Kievi afër nesh

28 Mars 2014, 20:00Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Përtej krizës ekziston një Kiev tjetër, një vatër inspirimi për shumë shkrimtarë, një kozmos gjuhësh e kulturash, një simbol i historisë

 

Po të ishte gjallë Sefer Musliu do ta shihnim këto ditë – ndoshta – shpesh në televizionet tona. I lindur në Shkup, i shkolluar në Zagreb, ku edhe u dashurua në profesionin e gazetarit, ai, veç të tjerash, ka lënë disa dokumentarë televizivë me vlerë dhe ca shënime e udhëpërshkrime për shqiptarët e Ukrainës, që u larguan nga Korça e vajtën në Bullgari, ku jetuan rreth dy shekuj, pastaj u vendosën në Ukrainë, ku jetojnë edhe sot. Pjesa më e madhe e tyre janë asimiluar, por nuk kanë harruar ende vendin prej nga vijnë. Nga pak këndojnë shqip e më shumë belbëzojnë, të harruar e të mallkuar nga historia e përgjakshme.

Po të ishte gjallë Sefer Musliu me siguri tani do të shkruante edhe një libër tjetër mbi shqiptarët e Ukrainës, apo ndoshta s’do të mund ta ndalte askush që këto ditë të shkonte në Ukrainë, në rrethinën e Odesës, ku do të kontaktonte sërish njerëzit me të cilët thuri e ndërtoi dokumentarët e tij. Përtej krizës ekziston një Ukrainë tjetër, afër Ballkanit dhe popujve të tij. Afërsia jo vetëm gjeografike është rrjedhojë e historisë: në kohërat e Perandorisë Osmane njerëzit lëviznin e gjenin punë në viset kufitare dhe përtej tyre apo dërgoheshin si ushtarë për të luftuar. Tregimi shqiptar për Ukrainën nuk është i plotë. Gazetari Sefer Musliu i ka hedhur hapat e parë në këtë drejtim.

Beteja për demokraci në Ukrainë ka nisur dhe po zhvillohet në Mejdan, në sheshin kryesor të Kievit, në Sheshin e Pavarësisë. Në shtypin perëndimor fjala Mejdan tashmë përdoret në mënyrë të vetëkuptueshme si kur bëhet fjalë për Kullën e Eiffelit (Paris), Portën e Brandenburgut (Berlin), Pallatin Schönbrunn (Vjenë). Në Mejdan forcat e presidentit plaçkitës Viktor Janukoviq vranë dhjetëra protestues. Në Mejdan më 9 mars, në 200-vjetorin e lindjes, u përkujtua poeti kombëtar ukrainas Taras Shevçenko. Në Mejdan u mbajtën fjalime të zjarrta për demokraci. Në Mejdan vendosën lule politikanë perëndimorë.

Pakkush e di se fjala mejdan është e mirënjohur për popujt e sunduar nga Perandoria Osmane: rrjedh nga gjuha arabe dhe domethënë: shesh i hapur. Nga arabishtja kjo fjalë ka depërtuar përmes osmanishtes në shqip, persisht, armenishte, në gjuhën ukrainase dhe shumë të tjera. Në gjuhën shqipe fjala mejdan përdoret edhe në kontekst dyluftimi: “dolën në mejdan” apo “ndesheshin në mejdan”.

Njëri nga shkrimtarët më të njohur rus rrjedh nga Kievi: Mihail Bulgakovi, autor i romanit “Mjeshtri dhe Margarita”. Vepra është një satirë e pamëshirshme me Bashkimin Sovjetik të viteve ‘30, kur po merrte hov dhuna staliniste. Pas leximit të këtij romani Mick Jagger shkroi këngën “Simpathy for the Devil”. Historiani gjerman Karl Schlögel e ka quajtur romanin e Bulgakovit “ciceronin më të mirë” në botën moskovite të viteve ‘30, ku në mënyrë të pamëshirshme goditen burokracia, servilizmi dhe përulja. Afër Odesës ka lindur edhe poetesha e madhe ruse Ana Ahmatova, e cila një pjesë të jetës së saj e kaloi në Kiev.

Që në moshën 17-vjeçare ajo hoqi dorë nga mbiemri Gorenko dhe mori mbiemrin e gjyshes Ahmatova, e cila ishte tatare. Në poezitë e saj Ahmatova godet terrorin e kuq stalinist dhe pëson rëndë: burri i saj i parë u pushkatua, i biri i saj u arrestua, ndërsa asaj iu ndalua të botojë. Mes viteve 1935-40 Ahmatova shkroi një vëllim poetik mbi anët më të errëta të stalinizmit. “Por, çfarë ka ndodhur, / çarçafët e zinj le ta mbulojnë, / dhe llambat të largohen… / Natë”. Nata staliniste do të zgjaste edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Ahmatova do të përjashtohej nga Shoqata e Shkrimtarëve për shkak se nuk shkruante në frymën e re optimiste, e cila diktohej nga regjimi komunist. Ahmatova u rehabilitua tek pas vdekjes së Stalinit.

Duke qenë qytet në periferi të Perandorisë Ruse, Kievi ishte pikëtakim kulturash e gjuhësh. Në këtë kozmos një autor e përshkruante realitetin në gjuhën ruse, tjetri në gjuhën ukrainase, jo pak të tjerë shkruanin polonisht apo çekisht. Polaku Jozef Korzeniovski u lind në Ukrainën e sotme qendrore dhe nën ndikimin e babait, i cili kishte përkthyer në polonisht William Shakespearein dhe Victor Hugon, iu përkushtua leximit të letërsisë franceze. Si 17-vjeçar Jozef Korzeniovski shkoi në qytetin bregdetar francez Marseille me dëshirën e madhe për t’u bërë marinar. Pjesa tjetër dihet: në letërsinë botërore Jozef Korzeniovski njihet si Josef Conrad dhe si shkrimtar me origjinë polake që shkroi në anglisht (në shqip janë përkthyer “Zemra e errësirës” dhe “Kufiri i hijes”). Autori çek Jeroslav Hashek shkroi në Kiev versionin e parë të romanit të tij “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili është një dokument i rëndësishëm letrar mbi Luftën e Parë Botërore dhe sidomos sivjet, në 100-vjetorin e shpërthimit të kësaj lufte, vepra gëzon aktualitet të sërishëm. Në shqip romani u përkthye në fillim të viteve ‘60 në Tiranë dhe u ribotua nga “Rilindja” në Prishtinë më 1982.

Kjo trashëgimi e pasur letrare e Ukrainës sot përfaqësohet nga autorë të njohur edhe në Perëndim si Juri Andruhoviq, i cili në vitin 2006 u shpërblye me çmimin për “Mirëkuptim Evropian”, që ndahet nga Panairi i Librit në Leipzig. Në romanin e tij “Moskoviada” Andruhoviq i kundërvihet dominimit rus me ton satirik si dikur Bulgakovi terrorit stalinist. Andruhoviq shkruan: “Siç e dinë ata nga historia jonë heroike deportimi është mjet i mrekullueshëm kundër çdo problemi kombëtar. Duke e mbështetur idenë e shpërnguljes masive të popujve, ne përkrahim krijimin e kombeve dhe popullsive kimeriane me emra aq të çoroditur, saqë atyre u vjen turp edhe nga vetvetja: rosijakë, ukralianë, rumanologë, poshtëbajxhanë”. Në vetëdijen kombëtare ukrainase, së cilës i referohet këtu Juri Andruhoviq, është e ngulitur thellë fjala “Holdomor”, një aksion gjenocidal i Stalinit për nënshtrimin e popullsisë përmes urisë në vitet ‘30. Sipas studimeve më të reja, nën këtë valë terrori në Ukrainë vdiqën rreth 3,5 milionë njerëz.

Stalini kishte një ëndërr: kolektivizimin, shpronësimin dhe dekulakizimin e shoqërisë fshatare (në Rusinë e shekullit 19, kulakë quheshin bujqit e pasur, të cilët Stalini i plaçkiti brutalisht në emër të krijimit të barazisë shoqërore). Ky model u kopjua më vonë edhe në Shqipëri – me rezultatet e ditura.

4 komente në “Kievi afër nesh”

  1. Neorealizmi says:

    Robelli si gjithmone hap nje dritare dhe te lejon te shohesh nepermjet saj. Eshte nje histori e shkurter e Ukrahines e shikuar nga kendveshtrimi i shkrimtareve dhe autoreve te ndryshem.

  2. Kadafi says:

    “Në Mejdan, forcat e presidentit plaçkitës, Viktor Janukoviq, vranë dhjetra protestues”…Po ne, zoti Robelli, sikur na thanë që u vranë protestues dhe policë bashkë, nga snajperë që “asnjeri” nuk e di “nga ishin”…??? Apo ju, zoti Robelli, i dini më mirë këto punë, “se jeni në brëndësi të gjerave”…??? Shkruajmë realitetin, apo atë “që na pëlqen”…???

  3. Pogradecari says:

    Robeli ! Me vjen keq per ty , qe kaq i ri je bere nje papagall i neonazisteve.Turp!

  4. AP says:

    Nuk thuhet ” holdomor” por thuhet ” gollodomor” . Jo gjithmonë gërma ” g” kthehet në ” h” kur perkthehen fjalët. Por kjo s’ka rëndësi! Rëndësi ka që Enveri të mos jetë thjeshtë një grafoman. Në sheshin Majdan ngjarjet janë zhvilluar krejt ndryshe nga ç’na servir zoti Robelli!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje