“Çmendet” Gashi, 4 gola me Grasshopers, tjetër eurogol i Alban Mehës

5 Maj 2014, 13:58Sport TEMA

Nëntëdhjetëminutëshi i djeshëm i Grasshopersit mban emrin e Shkëlzen Gashit. Mesfushori me tipare ofensive i kësaj skuadre dhe i Kombëtares shqiptare shënoi katër nga pesë golat e skuadrës së tij në fitoren 5-0 ndaj Jang Bojs. Seria e goleadës u hap në minutën e 4-t, kur Gashi shfrytëzoi më së miri një hutim të mbrojtësve: Munas Dabur në të majtë driblon bukur dy lojtarë dhe më pas pason në krahun tjetër të sulmit, me topin që pasi kalon gjithë pasqyrën e portës mbërrin pikërisht te Gashi, i cili me portën thuajse bosh nuk e ka të vështirë të shënojë.

Pasditja pozitive e Grasshopersit vijon edhe me një ndihmë të madh që i jep arbitri, teksa në harkun e vetëm 6 minutave nxjerr dy kartonë të kuq për miqtë: Zarate në minutën e 34-t dhe Roshat në të 40-ën u detyruan të shkojnë më parë në dushe, duke lënë ekipin e tyre me nëntë lojtarë. Roshat shkaktoi edhe një penallti në momentin e marrjes së kartonit të kuq, të cilën e ktheu në gol pikërisht Shkëlzen Gashi. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. Në të dytën, me një superioritet të dukshëm numerik, vendësit e patën më të lehtë ta spostonin totalisht takimin në gjysmëfushën e miqve. Në minutën e 50-të, Gashi merr një top në hyrje të zonës dhe mes dy mbrojtësve dhe me portierin paksa të dalë nga porta, me të majtën e dërgon për herë të tretë topin në rrjetë. Supremacia e vendësve nuk njeh limite, por as kosovari i kuqezinjve nuk ndien të ngopur. Tre minuta më vonë, ai shfrytëzon bukur një moment pasigurie në zonën e vogël të portierit mik dhe të një mbrojtësi me të majtën e çon topin për herë të katërt në portën e Jang Bojs. Këtu përfundon “pokeri” i Gashit, pasi në minutën e 71-të trajneri e zëvendëson me Kaio, duke i dhënë edhe pak minuta këtij të fundit. Ndërkohë golin e pestë dhe të fundit për Grasshopers e shënoi Ngamukol në minutën e dytë shtesë, raporton Panorama Sport.

Sakaq, kujtojmë që Gashi ka shënuar këtë sezon edhe një tripletë në fitoren 4-2 të Grasshoperit ndaj Sionit, një dopietë në fitoren 4-2 ndaj Araut dhe nga një gol në ndeshjet: Bazel-Grasshoper 1-1, Lozanë- Grasshoper 0-2, Thun- Grasshoper 1-3, St.Galen- Grasshoper 1-5, Luzern-Grasshoper 1-3, Grasshoper-Lozanë 2-0, Grasshoper-Arau 4-2 dhe St.Galen-Grasshoper 0-2. Ai është golashënuesi më i mirë në Zvicër me 17 gola.

Tjetër eurogol i Alban Mehës

Alban Meha është pa dyshim lojtari i momentit dhe pse jo edhe i sezonit te Paderborni. Ai ishte protagonist edhe në fitoren e djeshme të skuadrës së tij 2-0 në transfertë ndaj Aue, teksa shënoi një supergol në minutën e 35-të. Mbrojtësi i Paderbornit, Fabian Myler, mori të majtën e sulmit dhe pasi tentoi të hynte në zonë shikon Mehën të pozicionuar në qendër të saj duke ia pasur topin. Mesfushori kuqezi, duke parë edhe daljen paksa të portierit, lëshon një gjuajtje sa të fortë, por edhe të kalibruar, e cila ndalet në rrjetë. Goli i 12-të sezonal për Mehën, i cili i hapi rrugën e fitores, një javë nga mbyllja e kampionatit. Në pjesën e dytë ishte Vrançiç, që dyfishoi shifrat duke i dhënë tri pikët Paderbornit. Kjo skuadër renditet aktualisht në vendin e dytë me 59 pikë, dy më shumë sesa Grojter Fyrthi i Mërgim Mavrajt. Një javë nga fundi i këtij sezoni, Paderborni i Mehës është shumë pranë ngjitjes në elitën e futbollit gjerman (sipas formatit ngjiten dy skuadrat që renditet në dy vendet e para, pra Këlni dhe Paderborni, aktualisht, ndërsa skuadra që renditet në vend të tretë bën një ndeshje “play-off”-i me ekipin që do të renditet në vend të 16-të në Bundesligën e Parë). Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, do të duhet që Paderborni të marrë të paktën një pikë në ndeshjen e fundit në fushën e vet ndaj modestëve të Alen, përballje kjo teorikisht më se e kalueshme, nisur edhe nga kapaciteti i kundërshtarëve. Ndërkohë, Edmond Kapllani luajti si zëvendësues nga minuta e 66-të në barazimin e djeshëm 0- 0 të FSV Frankfurtit në fushën e Arminia Bielefeld. Sakaq, Odise Roshi ishte i pezulluar për shkak kartonësh.

3 komente në ““Çmendet” Gashi, 4 gola me Grasshopers, tjetër eurogol i Alban Mehës”

  1. dashamiresi i futbollit says:

    Goli i Mehes nuk eshte pikerisht sic thoni ju. Meha e merr topin nga gabimi i mbrojtesit kundershtar i cili rreshqet dhe topi perfundon ne kembet e Mehes. Pas kesaj,duke perfituar edhe nga pozicionimi i keq i portierit godet dhe shenon.

    Me poshte jane golat e ndeshjes:
    https://www.youtube.com/watch?v=7K0hGNboE4k

  2. Qemoli says:

    Dhe tani qe e korigjove do flesh me rehat!

  3. Alias says:

    Gashi shenoj 4 gola dhe jo 5, gjithsesi berna luajti me vetem 9 lojtare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje