Hetimi administrativ i tapive në zonat turistike mund të dështojë. Kjo bëhet e ditur nga institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë, i cili me iniciativë prej muajsh ka shqyrtuar nëpërmjet Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë një pjesë të territorit të zonës turistike në komunën Gosë dhe Kryevidh. Gazeta “Shekulli” ka bërë të ditur kohë më parë se, ky hetim i është nënshtruar shqyrtimit administrativ një sipërfaqe toke prej rreth 3 milionë metrash katrorë, kryesisht në fshatrat Vilë-Bashtovë të Gosës dhe Spille të komunës Kryevidh. Burime nga Prefektura e Tiranës bëjnë të ditur se nga këto hetime janë vërejtur abuzime të mëdha në procesin e ndarjes së tokës sipas normës për frymë. Gjithashtu, një shkelje e rëndë e cila çon drejt shtetëzimit sipërfaqe të tëra toke është edhe ndarja e tokës pyll, kullotë dhe ranishte në favor të personave të tretë në kundërshtim me ligjin 7501 “Për Tokën” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Por pavarësisht se gjatë këtij hetimi institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë ka konstatuar prova dhe fakte të reja, duket se sistemi i drejtësisë po e minon këtë proces.
Sipas këtij institucioni, këto fakte provojnë se Komisionet e Tokës dhe ish-kryetarët e komunave në këtë zonë ndër vite kanë raportuar shifra fiktive të normës për frymë duke e zmadhuar atë për qëllime përfitimi. Të dhënat tregojnë se veçanërisht në komunën Gosë ka ndryshime të mëdha të normës për frymë në fshatin Vilë-Ballaj ku kjo normë e raportuar me shkresë zyrtare në vitin 1998, është raportuar 2400 m2/ frymë më e madhe se në vitet 2009 – 2010. Gjithashtu është konstatuar se familje bujqësore të cilat duhet të ishin pajisur vetëm me një AMTP (Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi) janë pajisur në raste të caktuara me 4 ose 5 akte duke tejkaluar me dhjetëra mijëra metra katrorë sipërfaqe që duhet të merrnin si subjekte të ligjit 7501. Kjo ka sjellë shkaktimin e një dëmi të madh ekonomik shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për 650 mijë metra katrorë të ndara në kundërshtim me ligjin vetëm në një parcelë të verifikuar e, gjitha në anë të detit Adriatik. Gjykimi Gjykata Administrative Durrës që po gjykon këto vendime të çuara nga Prefekti Qarkut Tiranë, çuditërisht gjatë punës së saj ka mbajtur qëndrime kontradiktore në vendimmarrje. “Shekulli” ka siguruar informacion të këtij gjykimi, të ilustruar edhe përmes faksimileve, ku duket qartë se nga kjo gjykatë ka mbajtur qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje. Po ashtu, duket qartazi se në vite Komisionet e Tokës dhe kryetarët e komunave kanë falsifikuar në bashkëpunim me ZVRPP Kavajë Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi duke i regjistruar mbi sipërfaqe toke ranishte ose kullotë dhe duke ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqeve “tokë pa fryt”, pyll e kullotë në tokë arë dhe duke regjistruar disa AMTP për një subjekt. Gjykata Administrative e Durrësit, gjithashtu në disa raste ka shkelur haptazi ligjin 9948 datë 07.07.1998 “Për verifikimin e titujve të pronësisë në tokë bujqësore”.
Ky ligj në nenin 2 të tij sanksionon se: Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet që në dt 01.08.1991 nuk kanë figuruar në zërin kadastral si tokë bujqësore pavarësisht ndryshimeve të mëpasshme. Por, Administrativja në mënyrë të pashpjegueshme nuk i ka pranuar si fakte dokumentet origjinalë të nxjerra nga arkivi i ZVRPP Kavajë, por ka administruar si fakte pikërisht ato dokumente me të cilat nga këshilli i Qarkut dhe ZVRPP Kavajë janë bërë ndryshimet e zërave kadastralë pa asnjë referencë ligjore. Këto shkresa, rezultojnë se nuk ndodhen të administruara në asnjë institucion shtetëror apo arkivor sipas ligjit për arkivat. Për sa më sipër, burime pranë Prefektit të Qarkut Tiranë deklarojnë se ky institucion do ta ndjekë çështjen në të gjitha instancat shtetërore dhe do të bëjë çdo përpjekje që hetimi administrativ në zonën turistike të vazhdojë për t’i kthyer shtetit shqiptar sipërfaqet e përfituara padrejtësisht. Ndërkohë, me sa konfirmohet pranë Prokurorisë së Rrethit Kavajë është në proces hetimi për shpërdorim detyre i disa zyrtarëve lokalë lidhur me ndarjen e tokave në zonë turistike ku po dalin në dritë fakte tepër të rënda lidhur me abuzimet në miliona metra katrorë në këtë zonë.
Provat shkresore
Burime pranë Prefektit bëjnë të ditur se gjykata ka konsideruar si prova për rrëzimin e kërkesë-padive disa dokumente të cilat dyshohen si të falsifikuara. Gazeta “Shekulli” ka arritur të sigurojë faksimilet e dy prej shkresave si dhe një dokument të dërguar në vitin 1998 ish-Prefektes Makbule Çeço lidhur me normën për frymë në komunën Gosë. Nga kjo shkresë ka rezultuar se veprimtaria e Komisioneve të Ndarjes së Tokës dhe Norma për Frymë e raportuar në vitin 1998 është e ndryshme nga ajo që është raportuar dhe dërguar nga kjo komunë pranë Prefektit të Qarkut Tiranë pas daljes së ligjit 9948 “Për verifikimin e titujve të pronësisë”.
Prefekti Vorpsi: Të vendosur për t’i kthyer shtetit tokën e grabitur
Z. Vorpsi, çfarë po ndodh me marrëdhënien e pronësisë mbi sipërfaqet e tokës që po kthehen në shtet?
Komisioni Vendor pasi kryen një hetim administrativ, mbledh të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga organet apo institucionet që merren dhe janë marrë me administrimin e pronave në Shqipëri që nga viti 1991. Më pas, ne përpilojmë një dosje konkrete dhe marrim një vendim të arsyetuar për shfuqizimin e një titulli pronësie të dhënë një subjekti në kundërshtim me ligjin. Duhet theksuar se të gjitha sipërfaqet që i kthehen shtetit i kalojnë si fond AKKP-së për kompensimin ose kthimin e ish-pronarëve.
Z. Prefekt a do te shtrihet hetimi administrativ edhe në komuna të tjera?
Nën cilësinë e Prefektit të Qarkut Tiranë, nëpërmjet Komisionit Vendor kemi planifikuar kontrolle të drejtpërdrejta mbi veprimtarinë e veprimeve të kryera nga ish-Komisionet e Tokës të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës bujqësore për sipërfaqet e tokave të ishndërmarrjeve bujqësore. Prej disa kohësh kemi nxjerrë edhe urdhrin e kontrollit për verifikimin e ndarjes së tokës në ish NB “Gjergj Dimitrov”, që përfshin kryesisht fshatrat e Komunës Farkë.
Gjithashtu po verifikohen një numër aktesh në zonën e Linzës, në Komunën Dajt të cilat nga shqyrtimi paraprak rezultojnë se subjektet përfituese janë pajisur me tokë më shumë nga sa i takon sipas ligjit nr. 7501. Vlen për tu përmendur se institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë, sipas sugjerimeve të ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, po shqyrton një numër aktesh të ndara në Bashkinë Kamëz, në fshatin Laknas. I njëjti hetim është shtrirë edhe në komunat Golem dhe Luz i Vogël si dhe në Komunën Farkë.
Çfarë veprimesh do të ndërmerrni?
Ne jemi të vendosur që këtë betejë ligjore me persona të papërgjegjshëm që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëme, ta vazhdojmë. Komisioni pranë institucionit që unë drejtoj do të vijojë të shqyrtojë AMTP-të në zonën turistike për t’ia kthyer shtetit shqiptar çdo pëllëmbë tokë të përfituar në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër, unë do t’i drejtohem të gjitha instancave shtetërore, përfshirë këtu ministrin e Drejtësisë z. Nasip Naço, si dhe Prokurorin e Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, që të fillojnë një hetim në shkallë të gjerë ndaj të gjithë personave të cilët kanë shpërdoruar një fond kaq të madh të tokës publike, përfituesve si dhe atyre që me veprimet e tyre kanë bërë të mundur që shkelësit e ligjit të përfitojnë padrejtësisht këto sipërfaqe apo vlera monetare të përfituara nga shitja e tyre. Dua të theksoj se përllogaritja e këtyre sipërfaqeve të tjetërsuara me vlerën e tregut është jashtëzakonisht e madhe.
Mè pergjegjesi penale deklaroj se zyrtare te pd ne hipoteka kane abuzuar sidomas ne zona turistike edhe ne breg liqenit Pogradec.Por cfare ti besh kur drejtori I aluiznit e ka gruan prokurore te ngritur ne detyre dhe me miq ne politike pd dhe ps.
Po ne komunat e tjera te Tiranes si Petrele etj pse nek hetohet ? Mendoni se atje nuk eshte shkelur ligji? Tung