Spitali psikiatrik ligjor/ Beqaj-Totozani: Ditë e shënuar për të drejtat e njeriut

1 Prill 2014, 10:57Sociale TEMA

Në territorin e ish-Regjimentit të Kimisë në Shtish-Tufinë do të ndërtohet një spital psikiatrik ligjor dhe një qendër kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se “opinioni është njohur që javën e kaluar ku në mbledhjen e qeverisë me vendim të Këshillit të Ministrave, ky territor kaloi përgjegjësinë e administrimit nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi filluar punën konkrete për të ndërtuar spitalin e psikiatrisë ligjore. Është një detyrim i kahershëm prej shumë vitesh është kërkesë që vjen në radhë të parë për t’i dhënë kujdesin edhe dinjitetin edhe njerëzve që kanë nevojë për këtë shërbim, është në raportet e përvitshme të Avokatit të Popullit”.

“Falenderoj ministrinë e Mbrojtjes, e cila përveç shumë punëve që ka gjeti edhe mundësinë të plotësonin edhe kërkesat që ne kishim, sepse nuk ishte çështja vetëm për të gjetur një territor, por duhet të plotësonte edhe disa kërkesa, distancën nga qyteti, aksesin në rrugë të rregullt me infrastrukturë me transport publik, ndërkohë që jemi duke diskutuar me komisionin e BE për të bërë të mundnur që në programin e këtij viti të për të gjetur financimet për të ndërtuar këtë spital, sigurisht bashkë me kontributin që duhet të japë qeveria shqiptare”, tha Beqaj.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se “kjo është një ditë e shënuar për insitucionin tonë, për faktin se prej 12-13 vitesh kjo është kërkesë persistente e pandryshueshme e Avokatit të Popullit”.

“Nëse ju do pyesni sot se cila ka qenë shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut në Shqipëri, pa ekzagjerim do të thoja se ka qenë për të gjithë ata persona për të cilët gjykata ka dhënë masë shëndetësore mjekim të detyrueshëm dhe t’i mbajë ata në regjim burgu. Kjo është shkelja më rëndë e të drejtave të njeriut, e cila ka vazhduar që prej 12 viteve më parë. Edhe tani janë mbi 120 persona, të cilët gjenden në spitale të burgjeve, por në të vërtetë janë në regjim burgu. Për këta persona gjykata ka dhënë një masë shëndetësore dhe jo një dënim, janë në kushtet e privimit të paligjshëm të lirisë. Kjo është shkelja më persistente dhe e rëndë e të drejtave të njeriut që është bërë në Shqipëri. Falenderoj ministrin Beqaj dhe ministren Kodheli, sepse kanë dhënë shenja të para serioze të trajtimit të këtij problemi”, nënvizoi Totozani.

Ministrja Kodheli siguroi se “të gjitha pronat e ushtrise që kanë dalë nga plan i përhapjes në radhë të parë do të shërbejnë në funksion të nevojave të komunitetit”.

“Pronat e ushtrisë kanë shërbyer edhe për strehimin e popullsisë rome, që ka ndodhur pak muaj më parë dhe që jetojnë këtu në kushte të mira. Ne do të japim asistencë me pronat e larguara të ushtrisë për komunitetin në përgjithësi, për ndërtimin e kopshteve, shkollave, qendrave shëndetësore,në të gjitha rastet që ky komunitet e ka të nevojshme, por deri më sot nuk e ka patur këtë përgjigje nga institucioni që unë drejtoj”, tha Kodheli.

Zona e “Ish-Regjimentit të Kimisë,” në Shtish-Tufinë, Tiranë, me vendimin e Këshillit të Ministrave 176, të datës 26 mars 2014, ka ndryshuar përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes tek ajo e Shëndetësisë, me qëllim ndërtimin e një spitali të psikiatrisë ligjore dhe të një qendre kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje