5 dhe 24 maji, 17 dhe 29 nëntori, dita e Republikës etj ngjarje historike kulmore po përdoren si sebep për të provokuar prej çerekshekulli tension politik e social thjesht dhe vetëm se në skenë del vazhdimisht emri i Enverit. Nëse të vlerësosh LANÇ, Konferencën e Pezës, të Përmetit, qëndrimin në Konferencën e Paqes, zhvillimin social-ekonomik pas lufte, reagimin ndaj shovinizmit sllavo-grek, denoncimin e Traktatit të Varshavës etj episode historike të bëjnë … ‘enverist’, ashtu qoftë. Historia nuk është bardhë e zi, nuk bëhet me rregull treshi dhe, të paktën në demokraci, nuk bëhet nga fituesi.
Historia shkruhet me ‘metrin’ patriotik
Leximi i historisë me ‘metrin’ anti-enverist nuk garanton objektivitet ndonse monizmi ishte diktaturë dhe ideologjia kontraston me demokracinë që inspirojmë. Por ndërsa sesa vetë utopia, problem ishte imponimi i saj (sikurse feja nuk ngatërrohet me inkuzicionin), vetë antienverizmi nuk është apriori vlerë demokratike apo patriotizëm.
Patriotizmi nuk është eskluzivitet i demokracisë. Perëndimi promovon plot figura historike në publik (mbretër, perëndorë etj) që ndonse pushtues për kohën apo diktator brënda llojit, avancuan kauzat nacionale duke lënë gjurmë në histori. Vetë lufta e dytë botërore bart ‘orë të zeza’ në kampin aleat (bombardimet indiskrete urbane, mbytja e flotës franceze, bomba bërthamore etj) por ndalja e revanit fashist mbetet medalje historike për të.
Ndërsa disidenca dhe nacionalizmi shqiptar meriton respektin e shansin e mohuar gjatë të hyrjes në histori, nuk mund të zhvlerësohen e lihen në harresë kontribute të mirëfillta patriotike thjesht dhe vetëm se përkuan me ‘orën’ e ‘enverizmit’. Për më tepër kur kruhen ‘kazanët’ e historisë për të rehabilituar antikomunizmin e përkrahur nga pushtuesi apo shovinizmi sllavo-grek.
Anatemimi prej monizmit, nuk e bën monarkinë apriori aset patriotik. Përtej faktit historik (monarku i parë dhe i vetëm, Republika e 21 janarit, konsolidimi i shtetit etj), nderimi publik stonon ndaj ‘metrit’ patriotik (riardhja me mbështetjen sllave, dhënia e trojeve, braktisja përballë pushtimit ndonse nxori nagantin kur iu bë atentat personal etj). Antikomunizmi nuk përligj gjithshka. Aq më pak nëpërkëmbjen e sovranitetit.
Me antikomunizmin si ‘streha’ e fundit për rehabilitimin e renegatit dhe kuislingut, nuk është befasi që ngjarje dhe data historike simbol të përgojohen me krye-tellall PD që si ‘bullying’ politik tenton të kompleksojë për gjithshka. E tek i kërkojmë grekut të heqë ligjin e luftës, revanshizmi ‘kushtrimi i të parëve’ nga ana e PD ka stisur dhe mban të ndezur një ‘ligj lufte’ artificial mes nesh për të na ndarë tek vetë e pandashmja.
LANÇ ishte luftë patriotike
LANÇ nuk mund të paragjykohet me alibinë e monizmit. Ajo na rreshtoi me fituesit duke evituar skenarin e coptimit nëse kolaboracionizmi do të fitonte terren. Ajo është meritë e të gjithëve, komunistë e nacionalistë dhe teksa nuk diskriminojmë të rënët, nuk kemi pse diferencojmë drejtuesit.
Heshtja ndaj Hoxhës për LANÇ, përveçse retushim historik, i bën karshillëk ndjeshmërive dhe objektivitetit të kampit aleat (SHBA e MB) që refuzuan kuislingët e drejtuesit e Ballit të bërë palë me fashizmin (nëse ka patur proamerikanë gjatë LANÇ, nuk ishin ata). Në kontekstin e LANÇ, ‘enverizmi’ jo vetëm kontribuoi në çështjen kombëtare por dhe ripohoi partnershipin historik ndaj SHBA. Ndaj, nëse ‘vija e kuqe’ në histori diktohet nga ‘metri’ patriotik, emancipimi demokratik presupozon çlirim nga komplekset e së shkuarës e sindroma e ‘biografisë’ në vlerësimin e protagonizmit të LANÇ.
Patriotizmi nuk ka ‘brirë’
E dalë nga diktatura, Shqipëria e 90 nuk pati asnjë pëllëmbë mangut sikurse ndodhi me monarkinë, u provokua prej kuislingëve (Konferenca e Parisit, një tjetër 1913!) apo u tentua në demokraci (kufiri detar me Greqinë).
Monizmi mund të anatemohet për shumë gjëra por kontributi i brezave në zhvillimin social-ekonomik dhe trashëgimia patriotike nuk mund të paragjykohen apriori. Aq më tepër kur me alibinë antikomuniste u përdhosën dhe u zhbënë përmes ‘terapisë shok’ investime brezash duke provokuar kaos dhe panik masiv mbijetese, plagë sociale (korrupsioni, trafiqet etj), varësi ekonomike ndaj gjeopolitikave të vjetra në Ballkan, manipulim vote, piramidat, armatosja masive, cënim kohezioni social (dosjet, prona, gjuha, krahinizmi, raportet ndërfetare, ndëretnike) etj episode ‘demokratike’ që kompromentojnë shtetin ligjor, sigurinë kombëtare dhe retorikën ‘patriotike’ të antienveristëve të konvertuar. ‘Enverizmi’ nuk është bardhë e zi por ndërsa antienverizmi ideologjik është parakusht për standartin e sotëm demokratik, në gjeopolitikë ai nuk është apriori patriotizëm.
‘Enverizëm’ proamerikan!
Për shqiptarët është unik orientimi properëndimor, së pari SHBA. Pa dallim, ‘enveristët’ përfshirë, u jemi mirënjohës SHBA nga presidenti Uilson deri më së fundi çlirimi i Kosovës aq sa proamerikanizmi është sot shprehje e vetë patriotizmit. Me LANÇ ‘enverizmi’ u bë palë me SHBA, ndërkohë që Legaliteti e Balli zyrtar sikurse edhe kuislingët iu kundërvunë si interesit kombëtar ashtu dhe atij amerikan (kapitullimi i monarkisë ndaj pushtimit dhe zgjerimi pa rezistencë i hartës së Boshtit me Shqipërinë, bashkëpunimi i Ballit me okupatorin, lufta ndaj Greqisë që i dha shovinistëve grekë sebepin e ligjit të luftës që mbeti ‘peshqesh’me pasoja në genocidin ndaj camëve etj).
Gjatë luftës së ftohtë, ndryshe nga antienverizmi greko-sërb që motivohej nga shovinizmi, antienverizmi amerikan nuk ishte kurrë antishqiptar. Amerika e kishte me rregjimin, jo me kauzën shqiptare në rajon dhe kundërvënia e monizmit ndaj SHBA ishte kohë e shans i humbur në konsolidimin e kësaj kauze (kreditime sikurse pati fat faktori sërb, moshyrja në BE sikurse pati fat faktori grek etj).
Nga ana tjetër, ngjarje si denoncimi i Traktatit të Varshavës, dëbimi i flotës ruse, provokacioni i gushtit etj, me kufizimin e influencës së lindjes dhe pretendimeve shovene fqinje, përkuan sadopak indirekt me gjeopolitikën amerikane për një zonë, në mos influence, neutrale dhe larg influencës sovjetike (inercia e Jaltës) në rajon me një Shqipëri të pacënuar në sovranitet prej fqinjëve të saj.
‘Kryqi’ i ‘mëkateve’ të monizmit është i rëndë (lufta e klasave etj) por nuk përfshin lëshimin në sovranitet (Republikë e 7 Jugosllave, Vorioepiri etj). Ndërkohë, ‘kryqi’ i Legalitetit nuk është kundërvënia ndaj shansit demokratik të Nolit e dhunimi i kundërshtarit politik por lypja e mbështetjes sllave për ta bërë këtë gjë, dhënia e trojeve, kapitullimi pa luftë në dëm edhe të interesave amerikane në rajon etj. ‘Kryqi’ i kuislingut e krerëve të Ballit nuk është dalja kundër LANÇ e ‘enveristëve’ por bërja njësh me okupatorin për t’i mposhtur ata në dëm edhe të interesave amerikane në rajon. ‘Kryqi’ i diversionit pas lufte nuk është rezistenca parimore ndaj rregjimit komunist por marrja e ‘bekimit’ greko-sërb për ta bërë atë.
‘Armiku i armikut tim është miku im’ nuk të rreshton gjithnjë në anën e duhur të historisë. Historia këto gjëra mban shënim dhe ca gjëra i ka ‘vulosur’ tashmë. Ajo nuk bëhet me ‘të shkuara të harruara’. As me ‘të shkuara të sajuara’. Nëse kthehet koka pas, mbetet vetëm ndjesa dhe dora e shtrirë mes shqiptarësh për më tej.
Zotni,
Edhe ne vend et tiers la pas ur komuniste e komuniste ne levizjet nacionalclirimtare,po ne as je vend nuk nderohen te rrenet me grusht ,po vetem me perrjulje para tyre!
Nationaliste edhe gjithe jo komunistet kishin arche bashke me ju per te nderruar te rrenet per Atdhe sikur kjo mos te nderrohet me grushtin,se ky grusht deshtet s’deshtet la nje historique tjeter ne shqiperi:date te shtypjes per gjysme e kombit!
Sa ma heret te kuptoni se nderrimet per Atdhetaret nuk behen mbi baza partiak aq ma mire per Kombin,perndryshe kerkoni vetem vazhdimin e luttes se klasave!
E drejte Artan, por figrurat mediokre te sotmet duan te varrosin cdo gje qe te mund te dalin ne pah dhe gabohen rende pasi ne mos sot neset do ta marrin ate qe meritojne…
Një artikull shkruar me një logjikë të shëndoshë; për nga stili, gjerësia e thellësia e problematikës që rrok është gati lakonik, por me mendime shumë të qarta e pohtuajse aksiomatike. Urime autorit!