45 milionët e piramidës energjetike

11 Mars 2014, 10:04Ekonomia TEMA

Apo sesi ëndrra për një “superfuqi të vogël energjetike në Ballkan” po shndërrohet në një makth prej dhjetëra milionë eurosh humbje për buxhetin publik dhe taksapaguesit shqiptarë. Rrënim i KESH-it dhe buxhetit të shtetit, apo kërdi mbi financat e qytetarëve, kjo histori i realizon të dyja po aq mirë dhe njëkohësisht. Rasti kur suksesi i një aspirate thellësisht të gabuar përkthehet në katastrofë

Nga Ervin Qafmolla, Revista JAVA

Nëse thuhet se në përgjithësi historitë e suksesit mbështeten po mbi suksese që paraprijnë, diçka e tillë do të tingëllonte kaq logjike sa ndoshta do të jehonte barsoletat mbi ndonjë parlamentar që deklaron situata që janë të mirëqena në vetvete. Por kjo është një histori në të cilën “gjërat pozitive” nuk janë domosdoshmërisht më të mira se “gjërat negative”. E thënë ndryshe, bëhet fjalë për një operacion që nëse përmbyllet me sukses, gjeneron vetëm dy alternativa: rritje të egër të çmimeve për konsumatorin fundor – në këtë rast qytetarët – ose një katastrofë në buxhetin e shtetit, i cili sakaq mbahet me paterica. Nga ku, rezultati është se zhvillimet pozitive apo të suksesshme në një drejtim mund të prodhojnë rezultate katastrofike në një tjetër. Kjo nuk është lojë fjalësh. Bëhet fjalë për një dramë në mbrujtje e sipër e cila shumë më shpejt nga sa mund të merret me mend, ka të gjitha mundësitë të godasë ekonominë shqiptare.

 

“Superfuqia”

Rreth katër vite më parë në forumin e Crans Montana, organizuar në Tiranë ish-Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, njoftoi se numri i licencave në sektorin energjetik, për ndërtimin e hidrocentraleve do të vazhdojë të rritet, deri në një target final prej rreth 400-500 HEC-e. Pothuaj të gjitha këto licenca u referohen hidrocentraleve të vogla, përjashto hidrocentralin e Ashtës dhe atë më të madh, të Devollit. Në vitin 1985, kur këto impiante ishin në kulmin e funksionalitetit të tyre, nuk arrinin mbulonin më shumë se 3 për qind të totalit të prodhimit vendas të energjisë elektrike.

Në vitin 2012, HEC-et e “superfuqisë së vogël energjetike në Ballkan” sikundër u pagëzua kjo nismë nga z. Berisha – llogaritën në fakt, 7% të prodhimit të përgjithshëm neto për vitin 2012 në Shqipëri, sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Suksesi është i dukshëm, por pa harruar se kjo histori është e tillë që suksesi jo domosdoshmërisht gjeneron po sukses. Sipas ERE janë në prodhim 68 hidrocentrale, ndërsa burime të tjera flasin vetëm për 44. Megjithatë, aspekti më interesant është formula me të cilën qeveria pararendëse ka zgjidhur funksionimin  e “superfuqisë së vogël energjetike në Ballkan”. Hidrocentralet ia shesin energjinë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) me rreth 9 lekë për kilovat/orë, ndërsa KESH ia shet CEZ-it me 2.2 lekë për kilovat/orë. Kjo gjetje, e cila përkeqëson bilancin e Korporatës dhe rrjedhimisht të buxhetit të shtetit, duke qenë se KESH mbahet me serume që mbulojnë humbjet nga taksapaguesit, është fryt i një vendimi të marrë nga ERE në vitin 2012 për t’i ardhur në ndihmë ish kompanisë çeke të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Vlen të përmendet se KESH llogaritet të ketë rreth 500 milionë dollarë borxhe të papaguara, dhe se të gjitha hidrocentralet në pronësi publike, praktikisht, janë lënë peng te Banka Botërore, thënë në terma të trashë. Ndonëse këto para nuk janë paguar dhe nuk dihet se kur do të paguhen apo nëse do të mund të paguhen ndonjëherë, Banka Botërore nuk ia ka sekuestruar hidrocentralet e saj, Shqipërisë, por ka më shumë pushtet për të diktuar ndryshime në politikat energjetike të vendit.

 

Humnera e KESH

Aq keq i ka punët KESH, sa në vitin 2012, duke qenë se mori hua në bankat private në vend rreth 15% të totalit të kredisë, mbeti pa para dhe në pamundësi për të importuar energji elektrike, në një kohë që tregu kishte nevojë. Një rregull i vendosur nga Banka e Shqipërisë për të mbrojtur stabilitetin financiar të vendit, dikton se bankat nuk mund t’i japin kredi përtej këtij niveli një subjekti të vetëm. Si rrjedhojë, qeveria, përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, në pikun e konsumit (shkurt 2012), kreu një transaksion prej 2 miliardë lekësh (14.2 milionë euro) në llogarinë e KESH sh.a., sipas monitorimit të thesarit të shtetit nga projekti “Open Spending Albania”. Transkasioni rezulton i saktë.

Në këtë pikë, fetishi i “superfuqisë energjetike” ishte në zenitin e vet. Në fakt, një vit më parë, në 2011-n, u prodhuan nga HEC-et e vogla rreth 137 000 megavat/orë, të cilat, të llogaritura me 66 euro për megavat/orë (apo 6.6 eurocent për kilovat), rezultuan në një faturë për KESH në nivelin 10 milionë euro. Viti 2012 ishte edhe më i mbarë. Energjia elektrike e prodhuar në vend arriti në 300 000 megavat/orë, e cila u përkthye për KESH në një faturë prej gati 20 milionë euro. Duhet kuptuar se KESH ka rezultuar historikisht me humbje, dhe pavarësisht të privatizimit të shpërndarjes te çekët e CEZ – kompania edhe pse aktualisht administrohet nga shtetit shqiptar quhet prapë CEZ edhe sot – vijoi të dilte me humbje.

Në fakt, bilanci i fundit i KESH i publikuar është ai i viti 2010; një vit veçanërisht i mbarë për kompaninë, si rrjedhojë edhe e reshjeve të shumta dhe eksporteve të mëdha të energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet. Nga ai çast e më tej, Korporata nuk e ka publikuar me bilancin e saj, çka flet për nivelin e transparencës që ky institucion ka ndaj publikut, por dhe për gjëmat që mund të jenë materializuar ndërkohë nga realizimi i ëndrrës së “superfuqisë energjetike”. Gjithashtu, ERE ka të publikuar vetëm të dhëna për vitin 2012, ndaj dhe referenca e fundit shifrore për energjetikën shqiptare kufizohet në një vit e më shumë më parë. Me pak fjalë, askush në Shqipëri, përjashto ministrin e Energjetikës, Kryeministrin, drejtorin e KESH dhe atë të ERE, nuk e njeh bilancin e kompanisë publike të prodhimit (dhe importit) të energjisë elektrike, ndonëse bëhet fjalë për informacion publik.

 

Numëratori energjetik

Por dhe pa këto të dhëna, shifrat nga HEC-et e vogla flasin vetë. Nuk nevojitet shkencë raketash për të kuptuar sesi do të shkojë kjo punë. Veprime bazike të mbledhjes, zbritjes, shumëzimit dhe pjesëtimit (pa qenë nevoja të përfshihen formula matematike të avancuar e as ekuacione me një ndryshore) janë të mjaftueshme për të kuptuar se ku po shkon kjo mesele.

Tani, duke pasur parasysh se nga viti 2011 në 2012, prodhimi nga hidrocentralet e vogla regjistroi rritje me më shumë se dyfish (200%), mund të spekulohet duke qenë kursimtarë edhe në spekulim, se në vitin 2013, rritja nuk do të ketë qenë me dyfish, por nga 300 000 megavat/orë për 2012-n në rreth 450 000 megavat/orë për 2013-n. Fatura e këtij prodhimi do të ishte vetëm 30 milionë euro. Korporata e blen energjinë me 66 euro për megavat/orë dhe do ia shesë CEZ-it (nëse largqoftë ruhet e njëjta formulë) për 15.7 euro për megavat/orë, çka do të thotë se humbja është (30 milionë minus 7 milionë) 23 milionë euro.

Nuk është llogaritur në këtë humbje të madhe as futja në prodhim e kaskadës së Devollit, e cila pritet t’i shtojë gjëmës financiare të KESH edhe rreth 50 milionë euro të tjera përmes tre hidrocentraleve që pritet të bëhen funksionale në këtë kaskadë. Sipas vetë deklaratave të zhvilluesve të këtij projekti, tre hidrocentralet do të prodhojnë energji për rreth 140 mijë familje me një kapacitet vjetor prej 800 gigavat. Duke lënë mënjanë, marketingun e 140 mijë familjeve, 800 gigavat përkthehen në 50 milionë euro energji e blerë vetëm nga ky projekt që i shtohen faturave të KESH. Domethënë: KESH e blen këtë energji vetëm nga Devolli për 50 milionë euro dhe e shet për 12.5 milionë euro, me një humbje prej 37.5 milionë eurosh. Lajmi jashtëzakonisht i mirë është se ky prodhim i suksesshëm, shoqëruar me tragjedinë përkatëse financiare, nuk parashikohet ndodhë para vitit 2020.

Ende është mister i madh se kush e shpiku dhe kush e pse miratoi këtë formulë aliene, e cila bën të pasurohen operatorët privatë të energjisë elektrike duke rrënuar financat e operatorëve publikë. Ajo që është e sigurt rezulton në faktin se 500 milionë dollarët borxh të KESH do të vijojnë të shtohen, në një kohë stanjacioni ekonomik, i cili vijon të thellohet pa ndërprerje, si pasojë e borxhit të stërmadh publik të trashëguar. Kjo do të thotë se qeveria nuk do të ketë para për të kanalizuar te buxheti i KESH për importe apo për blerje super të shtrenjta energjie nga HEC-et e “superfuqisë”. Kontratat janë nënshkruar sakaq, dhe në rast të ndryshimit të formulës tashmë në fuqi, një skenar shumë i zi penalitetesh do të përplasej mbi financat e qeverisë.  Nëse kontratat respektohen, një skenar sërish shumë i zi do të vijojë të gllabërojë financat e qeverisë. U harrua të përmendet vetëm diçka. Financat e qeverisë janë fonde publike, janë para taksapaguesish. Paratë e shqiptarëve, të cilët ose do të përballen me çmime shumë më të shtrenjta të faturës së energjisë elektrike (për të kompensuar humbjen e KESH), ose sërish do ta paguajnë këtë humbje përmes buxhetit të shtetit, i cili sakaq është në vështirësi të stërmëdha. Apokalipsi po vjen. Me shumë gjasa, nesër. Në mos ka ndodhur që sot por ende nuk e kemi marrë vesh.

21 komente në “45 milionët e piramidës energjetike”

  1. Mira says:

    ED Rama! Urgjentisht duhet të ndalosh këtë hemoragji, nqs i do të mirën këtij populli…..!

    1. artiles says:

      Me cudit fillimi i paragrafit te fundit “Eshte mister i madh se kush e shpiku, kush dhe pse e miratoi kete formule aliene”!?!?! Hapni praktiken shkresore se do gjeni ndonje qe me ngazellim i ka ofruar SALES rrugen dhe slloganin e “superfuqise ekonomike”!

  2. Kreshnik says:

    Hidroelektocentralet e vegjel qe shkurt quhen HEC-e jane nje pasuri e madhe potenciale e Shqiperise. Ne kushtet e ekonomise kapitaliste keto behen jo me nga shteti, por nga sektori privat. Eshte e drejte natyrore , ligjore dhe morale qe keto te ndertohen nga privatet dhe te mos pengohen nga shteti. Eshte pune tjeter pastaj qe energjine te tregtojne vete dhe te mos e marre shteti etj probleme rregullatore. Shteti normalisht ne koncensione ka inestim zero dhe ne fakt fiton direkt dhe indirekt prej tyre. Eshte dem i madh pengimi ne kete fushe qe po ben Qeveria e PS. Une mendoj se nuk eshte halli shume sa flitet, se nuk jane keto HEC-et e vogla dhe licencat e tyre qe e kan dreguar KESH-in ne kete gjendje dhe vete shtetin . Jane me mijera familje qe te pa shqetsuar vjedhin energjine, shumica nuk paguajne fare. Shteti hesht dhe nuk punon. Thone nuk kane para- Kane per celulare te shtrejte, per karta celulari, per autovetura e karburanet e pse jo per energjine qe shpenzojne ? !!! Po jo zoterinje , meqenese shteti nuk punon per KESH e CEZ duhet gjetur nje mashtrim i rradhes. Dhe ky mashtrim ka nje spjegim : – Duhet nje kontroll i imet se sa fitojne keta te koncensioneve me qellim qe te taksohen privatisht nga qeveritaret. Do licence jep kaq etj. Ose kush i merr licensat eshte i yni apo jashtetokesore ! Pastaj fillon llogaria me ligjin se me sa kurthe ligjore do te hartohet etj. metoda qe tani ne shqiperi njihen ! Hall i madh me keto ligje, ka rrezik te hash dhe dru…. se nuk te lene as me punu !!! Lepuri flen gjetke.

    1. redi says:

      Kreshnik,
      Me lejo te lutem te mos jem fare dakord, m.gj.se e respektoj, mendimin tend.
      Ketu kemi te bejme me nje mashtirm te madh. Hidricentralet e vogla private ja shesin shtetit ( KESH-it ) me cmimin 64 Euro per megavat ore dhe KESH ( shteti ) ja shet privatit CEz me 15,7 megavat ore. Kjo eshte çmenduri dhe vjedhje sheshit. Pra shteti ja fut vetvehtes dhe taksapaguesve te vet.
      Ne shkrimin siperm mendoj, se autori duhet te jepte edhe cmimet e tregut boteror te energjise elektrike per periudhat perkatese. Ne se cmimet e tregut boteror do te ishin me te larta se 64 Euro per nje megawat ore atehere do te ishte nje pune tjeter. Ne se cmimet e tregut boteror do te ishin ( jam i sugurte ) me te ulta se 64 Euro atehere kjo gje eshte nje vjedhje sheshit.
      Dihet se, vende si Gjermania perkohesisht subvenksjonojne nxjerrjen e qymyrit por jo me keto ndryshime kolosale te çmimit si per rastin e prodhimit te energjise elektrike nga hirocentralet private.
      Jam dakord me “Miren”, qe qeveria e re te mos lejoje kete kasaphane, qe na e la peshqesh idioti Sali Berisha.

      Pershendetje

      1. Ton says:

        Redi,
        Nje info shume te thjesht per ty. Cmimi eshte rreth €67/MW kete vit dhe eshte i diktuar nga mesatarja e çmimit te blerjes se energjise nga KESH nje vit me pare. Pra kete çmim e ka vendosur bursa por HEC-et e vegjel nuk mund te kene ndryshueshmeri çmimi sepse nuk e ruajne energjine.

        1. Ton says:

          Me fal e ka vendosur bursa.

        2. redi says:

          Toni,
          Me fal per ndoshta keqkuptimin.Une desha te dija se sa eshte cmimimi ne tregun boteror te energjise per perjudhat e kohes ne fjale. Pra edhe nje here sa ka qene cmimi i energjise elektrike ne tregun boteror.

          Faleminderit per pergjitjen.

          PERSHENDETJE

  3. redi says:

    Mira,
    Kjo eshte e njejta histori si me kombinatin e celikut ne Elbasan. Enveri e qujti kete kombinat si clirimin e dyte te Shqiperise, por ne fakt kjo ishte vdekja e ekonimise shqiptare. Une kam punuar ne Mineralimpeks dhe merresha me eksportin e telelave te Shkodres. Ne ate kohe ne kishim superprodhim te celikut per beton dhe na u dha nje sasi p er eksport. Per habine tone asnje importues i huaj nuk interesohej. Atehere lindi ideja, qe neve per te testuar tregun te benim sikur deshem te blenim celik betoni me karakteristikat e celikut tone. Nga tregu morrem pergjigje alarmante. Tregu ofronte te njejtin hekur betoni me cmime dy –tre here me te lira se kostoja e prodhimit te hekurit tone ne Elbasan. Pra dilte se kombinati i elbasanit ishte nje katastrofe dhe punonte me humbje gjigande. Neve na u dha urdheri qe te mos bisedohej me per kete pune sepse ishte « sekret shteteror ».
    Kjo ndodhte sepse hekuri i Prenjasit kishte permbajtje te dobet celiku, furrat e larta te Elbasanit donin vetem qymyr koks qe ne e merrnim me devize te lire. Pra shkurt muhabeti Enveri kishte thene nje broçkull te madhe si puna e Sales. Mjere ky popull. Mire thone se cdo popull meriton qeverine qe ka.

    1. Tiransi says:

      Po ju inxhinieret dhe ekonomistet e shquare te asaj kohe c’fare benit duartrokisnit Enverin dhe me vone Saliun apo benit llogaritjet e kostos.Eshte per te ardhur keq me nivelin e specialisteve tane

  4. vini says:

    Energjia e prodhuar nga HEC e vogla eshte shume e vogel ne krahasim me importin e energjise elektrike.
    Pra eshte me mire te importojme apo ta blejme nga tregu vendas me te njejtin cmim kete sasi modeste nga keto HEC??
    Gazetari duhet te jete me i kujdesshem ne kontekst dhe te mos krijoje te paverteta.
    Keshtu eshte kur vendosen te pa-afte ne shkolla=studente medioker=te diplomuar medioker= dhe si perfundim zyrtare, politikane, gazetare medioker
    Faleminderit

  5. veterani says:

    Nuk me duket kaq tragjike sepse ata pronare jetojn ktu jan shqiptare dhe i kan marr si i kan marr ato kontrata do te duhet te negociojne perseri me qeverine e sotme dhe te neserme.Ata nuk jetojne jashte ketij realiteti,ata energjine jane te detyruar ta shesin ktu,ky eshte tregu nga i cili varen dhe cmimet nuk mund te dilet jasht ktij realiteti.Askush nuk eshte i interesua te falimentoj shteti apo keshi.

  6. Populli says:

    Nje zgjidhje do te ishte qe te rishikohen kontratat me keto HEC-e private. Te rishkruhen kontratat dhe te ulet cmimi i energjise qe ata i shesin CEZ-it ose ky cmim te njehesohet me cmimin qe shet KESH-i, duke e bere te perballueshem cmimin nga konsumatori final dhe duke lejuar edhe nje hapesire fitimi per CEZ-in. Neqoftese HEC-et private e rrefuzojne kete, atehere te mos lejohen qe te shperndajne energji ne rrjetin publik te KESH. Nje zgjidhje tjeter do te ishte qe te rritej tarifa e shperndarjes per keto HEC-e, te cilat po shfrytezojne rrjetin ekzistues per ti shitur energjine CEZ-it. Gjithsesi ne kete lemsh qe kane bere keta, e shikoj pak te veshtire qe te kete nje zgjidhje pa penalitete ligjore kunder KESH-it ose CEZ-it.

  7. Kjo histori do vazhdoje,asgje sdo ndryshoje.Moti i mire shihet ne mengjez.Emerimi i elektroagrarit rural Hetoja {mik i afert i ministrit}po jep frytet e para.Brenda pak ditesh nga marrja e detyres ka shkaterruar te gjithe strukturat e personelit ingjinjero-teknik ne HC e V.Dejes dhe HC Koman,ka larguar nga puna punonjesit me te afte me eksperience pune 25-30 vjecare e duke emeruar ne keto vende pune miqte e shoket e drejtorave te rinj.BRAVO.

  8. Wtf says:

    Boll paguam edhe faturat e ceceneve. Ne duan energji ta paguajne si gjithe te tjeret. Dhe kjo qeveri duhet ti jape fund diskriminimit te kesh ne favor te privateve.

  9. SHBA-BE says:

    ERVIN QAFMOLLA URGJENTISHT DUHET TE KALOJE NJE KURS PER NJESITE E MATJES

    sepse me keto qe shkruan ketu tregon injorance totale albaneze dhe behet REZILI yne ne syte e Botes. Qe te dalim ne teme:

    Jo vetem Ervin Qafmolla, por te gjithe pushtetaret dhe politikanet shqyptare kur flasin per energjine elektrike e trajtojne pa piken e respektit dhe perdorin terma qe do te cudisnin edhe talebanet ne Afganistan apo kanibalet ne Afrike duke perdorur njesi matese te sajuar ne Albanistan si kilovat/ore apo megavat/ore nderkohe qe realiteti eshte krejt kunder dhe per debilet gazetare te fushes se energjetikes nastradini ka pergatitur nje sqarim qe tregon se energjia elektrike matet me kilovat x ore apo me megavat x ore qe ne Bote shkurtimisht shenohen si:

    kWh ose MWh

    ja ku e ke edhe siten me oshte o gazetari i energjise qe nuk di si matet energjia ne Bote:

    http://en.wikipedia.org/wiki/Kilowatt_hour

    sepse ndryshe thene kjo qe ke shkruar ti ne TEMA eshte njesoj sikur te shkosh dhe te blesh ne pazar patatae me METER LINEAR.

    1. Agr says:

      Jo mor RRUSH,i bie qe shitesi tek pazari jot ti bleje me 65 euro kg (apo ml te patateve se i ve ne rrjesht,po karroce apo apartament me patate) ne BATHORE dhe ti shesi ty ne pazar 15 EURO per kg (apo ml te patateve se i ve ne rrjesht,apo karroce apo apartament me patate).

  10. fshatari says:

    Kjo eshte veper e Sali Serbit qe ka bere kontrata te tilla skllaveruese per Shqiptaret.
    Dy jane arsyet
    1-Arsye korruptive te pastra te hajdutit Sali Berisha
    2-Shkaterrimin e Burimeve energjitike Shqiptare pikerisht hidrocentraleve qe i ka lene peng te Bankes Boterore -e perkthyer ne planin strategjik te antishqiptarit Sali do te thote varesi e perjteshme energitike nga Serbia.
    Vini Re o popull pa gjak-Kur Sali Berisha pellet per sukses,aty ka mbjell shkaterrimin .
    Ju kujtohet besoj kur pelliste per piramidat-Parate e Shqiptareve jane me te pastrat ne bote
    Ju kujtohet kur pelliste si kafshe per ekonomine Shqiptare si nje ekonomi suksesi ne Bote
    Ju kujtohet edhe Shqiperia superfuqi energjitike,superfuqi atomike

  11. kuq e zi says:

    sektori i energjise eshte ai me i korruptuari dhe gjithe kto humbje rrjeti jane per te justifikuar vjedhjet…
    nje prove e padiskutueshme eshte mos nderrimi i nenpunesve te ketij sektori qe nga era e komunizmit nenvizoj nenpunesit dhe jo drejtoret qe cdo parti fuste te vetin por skuadra ishte po ajo qe justifikonte vjedhjet

  12. al, paci says:

    mos u cudisni se keshi me kete cmim importon nga jasht, dhe po me kete cmim e shet prap, pra me humbje del dhe kur importon. me mir tja blejn ketyre shqiptareve se ta importojn nga jashte. problemi i energjis ne shqiperi eshte te vjedhja e te faturat e papaguara. kur ngjysma e shqiperis ka 23 vjet qe spaguan energji ca pret ne borxh do jet keshi

  13. IFC says:

    Te nderuar

    KESH e shet energjine dyfishin qe e prodhon.
    Pra, fiton rreth 10euro/MWh dmth nese prodhon

    1,450MW x 4500 ore = 6.5TWh atehere:

    10 x 6,500,000 MWh = 65 mln euro fitim ne vit

    Energjia qe blihet nga HEc e vogla (SHPP) eshte:

    200 MW x 4500 ore/vit = 900,000MWh

    Ajo blihet me 65 euro/MWh dmth

    900,000 MWh x 65 euro /MWh = 58,5 mln euro ne vit.

    Si rrjedhim, KESH fiton ne vit:

    65mln – 58.5 mln = 6.5 mln euro ne vit (te pakten).

    Por, me sa e blen KESH energjine nga broker-at?

    A i ka ditur keto Banka Boterore dhe IFC kur percakton politikat energjetike?

  14. lili says:

    Po me cka kujtoni ju se fazlici u bâ multimillioner,pos me kete Formula tallen,ku ky eshte ai qe perfiton ma se shumti!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje