Për çfarë sistemi flet presidenti?

22 Prill 2014, 19:49Blog TEMA

Nga Skender Minxhozi*

 

Në labirinthin e krizës politike, tema e drejtësisë ka qenë një ndër shtyllat më të palëvizshme. Edhe këto muaj, pas ardhjes në fuqi të një maxhorance të re qeverisëse, drejtësia vijon të jetë jo vetëm molla e sherrit, por edhe sfida e madhe. Në takimin që Rama pati në berlin me Merkel, kancelarja zgjodhi drejtësinë, si pengesën kryesore që ndan Shqipërinë nga avancimi në procesin e integrimit europian. Nuk i është dashur të konsultojë shumë informacione për vendin tonë, pasi mungesa e drejtësisë në vendin tonë është një defekt që shquhet prej së largu, në të gjitha dokumentat që prodhohen nga organizma ndërkombëtare, institucione të pavarura, shoqata të specializuara dhe aktorë të tjerë që merren me Shqipërinë. Gangrena e drejtësisë shqiptare është tashmë një plagë endemike, që ka bërë famën e saj të keqe kudo në botën që na rrethon.

Në këtë situatë thuajse të pashpresë, ku shteti duket i dorëzuar dhe i pafuqishëm, dallohen qartë dy qëndrime kryesore. Në njërën anë, maxhoranca e re, e cila ka dëshirën, por mesa duket jo vizionin e saktë, për të korrigjuar kursin e shprishur të sistemit të drejtësisë, e nga ana tjetër korporata e gjyqtarëve, e mbështetur politikisht nga ajo pjesë e institucioneve të shtetit, që drejtohen nga të emëruar të shumicës së vjetër qeverisëse. Përballja mes këtyre dy palëve ka nisur tashmë dhe fërkimet e para premtojnë për një tension në rritje në muajt e ardhshëm.

Problemi i dhënies së një drejtësise të pakorruptuar dhe të paanshme, është natyrisht një sfidë e përbotshme. Imazhi i gjyqtarit të korruptuar është ndër ikonat e shoqërive të sotme, prej Lindjes së largët, në Perëndimin e zhvilluar. E thënë kjo, gjendja e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, i ka të paktë sot precedentet, në të dyja anët e horizontit. Dje presidenti Nishani nënvizonte edhe një herë (sa shpesh e përsërit veten kreu i shtetit në disa raste), se drejtësia s’duhet të jetë çeshtje e politikës, por e vetë sistemit të drejtësisë. Parimisht do të qe zgjidhja më e bukur dhe idilike. Gjyqtarë që vetërregullohen, në një sistem që është imun ndaj flukseve të politikës. Por praktikisht kjo kërkesë e presidentit duket sikur nuk merr parasysh realitetin ku jetojmë. Të thuash që drejtësia duhet të vetërregullohet, do të thotë thjesht që t’i varësh ujkut në qafë mëlçitë. Jo se politika nuk është edhe ajo një ujk, madje nga ata që bëjnë shumë dëme, por të thuash se sistemi i drejtësisë duhet të vetërregullohet, do të thotë t’i japësh mundësi një kaste të korruptuar personash që të bëjnë si të duan. Pa u shqetësuar aspak për mynxyrën që kanë prodhuar me duart e tyre.

Sot drejtësia shqiptare është një lozhë korruptive, ku interesat e pista të përbashkëta dhe solidariteti mafioz, e kanë bërë tërësisht të pandjeshëm sistemin që Nishani glorifikon. Kjo drejtësi po mban peng të ardhmen  e vendit, jo vetëm afrimin me Europën, por shumë më tepër se kaq. Nëse presidenti ka vendosur të mbyllë derën e këtij sistemi dhe të hedhë çelësin nga dritarja, maxhoranca ka detyrimin që buron nga votat që ka marrë, që ta ndryshojë një orë e më parë këtë statu quo, e cila po kompromenton thelbin e demokracisë së brishtë shqiptare.

*Revista JAVA

3 komente në “Për çfarë sistemi flet presidenti?”

  1. henri says:

    Mos valle ka te drejte Fatos Lubonja, se qeveria e re ka qellim qe ta kete drejtesine ne doren e saja dhe jo ta fusi ne shinat e duhura?!!

    1. fshatari says:

      Po idiot e gjete

  2. Shkelzen Demiri says:

    Zoti Minxhozi

    Urimet e mija per shkrimin shume racional ne parim.
    Situata e sotme e zbatimit te drejtesise ne Shqiperi tregon se sa me djallezi jane marre te gjitha masat institucionale nga ish maxhoranca per te koracuar mbrojtien e saj.

    Tashme cdo tendence per te reformuar sistemin e drejtesise opozita e sotme e trumbeton si shkelje te pavaresise te institucioneve te drejtesise , si shkelje te Kushtetutes etj.

    Une nuk jam jurist por besoj se mazhoranca e sotme mundet te gjeje te gjitha argumentet ligjore per te krijuar nje vizion te qarte per reformimin aq urgjent te ketij sistemi drejtesie qe eshte bere i padurueshem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje