Tërhiqini veshin!!!

29 Maj 2014, 20:29Blog TEMA

Nga Flogert Muça

 

“Sharjet janë argument për ata që nuk kanë të drejtë”

Jean-Jacques Rousseau (Zhan Zhak Ruso)

 

Mora shkas nga vërtetësia e asaj që thotë Rusoi për të vijuar më tej me atë që shohim e lexojme çdo ditë ne mediumet sociale, blogje,gazeta e gjithçfarë website-sh Online. Cdo ditë e më teper po merr vëmëndje “Bota Online”, e çdo ditë e më tepër po ashtu politikanët e kanë kuptuar se mënyra më e shpejtë e komunikimit me popullin është nëpërmjet mediumeve si Facebook, Twitter (pak Instagram sepse tek ne gjithçka vjen vite me vonesë). Paskëtaj, gjithëshka thuhet në keto mediume, derdhet vrullshem nëpër gazeta e “statusi” merr dhenë sa hap e mbyll sytë.

Por, ku po shkon ky komunikim? Sa po e konsumon shoqëria? Cfarë po konsumon shoqëria shqiptare nga bota online? Kush është bërë i padurueshëm për lexuesin online? Kush disinformon sot Online? Cili formëson shije regresive për shoqërinë? Kush thyen etikën si koncept? Të gjitha këto pyetje e gjejnë përgjigjen nëse analizojmë gjuhën e përdorur nga politikanët, reagimet ndaj saj nga lexuesit Online dhe pasojat në shoqëri nga ajo c’ka kjo gjuhë injekton. Po të përqëndrohemi tek politika, do e kemi më të lehtë të arsyetojmë. Këtë s’do e shohim në kontekstin politik, sepse populli e ka dhënë verdiktin e tij politik më 23 qershor, por do e shohim në rrafshin moral dhe psikologjik që përcillet nga komunikimi i politikanëve.

Rasti i parë që vlen për tu parë e analizuar është ai i ish kryeministrit e tani deputet, Sali Berisha. Para afro një viti e gjys, aq shumë e akuzonte Edi Ramën që përdorte tëitter, saqë në një moment u duk sikur Berisha ishte kundra gjithë botës Online. Në fakt, edhe pse kundër gjithë botës ai mund të jetë në shumë aspekte, s’mundi ti bëjë ballë tundimit për të patur dhe ai një profil në rrjetin me te madh social, Facebook. Ndoshta e detyruan në fillim specialistët e tij amerikanë të komunikimit, por sot s’ka asnjë dyshim që është pasioni i tij më i madh. S’ka asnjë rëndësi si hyri në botën Online z.Berisha, në këtë botë kaq të panjohur për të gjer dje, por padyshim ka rëndësi ti “tërhiqet” pakëz veshi nga ne të rinjtë për gjuhën që po përdor në komunitetin me të madh online.

Krahasimi mes Ramës opozitë dje dhe Berishës në opozitë sot, është i një rëndësie potenciale. Gjuha e djeshme e Ramës ishte ajo e një opozitari që kishte plot argumente sepse pas 8 vitesh në pushtet, gabimet e një qeverie rriten në numër të paktën. Edi Rama në opozitë dje, dilte e fliste për ato që në fakt populli i rënkonte çdo ditë. Për këtë fakt s’kemi pse zgjatemi duke bërë kërkime për deklaratat e z. Rama, pasi vetë vota e 23 qershorit foli qartë. Votë plebishitare e cila s’të jipte asnjë vënd për diskutim. Fituesi, nuk gjykohet, aq me tepër kur fitorja është milionëshe.

Berisha sot, pas 8 muajsh qeverisje nga Rama, ku akoma s’janë ndërruar “kompiuterat” e zyrave, s’ka argumentin e duhur për të bërtitur siç po e bën. Por sigurisht, është minorancë, e mirë bën që “bërtet”. Them bërtet, sepse gjuha e tij si në parlament si jashtë tij (Facebook parlament në fakt) është e egër, e pashembullt vec shëmbullit të tij. Bën mirë që bën opozitë, pasi pa opozitë s’do kishim demokraci. Opozita ka të drejtë të bëj dhe protesta, pasi edhe pse kjo opozitë sot, dje në pushtet (ia lëmë drejtësisë ta gjykojë siç duhet) e vrau shpirtin e protestës më 21 janar të 2011-ës, falë kundërshtarit te tij, ajo u ringjall, mori jetë e kuptim, e sot askush s’ka më frikë të thotë me protestë atë që mendon se qeveria s’po e bën mirë. Por, përpos gjithë të drejtave që i jep vëndi i deputetit opozitar, s’ka asnjë të drejtë të paktën morale të mbjelli “luftë” sociale.

Por, pse duhet parë me vëmendje rasti Berisha? Cili është interesi për ta ndjekur si rast? Pse duhet ti “tërhiqet” veshi”?

Për t’ju përgjigjur të gjithë këtyre pyetjeve, unë kalova në faqen e tij në facebook, pashë me radhë të gjithë postimet e tij. Pasi i pashë me kujdes, vura re disa fjalë kyçe që gjëndeshin në çdo postim të tijin. Ishin fjalët që nga goja e tij i kemi dëgjuar që nga viti 1990-2013. Ishin ato fjalët kyce që ndjekin jetën e një njeriu që ose është ushtar i ndonjë beteje fatale, ose padiskutim një fatalitet në jetën e tij e ka bërë të bëhet posesiv. Në çdo status të Sali Berishës fjalët : Drogë, bombë, krim, Molotov, dinamit, mafie, eksploziv, dhune, gurë, hunj, puç, burg, tritol, bastisje, krim i organizuar, vrasje, komunist, …… janë lokomotivë. Pse? Kush e lejon një njeri që të mbjelli sot në shekullin 21 të tilla ndjenja në një shoqëri që duhet të rritet e pastër e shëndoshë, në paqe? Kush mendon ai se është që të injektojë të tilla vese vrasëse?

Por, nga ana tjetër, pas pasqyrimit të “shashkave” të tij dëshpëruese e të dala mode në gazetat Online, reagimi i popullit është ai që të bën të buzëqeshësh sërisht. E injorojnë, e quajnë lolo, të çmendur e pafund epitete të tjera. Mos më besoni mua, por hyni e lexoni në çdo gazetë e facebook-un e tij po të doni reagimet e spontane të një populli që tanimë është “zgjuar”

Stisjet e tij s’kanë fund, por unë do doja tju citoja një koment që dikush kishte lënë në facebook-un e Berishës : “ Lëreni në marrinë e tij Atë dhë Ata që ai përdor si ushtarë, pasi vetëm kështu, epitetet tuaja do jenë të realizuara në detaj”!

Ushtarët nga ana tjetër, janë po ata “revolucionarët” e fryrë nga politika e tij e gjuha e tij Virozë. Shkak i gjithë kësaj rrëmuje mediatike, që popullin e lodh është sërisht problemi më i madh i gjithë botës Online tek ne; i porsardhuri Sali Berisha. Ai kudo shkon bën rrëmujë. Kjo na bën të mëndojmë se ai këtë e bën për një arsye shumë të thjeshtë. Ndoshta është për të humbë gjurmët nga të vërtetat e hidhura që ka fshehur gjer dje. Në fakt, edhe rrjetet sociale kanë dhënë kontributin e tyre për t;i nxjerrë në pah. Ndoshta po hakmerret ndaj rrjeteve sociale që i nxorrën shumë të qëna të fshehura, e po rrjetet sociale ishin ato që s’i nënshtroi dot kurrë. Nga ana tjetër, aq shumë të habisin, ata që i mbajnë lojën padronit që flet nga “froni” i facebook-ut, sa edhe sikur të të kenë të drejtë, s’kanë asnjë argument që të mund t’ju besosh se njerëzit online meritojnë një dhunë të tillë psikologjike e gjuhësore.

Një pyetje më vjen natyrshëm: C’do arrini nëse vijoni të dilni në shesh kot, me halucinacione të stisura nga gjuha e përdalë e nje facebook-isti të ditëve të fundit? E keni POLITIKE? Ok, bëjeni, por popullin mos e disinformoni më se do ju dënojë siç dhe bëri. Poashtu do ju dënojë akoma më rënde  Historia. Populli nuk mund të bindet nga fjalët e një njeriu i cili për 23 vjet me radhë mes tyre ka mbjellur dhunë verbale, vëllavrasje, dhunë psikologjike e mungesë të thellë humanizmi. Shqipëria e shqipëtarët janë Solidarë nga natyra e tanimë askush s’mundet ta zhbëjë këtë fatmirësi. Sot e gjithë ditën mbjell vrer, e ky vrer duket si grahma e fundit e dështimit. Për sa kohë hija e dy pemëve mjafton për të mbledhur mbështetësit e tij, është më se e qartë se të gjithë po i tërheqin veshin duke i thënë: “ Kujdes, gjuha që ti përdor është kultura e mbrapshtë që ne nuk e pranojmë.

Së fundmi unë dua të ritheksoj se indiferenca ndaj kësaj gjuhe s’na bën as më mirë as më keq, por na lë në vend e kjo është ë fundit gjë që na duhet. Gjuha e dhunës duhet shmangur, për të arritur më së pari një paqe sociale. Duhet të mos harrojmë së zgjidhja jemi ne, ndaj dua të shtoj se Berisha nga zyra e tij luksoze (për të cilën nuk dha kurrë llogari se si e mori e me se e bleu tërë atë perandori) rri e shtrydh sytë para një kompiuteri duke shkruar çi thotë frika e tij e madhe. Këtë e ndalim vetëm ne duke i thënë çdo ditë: “Ta këpusim veshin” për gjuhën që përdor e kulturën regressive që tenton të mbash në jetë.

5 komente në “Tërhiqini veshin!!!”

  1. luna says:

    Super e vertete kjo.

    1. Besim Kodra says:

      E vertete cdo fjale e thene me siper nga artikullshkruesi

  2. epiri says:

    Pushka top ju befte ketij qe ka shkruar kete shkrim. Nje ekspoze fantastike e nje realiteti te perditshem.
    Frike ka nga rrjetet sociale Berisha, sepse kjo bote po e shkaterron me lirine e saj ate

  3. Rebeli says:

    I kuptoj qe te gjitha komentet,por ketij gjarperi qe po na helmon prej nje çerek shekulli,duhet ti shtypet koka dhe jo ti terhiqet veshi.

  4. marshalli TITO za uvijek says:

    Ti terhiqet veshi??? NE HANXHAR subito!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje