Misioni i fundit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

21 Prill 2014, 21:14Blog TEMA
Misioni i fundit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dardan Islami

Dardan Islami

Fare pak njerëz, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, gjatë luftës së fundshekullit të kaluar e besonin se një popull i robëruar ndaj të cilit po zhvillohej një luftë e pashpirt, do të arrinte të organizohej në nivel ushtarak dhe se do ta arrinte thyerjen e një ushtrie që njihej me mitin si “e pathyeshme”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u themelua në rrethana të vështira, por arriti që të cilësohet si forca guerile më e suksesshme e kohës.

E armatosur lehtë, ajo po ballafaqohej me një forcë të pabarabartë, shumë herë më të madhe në numër, me të pajisur dhe të kalitur në disa luftëra në viset e ish-Jugosllavisë. Por mobilizimi, përkrahja gjithë popullore dhe morali i lartë i këtyre djemve dhe vajzave i bindën botën se këta vullnetarë ishin të gatshëm të paguajnë çmimin e shtrenjtë të lirisë.

Ndonëse të bashkuar, disa përçarje të brendshme se kush po e kontrollonte luftën nuk mungonin, por UÇK-ja megjithatë ia doli, edhe falë kontributeve të popullit për blerjen e armatimeve që po barteshin me shumë rreziqe në Kosovë.

Kjo rrugë e vështire ishte e gjatë dhe e mundimshme por ishte e drejtë. UÇK-ja ja nuk po vriste civilë, nuk po fuste bomba nëpër autobusë apo trena, UÇK-ja nuk po e lejonte as armikun e as bashkësinë ndërkombëtare që ta vënin para aktit të kryer. Këto parime rezultuan me fitore, lufta u fitua, por jo edhe paqja.

Paqja e zuri UÇK-në të papërgatitur tërësisht në këto kushtet e reja. Ndasitë e fillimit tani po thelloheshin, luftëtarët po përbuzeshin, shumë nga ta nuk kishin kulm mbi kokë. Timonin e mori politika në emër të luftëtarëve dhe kur këta pranuan me disa kushte që ky formacion ushtarak të demilitarizohej, ky ishte fundi i UÇK-së dhe fillimi i asaj që po vinte, i pazareve politike.

Shumica e ish-luftëtareve iu kthyen jetës civile duke mos e theksuar pjesëmarrjen e tyre në luftë si privilegj, shumë prej tyre të dëshpëruar nuk po arrinin të integroheshin, e disa individë po merreshin edhe me aktivitete të kundërligjshme duke e njollosur luftën e lavdishme, gjersa një pjesë e vogël u bënë pjesë e institucioneve.

Të plagosurit dhe familjet e dëshmorëve ende jetojnë në kushte të vështira pa mbështetje të institucioneve dhe në dëshpërim.

Luftëtarët e lavdishëm përnjëherë u gjetën në një situatë ku dinjiteti i tyre po fyhej, kur individë të caktuar në emër të luftës po pasuroheshin duke e dëmtuar pamëshirshëm imazhin e luftëtarëve të lirisë.

“Në kohët e lashta kur luftëtarët e Perandorisë Romake ktheheshin nga lufta atyre iu ndahej një truall dhe gurë të mjaftueshëm për ta ndërtuar një shtëpi”.

Disa komandantë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte në Tribunalin e Hagës, por edhe aty ata triumfuan duke hapur rrugë drejt krijimit të shtetit të ri të Kosovës që tani njihet ndërkombëtarisht nga afro dy të tretat e shteteve të globit.

Dhe me 15 vjet vonesë, kur në parlamentin e Kosovës u miratua Ligji për Veteranët e Luftës dhe kur FSK-ja përfundimisht po përgatitet të shndërrohet në ushtrinë e Kosovës, pjesëtarët e UÇK-së përsëri po hetohen. Por tani lufta është fituar dhe fitoren nuk mund t’na marrë askush, as ata që nuk e ndihmuan, as ata që e sabotuan, e as ata që po bashkëpunonin me armikun. Askush!

Kjo është beteja e fundit e UÇK-së ku lufta e saj për liri do të dalë e pastër si gjer më tani, gjersa ndonjë keqbërës i mundshëm do të mund ta mbajë fajin personal. Uroj që pas kësaj stuhie dëshmorët dhe viktimat civile të vrarë gjatë luftës tonë çlirimtare do të prehen të qetë përfundimisht

1 komente në “Misioni i fundit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

  1. ***** says:

    Gjyakata nuk do hapet per te luftuar padrejtesine qe i eshte bere ish luftetareve te UCK-se pas lufte.

    Gjyaka do hapet te hetoje UCK dhe civila shqiptare, PER KRIME LUFTE!

    http://www.youtube.com/watch?v=Zrot8BVNaBo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje