Krahu i krimit në listat e votimit

26 Maj 2014, 20:57Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

 

Çfarë i shkon ndërmend qytetarit kur i afrohet kutive të votimit? Jo se ai/ajo i di detajet e programeve të partive politike në hollësi, apo se ka mbajtur në mend ndonjë projekt ekonomik të partive që e qeverisën Kosovën gjatë legjislaturës së fundit. Tashmë votuesi potencial është i vetëdijshëm, madje edhe dëshmitar i gënjeshtrave elektorale të krahut të krimit.

Kushedi se sa herë duhet të ketë sharë votuesi me mendje të kthjellët kur ka dëgjuar rrenat e PDK-së për 200 mijë vende pune apo të AAK-së për pagën mesatare 1000 euro. Por, me siguri edhe ka pasur rast kur ka qeshur me lot, duke parë ministrin e ambientit, Dardan Gashi, të zhytur deri në fyt në liqenin e ndotur, gjoja për ta pastruar – e zori i tij i vetëm i zhytjes ishte për të marrë ndonjë votë.

Apo ministrin e Financave, Besim Beqaj, kur flet për politika fiskale kurse mendjen e ka tek stili i flokëve me gel, i bindur se është “bukuroshi” në mesin e panelistëve të debatit. Dukja dhe jo përmbajtja – kjo është parulla e PDK-së në këtë fushatë elektorale.

Votuesi derisa pret në rend për të votuar fillon të kujtojë skandalet, por ka aq shumë sa që ndalet, mjafton t’i përfytyrohen politikanët milionerë me xhipa të zinj, apo edhe fëmijët e tyre kapadai që rrahin policin dhe s’ka ligj për ta.

Papritmas votuesi kujton mbijetesën e tij dhe të familjes së tij, shkollimin e fëmijëve me mund dhe në fund rezultati: diploma të varura në murin e shtëpisë dhe disa të papunë brenda saj. Votuesi ndoshta ngushëllohet kur e kujton se ka edhe plot të tjerë si ai të varfër. Është pjesë e një populli të varfëruar, në mos më i varfri në Evropë, por edhe i frikësuar se për çdo shenjë kryengritjeje do të pasojë hakmarrja nga ana e pushtetit.

Numëron votuesi vitet e pasluftës duke shpresuar për ditë më të mira. Zgjat kokën në dritaren e shkollës ku është duke pritur për të votuar dhe sheh veten në xham, i thinjur, me shenjat e pleqërisë, jo vetëm nga mosha, por edhe skamja dhe mungesa e çdo perspektive.

Pas pak merr në dorë fletëvotimin dhe mes tyre sheh të radhitur “çlirimtarët” e Kosovës – jo krahun e luftës që luftoi njëmend, por krahun e krimit që në emër të luftës u shndërrua në aradhe matrapazësh milionerë.

Votuesi i hedh fletëvotimit një sy dhe kujton se si askush nuk ka guxuar t’i luftojë me mjete ligjore kapadainjtë e krimit që nga mbarimi i luftës. Votuesi e di shumë mirë se shumë prej tyre janë shkatërruesit e Kosovës dhe imazhit të saj në botë. Një grusht matrapazësh që edhe ashtu janë thirrur që nga paslufta në emër të UÇK-së, duke përvetësuar çfarëdo që u ka rënë dorë e në thonj.

Votuesit i dalin përpara emrat e atyre që kanë dëshmuar tashmë se për interesa personale janë të gatshëm të bëjë çfarëdo kompromisesh dhe çfarëdo negociatash që nuk i sjellin kurrë paqe vendit e që nuk i japin mundësi Kosovës të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj.

Votuesi më 8 qershor nuk duhet t’ua japë votën politikanëve të papërgjegjshëm dhe tinëzarë. Vetëm përfytyrimi se ky rrjet edhe katër vjet mund të qeverisë Kosovën do të duhej t’i mobilizonte qytetarët e këtij vendi që kjo të bëhet e pamundshme.

Menaxherë të arkës së shtetit duhet të jenë politikanë të tjerë, të cilët garantojnë investime e reforma aty ku është më se e domosdoshme: në shëndetësi, në arsim, në ekonomi dhe jo ata që zgjedhin dikaster ku është më e lehtë zhvatja. Tani eksponentë të këtij pushteti, pasi kanë bërë sefa, bëjnë “selfie”: e fotografojnë veten, por Kosovës i duhet një fotografi e madhe për ta parë se çfarë rënie ekonomike kemi pësuar si shoqëri dhe në çfarë humnere të varfërisë e ka hedhur këtë vend Hashim Thaçi.

6 komente në “Krahu i krimit në listat e votimit”

  1. Ilir Hoti says:

    Pse jane ma te bukura rrenat e LDK-se mor Arbana…Pse rrenat yua jane te bukura si perralla!!!!!!!Pse rrenave tua duhet ti besojme??????/ Po ke pare gazetarepartiake si vehten o rrenacake???? Gazetare e paguar nga frikacaket aleate te antishqiptareve

    1. visar says:

      Pajtohem 100 perqind me ju z. Hoti. Kjo rrenacake nuk ka minimum morali gazetares as njerezor. Gjithçka e ka ndërtuar me sharje. Kjo as nuk e di se këto tipe shkrimesh lejohen vetëm ndër shqiptarët. Të quash kriminelë njerëzit që nuk kanë as aktpadi as dënim me vendim gjykate, këto mund t’i bëjnë vetê këso xharroviçesh.

      1. jeronim de rada says:

        Nuk eshte rrenacake kjo gazetare.Kjo eshte shume e afte dhe shume e guximshme. Tjeter eshte qe nuk te pelqen ty qe ajo i thot troc te metat e partise qe ti e adhuron. Nese nuk i beson kesaj, atehere te keshilloj qe te interesohesh per deklaratat e inteligjences se KFOR-it Amerikan ne lidhje me krimet e bera nga PDK.

  2. Nordiku says:

    Kjo gazetare duhet dërguar për ndjekje penale për shkak të shpifjes! Shumë shkrim mediokër!

  3. alban says:

    Ne vend qe ta falenderojme gazetaren per kurajon civile i drejtohemi sikur te kete bere ajo ndonje faj.Mund te jete edhe shkrim medioker pasi do ishte me mire qe te rendiste edhe disa fakte , te cilat nuk mungojne ne politiken e sotme kosovare, por e verteta eshte qe secili po mendon per xhepat e veta dhe jo per kombin!Natyrisht qe kjo gjendje i shkon per mbare vetem Serbise!Tung

  4. SHqiponja says:

    Ju qe jeni kunder gazetares,a keni fakte.se ju te PYDYKYS po mendoni,qe me kercnime do mbeteni perjetsishte, ne lluksin e krijuar nga ndjersa e popullit me te vujtur ne Europe e me gjere.ju analfabete me katlleke ,ju doli per fushe tani me llymi me ere te qelbur,qe po kundermone ne gjithe europen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje