër kallëpë tritol në brez këtë javë. Policia, që për fat të mirë e arrestoi në kohë, fillimisht dha dy pista: Ai e kishte tritolin për ta shitur, ose për të kryer ndonjë vepër të rëndë. Edhe pa policinë, në fakt këto dy pista janë laj-thaj, të vetmet për të cilat hamendëson kushdo. Por sido që të jetë, është e qartë se sa i përket kronikës së zezë, kemi hyrë në epokën e tritolit dhe C4-ës. Nëse pas vitit 1997 e këtej, rëndom është përdorur shprehja “kanë plasur armët sheshit”, sot mund të thuhet se ka plasur plasja.

Gjendja është dramatike. Dhe kjo jo detyrimisht se krimi, i organizuar ose jo, është ringjallur pikërisht këtë periudhë. Armët në duart e popullatës prej shumë vitesh, dhe shifrat e vrasjeve nga viti në vit, thonë se nuk është se kemi qenë në parajsë deri tani, dhe papritur pllakosi ferri. Problemi është se po krijohet një përshtypje (e papërgënjeshtrueshme nga faktet) e përgjithshme se fjalën e ka marrë eksplozivi. Teknikisht, parapëlqimi i kontingjentit kriminal për këtë kategori krimesh është i kuptueshëm dhe është shkruar për këtë: Eksplozivi nuk lë gjurmë dhe përgjithësisht e kryen misionin e vet. Aq më tepër tani, në epokën e teknologjisë së lartë kur lënda shpërthyese kombinohet me valët dhe zilet e celularit.

Por përtej “këndvështrimit teknik” të krimit, atentatet me eksploziv janë një goditje e fortë psikologjike për popullsinë, për qytetarët e thjeshtë. Është një klimë frike dhe pasigurie, pse jo edhe terrori, për qindra mijë familje që çojnë fëmijët çdo mëngjes në shkollë, për prindër e të afërm që shkojnë e vijnë nga punët e tyre me shije të hidhur në gojë dhe me gjendjen e brendshme të alarmit se ku dhe kur mund ta gjejë gabimisht e liga. Është, mbi të gjitha, një sfidë e hapur për shtetin. Në këtë vend njerëzit nuk dinë se me çfarë të mësohen më parë; me vrasjet për gjakmarrje, me aksidentet rrugore, me “të rejat” mbi dhunën në familje, apo këto kohët e fundit, me shpërthimet e befasishme. Një atentat ndaj një biznesmeni ndërtimesh në një zonë të mbipopulluar të qendrës së Tiranës, zbulon ca detaje domethënëse: Kaq shumë konflikte të njohura kontraktuale e monetare kishte shënjestra, saqë edhe fqinjët i kërkonin të mos parkonte mjetin e tij të shtrenjtë pranë banesave apo lokaleve të tyre, nga frika e të pabërës. Që në fakt, ndodhi. Dhe ende pa u shuar jehona e shpërthimit të parë, vjen i dyti: Një makinë hidhet në erë në Vorë, pa asnjë mundësi shpëtimi për viktimën Xhabafti. Mbiemri në fjalë është i njohur në Yzberisht e rrethina, dhe pista e policisë është një hasmëri e vjetër dhe e egër.

Pra, tani konfliktet “zgjidhen” me eksploziv. Edhe zhargoni rinor i periferive e ka zhvleftësuar shprehjen “ta futa plumbin”, në favor të përditësimit “ta vura tritolin”. E për hir të së vërtetës, kjo lëndë ka qenë gjithnjë e pranishme mes nesh. E kanë përdorur dhe përdorin peshkatarët ilegalë, deri aty sa ujërat tona janë shfarosur nga gjallesat; përdoret nëpër gurore e miniera të ligjshme të paligjshme; hyn e del nga magazinat e ushtrisë, dhe vetëm rrallë e tek ndonjë rast sheh dritën e shtypit. Fjala vjen, pak ditë më parë tre punonjës të këtij sektori u arrestuan në flagrancë, pasi trafikonin municione e lëndë luftarake drejt Kosovës. Ministria e Mbrojtjes deklaroi tre javë më parë se ministri paraardhës i paskësh shitur 500 tonë TNT një kompanie private që menjëherë më pas e kish rishitur në Bullgari me fitim të majmë. Ndërsa një episod enigmatik, mbi vjedhjen e një sasie të konsiderueshme eksplozivi nga kantieri i Bechtelit kur po ndërtohej rruga e Kombit, mbeti në errësirë dhe as ne mediat, nuk arritëm të zbardhim gjë.

Vërtet pra, tritoli ka qenë mes nesh, por vetëm vitet e fundit është rizbuluar “dobia” e dyfishtë e tij. U desh ekspozimi rastësor i rastit “Julian Sinanaj” që paskëtaj të kuptojmë se ai nuk ka qenë i vetmi. Shpërthimet, me fushatë ose tek e tek, po pasojnë njëri-tjetrin. Edhe sikur policia të zbulojë në kohë rekord autorët e krimeve dhe motivet, kjo gjithmonë do të vijë pas faktit. Pa dashur të bëj asnjë lidhje të shkurtër me kritikat e politikës dhe arsyet e saj, duket se një hallkë zinxhiri që nuk funksionon në këtë drejtim është puna e shërbimeve inteligjente. Do të ishte shumë e rëndë, edhe për një popull që çfarë s’ka provuar në historinë e tij, të mësohej e të mos i bënin përshtypje më shpërthimet me dinamit në mes të ditës a të natës. Kronikat e kohës, tregojnë foto të ’97-ës ku shitësit hapin bagazhet e makinave dhe shesin në tregjet e qyteteve automatikë e municione të mira e të lira. A mos ka ardhur koha e tritolit pa hile?

*Revista KLAN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje