Incidenti në Librazhd/ Reagon Shtabi i Përgjithshëm: Është i pamundur kontrolli fizik i imtësishëm

29 Mars 2014, 18:54Kronika TEMA

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura reagoi për ngjarjen e rëndë të Librazhdit, ku një i ri humbi jetën duke mbledhur skrap pasi i shpërtheu një granatë.

Pas kritikave të deputetit socialist, Taulant Balla, se kjo zonë duhet pastruar, Shtabi i Përgjithshëm thekson se është shumë e vështirë të bëhet kontrolli fizik i imtësishëm.

“Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllime të thella familjarëve të Arben Doskut, i cili humbi jetën sot dhe Lavdrim e Alfred Doskut, që mbetën të plagosur në fshatin Zgarë të Librazhdit.

Forcat e Armatosura kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë të pamundurën për të shmangur ngjarje dhe incidente të këtij lloji me pasojë humbjen e jetëve njerëzore apo dëmtimin e banorëve, por vërejmë me shqetësim se shumë pak bëhet nga pushteti lokal.

FA përmes ruajtjes, patrullimit, vëzhgimit, vendosjes së shenjave të domosdoshme dhe fushatave sensibilizuese si dhe në bashkëpunim me pushtetin lokal, përpiqen maksimalisht të shmangin këto ngjarje. Pavarësisht këtyre masave bëjmë me dije se është i pamundur kontrolli fizik i imtësishëm dhe i vazhdueshëm i këtyre zonave të thella që dikur kanë shërbyer si poligone asgjësimi.

Shtabi i Përgjithshëm i FA siguron opinionin publik se në këtë zonë nuk zhvillohet proces demilitarizimi pasi ky proces ka përfunduar që në shtator të vitit 2012, megjithatë kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm,” thuhet në njoftim zyrtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje