Kuvendi nis diskutimin mbi p/ligjin për FA/Si ndryshon karriera ushtarake? Opozita kundër. Drafti i plotë

27 Maj 2014, 14:12Politika TEMA

Komisioni parlamentar i Sigurisë dhe ai i Ligjeve nisën shqyrtimet mbi p/ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në raportimet e saj theksoi se p/ligji është një domosdoshmëri për të korigjuar mangësitë e ligjit aktual. Drafti parashikon rritjen e moshës për daljen në pension apo lirimin e ushtarakëve, uljen e trysnisë mbi ushtarakët, shtrirjen në kohë të marrjes së një grade të caktuar, çka sipas draftit do të shoqërohet me uljen e barrës financiare për buxhetin e shtetit. Në këtë kuadër, ministrja Kodheli sqaroi se aktualisht paguhen 3 ushtri, një që është ajo active, një në rezervë dhe një tjetër në lirim.

“Ushtria nuk plaket, vetëm bën që profesionistët dhe ekpertët të mbeten për një kohë akoma më të gjatë brenda Forcave të Armatosura dhe të mos dalin në rezervë apo lirim në kulmin e kësaj pjekurie”, u shpreh Kodheli. Në vijim ajo shtoi se p/ligji rikthen dinjitetin e munguar në Forcat e Armatosura.

 “Kam përcaktuar si prioritet rikthimin e disa vlerave në FA dhe rikthimin e dinjitetit që shpesh herë ka qenë i munguar. Pr/ligji synon të korrigjojë një sërë mangësish të ligjit aktual dhe të reflektojë ndryshimet që ndodhën në këto 10 vjet në Shqipëri. Synojmë të sjellim një moral të ri në FA, bazuar në meritë, profesionalizëm, performancë. Shfrytëzim i të gjitë kapaciteteve ushtarake që shoqëria ka investuar, dhe kjo është kosto që i duhet rikthyer shoqerisë shqiptare”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Ndryshimet, sipas saj, janë të domosdoshme, pasi veç të tjerash, “reflektojnë futjen e Shqipërisë 5 vjet më parë në NATO dhe ndryshimet që kanë ardhur për shkak të situatave shpesh herë të pakëndshme të një rreziku të caktuar, të një rrezikut agressiv ndaj sigurisë së vendeve të NATOS e demokracisë në përgjithësi”

Opozita kundërshtoi draftin, pasi sipas saj, mazhoranca po grabit kompetencat e Presidentit të Republikës, ku përfshihen gradat, lirimet, emërimet, pronat e Forcave të Armatosura.

“Me këtë ligj si edhe dy ligje të tjera që do vijnë në diskutim në ditët në vazhdim , kjo mazhorancë kërkon të grabisë ditën për diell kompetencat e Presidentit. Të gjitha kompetencat e tjera, qoftë për gradat, për lirimet dhe emërimet, qoftë edhe për planin e përhapjes dhe pronat e Forcave të Armatosura, i kalojnë sulltit që quhet bir sulltan Edvin Ramajev. Nëpërmjet këtij projekti ligji kjo mazhorancë kërkon të ktheje institucionin e e Presidentit të Republikës në një institucion siç ishte në kohën e Haxhi Lleshit. Unë e kuptoj nostalgjinë, por jemi në demokraci dhe kjo në demokraci nuk mund të pranohet dhe tolerohet, pavarësisht nostalgjikëve në pushtet, ndaj jemi plotësisht kundër”, tha Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Flamur Noka.

I pranishëm në komisionin e Sigurisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze tha se ky projekligj ruan ekspertizën në grada të larta duke u ngritur në karrierë më larg dhe duke shmangur daljen e kësaj ekspertize në moshë pjekurie, sipas tij nuk kthen pas investimet e bëra në vite. Ky ligj tha ai “është më pak i kushtueshëm për buxhetin e brishtë dhe shpatullat e taksapaguesve shqitparë.”

Prezantimi i këtij projektligji nisi me ndërhyrjen e Luan Ramës i cili argumentoi se para diskutimeve për këtë pr/ligj duhej të ishte miratuar më parë strategjia e Sigurimit Kombëtar.

 “Strategjia ka vlerën e Kushtetutës dhe ligjet derivohen nga strategjia, por megjithatë duke marrë parasysh emergjencën që kanë FA, e lë në dortën tuaj si kryetar dhe të ministres, por parimisht gjykoj se do të ishte më serioze më produktive edhe shenjë e vlerësimit dhe e respektit, pasi e quaj nonsense logjik dhe juridik operimin me këto ligje para se të miratohet Strategjia e Sigurimit Kombëtar”, tha Rama.

Por Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho tha se ky projektligj ka hyrë tashmë në procedurat parlamentare me miratimin e kalendarit për shqyrtimin e këtyre projektligjeve.

Ndërsa anëtari i komisionit Armando Subashi tha se kjo “është paketë e rëndësishme që nuk do të mbyllet as për një ditë as për një javë”.

Sipas tij, vetë koha që do marrë shqyrtimi i saj, do krijojë mundësinë që mbas dy ose 3 javësh kjo paketë dhe strategjia në finale të jenë komplementare me njëra-tjetrën.

Gradat dhe karriera ushtarake në FA

Sipas p/ligjit, karriera ushtarake është ecuria në funksion dhe rendin e gradave gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak aktiv. Në draft përcaktohet se ushtarakët e Forcave të Armatosura janë ushtarakë të shërbimit aktiv dhe ushtarakë në rezervë. Ushtarakët e shërbimit aktiv janë ushtarakë të shërbimit të përkohshëm dhe ushtarakë të shërbimit të karrierës. Ushtarakët e shërbimit të përkohshëm janë oficerët me gradë nëntoger, toger dhe kapiten, nënoficerët me gradë nëntetar dhe tetar dhe ushtarët/detarët. Ushtarakë të shërbimit të karrierës janë oficerët me gradë major, nënkolonel, kolonel dhe oficerët me gradë madhore dhe nënoficerët me gradë rreshter, kapter dhe kryekapter. Ushtarakë të shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura janë oficerë, nënoficerë dhe ushtarë/detarë. Në Forcat e Armatosura gradat u jepen oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve, studentëve ushtarakë dhe ushtarakëve në rezervë.

Sipas p/ligjit të propozuar për miratim gradat ushtarake në Forcat e Armatosura klasifikohen:

a) Për oficerët aktivë: grada madhore; grada të larta;grada të ulëta.

b) Për nënoficerët aktivë: grada të larta;  grada të ulëta.

Arsimimi dhe kualifikimi për përparim në gradë

Ushtarakët e Forcave të Armatosura, për të fituar gradën e radhës, duhet të plotësojnë kriteret e arsimimit dhe të kualifikimit, si më poshtë vijon:

a) Oficerët:

i. Nëntogeri, për të fituar gradën e togerit, të ketë kryer kursin bazë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

ii. Togeri, për të fituar gradën e kapitenit, të ketë kryer kursin e avancuar të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

iii. Kapiteni, për të fituar gradën e majorit, të ketë kryer kursin themelor të oficerit të shtabit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

iv. Majori, për të fituar gradën e nënkolonelit, të ketë kryer kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

v. Nënkoloneli, për të fituar gradën e kolonelit, të ketë kryer kursin e lartë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

vi. Koloneli, për të fituar gradën gjeneral brigade, të ketë kryer kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;

vii. Gradimi gjeneral major/nënadmiral dhe gjeneral lejtnant/admiral bëhet në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale, të vlerësuara nga Komisioni i Veçantë i Karrierës.

b) Nënoficerët:

i. Nëntetari, për të fituar gradën tetar, duhet të ketë kryer kursin bazë të nënoficerit;

ii. Tetari, për të fituar gradën rreshter, duhet të ketë kryer kursin e avancuar të nënoficerit;

iii. Rreshteri, për të fituar gradën kapter, duhet të ketë kryer kursin e lartë të nënoficerit;

iv. Kapteri, për të fituar gradën kryekapter, duhet të ketë kryer kursin e kryekapterit.

c) Ushtarët:

i. Kursanti, për të fituar gradën ushtar/detar I, duhet të ketë kryer stërvitjen bazë;

ii. Ushtari/detari I, për të fituar gradën ushtar/detar II, duhet të ketë kryer stërvitjen individuale të avancuar.

Kurset dhe kualifikimet e kryera brenda dhe jashtë vendit, për efekt të përparimit në gradë, për të gjitha llojet e gradave, njësohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kurset dhe kualifikimet e kërkuara nga legjislacioni në fuqi, që rregullon aktivitetin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe të shërbimit të policisë kriminale ushtarake, njësohen me kurset dhe kualifikimet e kërkuara për marrjen e gradave sipas këtij ligji, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.

Pezullimi i ushtarakëve nga detyra

Pezullimi është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve të punës për periudhën sa zgjat arsyeja e ndërprerjes. Në mbarim të kësaj periudhe, ushtaraku emërohet në përputhje me gradën që mban, me përjashtim të rastit kur dënohet me burgim.

Ushtaraku pezullohet:  a) kur ndaj tij fillon ndjekja penale dhe vendoset masa e sigurisë, arrest në burg ose arrest në shtëpi, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata ose kur ndaj tij fillon procedimi penal për vepra penale që lidhen me detyrën;  b) për periudha studimi më shumë se 6 muaj, të ndërmarra me nismën e vetë ushtarakut dhe në lidhje me profesionin që ai ushtron;  c) me kërkesën e ushtarakut për të shoqëruar bashkëshortin/bashkëshorten, që emërohet jashtë shtetit në funksione zyrtare. Në këtë rast, pezullimi nuk mund të zgjatë më shumë se katër vjet.

Gjatë periudhës së pezullimit, ushtaraku nuk paguhet. Në rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, kur çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë ushtaraku deklarohet i pafajshëm, ai emërohet në detyrë, i jepet paga bazë me të gjitha përfitimet e tjera që nga çasti i pezullimit. Periudha e kohës së pezullimit nga detyra njihet si vjetërsi grade dhe shërbimi në Forcat e Armatosura, kur pezullimi ndodh për rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, dhe çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë ushtaraku deklarohet i pafajshëm, ndërsa për rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”,  të pikës 2, të këtij neni, periudha e pezullimit njihet vetëm për efekt të vjetërsisë së gradës. Pezullimi i oficerit nga detyra bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ndërsa pezullimi i nënoficerit dhe ushtarit/detarit bëhet me urdhër të autoritetit që ka kompetencën e emërimit.

Gradat ushtarake, sipas klasifikimit dhe shërbimit, të renditura nga më e larta te më e ulëta, janë:

a) Për oficerët aktivë:

Klasifikimi             Grada Forca Tokësore/Ajrore          Grada Forca Detare

i. Gradë madhore                Gjeneral lejtnant                            Admiral;

ii. Gradë madhore               Gjeneral major                               Nënadmiral;

iii. Gradë madhore              Gjeneral brigade                            Kundëradmiral;

iv. Gradë e lartë                  Kolonel                                          Kapiten i rangut I;

v. Gradë e lartë                   Nënkolonel                                     Kapiten i rangut II;

vi. Gradë e lartë                  Major                                              Kapiten i rangut III;

vii. Gradë e ulët                  Kapiten                                           Kapiten Lejtnant;

viii. Gradë e ulët                 Toger                                              Lejtnant;

ix. Gradë e ulët                   Nëntoger                                        Nënlejtnant;

 

b) Për nënoficerët aktivë:

 Klasifikimi         Grada Forca Tokësore/Ajrore         Grada Forca Detare

i. Gradë e lartë                  Kryekapter                                       Kryekapter;

ii. Gradë e lartë                 Kapter                                             Kapter;

iii. Gradë e ulët                 Rreshter                                          Rreshter;

iv. Gradë e ulët                 Tetar                                               Tetar;

v. Gradë e ulët                  Nëntetar                                           Nëntetar;

c) Për ushtarët aktivë:

 Titulli                   Grada Forca Tokësore/Ajrore           Grada Forca Detare

i. Ushtar                                  Ushtar IV                                Detar IV;

ii. Ushtar                                 Ushtar III                                Detar III;

iii. Ushtar                                Ushtar II                                  Detar II;

iv. Ushtar                                Ushtar i                                    Detar I.

Koha e qëndrimit në gradë

1.  Koha minimale e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës së radhës është:

Forca Tokësore/Ajrore      Forca Detare                    Koha në gradë

a) Ushtar i                            Detar i                               1 vit;

b) Ushtar II                           Detar II                               1 vit;

c) Ushtar III                          Detar III                              1 vit;

ç) Ushtar IV                          Detar IV                             3 vjet;

d) Nëntetar                           Nëntetar                             3 vjet;

dh) Tetar                               Tetar                                  4 vjet;

e) Rreshter                           Rreshter                             6 vjet;

ë)  Kapter                             Kapter                               5 vjet;

f)  Nëntoger                          Nënlejtnant                         3 vjet;

g) Toger                               Lejtnant                              4 vjet;

gj) Kapiten                          Kapiten lejtnant                    5 vjet;

h) Major                              Kapiten i rangut III                6 vjet;

i) Nënkolonel                      Kapiten i rangut II                 5 vjet;

j) Kolonel                           Kapiten i rangut i                  5 vjet;

k) Gjeneral brigade               Kundëradmiral                     3 vjet;

l) Gjeneral major                  Nënadmiral                         3 vjet.

Në rast mospërparimi në gradë, ushtarët me gradën ushtar IV, nënoficerët me gradat nëntetar, tetar dhe oficerët me gradat nëntoger, toger, kapiten, që plotësojnë 14 vite shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, dalin në rezervë.  Koha e qëndrimit në një gradë në shërbimin aktiv llogaritet nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit përkatës për dhënien e gradës.Koha e shërbimit në rezervë nuk llogaritet si kohë qëndrimi në gradë për gradim në shërbimin aktiv. Kriteret për gradimin e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve në rezervë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.

Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv

Oficeri me gradë madhore, pavarësisht nga mosplotësimi i moshës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe i kritereve të përcaktuara në nenet 26 dhe 27, të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim, kur plotëson njërin nga këto kritere: a) Kur pas kalimit të kohës së qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji, nuk ka marrë gradën e radhës; b) Kur nuk ka kuota të lira për konkurrim për gradën e radhës, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve. Oficerët, pas marrjes se gradës major dhe nënoficerët pas marrjes së gradës rreshter, nuk nënshkruajnë kontratë, por vazhdojnë shërbimin aktiv të karrierës dhe shërbejnë në shërbimin aktiv sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni.

Mosha minimale e pranimit në Forcat e Armatosura është 18 vjeç. Shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.

Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv është:

Forca Tokësore/Ajrore        Forca Detare                  Mosha në shërbim aktiv

a) Ushtar i                                 Detar i                           28 vjeç;

b) Ushtar II                                Detar II                          29 vjeç;

c) Ushtar III                               Detar III                         30 vjeç;

ç) Ushtar IV                              Detar IV                         33 vjeç;

d) Nëntetar                               Nëntetar                         37 vjeç;

dh) Tetar                                    Tetar                              41vjeç;

e) Rreshter                               Rreshter                         54 vjeç;

ë) Kapter                                  Kapter                           55 vjeç;

f) Kryekapter                             Kryekapter                     57 vjeç;

g) Nëntoger                                Nënlejtnant                    30 vjeç;

gj) Toger                                    Lejtnant                         34 vjeç;

h) Kapiten                                 Kapiten lejtnant              41 vjeç;

i) Major                                     Kapiten i rangut III           55 vjeç;

j) Nënkolonel                             Kapiten i rangut II           57 vjeç;

k) Kolonel                                  Kapiten i rangut i             59 vjeç;

l) Gjeneral brigade                     Kundëradmiral                 61 vjeç;

ll) Gjeneral major                        Nënadmiral                     63 vjeç;

m) Gjeneral lejtnant                      Admiral                         65 vjeç.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje